Biblioteka
Shërbesa në Vdekshmëri e Jezu Krishtit


“Shërbesa në Vdekshmëri e Jezu Krishtit”, Tema dhe Pyetje (2023)

Krishti duke u dhënë mësim njerëzve

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Shërbesa në Vdekshmëri e Jezu Krishtit

“Dhe ai do të quhet Jezu Krisht, Biri i Perëndisë” (Mosia 3:8)

Më i madhërishmi nga fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor është Biri i Tij i Parëlindur, Jezu Krishti. Përpara lindjes së Tij në vdekshmëri, Jezusi njihet me shumë tituj, të tillë si Jehova i Madh dhe Zoti i Plotfuqishëm. Perëndia, Ati, dërgoi Birin e Tij që të jetonte në tokë dhe ta ofronte veten e Tij si një flijim të pafundmë shlyes që të bënte të mundur shëlbimin për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Gjatë jetës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti dha mësim ungjillin e Tij, kreu mrekulli të fuqishme dhe themeloi Kishën e Tij. Nga rrëfimet në shkrimet e shenjta për jetën e Tij, ne mësojmë se Ai ishte i bindur në mënyrë të përsosur ndaj Atit të Tij. Jezu Krishti shëroi të sëmurët dhe të munduarit, u ofroi shpresë atyre që vuanin, dha mësim për rëndësinë e pendimit dhe e bëri të mundur faljen. Jeta e Tij në vdekshmëri dha një shembull të përkryer për t’u ndjekur nga të gjithë fëmijët e Atit Qiellor.

Çfarë Është Shërbesa në Vdekshmëri e Jezu Krishtit?

Ati e dërgoi Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, në tokë për të qenë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Nëpërmjet përvojave të Tij në vdekshmëri dhe flijimit të Tij shlyes Ai arriti të dinte dhe të kuptonte në mënyrë të përsosur çfarë përjeton secili prej nesh këtu në tokë. Jezu Krishti na dha një shembull të përsosur që ta ndiqnim.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Jezu Krishti

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Shlyerja e Jezu Krishtit, Lindja e Jezu Krishtit, Jezu Krishti, Ringjallja

Pjesa 1

Jezu Krishti Bëri Gjithmonë Vullnetin e Atit të Tij

Jezusi duke dhënë mësim në tempull

Ngjarjet e mrekullueshme që e shoqëruan lindjen e Jezu Krishtit, janë të dokumentuara mirë në shkrimet e shenjta (shihni, për shembull, te Lluka 2:1–19). Lidhur me fëmijërinë e Tij, shkrimet e shenjta tregojnë vetëm se “fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të” dhe se “Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:40, 52).

Kur Jezusi ishte 12 vjeç, Ai udhëtoi me familjen e Tij për në Jerusalem që të kremtonte festën e Pashkës. Rrugës për në shtëpinë në Nazaret, Maria dhe Jozefi kuptuan se Jezusi nuk ishte mes pjesëtarëve të familjes që po udhëtonin me ta. Ata përfundimisht e gjetën Atë në tempull në Jerusalem, duke u dhënë mësim njerëzve dhe duke u dhënë përgjigje pyetjeve të tyre (shihni te Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Lluka 2:46, tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Kur Maria shprehu shqetësim rreth mungesës së Tij, Jezusi tha: “Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” (Lluka 2:49.) Edhe kur ishte djalë i vogël, Jezusi qe i përqendruar në bërjen e punës së Atit të Tij.

Gjatë gjithë jetës së Tij në vdekshmëri, Jezusi e deshi dhe i shërbeu Perëndisë, Atit. Ai tha: “Unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar” (Gjoni 6:38). Jezu Krishti dëshiron që secili prej nesh të bëjë të njëjtën gjë. Ai premtoi se “ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej”, është personi që do të hyjë në mbretërinë e Perëndisë (Mateu 7:21).

Gjëra për t’i menduar

  • Lexoni te Gjoni 8:25–30, ku Jezu Krishti shpjegoi: “[Unë] bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë [Atit]” (vargu 29). Çfarë mund të bëni për ta kuptuar dhe ndjekur më mirë vullnetin e Atit në jetën tuaj?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Ftojini anëtarët e grupit tuaj që të lexojnë dhe reflektojnë për pyetjet e ngritura nga Presidenti Rasëll M. Nelson në thënien vijuese:

    “A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj? A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj? A do t’i lejoni fjalët e Tij, urdhërimet e Tij dhe besëlidhjet e Tij që të ndikojnë tek ajo që bëni çdo ditë? A do ta lejoni zërin e Tij të ketë përparësi mbi çdo zë tjetër? A jeni të gatshëm ta lejoni çfarëdo gjëje që Ai ka nevojë që ju të bëni, që të ketë përparësi mbi çdo ambicie tjetër? A jeni të gatshëm që vullneti juaj të shkrihet me të Tijin?”

