Mësime të Presidentëve
Kapitulli 8: Bekimet e Tempullit për Ne dhe Paraardhësit Tanë


Kapitulli 8

Bekimet e Tempullit për Ne dhe Paraardhësit Tanë

Qëllimi i tempujve është që të sigurojnë një vend ku të kryhen ordinancat e shenjta për të gjallët dhe për të vdekurit.

Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit

Në vitin 1905, kur ishte Apostull i ri, Xhorxh Albert Smithi vizitoi disa vende të rëndësishme të historisë së Kishës me Presidentin Jozef F. Smith dhe anëtarë të tjerë të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Një vend që vizituan ishte Kirtlandi në Ohajo, ku Shenjtorët e parë patën ndërtuar tempullin e parë në këtë periudhë ungjillore. “Duke iu afruar pamjes së qytetit”, kujtoi Plaku Smith, “gjëja e parë që ndeshi vështrimin tonë ishte tempulli i bukur i Kirtlandit. … Qe aty që Profeti Jozef Smith dhe [Oliver Kaudri] panë Shpëtimtarin mbi pjesën e sipërme të katedrës. Qe aty që Moisiu u dorëzoi atyre çelësat e mbledhjes së Izraelit; dhe që Eliasi dhe Elija erdhën në fuqinë e madhështinë e thirrjeve të tyre të mëdha dhe iu dhanë çelësat që qenë dorëzuar nën kujdesin e tyre në kohën e shërbesës së tyre në tokë.”

Teksa grupi po ecte nëpër tempull, Plaku Smith mendoi rreth Shenjtorëve të devotshëm, të cilët e ndërtuan atë. “Kur arritëm të kuptonim se ndërtesa qe ndërtuar nga njerëz në varfëri të skajshme, se si burra të guximshëm punuan gjatë ditës për të hedhur themelet dhe për të ndërtuar muret e asaj strukture, dhe pastaj natën qëndruan dhe e mbrojtën me armë kundër atyre që ishin betuar se ndërtesa kurrë nuk duhej të përfundohej; ne nuk mund të mos ndienim se nuk ishte e çuditshme që Zoti e pranoi ofertën e tyre dhe i bekoi ata, si pak njerëz janë bekuar mbi tokë.”1

Vite më vonë, pasi u veçua si President i Kishës, Presidenti Smith përkushtoi Tempullin e Ajdaho-Follsit në Ajdaho. Në lutjen përkushtuese, ai dha falënderime për punën e shpëtimit, që kryhet në tempull për të gjallët dhe për të vdekurit:

“Ne të falënderojmë ty, o Perëndi, që dërgove Elijan, profetin e lashtë, të cilit i qenë ‘… dhënë çelësat e fuqisë për t’i kthyer zemrat e etërve te bijtë dhe zemrat e bijve tek etërit, që tërë toka të mos goditet me një mallkim’ [DeB 27:9]. Ne të falënderojmë ty që ai u dërgua tek shërbëtori yt, Jozef Smithi, për të dhënë çelësat dhe autoritetin e punës për të vdekurit, dhe për të zbuluar që plani i shpëtimit përfshin tërë familjen njerëzore, që ungjilli është i gjithësishëm për nga shtrirja, dhe që ti nuk je i anshëm, [pasi] ke siguruar predikimin e ungjillit të shpëtimit si te të gjallët edhe te të vdekurit. Ne të jemi tepër mirënjohës që shpëtimi u ofrohet të gjithëve që dëshirojnë të shpëtohen në mbretërinë tënde.

