Biblioteka
Ringjallja


“Ringjallja”, Tema dhe Pyetje (2023)

Krishti i ringjallur i shfaqet Maria Magdalenës

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Ringjallja

Fitorja e Jezu Krishtit mbi vdekjen

Në njëfarë pike në jetën tonë, secili prej nesh do të ketë rast të pyesë veten: “Çfarë ndodh kur ne vdesim?” “A do t’i shoh ndonjëherë përsëri njerëzit e mi të dashur që kanë vdekur?” “Ku mund të gjej paqe kur vdes dikush që e dua?”

Ndërkohë që nuk i kemi të gjitha përgjigjet, e vërteta e Ringjalljes së Jezu Krishtit mund të sjellë ngushëllim për të gjithë njerëzit që vajtojnë. Fakti që të gjithë që vdesin, një ditë do të jetojnë përsëri, i sjell paqe shpirtit tonë dhe premtime që ditë më të mira na presin.

Kur u ngrit nga vdekja në pavdekësi, Jezu Krishti u bë “fryti i parë” i Ringjalljes (shihni te 1 Korintasve 15:20–23) dhe siguroi një mënyrë për ne të gjithë që një ditë të ringjallemi siç u ringjall Ai.

Çfarë Është Ringjallja?

Ringjallja është ribashkimi i trupit shpirtëror dhe trupit fizik pas vdekjes, për të mos u veçuar më kurrë (shihni tek Alma 11:45). Kur ringjallemi, trupat tanë do të jenë të përsosur dhe të pavdekshëm, duke mos qenë më të nënshtruar ndaj sëmundjes dhe vdekjes. Ngaqë Jezu Krishti e mposhti vdekjen nëpërmjet Ringjalljes së Tij, gjithë njerëzit do të ringjallen siç u ringjall Ai.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Ringjallja

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Shlyerja e Jezu Krishtit, Shërbesa në Vdekshmëri e Jezu Krishtit, Plani i Shpëtimit

Pjesa 1

Jezu Krishti u Ringjall

Krishti duke dhënë mësim pas Ringjalljes së Tij

Jezu Krishti ishte njeriu i parë që u ringjall. Fitorja e Tij mbi vdekjen është thelbësore për besimin tonë. Profeti Jozef Smith dha mësim: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell”.

Zoti ka dhënë dëshmi të shumta për këtë doktrinë thelbësore. Secili nga të katër Ungjijtë përfshin rrëfime për ata që ishin dëshmitarë për Jezusin si një qenie e ringjallur. Libri i Mormonit gjithashtu dëshmon se mijëra njerëz në kontinentin amerikan e panë Shpëtimtarin e ringjallur. Në kohët moderne, dëshmitarët, përfshirë Jozef Smithin dhe profetë e apostuj të tjerë, kanë dëshmuar se Jezu Krishti u ringjall dhe jeton sot.

Gjëra për t’i menduar

  • Përfytyroni sikur jeni një avokat duke ngritur një çështje për të provuar se Jezu Krishti u ringjall. Kë do të thërrisnit si dëshmitarë? Si do ta forconin çështjen tuaj dëshmitarët okularë? Si mund të ndikojë në dëshminë tuaj vetjake dëshmia e dëshmitarëve okularë për Zotin e ringjallur? Për ide shihni te Gjoni 20:1–20; 3 Nefi 11:3–17 dhe Doktrina e Besëlidhje 76:19–24.

  • Lexoni te Gjoni 20:26–29. Çfarë mesazhi u jep Shpëtimtari në këtë fragment njerëzve që nuk janë dëshmitarë okularë të Ringjalljes së Tij? (Shihni edhe tek Ethëri 12:5–6.) Edhe pse nuk e kemi parë Zotin e ringjallur, ne prapë mund të marrim një dëshmi vetjake se Ai është ringjallur. Çfarë prove të Ringjalljes keni përjetuar në jetën tuaj? Si ka ndikuar kjo provë tek ju?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) shpalli: “Ndër të gjitha fitoret e historisë njerëzore, asnjëra nuk ishte kaq e madhe, asnjëra nuk ishte kaq e gjithanshme në ndikimin e saj, asnjëra nuk ishte kaq e përjetshme në pasojat e saj, sa fitorja e Zotit të kryqëzuar, i cili u ngrit nga Ringjallja atë mëngjes të parë Pashke”. Diskutoni se përse është e rëndësishme të dini se Jezu Krishti jeton sot. Presidenti Hinkli gjithashtu shkroi fjalët e himnit “Rron Shëlbuesi Im. Lexojeni ose dëgjojeni këtë himn së bashku dhe më pas shprehni mendimet dhe ndjenjat që ai frymëzon tek ju.