    Si mund t’ju udhëheqin përgjigjet tuaja ndaj këtyre pyetjeve që ta ndiqni shembullin e Shpëtimtarit duke bërë gjithmonë vullnetin e Atit?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Jeta e Përsosur e Jezu Krishtit Është një Shembull për të Gjithë

Gjon Pagëzori duke pagëzuar Jezu Krishtin

Pranë fillimit të shërbesës së Tij publike, Jezusi erdhi te Gjoni Pagëzori dhe u pagëzua në lumin Jordan. Ndonëse Ai nuk mëkatoi kurrë, Jezusi shpjegoi se Ai kishte nevojë të pagëzohej që të “përmbush[te] çdo drejtësi”. Kur Jezusi doli nga uji, zëri i Perëndisë, Atit, u dëgjua, duke thënë: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”. Fryma e Shenjtë zbriti mbi Jezusin, siç tregohet nga shenja e pëllumbit. (Shihni te Mateu 3:13–17.)

Jezu Krishti bëri një jetë të përsosur. Pas pagëzimit të Tij, Ai agjëroi për 40 ditë e 40 net që të komunikonte me Perëndinë (shihni te Joseph Smith Translation, Matthew 4:2 [te Matthew 4:2, poshtëshënimi c te Bibla në anglisht). Më pas, Satani erdhi ta tunduar Atë. Prapëseprapë, Jezu Krishti u bëri ballë tundimeve me qëndrueshmëri. Jeta e Tij e pamëkatë e përgatiti Jezu Krishtin që ta bënte veten e Tij një flijim për të gjitha mëkatet e fëmijëve në Perëndisë. Si e vetmja qenie e përkryer mes fëmijëve të Perëndisë, Jezu Krishti është shembulli më i madh për secilin prej nesh në përpjekjet tona për ta ndjekur Perëndinë (shihni te 1 Pjetër 2:21–22).

Gjëra për t’i menduar

  • Lexoni te Mateu 4:1–11, përfshirë Përkthimin prej Joseph Smith‑it tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, i cili përshkruan se çfarë ndodhi kur Satani u përpoq ta tundonte Jezusin. Çfarë mund të mësoni nga shembulli i Krishtit lidhur me atë se si ta përballoni tundimin? Në çfarë mënyrash mund t’ju përgatitin agjërimi, lutja dhe një njohje e shkrimeve të shenjta që ta mposhtni tundimin?

  • Jezu Krishti i ringjallur u dha mësim dymbëdhjetë dishepujve nefitë rreth rolit të tyre si gjykatës të popullit. Lexoni tek 3 Nefi 27:27 për të parë urdhërimin që Jezu Krishti u dha dishepujve të Tij. Pse është e rëndësishme që ndjekësit e Jezu Krishtit të jenë si Ai?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Kërkojuni anëtarëve të grupit tuaj që të marrin parasysh se përse ishte e nevojshme që Jezu Krishti të përjetonte tundimin. Ftojini që t’i kërkojnë përgjigjet te Hebrenjve 2:17–18; 4:15–16. Përse është e rëndësishme që ne të kuptojmë se Jezu Krishti përjetoi tundime sikurse ne sot?

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Jezusi na Mësoi ta Duam Njëri‑Tjetrin dhe t’i Shërbejmë Njëri‑Tjetrit

Jezusi shëron një burrë të çalë

Jezu Krishti dha mësim se ka dy urdhërime të mëdha. I pari nga këto urdhërime është ta duam Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë. I dyti është t’i duam të tjerët porsi duam vetveten. (Shihni te Mateu 22:36–39.) Jezusi i dha mësim këto të vërteta shpesh në predikime dhe shëmbëlltyra (për shembull, shihni te Mateu 25:31–46; Lluka 10:25–37).

