Mësime të Presidentëve
Kapitulli 13: Përmbushja e Pjesës Sonë në Shpërndarjen e Ungjillit


Kapitulli 13

Përmbushja e Pjesës Sonë në Shpërndarjen e Ungjillit

Ka shumë mënyra se si mund të marrim pjesë në punën e mrekullueshme të shpërndarjes së ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.

Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit

Përveç shërbesës për afro 48 vjet si Autoritet i Përgjithshëm, Xhorxh Albert Smithi shërbeu në tre misione të plota për Kishën, përfshirë dy vjet si president i Misionit Europian. Ai i nxiti anëtarët e Kishës që të përgatiten shpirtërisht për shërbime misionare të plota dhe që t’i pranojnë këto thirrje kur t’u vijnë. Por ai gjithashtu u mësoi atyre se nuk ka nevojë të marrin një thirrje zyrtare për mision që të predikojnë ungjillin. Xhorxh Albert Smithi qe misionar gjatë gjithë jetës së vet dhe shpesh i kujtoi anëtarët e Kishës për mundësitë e tyre të shumta për të ndarë ungjillin me fqinjët e miqtë e tyre dhe i nxiti që të ishin shembuj të mirë dishepujsh të Krishtit.

Shërbimi i Presidentit Smith në Misionin Europian filloi pak pas përfundimit të Luftës I Botërore. Për shkak të luftës, numri i misionarëve në mision qe ulur në mënyrë të skajshme dhe përpjekjet për ta rritur këtë numër u penguan, sepse misionarëve iu mohoheshin vizat. Përveç kësaj, armiqtë e Kishës po përhapnin historira të rreme rreth Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, duke ngjallur paragjykime që qenë të vështira për t’u kapërcyer. Pavarësisht këtyre kufizimeve, Presidenti Smith qe i sigurt se puna do të ecte përpara për shkak të shembujve të dhënë nga Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme besnik. Ai vuri në dukje se ndërsa Kisha bëhet më e mirënjohur, “anëtarët e saj respektohen për virtytet e tyre” dhe kritikët “zhvishen shpejt prej paragjykimeve të tyre të pajustifikueshme, duke ardhur në kontakt të drejtpërdrejtë me Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme në jetën e tyre të përditshme. … Atëherë, ata na gjykojnë prej fryteve tona, nga vrojtimi vetjak; dhe një informacion i tillë, teksa e japin, mund të ketë veç një ndikim, atë më të dobishmin për ne.”1

Pak pasi filloi shërbimin e tij si president i misionit, ai u shkroi anëtarëve të Kishës në Europë, duke u kujtuar përgjegjësitë e tyre në shpërndarjen e ungjillit dhe në ndihmën për përparimin e punës:

“Me siguri të plotë se Zoti do të tërheqë drejt ungjillit zemrat e të gjithë njerëzve të denjë kur këta e kuptojnë atë, le të përdorim të bashkuar mundësinë për të punuar teksa ka ende kohë. Le të përhapim mësimet e Zotit për shpëtimin, si tokësor edhe shpirtëror, të njerëzve të mirë të Britanisë së Madhe dhe të vendeve të tjera të misionit Europian.”2

Pak muaj më vonë, ai shkroi: “Çdo anëtar i Kishës duhet të gëzohet në dhënien mësim të së vërtetës. Ne duhet, që secili, të bëjë diçka çdo ditë për t’u sjellë dritën bashkëqenieve tona. Të gjithë janë të çmuar në sytë e Atit tonë Qiellor dhe ai do të na shpërblejë si duhet për sqarimin e tyre. Përgjegjësia jonë nuk mund të hidhet mbi shpatulla të tjera.”3

Pas kthimit nga Europa në vitin 1921, Xhorxh Albert Smithi raportoi në konferencë të përgjithshme: “Paragjykimi që ka ekzistuar kundër nesh në të shkuarën, është davaritur në masë të madhe; dhe qindra e mijëra burra e gra janë vënë në dijeni të punës që po kryejmë ne”. Më pas, ai i këshilloi Shenjtorët që të kërkonin vazhdimisht mënyra për të ndarë ungjillin me të tjerët: “Çështja jonë është që të gjejmë një mënyrë me anë të së cilës ne të mund t’u paraqesim të gjithë njerëzve ungjillin e Zotit tonë. Është çështja jonë dhe me ndihmë hyjnore ne do të gjejmë një mënyrë për ta zgjidhur. Është detyra jonë që të përcaktojmë nëse ka apo jo ndonjë mënyrë me anë të së cilës të mund të jemi në gjendje të bëjmë më shumë se sa kemi bërë tashmë, në mënyrë që të plotësojmë kërkesat e Atit tonë Qiellor.”4 [Shih sugjerimin 1 në faqen 144.]

