“Liria e Zgjedhjes”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Liria e Zgjedhjes
Dhurata për të zgjedhur dhe për të vepruar për veten tonë
Përpara se të lindnit, ju jetuat si një bir ose bijë shpirtërore e Perëndisë. Ju mësuat për planin e Atit Qiellor për ju që të përparoni dhe të bëheni si Ai. Ai ju dha dhuratën e lirisë morale të zgjedhjes, që do të thotë se ju keni lirinë që ta ndiqni ose jo Perëndinë dhe planin e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 101:78). Parimi i lirisë së zgjedhjes ju jep fuqinë që të veproni për veten tuaj (2 Nefi 2:16). Gjithashtu do të thotë se ju mbani përgjegjësi për zgjedhjet tuaja (shihni te Helamani 14:29–31).
Në botën para lindjes, Satani “kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur” (Moisiu 4:3) dhe shumë e ndoqën nga pas (shihni te Doktrina e Besëlidhje 29:35–36). Fakti që jeni këtu në tokë, do të thotë që ju e përdorët lirinë tuaj të zgjedhjes për ta pranuar planin e Perëndisë dhe për ta ndjekur Atë (shihni tek Abraham 3:24–26, 28). Nëpërmjet udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë, Perëndia do t’ju forcojë në përpjekjet tuaja për ta përdorur lirinë morale të zgjedhjes që ta ndiqni Atë. Kur zgjidhni të jeni i drejtë, ju do të zbuloni paqe dhe gëzim më të madh dhe përfundimisht do të kualifikoheni që të merrni jetën e përjetshme.
Pjesa 1
Ju Jeni Përgjegjës për Zgjedhjet që Bëni në Këtë Jetë
Ju bëni qindra zgjedhje çdo ditë në gjërat që mendoni, thoni dhe bëni. Presidenti Tomas S. Monson tha se disa nga vendimet tona “nuk do të [sjellin] ndonjë ndryshim në skemën e përjetshme të gjërave; dhe të tjera do të [sjellin] ndryshim tërësor”. Me ndihmën e Perëndisë mund të dini se cilat zgjedhje kanë rëndësinë më të madhe.
Një nga arsyet pse Perëndia i dërgon fëmijët e Tij në tokë, është që të “provo[hen] …, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë” (Abraham 3:25). Në këtë botë, ju përballeni me “kundërshtim në të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:11), me mundësi të panumërta për të ushtruar lirinë tuaj të zgjedhjes. Një ditë, ju do të mbaheni përgjegjës për mendimet, fjalët dhe veprat tuaja (shihni te Mosia 4:30). Mënyra se si e përdorni lirinë tuaj morale të zgjedhjes do t’i japë formë përvojës suaj në këtë jetë dhe në botën që do të vijë.
Gjëra për t’i menduar
-
Plaku Dejvid A. Bednar shpjegoi: “Në morinë e gjerë të të gjitha krijesave të Perëndisë, janë gjërat që veprojnë dhe gjërat që pësojnë (shihni te 2 Nefi 2:13–14). … Të pajisur me lirinë e zgjedhjes, [ju dhe unë] jemi vetëveprues dhe [në radhë të parë] jemi që të veprojmë dhe jo thjesht të [veprohet mbi ne].” Si e sqaron kjo thënie ndryshimin midis fëmijëve të Perëndisë dhe krijesave të Tij të tjera? Si mendoni, përse parimi i lirisë morale të zgjedhjes është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë për shpëtimin e fëmijëve të Tij?
-
Merreni parasysh të lexoni atë që Lehi i mësoi birit të tij, Jakobit, rreth rëndësisë së lirisë së zgjedhjes te 2 Nefi 2:26–29. Si do t’i përshkruanit përvojat e lirisë dhe të robërisë të përmendura në këtë fragment? Çfarë mësoni nga ky fragment rreth mënyrës se si të “zgjidhni jetën e përjetshme”?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Shikoni materialin filmik “The Ten Virgins” [“Dhjetë Virgjëreshat”] (1:40) ose lexoni së bashku shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave te Mateu 25:1–13. Diskutoni se çfarë mësoni nga kjo shëmbëlltyrë rreth lirisë së zgjedhjes. Bisedoni rreth mënyrave se si mund të zgjidhni që të përgatiteni për të takuar Shpëtimtarin.
