Mësime të Presidentëve
Kapitulli 2: ‘Duaje të Afërmin Tënd porsi Vetveten’


Kapitulli 2

“Duaje të Afërmin Tënd porsi Vetveten”

Të interesohesh për të tjerët me dashuri e dhembshuri, është themelore për ungjillin e Jezu Krishtit.

Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit

Xhorxh Albert Smithi njihej mirë për aftësinë e tij për t’i dashur të tjerët. Presidenti J. Ruben Klark i Riu, një nga këshilltarët e tij në Presidencën e Parë, tha për të: “Emri i tij i vërtetë ishte Dashuri. … I dha dashurinë çdokujt që takoi. I dha dashurinë gjithkujt që nuk takoi.”1

Dashuria e Presidentit Smith për të tjerët u zhvillua nga bindja e tij e sinqertë që ne jemi të gjithë vëllezër dhe motra, fëmijë të të njëjtit Atë Qiellor. Pranë fundit të jetës së tij, ai u tha shenjtorëve:

“Nuk di të kem armik dhe nuk ka në botë asnjë që unë t’i kem armiqësi. Të gjithë burrat dhe gratë janë fëmijë të Atit tim dhe unë kam kërkuar gjatë jetës sime të zbatoj udhëzimin e mençur të Shëlbuesit të njerëzimit – të dua të afërmin tim si vetveten. … Nuk do ta dini ndonjëherë se sa ju dua. Unë nuk kam fjalë ta shpreh. Dhe dëshiroj të ndihem ashtu ndaj çdo biri dhe çdo bije të Atit tim Qiellor.”2

Presidenti Smith e vërtetoi dashurinë e tij për të tjerët nëpërmjet veprimeve të panumërta të dhembshurisë. Një vëzhgues vërente: “Është karakteristikë e Presidentit Smith të bëjë përpjekje të veçantë në ecejake të ngushëllimit e të bekimit personal të shumë njerëzve që janë të sëmurë, që janë të dëshpëruar dhe që kanë shkak të jenë mirënjohës për inkurajimin e tij të gëzueshëm. Nuk është e pazakontë ta shohësh atë, para dhe pas orëve të zyrës, të ecë korridoreve të spitalit, të vizitojë dhomë pas dhome, të bekojë, të inkurajojë dhe të mbushë me gëzim me paraqitjet e tij të papritura në ato vende, ku prania e tij ngushëlluese e siguridhënëse mirëpritet me aq mirënjohje. … Është karakteristikë e tij të shkojë kudo ku ai e mendon se mund të japë ndihmë dhe inkurajim.”3

Presidenti Tomas S. Monson tregoi një shembull specifik të Presidentit Smith në përpjekjen e veçantë për të treguar dashuri për dikë që kishte nevojë:

“Në një mëngjes të ftohtë dimri brigada e pastrimit rrugor [në Solt-Lejk-Siti] po hiqte copa të mëdha akulli nga ulluqet e rrugëve. Brigada e rregullt ndihmohej nga punëtorë të përkohshëm të cilëve u nevojitej puna patjetër. Një i tillë kishte veshur vetëm një pulovër të lehtë dhe po vuante së ftohti. Një burrë truphollë, me mjekër të rregullt, ndaloi pranë brigadës dhe e pyeti punëtorin: ‘Ty të nevojitet më tepër se kjo pulovër në një mëngjes si ky. Ku e ke pallton?’ Punëtori u përgjigj se nuk kishte pallto për të veshur. Vizitori atëherë hoqi pallton e tij, ia dha punëtorit dhe i tha: ‘Kjo pallto është jotja. Është prej leshi të dendur dhe do të të mbajë ngrohtë. Unë punoj jo më larg se matanë rrugës.’ Ishte rruga Jugu i Tempullit. Samaritani i mirë që hyri në Ndërtesën e Administrimit të Kishës për në punën e tij të përditshme dhe pa pallton e tij, ishte Presidenti Xhorxh Albert Smith i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Akti vetëmohues i bujarisë së tij zbuloi zemrën e tij të ndjeshme. Sigurisht që ai ishte rojtar i vëllait të tij.”4 [Shih sugjerimin 1 në faqen 18.]

Mësime të Xhorxh Albert Smithit

Të gjithë njerëzit janë vëllezërit dhe motrat tona, fëmijë të Atit tonë Qiellor.