Mësime të Xhorxh Albert Smithit

Çdo anëtar i Kishës ka përgjegjësinë për të ndarë ungjillin.

Ndihem kaq mirënjohës për privilegjet e mia në Kishën e Jezu Krishtit, për shoqërinë time me burrat e gratë e kësaj Kishe dhe të kishave të tjera. Jam mirënjohës që kam një mori miqsh në kishat e ndryshme të botës, të shpërndara në vende të ndryshme. Jam mirënjohës për këto miqësi, por nuk do të kënaqem derisa të mund të ndaj me ta disa prej gjërave që ende nuk i kanë marrë.5

Ne i dërgojmë misionarët në kombet e tokës për të shpallur Ungjillin siç është zbuluar në këtë periudhë të mëvonshme. Por kjo nuk është e gjithë detyra jonë. Tamam jashtë dyerve tona, janë numëruar qindra e mijëra bij e bija të zgjedhura të Atit tonë Qiellor. Ata jetojnë mes nesh, ne bëhemi miq, por ne nuk arrijmë t’i mësojmë në masën që duhet në lidhje me Ungjillin që e dimë se është fuqia e Perëndisë për shpëtim. Presidenca e Kishës po bën gjithçka që ndodhet brenda mundësisë së tyre; ata përkushtojnë kohën e tyre gjatë ditës dhe shpesh deri në orët e vona të natës, në të mirë të Kishës. Vëllezërit që shoqërohen me ta, japin lirisht nga koha e tyre, duke udhëtuar e mësuar Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme dhe duke u çuar Ungjillin fëmijëve të Atit tonë. Presidentët e kunjeve, këshilltarët e lartë, peshkopët e degëve dhe ndihmësit e tyre punojnë pa pushim që të bekojnë popullin dhe shpërblimi i tyre është i sigurt. Por a po bëjmë gjithçka që duhet, në mënyrë që kur të qëndrojmë te shufra para Atit tonë Qiellor, Ai të na thotë që kemi bërë detyrën tonë të plotë për shokët tanë, fëmijët e Tij?6

Një nga zbulesat më të para … në Doktrina e Besëlidhje, shpall sa vijon:

“Tani vini re, një vepër e mrekullueshme është duke ardhur midis fëmijëve të njerëzve; …

Prandaj, nëse keni dëshirë t’i shërbeni Perëndisë, ju thirreni për veprën.” [DeB 4:1, 3.]

Nuk është e domosdoshme që ju të thirreni të shkoni në fushën e misionit për të shpallur të vërtetën. Filloni nga burri që jeton në derën përbri duke i frymëzuar besim, duke i frymëzuar dashuri për ju për shkak të drejtësisë tuaj; dhe puna juaj misionare ka filluar tashmë,

“Sepse vini re, fusha është e bardhë gati për t’u korrur”. [DeB 4:4.]7

Përhapja e të vërtetës nuk është përgjegjësi e dikujt tjetër, por është përgjegjësia ime dhe juaj të kujdesemi që ungjilli i Jezu Krishtit po u mësohet fëmijëve të njerëzve në pastërtinë e tij. A nuk ju bën të ndiheni mirënjohës?8

Ka mundësi të madhe për çdo njërin prej nesh. Do të doja të theksoja punën vetjake misionare ndër fqinjët tanë nga secili prej nesh. Nëse bëjmë më të mirën, ne do të habitemi se sa shumë do të interesohen; dhe jo vetëm që do të na jenë mirënjohës për shkak se u sollëm të vërtetën dhe u hapëm sytë për lavditë e bekimet që Ati ynë Qiellor ka përgatitur, por ata do të na duan e do të na jenë mirënjohës për gjatë epokave të përjetësisë.