Qoftë i pëlqyeshëm për popullin tënd kërkimi i gjenealogjisë së stërgjyshërve të tyre që të mund të bëhen çlirimtarë në malin e Sionit, duke kryer në tempujt e tu shërbesën për të afërmit e tyre të vdekur. Ne lutemi gjithashtu që shpirti i Elijas të mund të qëndrojë fuqishëm mbi gjithë popujt kudo, që ata të mund të nxiten që të mbledhin dhe të bëjnë të disponueshme gjenealogjinë e paraardhësve të tyre; dhe që fëmijët e tu besnikë të mund të përdorin tempujt e tu të shenjtë, në të cilët të kryejnë, në emër të të vdekurve, të gjitha ordinancat që i përkasin ekzaltimit të tyre të përjetshëm.”

Në lutjen e tij, Presidenti Smith pohoi gjithashtu se, me të vërtetë tempulli është shtëpia e Zotit dhe një vend ku mund të ndihet prania e Perëndisë:

“Sot ne, këtu dhe tani, ta dedikojmë ty Tempullin me gjithçka që i përket atij që të mund të jetë i shenjtë në sytë e tu; që të mund të jetë një shtëpi lutjeje, një shtëpi lavdërimi e adhurimi, që lavdia jote të mund të pushojë në të dhe prania jote e shenjtë të jetë vazhdimisht në të; dhe që të mund të jetë një banesë e pranueshme për Birin tënd Shumë të Dashur, Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tonë; që të mund edhe të shenjtërohet edhe të përkushtohet në tërë pjesët e tij për të qenë i shenjtë në ty; dhe ne lutemi që të gjithë ata që do mund të kalojnë pragun e kësaj Shtëpisë tënde, të mund t’u lërë përshtypje shenjtëria e saj. …

O Ati ynë Qiellor, a do të lejosh që të ndihet përherë prania jote këtu, që të gjithë që do të mblidhen këtu të mund të kuptojnë se janë të ftuarit e tu dhe se kjo është Shtëpia jote.”2 [Shih sugjerimin 1 në faqen 90.]

Mësime të Xhorxh Albert Smithit

Në tempull ne marrim ordinanca të shenjta, përfshirë ordinancat që i lidhin familjet në përjetësi.

Në mënyrë që të mund të përgatitemi për mbretërinë [çelestiale], Zoti, në mëshirën e tij, në këtë periudhë të mëvonshme rivendosi Ungjillin e Jezu Krishtit dhe vendosi në të autoritetin hyjnor dhe pastaj i dha kuptim fëmijëve të Tij që disa ordinanca mund të merren e kryhen. Tempujt u ndërtuan për këtë qëllim dhe, brenda këtyre tempujve, ata që dëshirojnë një vend në Mbretërinë Çelestiale kanë mundësinë që të shkojnë e të marrin bekimet e tyre, që të pasurojnë jetën e tyre dhe të përgatiten për atë mbretëri.3

Ne jemi të vetmit njerëz në botë që e dimë arsyen përse janë tempujt.4

Secili [tempull] është ndërtuar për një qëllim të madh e të përjetshëm: që të shërbejë si një Shtëpi e Zotit, që të sigurojë një vend të shenjtë e të përshtatshëm për kryerjen e ordinancave të shenjta që lidhin mbi tokë si edhe në qiell – ordinanca për të vdekurit dhe për të gjallët që u sigurojnë atyre, të cilët i marrin ato dhe janë besnikë ndaj besëlidhjeve të veta, zotërimin dhe bashkimin e familjeve të tyre, botë pa fund dhe ekzaltimin me ta në mbretërinë çelestiale të Atit tonë.5

Ne duhet të jemi mirënjohës për një dijeni mbi përjetësinë e besëlidhjes së martesës. Në qoftë se do shpresonim vetëm në këtë jetë, ne, me të vërtetë, do të ishim më të mjerët e të gjithë njerëzve [shih 1 Korintasve 15:19]. Siguria që marrëdhënia jonë këtu si prindër e fëmijë, si bashkëshortë e bashkëshorte, do të vazhdojë në qiell dhe se ky është vetëm fillimi i një mbretërie të mrekullueshme e të lavdishme, që Ati ynë ka përcaktuar që do ta trashëgojmë në anën tjetër, na mbush me shpresë e gëzim.6