Ne i shohim të gjithë burrat si vëllezërit tanë, të gjitha gratë si motrat tona; e shohim fytyrën e çdo qenieje njerëzore që është në botë, si fëmijë të Atit tonë dhe besojmë se, ashtu si çdonjëri është në shëmbëllimin e Atit, ashtu edhe secili zotëron një shkëndijë të hyjnisë që, nëse zhvillohet, do të na përgatisë që të rikthehemi në praninë e Tij. …

Ky është kuptimi që kemi për qëllimin e ekzistencës sonë në botë dhe shpjegon interesimin tonë për bashkëqeniet njerëzore. Shumë njerëz kanë kujtuar se ne ishim të mbyllur në jetën tonë dhe disa kanë menduar se ishim të klaneve. Fakti është që ne e shohim çdo fëmijë që lind në botë, si bir ose bijë të Perëndisë, si vëllanë apo motrën tonë, dhe mendojmë që lumturia jonë nuk do të jetë e plotë në mbretërinë e qiellit, po të mos gëzojmë shoqërinë e familjeve tona dhe shoqëritë e miqve e të shokëve tanë me të cilët kemi krijuar njohje dhe në interes të të cilëve japim aq shumë nga koha jonë në tokë.5

Kur mendoj për konsideratën dhe simpatinë time për familjen e Atit tim, familjen njerëzore, kujtoj diçka që tha ati im tokësor, dhe mendoj se ka mundësi që ta kem trashëguar atë pjesërisht prej tij. Ai tha: “Kurrë s’kam parë një fëmijë të Perëndisë të rënë aq thellë në hendek, që të mos kem pasur shtysën të ndalem e ta ngre lart dhe ta vë të rrijë në këmbë e ta nis sërish përpara”. Dëshiroj të them se kurrë në jetën time nuk kam parë një nga fëmijët e Atit tim që të mos kem qenë i vetëdijshëm se ishte vëllai im dhe se Perëndia e do secilin fëmijë të tij.6

Ç’botë e lumtur që do ishte, nëse gjithkund njerëzit do t’i shihnin njerëzit si vëllezër e motra dhe pastaj të vijonin në këtë duke e dashur të afërmin e tyre si veten.7 [Shih sugjerimin 2 në faqen 18.]

Ungjilli i Jezu Krishtit na mëson t’i duam të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Ungjilli na mëson të kemi dashuri hyjnore për të gjithë dhe t’i duam bashkëqeniet tona. Shpëtimtari tha:

“‘Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde’. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’. Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.” [Mateu 22:37–40.]

Vëllezër e motra, në rast se ungjilli i Jezu Krishtit, sikurse ju është dhënë, nuk ka mbjellë në zemrën tuaj atë ndjenjë dashurie për njerëzit, atëherë dua të them se ju nuk e keni shijuar frytshmërinë e plotë të kësaj dhurate të mrekullueshme që erdhi në tokë kur kjo Kishë qe organizuar.8 [Shih sugjerimin 3 në faqen 19.]

Shërbesa jonë është shërbesë me dashuri. Shërbimi ynë është shërbim i cili pasuron jetën tonë. … Nëse ne po jetojmë ashtu siç parashikon Perëndia se duhet, nëse po japim shërbesë ashtu siç dëshiron ai se duhet, çdo ditë e jetës sonë pasurohet nga ndikimi i Shpirtit të tij, dashuria jonë për njerëzit rritet dhe shpirtrat tanë zgjerohen, derisa ne ndihemi se mund t’i rroknim në krahët tanë të gjithë fëmijët e Perëndisë, me një dëshirë që t’i bekojmë e t’i sjellim drejt kuptimit të së vërtetës.9

Si anëtarë të Kishës së Krishtit ne duhet të zbatojmë urdhërimet e Tij e të duam njëri-tjetrin. Atëherë dashuria jonë duhet të kapërcejë caqet e Kishës me të cilën identifikohemi dhe të shtrijë interesimin drejt fëmijëve të njerëzve.10

Le të japim prova me sjelljen tonë, me butësinë tonë, me dashurinë tonë, me besimin tonë se ne e zbatojmë atë urdhërim të madh që Shpëtimtari tha se ishtë i ngjashëm me urdhërimin e parë të madh: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.”11

Ne e ushtrojmë dashurinë hyjnore duke iu gjendur atyre që u nevojitet ndihmë dhe inkurajim.