Ka kaq shumë gjëra që Zoti na ka dhënë, që njerëzit e tjerë ende nuk i kanë marrë. Me siguri, ne nuk do të jemi egoist. Në zemrën tonë duhet të ketë një dëshirë për të ndarë me çdo shpirt tjetër, aq sa është e mundur, të vërtetat e gëzueshme të ungjillit të Jezu Krishtit.9

Kështu që, tek ecim përpara, secili prej nesh, secili duke pasur ndikim te fqinjët tanë e miqtë tanë, le të mos jemi tepër të druajtur. Nuk na duhet t’i bezdisim njerëzit, por le t’i bëjmë që të ndihen e të kuptojnë se jemi të interesuar, jo për t’i bërë anëtarë të Kishës për anëtarësi, por për t’i sjellë në Kishë që ata të mund të gëzojnë të njëjtat bekime që gëzojmë ne.10 [Shih sugjerimin 2 në faqen 144.]

Nëse po bëjmë jetë shembullore, ndikimi ynë mund t’i nxisë të tjerët që të mësojnë rreth ungjillit.

Mbani mend, ne të gjithë kemi përgjegjësi. Ne mund të mos thirremi në ndonjë detyrë të përcaktuar, por në çdo fqinjësi ka mundësi për secilin prej nesh që të rrezatojë një shpirt paqeje e dashurie dhe lumturie me qëllim që njerëzit të mund ta kuptojnë ungjillin dhe të mblidhen në vathë.11

Vetëm pak ditë më parë, njërës prej motrave tona, që qe për vizitë në lindje të SHBA-së, në një bisedë me një burrë të arsimuar, iu tha prej tij: “Nuk mund të besoj siç beson ti, por do të doja të mundja. Është e bukur.” Dhe po kështu është me shumë prej fëmijëve të Atit tonë, të cilët, duke vënë re natyrën e kësaj pune, duke vëzhguar veprimet e burrave dhe grave që kanë përqafuar të vërtetën, ata mbushen me habi për atë që është arritur, dhe paqen e lumturinë që pasojnë besimtarin e sinqertë; dhe do të donin që edhe ata të mund të kenë pjesë në të; dhe ata munden nëse do kishin besim.12

Shpesh kam vënë re, dhe mendoj që shumica prej jush që kanë pasur përvoja misionare do ta pohojnë këtë, se asnjë burrë apo grua e mirë nuk mund të jetë nën ndikimin e anëtarëve besnikë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe ta mbajë për vete shprehjen e admirimit për atë që vë re kur është me ne. Kur largohen prej nesh, ndonjëherë është ndryshe, por teksa janë nën atë ndikim që vjen prej Zotit, ndikim që zotërohet nga shërbëtorët e tij, të cilët po i shërbejnë, ata janë zakonisht të kënaqur që të lëvdojnë atë që kanë parë e ndier.13

Kundërshtari ka përdorur përpjekjet e tij më të fuqishme për të penguar përhapjen e të vërtetave të ungjillit. Dhe është detyra ime dhe juaj që, me takt e dashuri vëllazërore dhe besim, të kapërcejmë paragjykimin që kundërshtari ka mbjellë në zemrën e fëmijëve të Atit tonë, të rrëzojmë përshtypjet e rreme që në disa raste janë edhe në mendjet e burrave të mirë e grave të mira; dhe t’u mësojmë atyre ungjillin e Zotit tonë, që është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që e beson dhe i binden atij.14

Mendoj se kjo organizatë e mrekullueshme së cilës i përkasim, duhet të jetë në gjendje që të japë një shembull të tillë që njerëzit në fqinjësitë tona, jo anëtarë të Kishës, duke parë veprat tona të mira, të nxiten të lëvdojnë emrin e Atit tonë Qiellor. Kjo është mënyra se si ndihem në lidhje me këtë. Gjithçka që duhet të bëjmë është që të japim shembullin, të jemi burra të mirë e gra të mira; dhe ata do ta vënë re atë. Atëherë, ata ndoshta do të na japin mundësinë që t’u mësojmë gjërat që nuk i dinë.15

Nëse ne, si anëtarë të Kishës, do të mbanim urdhërimet e Perëndisë, nëse do t’i jepnim të vërtetës rëndësinë që duhet t’i japim, nëse jeta jonë do të ishte në përputhje me bukuritë e mësimeve të saj, kështu që fqinjët tanë, duke vënë re sjelljen tonë, do të nxiteshin ta kërkonin të vërtetën; ne do të bënim punë misionare të shkëlqyer.16 [Shih sugjerimin 3 në faqen 144.]