Nëse, tani që gruaja ime e dashur dhe prindërit e mi të dashur janë larguar, do të mendoja, ashtu siç mendojnë shumë, se ata janë larguar nga jeta ime përgjithmonë dhe se nuk do t’i shoh më kurrë, [kjo] do të më hiqte një prej gëzimeve më të mëdha që kam në jetë: meditimin e takimit sërish me ta dhe të gëzimit të mikpritjes e dashurisë së tyre dhe të falënderimit të tyre nga thellësitë e një zemre mirënjohëse për gjithçka kanë bërë për mua.

Por ka shumë e shumë miliona prej fëmijëve të Atit tonë që nuk e dinë se duke marrë disa ordinanca të përshkruara nga Ati ynë Qiellor, bashkëshortët dhe bashkëshortet mund të bashkohen për kohën e përjetësinë dhe të gëzojnë shoqërinë e fëmijëve të tyre përgjithmonë. Sa mirënjohës duhet të jemi për këtë dijeni.7

Ka vetëm pak vende në botë ku mund të martohemi për përjetësinë dhe kjo [ndodh] në tempujt e Perëndisë. … Gjithashtu, ka shumë prej vëllezërve e motrave tona, të gjithë fëmijë të Atit tonë Qiellor, të cilëve iu është mohuar ky privilegj për shkak të … arsyeve të pashmangshme. Por nëse jetojnë denjësisht dhe nëse do ta kishin shfrytëzuar privilegjin po të kishin qenë në gjendje ta bënin këtë, ata nuk do të humbin asgjë prej këtyre rrethanave përkohësisht të papërshtatshme. Por mendoni atëherë se sa më e madhe është përgjegjësia e atyre që jetojnë aty ku burra e gra mund të bashkohen për përjetësinë dhe ku mund të shkojnë e bëjnë punën për të vdekurit e tyre! Njerëzit e botës nuk e kanë këtë bekim. Pyes veten nëse ne e vlerësojmë këtë. …

Le t’i udhëzojmë të rinjtë tanë mbi këto çështje që prej rinisë së tyre të hershme, kështu që kur të arrijnë moshën për martesë, nuk do të ketë asnjë dyshim në mendjen e tyre në lidhje me atë se ku apo se si apo se prej kujt duhet të kryhet ajo ordinancë e shenjtë – dhe i vetmi vend në të cilin mund të kryhet për kohën dhe për përjetësinë është në tempull.8

E falënderoj [Zotin] për të gjitha ordinancat e Shtëpisë së Zotit që kam marrë, secila prej të cilave nuk ka qenë vetëm për mua, por më është lejuar të marr një pjesë të asaj që është caktuar për të gjithë fëmijët e tij, kudo qofshin këta, nëse janë të gatshëm të marrin atë që ai u ofron atyre, pa para dhe pa paguar.9

Të gjithë … tempujt që janë ndërtuar apo ende do të përkushtohen, do të vërtetojnë se janë një bekim pa masë për të gjithë ata që e përdorin denjësisht privilegjin e shfrytëzimit të tij, si për veten edhe për të afërmit e tyre të vdekur.10 [Shih sugjerimin 2 në faqen 90.]

Përmes punës së tempullit ne ua bëjmë të disponueshme bekimet e përjetshme paraardhësve tanë që kanë ndërruar jetë.