Jezu Krishti gjithmonë ishte një shembull i mënyrës se si ta ndjekim Perëndinë dhe t’i duam të tjerët. Ai personalisht e demonstroi dashurinë dhe dhembshurinë e Tij për të tjerët kur dha shërbesë me fuqi të madhe mes fëmijëve të Perëndisë, duke shëruar të sëmurët dhe duke kryer shumë mrekulli të fuqishme (shihni te Mateu 11:4–5; Mosia 3:5–6).

Një pjesë e rëndësishme e shërbesës së Krishtit në vdekshmëri, ishte të krijonte Kishën e Tij. Duke e bërë këtë, Ai thirri dymbëdhjetë dishepuj, i autorizoi ata që të predikonin ungjillin dhe u dha atyre fuqi për të shëruar të sëmurët (shihni te Mateu 10:1–8). Këta dishepuj e vazhduan punën e Zotit pas vdekjes dhe Ringjalljes së Tij, kur ata dhanë mësime për pendimin dhe i ftuan të tjerët të pagëzoheshin dhe të merrnin dhuratën e Frymës së Shenjtë (shihni te Veprat e Apostujve 2:22–24, 37–47). Duke e përdorur fuqinë e priftërisë për të shëruar, ata u dhanë shërbesë të tjerëve dhe krijuan mundësi për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit (shihni te Veprat e Apostujve 3:1–11).

Gjëra për t’i menduar

  • Urdhërimi i dytë i madh është ta doni të afërmin tuaj. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet të jemi shembuj të mënyrës se si ndërveprojmë me të tjerët, veçanërisht kur kemi ndryshime në opinione. Një nga mënyrat më të thjeshta për ta dalluar një pasues të vërtetë të Jezu Krishtit, është se sa me dhembshuri ai person i trajton njerëzit e tjerë.” Si mund t’ju ndihmojë të kujtuarit e shembullit të Jezu Krishtit kur është e vështirë që t’i doni të tjerët?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Lexoni së bashku thënien në vijim nga Plaku Nil L. Andersen:

    “Kurrë mos u dorëzoni – sado të thella qofshin plagët e shpirtit tuaj, cilido qoftë shkaku i tyre, kudo ose kurdo që të ndodhin dhe sado pak ose gjatë që të ngulmojnë, nuk është e thënë që ju të mbaroni shpirtërisht. Është e thënë që ju të mbijetoni shpirtërisht dhe të lulëzoni në besimin dhe mirëbesimin tuaj ndaj Perëndisë.

    Perëndia nuk e krijoi shpirtin tonë që ne të ishim të pavarur prej Tij. Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, nëpërmjet dhuratës së pamatshme të Shlyerjes së Tij, jo vetëm që na shpëton nga vdekja dhe na ofron falje për mëkatet tona nëpërmjet pendimit, por Ai gjithashtu rri gati për të na shpëtuar nga pikëllimet dhe dhembjet e shpirtrave tanë të plagosur.”

    Diskutoni fuqinë që është në dispozicionin tonë për shkak të aftësisë së Shpëtimtarit për të shëruar. Ftoni anëtarë të grupit që të marrin parasysh të tregojnë përvoja, nëse është e përshtatshme, kur e kanë ndier fuqinë shëruese të Jezu Krishtit në jetën e tyre.

Mësoni më shumë

Pjesa 4

Jezu Krishti Dha Jetën e Tij për të Shëlbuar Fëmijët e Perëndisë

Jezusi i gjunjëzuar

Abinadi, profeti i Librit të Mormonit, profetizoi se Jezu Krishti do të zbriste nga qielli dhe do të përqeshej, fshikullohej, dëbohej, kryqëzohej dhe vritej – të gjitha këto me qëllim që Ai të mund ta shëlbonte popullin e Tij (shihni te Mosia 15:1–7). Nevoja më e madhe në botë sot është që të gjithë njerëzit të mësojnë e të kuptojnë misionin në vdekshmëri të Zotit tonë Jezu Krisht, se si Ai vuajti dhe pagoi çmimin për mëkatet tona me qëllim që ne të mund të shpëtohemi.