Ne marrim pjesë në punë misionare duke ndihmuar në përgatitjen e misionarëve të ardhshëm dhe duke i mbështetur ata në misionet e tyre.

Nuk është misioni ynë i vetëm që të japim mësim Ungjillin e Jezu Krishtit dhe ta jetojmë atë, por është misioni ynë të dërgojmë në botë bijtë e bijat tona, kur thirren hera herës për të punuar në shërbesën e Kishës. Kur nisen, ata duhet të jenë përgatitur në mënyrë të tillë që të jenë të qëndrueshëm ndaj tundimeve të të ligut; ata duhet të jenë aq sa është e mundur të pastër e të virtytshëm dhe të drejtë në jetën e tyre; dhe atëherë ndikimi i vetë pranisë së tyre do të ndihet prej atyre që ata takojnë. Shpirti i Perëndisë nuk do të jetojë në tabernakuj që nuk janë të pastër, por Shpirti i tij do të jetojë me ata që e mbajnë veten pastër e mirë.

Prandaj, le t’i [rrisim] djemtë e vajzat tona nën ndikimin e Shpirtit të Perëndisë.17

Mos lejoni që fëmijët tuaj të rriten pa u mësuar parimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Mos prisni që t’i dërgoni në fushën e misionit që t’u mësoni domethënien e ungjillit. Më kujtohet, kur isha [misionar] në jug të SHBA-së pesëdhjetepesë apo gjashtëdhjetë vjet më parë, që një burrë i cili vinte nga një familje e madhe tha: “Nuk di se çfarë të them. Nuk di se çfarë t’ju them këtyre njerëzve.”

“Pse”, tha një prej vëllezërve, “mësoju Biblën. Shko e merr Biblën tënde dhe lexo Zanafillën.” Ai tha: “Nuk e di se ku ndodhet Zanafilla në Bibël”, dhe prapëseprapë ai kishte dalë nga një … shtëpi shenjtore e ditëve të mëvonshme për t’u shpënë mesazhin e jetës e të shpëtimit atyre njerëzve në jug. Megjithatë, nuk kaloi shumë gjatë pas asaj derisa mendja e tij ndryshoi. Ai kishte marrë një dëshmi të së vërtetës nëpërmjet studimit e lutjes; dhe ai e dinte se ungjilli ishte këtu dhe qe në gjendje të qëndronte me këmbët e veta dhe të jepte lirshëm dëshmi që ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë.18

Më bën përshtypje rëndësia e përgatitjes për punën. Nuk është e mjaftueshme që një djalë thjesht, prej mirëbesimit të tij te prindërit, të tregojë dëshirën e vet për të bërë atë që ata duan që ai të bëjë, të shkojë në botë e të predikojë ungjillin; nuk është e mjaftueshme që ai t’i përgjigjet thirrjeve për shërbim misionar që Ati ynë Qiellor bën hera herës përmes shërbëtorëve të tij; por është e nevojshme gjithashtu që ai të kualifikohet për punën, të kërkojë në shkrimet e shenjta dhe të mësojë atë që Zoti do që ai të dijë. Është e rëndësishme që bijtë e bijat tona të bëhen të vendosur në besimin e tyre dhe të dinë, ashtu si prindërit e dinë, që kjo është puna e Atit tonë. …

Dymbëdhjetë burra të kualifikuar për punën janë më të çmuar në fushën e misionit se njëqind që janë në padijeni të së vërtetës dhe që duhet të mësohen vetë para se të jenë në gjendje që t’ia shpjegojnë atë të tjerëve.

Ko është puna e Atit tonë dhe nuk duhet të merret lehtë. Është e një rëndësie maksimale për ne. Le të … përpiqemi që t’u rrënjosim besimin fëmijëve tanë, që ata të mund të jenë të gatshëm t’i përgjigjen çdo thirrje dhe të ndiejnë që ta thonë nga thellësitë e shpirtit të tyre: “Jam gati që të shkoj kudo që Ati im Qiellor dëshiron që unë të shkoj.”19 [Shih sugjerimin 4 në faqen 144.]