  • Shumë artistë të frymëzuar kanë përshkruar çaste kur individët e panë Shpëtimtarin e ringjallur. Shikoni përshkrimet vijuese ose të tjera që ju pëlqejnë. Tregoni se çfarë ju ndihmojnë këto pamje që të kuptoni rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit. Si ju bëjnë ato të ndiheni rreth Tij? Si mund të ishit ndier po të kishit qenë atje?

Maria dhe Zoti i Ringjallur.
Krishti i shfaqet Thomait pas ringjalljes
Kleopa dhe një dishepull të ulur për të ngrënë kur ata e dallojnë Shpëtimtarin

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Ne të Gjithë do të Ringjallemi

Familje në një funeral

Ngaqë Jezu Krishti u ringjall edhe ne të gjithë do të ringjallemi. Pak kohë pas Ringjalljes së Jezu Krishtit, u ringjallën edhe shumë njerëz besnikë (shihni te Mateu 27:52–53). Ndërkohë që jo të gjithë njerëzit do të ringjallen në të njëjtën kohë, të gjithë përfundimisht do të marrin një trup të përsosur, të pavdekshëm nëpërmjet dhuratës së lavdishme të ringjalljes universale.

Trupat tanë të ringjallur do të jenë të ngjashëm me trupat që kemi tani, vetëm të pavdekshëm, të përsosur, të çliruar nga sëmundja e dhembja. Ne do të “marri[m] plotësi të gëzimit” (Doktrina e Besëlidhje 93:33–34; shihni tek Alma 11:43). Trupat tanë të ringjallur do të na aftësojnë që të kthehemi në praninë e Perëndisë dhe të gjykohemi. Ata që janë penduar për mëkatet e tyre, do të gëzojnë jetën e përjetshme dhe do të jetojnë përgjithmonë në praninë e Perëndisë.

Gjëra për t’i menduar

  • Biri i Alma të Riut, Koriantoni, ishte i “shqetësuar në lidhje me ringjalljen e të vdekurve” (Alma 40:1). Prandaj Alma i mësoi Koriantonit, si dhe lexuesve të Librit të Mormonit, shumë të vërteta të rëndësishme lidhur me Ringjalljen. Lexoni se çfarë dha mësim ai tek Alma 40– 41. Teksa lexoni, vini re të vërtetat rreth Ringjalljes që janë të rëndësishme për ju. Si mund ta kenë ndihmuar këto të vërteta Koriantonin që të ndiente paqe? Si mund të ndikojnë ato te vendimet që po merrni tani?

  • Apostulli Pal mësoi se disa shenjtorë në Korint nuk besonin në Ringjallje. Lexoni te 1 Korintasve 15, duke u kushtuar vëmendje të veçantë mësimeve të Palit rreth Ringjalljes. Ja disa pyetje për t’i përsiatur ndërsa studioni:

    • Vargjet 12–15: Përse do të ishin predikimi dhe besimi të kotë nëse nuk do të kishte ringjallje?

    • Vargjet 16–19: Përse do të ishim “ende në mëkatet [tona]” po të mos kishte ringjallje? Përse do të ishim “më të mjerët”?

    • Vargjet 55–58: Si ju ndihmon njohuria juaj për Ringjalljen që të bëheni “të fortë” dhe “të patundur”?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit na mëson se dhurata e ringjalljes u jepet pa kushte të gjithë njerëzve, prapëseprapë shumë fëmijë të Perëndisë janë të pavetëdijshëm për këtë bekim. Diskutoni se si Ringjallja sjell ndryshim në jetën tuaj. Ju gjithashtu mund t’ju duket me vlerë që të diskutoni përvojat vetjake të Motrës Reina I. Aburto në bisedën e saj “Varri nuk Ka Fitore dhe të Plakut S. Mark Palmer në bisedën “Pikëllimi Ynë do të Kthehet në Gëzim. Si u bekuan Motra Aburto dhe Plaku Palmer nga një njohuri për Ringjalljen? Si mund të na bekojë kjo njohuri?

Mësoni më shumë

Burime të Tjera rreth Ringjalljes