Shoqëria gjenealogjike ka harxhuar vite kohë për të mbledhur të dhëna të [historisë së familjes] dhe të tjerë harxhojnë vite kohë për të shkuar në Shtëpinë e Zotit që të pagëzohen për ata që kanë vdekur, që të vulosin tek njëri-tjetri bashkëshortët e bashkëshortet e fëmijët, që të bashkojnë familjen siç Ati Qiellor na ka udhëzuar që duhet të bëjmë. Do të ishte mirë sikur secili prej nesh t’i bënte vetes pyetjen: Çfarë jam duke bërë në këtë drejtim? A po e bëj pjesën time? Ati ynë Qiellor u tha njerëzve nëpërmjet Jozef Smithit se, po të mos kryenim punën për të vdekurit tanë, ne do të humbnim vetë bekimet tona e do të flakeshim; dhe një nga gjërat më të fundit që Profeti u përpoq të bënte, ishte të përfundonte një tempull, në të cilin njerëzit mund të shkonin e kryenin punën për të vdekurit e tyre. Pra, kaq e rëndësishme është. Duhet të bëhet nga dikush.11

Më kujtohet tani një histori e dy vëllezërve që jetuan në një qytet të Jutës veriore: Vëllai më i madh, Henri, ishte bankier e tregtar dhe kishte me bollëk. Vëllai tjetër, Xhorxhi, ishte fermer dhe nuk kishte aq shumë përtej nevojave të veta, por ai kishte dëshirë të bënte punën e tempullit për të vdekurit e tyre. Ai bëri kërkime për gjenealogjinë e tyre dhe shkoi në tempull e punoi për ata që patën ndërruar jetë.

Një ditë, Xhorxhi i tha Henrit: “Mendoj se duhet të shkosh në tempull e të ndihmosh”.

Por Henri tha: “Nuk kam kohë të bëj gjëra të tilla. Gjithë kohën ma merr përkujdesja për biznesin tim.” …

Afërsisht një vit pas kësaj, Henri mori në telefon shtëpinë e Xhorxhit dhe tha: “Xhorxh, kam parë një ëndërr dhe më shqetëson. Pyes veten nëse mund të më tregosh se çfarë kuptimi ka?”

Xhorxhi pyeti: “Çfarë ke ëndërruar, Henri?”

Henri tha: “Pashë në ëndërr se unë dhe ti e kishim lënë këtë jetë dhe ishim në anën tjetër të velit. Ndërsa po lëviznim, mbërritëm në një qytet të bukur. Njerëzit ishin mbledhur së bashku në grupe në shumë vende dhe në çdo vend ku erdhëm, ata të shtrënguan dorën dhe të hodhën krahët në qafë dhe të bekuan dhe thanë se sa mirënjohës ishin që të takonin ty, por,” tha ai, “ata nuk më kushtuan asnjë grimë vëmendje mua; zor se ishin miqësorë. Çfarë do të thotë kjo?”

Xhorxhi pyeti: “Mendove se ishim në anën tjetër të velit?”

“Po.”

“Mirë, kjo është ajo rreth së cilës të kam folur. Jam përpjekur të të bind që të kryesh punën për ata njerëz që janë atje përtej. Unë kam bërë punën për shumë prej tyre, por puna për shumë të tjerë, është ende për t’u bërë. … Bën mirë t’i futesh punës, sepse ti ke provuar paksa nga ajo që mund të presësh kur të kalosh atje matanë nëse nuk bën pjesën tënde në kryerjen e kësaj pune për ta.” [Shih sugjerimin 3 në faqen 90.]

Kam menduar për këtë histori nga jeta e dy vëllezërve vërtet shumë herë. Shumë njerëz nuk e kuptojnë seriozitetin dhe shenjtërinë e jetës; ata nuk e kuptojnë shenjtërinë e martesës së përjetshme. Ka ca nga njerëzit tanë, që nuk kanë asnjë interes për gjenealogjinë e tyre. Ata nuk kujdesen fare për stërgjyshërit e tyre; të paktën të bën të mendosh kështu mënyra si sillen. Ata nuk shkojnë në tempull për të bërë punën për të vdekurit e tyre. …