Është bërë një kërkesë … që të dërgojmë bijtë e bijat tona në fushën e misionit. … Ka qenë një gëzim për mua që të shihja burra e gra të kursenin e planifikonin në mënyrë që fëmijët e tyre të mund të shkonin në botë. Brenda këtyre pak javëve një i ri … u nis që të shkonte në fushën e misionit; dhe dy motrat e tij … po i dërgojnë një pjesë nga rrogat e tyre të vogla që ai të mund të gëzojë bekimin e një misioni. Ai është i pari, prej një familjeje të madhe nga numri i fëmijëve, që shkon në fushën e misionit për të përhapur të vërtetën. … E njoh gëzimin që do të vijë në zemrat e atyre dy grave të shkëlqyera të cilat kanë besim sa t’i japin mjetet e tyre vëllait të vet në mënyrë që ai të mund t’i shërbejë Zotit në fushë. Ato do të marrin bekimin që vjen nga mësimdhënia e Ungjillit, aq sa është e mundur ta marrësh atë pa shërbim vetjak.20

Po mendoj … rreth përfaqësuesve tanë në fushën e misionit, të shpërndarë nëpër rajonet e ndryshme të këtij vendi dhe në disa shtete të huaja. Vëllezër dhe motra, lutuni për ta. Ata kanë nevojë për ndihmën e Zotit dhe ata kanë nevojë për besimin e lutjet tona. Shkruajini atyre dhe inkurajojini ata, që kur të marrin letër nga shtëpia ta dinë se po i kujtojnë gjithë kohën.21

Ne marrin pjesë në punë misionare duke u përgatitur që të shërbejmë vetë në misione.

Nuk do të kalojë shumë kur do të ketë një kërkesë për burra e gra të aftë në këtë Kishë që të japin mësim të vërtetën në pjesë të tokës ku deri tani jemi përjashtuar; dhe nëse do të donim që të kishim gëzim të përjetshëm në mbretërinë e Atit tonë me ata me të cilët ai na ka bekuar këtu, le të jemi bujarë në jetën tonë, le të përgatitemi për punën dhe të shkojmë nëpër botë e të shpallim të vërtetën kur të vijë mundësia dhe të jemi mjete në duart e Atit tonë për t’i kthyer fëmijët e tij tek ai duke u mësuar bukuritë e ungjillit të tij.22

Vetëm pak vite më parë, shumë prej miqve të mi qenë të pasur, ata kishin domosdoshmëritë e jetës dhe shumë prej lukseve; dhe kur hidhej fjala që ata mund të shkonin në fushën e misionit, disa prej tyre do të thoshin: “Nuk mund ta lë aktivitetin tim tregtar, nuk mund të mbijetoj nëse dështoj dhe lë atë që kam”. Por bizneset e tyre kanë falimentuar. Gjërat pa të cilat, ata mendonin se nuk mund t’ia dilnin, u kanë dalë nga kontrolli dhe shumë prej po këtyre burrave do të ishin të lumtur sot nëse do të ktheheshin dhjetë vjet prapa; dhe nëse do të ishin thirrur në atë kohë që të shkonin në shërbim të Zotit, ata mund të thoshin: “Do t’i rregulloj punët e mia, jam i lumtur për mundësinë që më është paraqitur që të jem një shërbestar i jetës dhe shpëtimit”.

… Mendoni rreth mundësive e privilegjeve tona, që jemi në gjendje të ulemi në shtëpitë e njerëzve të ndershëm të botës e t’u mësojmë Ungjillin e Jezu Krishtit; mendoni domethënien që mund të ketë ulja me njerëz që nuk kanë autoritet hyjnor e t’u mësosh planin e shpëtimit e t’u shpjegosh mënyrën nëpërmjet së cilës edhe ata mund të gëzojnë bekimet e autoritetit hyjnor që gëzoni.