Matja e rezultatit të asaj që mund të sjellë në botë dashuria dhe bamirësia, është e pamundur. Ofrohet mundësi në çdo degë, lagje dhe fushë misioni për të shkuar rreth e rrotull duke rrezatuar një dritë diellore, duke përhapur lumturi e lartuar ata që janë të shkurajuar dhe duke u sjellë gëzim e ngushëllim atyre që janë në fatkeqësi.12

Zoti thotë këtë:

“Kujdesuni që ta doni njëri-tjetrin; pushoni së qeni lakmitarë; mësoni t’i jepni njëri-tjetrit siç e kërkon ungjilli. …

Mbi të gjitha, vishuni me lidhjen e dashurisë hyjnore, si me një mantel, që është lidhja e përsosurisë dhe e paqes.” [DeB 88:123, 125.] …

… Po e ndiqni ju këtë këshillë në lidhje me dashurinë hyjnore? Dëshiroj të them që në këtë periudhë të veçantë të jetës sonë ne duhet ta ushtrojmë dashurinë hyjnore, jo vetëm me dhënien e gjësë sonë atyre që kanë nevojë, por ne duhet të kemi dashuri hyjnore për dobësitë, dështimet dhe gabimet e fëmijëve të Atit tonë.13

Nëse gjejmë një burrë ose grua që nuk ia ka dalë në jetë, dikë që po dobësohet në besim, le të mos u kthejmë shpinën; le ta bëjmë qëllim ta vizitojmë, dhe t’i shkojmë me dashamirësi e dashuri e ta nxisim të kthehet nga gabimi i rrugës së tij. Mundësia për të bërë punë individuale mes nesh si popull, është e pranishme kudo; dhe ka pak burra e pak gra në këtë Kishë, që nuk do të mundeshin, nëse do të dëshironin, të zgjateshin pak më tej rrethit me të cilin identifikohen dhe t’i thonë një fjalë dashamirëse apo t’i mësojnë të vërtetën disa prej fëmijëve të Atit tonë. … Kjo është puna e Atit tonë. Është gjëja më e rëndësishme me të cilën do të identifikohemi në këtë jetë.14

Kam në zemër vetëm dëshirë të mirë për njerëzimin. Nuk kam në zemër asnjë antipati ndaj asnjë qenieje të gjallë njerëzore. Njoh disa që unë do të uroja të silleshin pak më mirë sesa sillen, por kjo është humbje e tyre, jo e imja. Nëse mundet që t’u hedh krahun e t’i ndihmoj të kthehen në rrugën e lumturisë duke u mësuar ungjillin e Jezu Krishtit, lumturia ime, si rezultat, do të shtohej. … Nuk mund t’i detyroni njerëzit për të bërë gjëra që janë të drejta, por mund t’i doni kaq sa ata t’i bëjnë ato, nëse shembulli juaj është i një karakteri të tillë që ata arrijnë të shohin se e keni me gjithë mend atë që thoni.15 [Shih sugjerimin 4 në faqen 19.]

Lumturia e vërtetë vjen duke i dashur e duke u shërbyer të tjerëve.

Mos e harroni, s’ka rëndësi sa mund të jepni në pará, s’ka rëndësi sa mund të dëshironi që gjërat e kësaj bote t’ju bëjnë të lumtur, lumturia juaj do të jetë në përpjestim me bamirësinë tuaj e me dashamirësinë tuaj dhe me dashurinë tuaj për ata me të cilët shoqëroheni këtu në tokë. Ati ynë Qiellor ka thënë me fjalë shumë të thjeshta se ai i cili thotë se e do Perëndinë dhe nuk do vëllanë, nuk është i sinqertë [shih 1 Gjoni 4:20].16

Nuk është vetëm ajo që marrim e cila na bën të lumtur; është ajo që japim dhe, sa më shumë që japim nga ajo që i larton e i përmirëson fëmijët e Atit tonë, aq më shumë kemi të japim. Ajo shtohet si një burim i madh jete dhe gurgullon drejt lumturisë së përjetshme.17

Kur jeta jonë këtu të mbarojë dhe ne të kthehemi në shtëpi, do të gjejmë të na kreditohen neve atje çdo vepër e mirë që kemi kryer, çdo mirësi që kemi bërë, çdo përpjekje që doli nga ne për t’u sjellë dobi bashkëqenieve tona. …

… Le të japim provë të vlerësimit tonë për atë që Zoti na ka dhënë, nëpërmjet shërbimit për Të, dhe ne po i shërbejmë Atij kur u bëjmë mirësi fëmijëve të Tij. Lirisht kemi marrë, atëherë lirisht jepni [shih Mateu 10:8]. Me zemra ngrohur me dashuri e dashamirësi për bashkëqeniet njerëzore, le të vazhdojmë përpara me qëndrueshmëri derisa thirrja e fundit të vijë e ne të ballafaqohemi me dosjen tonë. Atëherë, nëse i kemi rritur talentet tona, nëse kemi qenë të ndershëm, të vërtetë, të dëlirë, mirëdashës e mirëbërës dhe kemi kërkuar të lartojmë çdo shpirt me të cilin jemi shoqëruar, nëse kemi jetuar në lartësinë e dritës që kemi marrë dhe e kemi shpërndarë atë dritë kurdoherë që është paraqitur mundësia, sa të lumtur do të jemi dhe sa do të gufojë zemra jonë prej mirënjohjes, kur të marrim nga Krijuesi i qiellit dhe i tokës atë lëvdatë mirëseardhjeje: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e Zotit tënd.” [Mateu 25:21.]18 [Shih sugjerimin 5 në faqen 19.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.