… Pasi kemi qenë në Shtëpinë e Zotit për vetë bekimet tona, le të mendojmë rreth përgjegjësisë sonë ndaj stërgjyshërve tanë. Si do t’ju presin kur të shkoni në anën tjetër? A do të jeni ju, ai ose ajo që ata do ta gjejnë e bekojnë gjatë epokave të përjetësisë, apo do të jeni si vëllai, i cili me egoizëm po zgjidhte problemet e veta këtu, duke i lënë ata që nuk mund të bënin gjë për veten, të vazhdonin pa ndihmën e tij?12

E dini se ne jemi të gjithë të lidhur së bashku përmes punës së mrekullueshme që po bëhet në tempujt e Atit tonë, ku familjet, që nuk janë bashkuar më parë, lidhen së bashku nëpërmjet fuqisë së Priftërisë së Shenjtë. Zoti caktoi që, gjithsecili prej bijve dhe bijave të tij duhet ta ketë mundësinë që të bekohet, jo vetëm këtu mbi tokë, por të gëzojë bekimet e përjetshme.

Mendoni për devotshmërinë dhe besnikërinë e atyre që, dita-ditës, shkojnë në këta tempuj dhe kryejnë shërbesën për ata që kanë shkuar në anën tjetër; dhe dijeni këtë, ata të cilët janë në anën tjetër, janë po aq të shqetësuar për ne. Ata po luten për ne dhe për suksesin tonë. Ata po luten, sipas mënyrës së tyre, për pasardhësit e tyre, për brezat vijues që jetojnë në tokë.13

Zoti do na ndihmojë në kërkimin tonë për të afërmit tanë të vdekur.

Disa vite më parë në Çikago, gjatë Ekspozitës “Shekulli i Përparimit”, shkova një ditë tek kabina e Kishës sonë dhe i pyeta misionarët se kush e kishte në ngarkim panairin e madh kulturor e shkencor.

Ata më thanë se emrin e kishte Daz; dhe i pyeta: “Mos është vëllai i Çarls G. Daz, që ishte zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara dhe gjithashtu ambasador në Britaninë e Madhe?”

Dhe ata u përgjigjën: “Po.”

“Mirë”, thashë, “Jam i gëzuar që e mora vesh këtë. Ja që unë e njoh atë.”

Thashë me vete: “Duhet të shkoj t’i telefonoj. Ai do të jetë Henri Daz.” E njihja Henri Daz, kështu që shkova tek telefoni dhe mora zyrën e tij. Sekretarja e tij … i tha zotit Daz se Xhorxh Albert Smithi nga Solt-Lejk-Siti ishte aty dhe donte ta takonte dhe ai i tha që të më lejonte të shkoja. Kështu që, në vend që të më kalonte për të pritur radhën time pas njëqind njerëzve, ajo më mori te një derë anësore dhe aty përpara meje qëndronte një burrë i gjatë, të cilin nuk e kisha parë kurrë më parë në jetën time.

Ai tha: “Unë jam z. Daz”.

Ai ishte shumë i dashur, por përfytyroni se sa në siklet isha unë. Ai qe z. Daz dhe qe vëllai i Ambasadorit Daz, por qe Rufës Daz. Nuk e dija se kishte një Rufës Daz në botë.

“Mirë”, thashë, “kam ardhur t’ju them se ky është një panair i mrekullueshëm dhe për t’ju shprehur vlerësimin tim për atë që keni bërë me organizimin dhe përfundimin e tij. Është e mrekullueshme ajo që është realizuar dhe çfarë [burimi] edukimi është për kaq shumë njerëz. Tani, e kuptoj se jeni njeri i zënë dhe kjo është e gjitha që doja të vija e të thosha; dhe t’ju përgëzoja dhe t’ju falënderoja.”

“Kjo është shumë vlerësuese nga ana juaj”, tha ai. “Hyni.”

“Jo, kjo është e gjitha që erdha për t’ju thënë”, u përgjigja.

Ai tha: “Hyni fill brenda.”

Thashë: “Jo, ka njëqind njerëz që po presin t’ju takojnë”.