Ndiej se disa prej nesh janë egoistë. Ne jemi aq të kënaqur që gëzojmë bekimet tona, ne jemi aq të lumtur që jemi të rrethuar nga rehatitë e jetës dhe që kemi shoqërinë e burrave e grave më të mira që mund të gjenden në tokë, sa që harrojmë detyrën tonë ndaj të tjerëve. Sa të lumtur do të ishim nëse do të përpiqeshim që të ishim më të efektshëm për të mirë në botë duke u shërbyer atyre të cilët nuk e kanë kuptuar ende Ungjillin e Zotit tonë.

Shumë prej nesh e kanë kaluar moshën e mesme, shumë prej nesh po e përfundojnë punën e vet. Kishës i duhen misionarë në fushë. Njerëz që e kuptojnë Ungjillin dhe që janë të gatshëm që të japin jetën e tyre për të nëse është e nevojshme; dhe kur them që na duhen misionarë, dua të them që botës i duhen ata.23

Fusha jonë e misionit është përpara nesh. Bijtë e bijat e Atit tonë kanë nevojë për ne. … Në këtë Kishë ka mijëra burra e gra që janë të aftë të japin mësim ungjillin dhe që mund të bëhen më të aftë nga kryerja e detyrës së tyre në fushën e misionit. Ata do të bekohen me mjete materiale të mjaftueshme për t’i përdorur që të kryejnë punën që Zoti do që ne të kryejmë.24

Tani që gati ka ardhur koha kur do të ulen barrikadat dhe do të rrëzohen pengesat që janë ngritur kundër përhapjes së ungjillit, kur tingulli i zërit të Zotit do të vijë te ju përmes shërbëtorëve të tij, “Përgatituni që të shkoni në botë e të predikoni ungjillin”, mos veproni siç bëri Jona, mos u përpiqni të fshiheni apo të largoheni nga detyra juaj; mos jepni shfajësime që nuk keni mjetet e nevojshme që të shkoni; mos lejoni gjëra të parëndësishme t’ju zënë rrugën e vizionit tuaj, që do t’ju pengojnë të vështroni jetën e përjetshme në praninë e Atit tonë Qiellor, e cila mund të vijë vetëm nëpërmjet besimit dhe përkushtimit ndaj punës së tij. Le të vendosë çdo njeri shtëpinë e vet në rregull; le të vendosë rregull brenda vetes çdo burrë që mban priftërinë dhe kur të vijë thirrja prej shërbëtorëve të Zotit, duke i thënë që të shkojë në botë për të mësuar të vërtetën, për të paralajmëruar fëmijët e njerëzve, siç kërkon Ati ynë që të paralajmërohen, le të mos fshihet asnjë njeri pas ndonjë gjëje të parëndësishme, që të gëlltitet në mos nga ndonjë peshk i madh, nga gjërat e parëndësishme të botës. [Shih Jona 1:1–17.]25

Nuk është detyrë e lehtë; ndoshta nuk është gjë e kënaqshme që të thirremi të dalim nëpër botë, të lëmë të dashurit tanë, por ju them se në këmbim do të sjellë për ata që janë besnikë, për ata që e plotësojnë atë detyrim siç mund t’u kërkohet, paqe e lumturi që ia tejkalon çdo zgjuarsie; dhe do t’i përgatisë ata që, në kohën e caktuar, kur të përfundojë puna e jetës, ata do të qëndrojnë në praninë e Krijuesit të tyre, të pranuar prej Tij për shkak të asaj që kanë bërë.26

Lutem që Shpirti i tij të jetë kudo në [Kishë], që dashuria e fëmijëve të Atit tonë të jetë në zemrën tonë, që të mund të ndiejmë rëndësinë e misionit tonë në botë teksa po shtiem në dorë gjëra që nuk janë tonat, që vetëm na janë dhënë hua neve si kujdestarë, që të mos harrojmë dhuratën e paçmuar, privilegjin e paçmuar, të arritshëm për ne, të mësimdhënies së ungjillit dhe shpëtimit të shpirtrave të fëmijëve të njerëzve.27 [Shih sugjerimin 5 më poshtë.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.

  1. Meditoni fjalët e Presidentit Smith në “Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit” (faqe 133–135). Si mendoni, përse qe ai aq optimist rreth punës misionare në Europë, pavarësisht kundërshtimit që hasi? Si mund t’ju ndihmojë shembulli i tij nëse anëtarët e familjes apo miqtë tuaj nuk e pranojnë ftesën tuaj për të mësuar rreth ungjillit?