Disa nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e tokës ndodhën gjatë orëve të fundit të jetës së Zotit. Ndërkohë që po afrohej koha e Pashkës judease, Jezusi i çoi dishepujt e Tij në Gjetseman, një kopsht me pemë ulliri në Malin e Ullinjve ose pranë tij, tamam jashtë mureve të Jerusalemit. Pikërisht atje Jezu Krishti u lut dhe filloi të merrte mbi veten e Tij gjithçka që kërkohej për shëlbimin tonë. Mbreti Beniamin profetizoi se Jezu Krishti do të ndiente “dhembje të trupit, uri, etje dhe lodhje” dhe “dhembj[e] … për ligësinë dhe neveritë e popullit të tij” (Mosia 3:7). Ne nuk mund ta kuptojmë intensitetin dhe shtrirjen e vuajtjes së Tij në Gjetseman, por agonia bëri që Jezusit djersa t’i bëhej “si gjak i mpiksur që bi[nte] për tokë” (Lluka 22:44; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 19:18).

Më pas Jezusin e tradhtoi njëri prej dishepujve të Tij, u arrestua, u përqesh dhe u dënua pa të drejtë nga udhëheqësit fetarë judeas. Ai u çua te romakët të cilët e morën në pyetje dhe e rrahën. (Shihni te Mateu 26:47–68; 27:1–31.) Ushtarët e morën Jezu Krishtin dhe e kryqëzuan, që do të thotë se duart dhe këmbët e Tij u gozhduan në një kryq (shihni te Lluka 23:33–38). Ndërkohë që Atë e ngritën dhe e varën në kryq, vazhdoi dhembja dhe vuajtja për mëkatet tona. Shlyerja e Jezu Krishtit përfshin pagimin që Ai bëri në Gjetseman dhe në kryq për të mposhtur efektet e mëkatit për të gjithë njerëzit që pendohen për mëkatet e tyre (shihni tek Alma 5:48; 3 Nefi 9:22; Doktrina e Besëlidhje 19:17).

Pas vdekjes së Tij, trupi i Tij u vendos në një varr (shihni te Gjoni 19:38–42). Në ditën e tretë pas Kryqëzimit të Tij, Krishti e mori sërish trupin e Tij dhe u bë personi i parë që u ringjall (shihni te Mateu 28:1–8). Shumë njerëz ishin dëshmitarë të Zotit të ringjallur dhe dëshmuan për lajmin e lavdishëm. Ngaqë Jezu Krishti u ringjall, për të gjithë fëmijët e Perëndisë shpirtrat do të ribashkohen me trupat dhe do të marrin bekimin e pavdekësisë (shihni te 1 Korintasve 15:21–22; Alma 11:44–45). Gjithçka që Jezu Krishti duroi gjatë jetës së Tij në vdekshmëri, u bë prej dashurisë së Tij për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor (shihni te 1 Nefi 19:20; Doktrina e Besëlidhje 34:3).

Gjëra për t’i menduar

  • Përpara se të shkonte në Gjetseman, Jezu Krishti u paraqiti ordinancën e sakramentit dishepujve të Tij. Lexoni te Mateu 26:26–30. Çfarë mund të bëni që të reflektoni më shumë mbi jetën dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit kur merrni sakramentin? Si mund ta shtojë përvoja juaj e marrjes së sakramentit dashurinë tuaj për Jezu Krishtin?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Lexojeni së bashku thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson:

    “Pasi denjoi të vinte në tokë si Biri i Vetëmlindur i Atit në mish, Atë e fyen vrazhdë, e tallën, e pështynë dhe e fshikulluan. Në Kopshtin e Gjetsemanit, Shpëtimtari ynë mori mbi Vete çdo dhembje, çdo mëkat dhe të gjithë ankthin dhe vuajtjen që u përjetua ndonjëherë nga ju dhe unë, si dhe nga cilido që ka jetuar ndonjëherë apo do të jetojë ndonjëherë. Nën peshën e asaj barre torturuese, Atij i doli gjak nga çdo por. E gjitha kjo vuajtje u përforcua kur Atë e kryqëzuan mizorisht në kryqin e Kalvarit.

    Me anë të këtyre përvojave torturuese dhe Ringjalljes së Tij pasuese – Shlyerjes së Tij të pafundme – Ai u dhuroi pavdekësi të gjithëve dhe e shëlboi secilin prej nesh nga pasojat e mëkatit, me kushtin e pendimit tonë.”

    Diskutoni me grupin përse është e rëndësishme që të mësoni rreth vuajtjes së Jezu Krishtit në Gjetseman dhe në kryq, vdekjes së Tij dhe Ringjalljes së Tij. Si mund t’ju afrojë më pranë Tij të kuptuarit më shumë rreth gjërave që përjetoi Jezu Krishti?

Mësoni më shumë