“Asnjëri prej tyre nuk do thotë ndonjë gjë aq të mirë sa ajo që thatë ju.”

Kështu që hyra, pothuajse, pa ide dhe pa frymë. Ai këmbënguli që të ulesha dhe gjëja tjetër që thashë qe: “Me që ra fjala, z. Daz, nga e kanë prejardhjen njerëzit tuaj?”

“Doni të thoni në Amerikë?” pyeti ai.

“Dua të them kudo.”

Ai tha: “Jeni i interesuar mbi gjenealogjinë?”

“Sigurisht që jam.” U përgjigja unë. “Ne kemi një nga bibliotekat më të mrekullueshme gjenealogjike në Solt-Lejk-Siti.”

Ai tha: “Më falni një çast”, dhe doli nga zyra e vet e u kthye me një kuti kartoni pothuaj në madhësinë e një Bible të vjetër familjeje. Mori thikën e vet, hapi kutinë e kartonit dhe nxori një pako të mbështjellë me letër të bardhë pëlhure. Ai e hoqi letrën prej pëlhure dhe vendosi mbi tavolinë një prej librave të lidhur më bukur që kam parë ndonjëherë. Ishte i shtypur mirë dhe i ilustruar bollshëm; dhe kapaku ishte zbukuruar hijshëm me reliev floriri.

Kur po e shqyrtoja, thashë: “Z. Daz, kjo është një kryevepër punimi”.

“Duhet të jetë. Më kushtoi njëzetepesëmijë dollarë.”

“Mirë”, thashë, “ia vlen”.

Ai tha: “A ka ndonjë vlerë për ju?”

I thashë: “Do të kishte po ta kisha unë”.

Ai tha: “Në rregull, mund ta marrësh!” – një gjenealogji me vlerë njëzetepesëmijë dollarë, e lënë në dorën time nga një burrë që e kisha takuar vetëm pesë minuta më parë! Mirë, isha i habitur. Takimi ynë i parë vazhdoi vetëm pak më gjatë. I tregova se sa i gëzuar qeshë që e mora atë dhe se do ta vendosja në bibliotekën gjenealogjike në Solt-Lejk-Siti.

Para se të largohesha nga dhoma, ai tha: “Z. Smith, kjo është gjenealogjia e nënës sime, gjenealogjia e Gejtës-ve. Ne po përgatisim edhe gjenealogjinë e babait tim – familjes Daz. Do të jetë pikërisht si kjo. Kur të mbarojë, do të doja t’ju dërgoja edhe një kopje të saj.”

Pesëdhjetëmijë dollarë gjenealogji – dhe thjesht sepse u përpoqa të isha i sjellshëm me dikë! Nuk mendoj se ajo qe një rastësi. …

Zoti po na ndihmon; është e mrekullueshme se si rruga hapet dhe se si njerëz të tjerë shpesh nxiten që të përgatisin gjenealogjitë e tyre. Por ndonjëherë, ne dështojmë që të përfitojmë nga mundësitë që kemi për të përgatitur gjenealogjitë tona, edhe pse Zoti ka thënë shumë qartësisht se po të mos merremi me punën tonë të tempullit, ne do të mohohemi së bashku me të vdekurit tanë [shih DeB 124:32]. Kjo është diçka shumë serioze. Kjo është diçka që nuk mund ta ndryshojmë, nëse i kemi humbur mundësitë tona derisa jeta të kalojë. … Ne nuk mund të presim që të tjerët ta bëjnë këtë punë për ne.

Kështu që, Zoti, në një mënyrë apo tjetër, na nxit, këshillon dhe mëson që ta bëjmë punën tonë. Disa familje që nuk mund ta bëjnë vetë punën, kanë dikë tjetër që punon gjithë kohën me gjenealogjinë e tyre për në tempull dhe dokumentet.