  2. Shihni sërish seksionin e parë të mësimeve (faqet 135–137). Cilat mënyra keni gjetur si më të efektshmet në përpjekjet tuaja për të ndarë ungjillin me fqinjët dhe miqtë?

  3. Teksa lexoni seksionin që fillon në faqen 137, mendoni rreth një rasti që dini kur shembulli i një anëtari të Kishës e ka bërë dikë që të mësojë më shumë rreth Kishës. Cilat janë disa arsye të tjera që vënia në jetë e standardeve të Kishës është kaq e rëndësishme në punën misionare?

  4. faqet 139–140, kërkoni gjërat që misionarët e ardhshëm duhet të bëjnë që të përgatiten shpirtërisht për misionet e tyre (shih edheDeB 4). Çfarë mund të bëjnë prindërit që të ndihmojnë bijtë e bijat e tyre të përgatiten? Si mund të ndihmojnë kuorumet e priftërisë dhe motrat e Shoqatës së Ndihmës?

  5. Shihni sërish seksionin e fundit të mësimeve (faqe 141–144). Cilat janë disa nga “gjërat e parëndësishme” që mund të na pengojnë që të shërbejmë në një mision? Cilat janë disa nga bekimet që vijnë nga shërbimi i misionarëve më të moshuar? Meditoni për atë që duhet të bëni që të përgatiteni vetë për shërbim misionar.

Shkrime të Shenjta të Përkatëse: Mateu 5:14–16; Marku 16:15–16; 1 Timoteut 4:12; Alma 17:2–3; Doktrina e Besëlidhje 31:1–8; 38:40–41

Ndihmë për mësimdhënien: “Kur përdorni shumëllojshmëri aktivitetesh mësimi, nxënësit priren që t’i kuptojnë më mirë parimet e ungjillit dhe të mbajnë mend më shumë. Një metodë e përzgjedhur me kujdes, mund ta bëjë një parim më të qartë, më interesant dhe më të paharrueshëm” (Teaching, No Greater Call, f. 89).

Shënime

  1. “New Year’s Greeting,” Millennial Star, 6 janar 1921, f. 2.

  2. “Greeting,” Millennial Star, 10 korrik 1919, f. 441.

  3. “New Year’s Greeting,” Millennial Star, 1 janar 1920, f. 2.

  4. Në Conference Report, tetor 1921, f. 37–38.

  5. Në Conference Report, tetor 1950, f. 159.

  6. Në Conference Report, prill 1916, f. 46.

  7. Në Conference Report, tetor 1916, f. 50–51.

  8. Në Conference Report, tetor 1929, f. 23.

  9. Deseret News, 25 qershor 1950, Church section, f. 2.

  10. Në Conference Report, prill 1948, f. 162.

  11. Në Conference Report, prill 1950, f. 170.

  12. Në Conference Report, tetor 1913, f. 103.

  13. Në Conference Report, prill 1922, f. 49.

  14. “The Importance of Preparing”, Improvement Era, mars 1948, f. 139.

  15. Në Conference Report, prill 1941, f. 26.

  16. Në Conference Report, tetor 1916, f. 49.

  17. Në Conference Report, tetor 1932, f. 25.

  18. Në Conference Report, tetor 1948, f. 166.

  19. “The Importance of Preparing”, f. 139.

  20. Në Conference Report, prill 1935, f. 45.

  21. Në Conference Report, tetor 1941, f. 98.

  22. Në Conference Report, tetor 1916, f. 51.

  23. Në Conference Report, tetor 1933, f. 27–28.

  24. Në Conference Report, prill 1946, f. 125.

  25. Në Conference Report, qershor 1919, f. 44.

  26. Në Conference Report, prill 1922, f. 53.

  27. Në Conference Report, tetor 1916, f. 51.

Xhorxh Albert Smithi shërbeu si president i Misionit Europian nga viti 1919 deri në vitin 1921.

Në çdo fqinjësi ka mundësi për secilin prej nesh që të rrezatojë një shpirt paqeje e dashurie dhe lumturie.

Në këtë Kishë ka mijëra burra e gra që janë të aftë të japin mësim ungjillin dhe që mund të bëhen më të aftë nga kryerja e detyrës së tyre në fushën e misionit.

Shtyp në Letër