  1. Mendoni mënyra me të cilat mund të tregoni dashuri ashtu si Presidenti Smith (shih faqet 11–13]). Për shembull, si arrijmë të tregojmë dashuri në përmbushjen e detyrave tona të mësimit të shtëpisë e të vizitës mësimore?

  2. Ndërsa studioni seksionin e parë të mësimeve (faqe 13–14), mendoni se në ç’mënyrë mund ta përmirësojë zbatimi i këtyre mësimeve marrëdhënien tuaj me fqinjët, kolegët e punës, pjesëtarët e familjes dhe të tjerët.

  3. Lexoni paragrafin e dytë të plotë të faqes 14. Cilat janë disa mësime apo ngjarje të shkrimeve të shenjta që ju frymëzojnë t’i doni e t’u shërbeni të tjerëve?

  4. Studioni seksionin që fillon në faqen 16, veçanërisht dy paragrafët e fundit. Mendoni për dikë që mund të jetë jashtë “rrethit me të cilin [ju identifikoheni]”. Cila është diçka e veçantë që mund të bëni për të shtrirë interesimin drejt një personi të tillë?

  5. Mendohuni mbi mësimet e Presidentit Smith në faqet 17–18. Çfarë përvojash keni pasur, që ju kanë mësuar se lumturia e vërtetë vjen duke i bërë të tjerët të lumtur?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 5:43–44; 25:34–40; Lluka 10:25–37; Gjoni 13:34–35; 1 Gjoni 4:7–8; 1 Nefi 11:16–25; Moroni 7:44–48

Ndihmë për mësimdhënien: “Ca si shumë mësimdhënie që zhvillohet në Kishë, bëhet shumë ngurtë, është leksion. Ne nuk reagojmë fort mirë ndaj leksioneve në klasa. Reagojmë mirë në mbledhjen e sakramentit dhe në konferenca, por mësimdhënia mund të jetë dykahëshe në mënyrë që të mund të bëni pyetje. Mund të nxisni lehtë pyetje në klasë” (Boyd K. Packer, “Principles of Teaching and Learning,” Ensign, qershor 2007, f. 87).

Shënime

  1. J. Reuben Clark Jr., “No Man Had Greater Love for Humanity Than He”, Deseret News, 11 prill 1951, Church section, f. 10, 12.

  2. “After Eighty Years”, Improvement Era, prill 1950, f. 263.

  3. Richard L. Evans, “Anniversary”, Improvement Era, prill 1946, f. 224.

  4. Në Conference Report, prill 1990, f. 62; ose Ensign, maj 1990, f. 47.

  5. “Mormon View of Life’s Mission”, Deseret Evening News, 27 qershor 1908, Church section, f. 2.

  6. “Pres. Smith’s Leadership Address”, Deseret News, 16 shkurt 1946, f. 6.

  7. Në Conference Report, tetor 1946, f. 149.

  8. Në Conference Report, prill 1922, f. 52.

  9. Në Conference Report, tetor 1929, f. 24.

  10. Në Conference Report, prill 1905, f. 62.

  11. Në Conference Report, prill 1949, f. 10.

  12. “To the Relief Society”, Relief Society Magazine, dhjetor 1932, f. 704.

  13. “Saints Blessed”, Deseret News, 12 nëntor 1932, Church section, f. 5, 8.

  14. Në Conference Report, prill 1914, f. 12–13.

  15. Në Conference Report, prill 1946, f. 184–185.

  16. “To the Relief Society”, f. 709.

  17. Sharing the Gospel with Others, përzgjodhi Preston Nibley (1948), f. 214; ligjëratë e mbajtur më 4 nëntor 1945 në Uashington, D.K.

  18. “Mormon View of Life’s Mission”, f. 2.

“Ungjilli na mëson të kemi dashuri hyjnore për të gjithë dhe t’i duam bashkëqeniet tona.”

“Le të japim prova me sjelljen tonë … se ne e zbatojmë atë urdhërim të madh … : ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.”

“[Shkoni] rreth e rrotull duke rrezatuar një dritë diellore, duke përhapur lumturi e lartuar ata që janë të shkurajuar dhe duke u sjellë gëzim e ngushëllim atyre që janë në fatkeqësi.”