Nëse bëjmë pjesën tonë, gjenealogjitë tona do na shpalosen – herë në një mënyrë, herë në një mënyrë tjetër. Prandaj dua t’ju këshilloj, vëllezër dhe motra të mia: le të bëjmë pjesën tonë.14 [Shih sugjerimin 4 në faqen 90.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii

  1. Lexoni fragmentet nga lutja përkushtuese e Tempullit të Ajdaho-Follsit në Ajdaho, në faqet 81–82; dhe lexoni DeB 109:1–5, 10–13 (nga lutja përkushtuese e Tempullit të Kirtlandit). Meditoni mbi ndjenjat që keni kur merrni pjesë në tempull dhe mendoni rreth përvojave që kanë forcuar dëshminë tuaj që tempulli është shtëpia e Zotit.

  2. Cilat janë arsyet që jep Presidenti Smith për ndërtimin e tempujve? (shih faqet 82–84). Çfarë mund të bëjmë që të nxitim të rinjtë që të përgatiten për t’u martuar në tempull?

  3. Lexoni historinë në faqen 85. Cilat janë disa mënyra të thjeshta për dikë me shumë përgjegjësi të tjera që të marrë pjesë në punën për historinë e familjes? Çfarë mund të bëjnë kuorumet e priftërisë dhe Shoqatat e Ndihmës për të marrë pjesë?

  4. Shihni sërish seksionin që fillon në faqen 87. Si ju ka ndihmuar Zoti kur jeni përpjekur që të gjeni të dhëna rreth të parëve tuaj? Çfarë bekimesh të tjera keni marrë kur keni marrë pjesë në punën për historinë e familjes?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Malakia 4:5–6; Doktrina e Besëlidhje 97:15–16; 110; 124:39–41; 128:9, 15–24.

Ndihmë për mësimdhënien: Kur një person lexon me zë të lartë nga mësimet e Presidentit Smith, ftoni anëtarë të tjerë të klasës që “të dëgjojnë dhe kërkojnë për parime dhe mendime të veçanta. Nëse një fragment përmban fjalë ose thënie të vështira, shpjegojini këto përpara se të lexohet fragmenti. Nëse ndonjë në grup mund të ketë vështirësi me leximin, kërkoni për vullnetarë në vend që t’i bëni ata të marrin radhën” (Teaching, No Greater Call, f. 56).

Shënime

  1. Në Conference Report, prill 1906, f. 57.

  2. “Dedicatory Prayer … Idaho Falls Temple”, Improvement Era, tetor 1945, f. 564–565.

  3. Deseret News, 13 shkurt 1932, Church section, f. 7.

  4. Në Conference Report, tetor 1950, f. 159.

  5. “The Tenth Temple”, Improvement Era, tetor 1945, f. 561.

  6. Në Conference Report, tetor 1905, f. 29.

  7. “Priceless Prospects”, Improvement Era, qershor 1950, f. 469.

  8. “The Tenth Temple”, f. 561, 602.

  9. Në Conference Report, tetor 1929, f. 25.

  10. “The Tenth Temple”, f. 602.

  11. “The Tenth Temple”, f. 602.

  12. “The Tenth Temple”, f. 561, 602.

  13. Në Conference Report, prill 1937, f. 34–35.

  14. “On Searching for Family Records”, Improvement Era, gusht 1946, f. 491, 540.

Nga brenda Tempullit të Kirtlandit, ku profeti i lashtë Elija iu shfaq Jozef Smithit dhe i dha atij fuqinë e vulosjes dhe çelësat e punës për të vdekurit.

“Ka vetëm pak vende në botë ku mund të martohemi për përjetësinë dhe kjo ndodh në tempujt e Perëndisë.”

“Mendoni për devotshmërinë dhe besnikërinë e atyre që, dita-ditës, shkojnë në këta tempuj dhe kryejnë shërbesën për ata që kanë shkuar në anën tjetër.”

Shtyp në Letër