Mësoni më shumë
-
2 Nefi 2:26; Alma 41:3–7; Helamani 14:30–31; Doktrina e Besëlidhje 29:39; 58:27–28; 93:31–32; Moisiu 4:1–4
-
Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 92
-
Dallin H. Ouks, “Kundërshtim në të Gjitha Gjërat”, Liahona, maj 2016
-
D. Todd Christofferson, “Moral Agency”, Ensign, qershor 2009, f. 46–52
-
“War in Heaven” [“Lufta në Qiell”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
Pjesa 2
Jezu Krishti Zgjodhi të Bënte Vullnetin e Atit në të Gjitha Gjërat
Kur Jezusi ishte 12 vjeç, Maria dhe Jozefi zbuluan se Ai nuk ishte me familjen e vet ndërkohë që udhëtonin nga Jerusalemi për në shtëpi. Ata e gjetën Atë në tempull duke iu përgjigjur pyetjeve të atyre që studionin ligjin e Perëndisë. Maria e pyeti Jezusin nëse Ai ishte i vetëdijshëm që ata kishin qenë duke e kërkuar. Jezusi u përgjigj: “A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” (Lluka 2:49.) Jezusi gjithmonë mori vendime bazuar në vullnetin e Atit të Tij (shihni te Lluka 22:42; 3 Nefi 11:11; 27:13). Jezu Krishti është shembulli i përkryer i përdorimit të lirisë morale të zgjedhjes për të zgjedhur drejtësinë kundrejt interesit për veten dhe mëkatit.
Gjëra për t’i menduar
-
Jezu Krishti hasi tundime gjatë jetës së Tij në vdekshmëri, po ashtu siç hasim edhe ne (shihni te Hebrenjve 4:15; Mosia 3:7; Alma 7:11). Lexoni te Mateu 4:1–11. Çfarë mund të mësoni nga përgjigjja e Jezusit kur Satani u përpoq ta bënte që të zgjidhte padrejtësisht?
-
Në bisedën e tij “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Presidenti Rasëll M. Nelson pyeti: “Çfarë do të thotë ta mundim botën? Do të thotë ta mundim tundimin për t’u interesuar më shumë për gjërat e botës sesa për gjërat e Perëndisë. Do të thotë t’i mirëbesojmë doktrinës së Krishtit më shumë sesa filozofive të njerëzve. Do të thotë të kënaqemi nga e vërteta, ta dënojmë mashtrimin dhe të bëhemi ‘pasuesit e përulur të Krishtit’ [2 Nefi 28:14]. Do të thotë të zgjedhim të përmbahemi nga çdo gjë që e largon Shpirtin. Do të thotë të jemi të gatshëm t’i ‘braktis[im]’ madje edhe mëkatet tona të parapëlqyera [Alma 22:18].” Si mund t’i udhërrëfejë shembulli i Jezu Krishtit përpjekjet tuaja për ta mundur botën?
-
Cilat janë disa gjëra që mund t’ju pengojnë për t’iu nënshtruar vullnetit të Atit? Çfarë mund të bëni për t’iu nënshtruar Atij më plotësisht?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Shpesh zgjedhjet tona nuk janë midis së drejtës dhe së gabuarës apo së mirës dhe së ligës. Lexoni së bashku thënien vijuese nga Presidenti Dallin H. Ouks: “Ndërsa marrim parasysh zgjedhje të ndryshme, duhet të kujtojmë se nuk mjafton që diçka të jetë e mirë. Zgjedhje të tjera janë më të mira dhe disa të tjera janë më të mirat. Edhe pse një zgjedhje e caktuar është më e kushtueshme, vlera e saj shumë më e madhe mund ta bëjë atë zgjedhjen më të mirë për të gjithë.” Flisni rreth disa parimeve që mund të ndihmojnë për t’iu udhërrëfyer kur zgjidhni midis mundësive që janë të mira, më të mira ose më të mirat. Çfarë mund të mësoni nga shembulli i Jezu Krishtit teksa i bëni ato zgjedhje?
Mësoni më shumë
-
Dallin H. Ouks, “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Liahona, nëntor 2007, f. 104–108
-
Dejll G. Renland, “Zgjidhni Sot”, Liahona, nëntor 2018, f. 104–106
-
“Të Dish K’të, Çdo Shpirt Ësht’ i Lir’”, Himne, nr. 151; “Do Ndjek Planin e Perëndis’”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 86–87
Pjesa 3
Lejojeni Perëndinë të Triumfojë në Jetën Tuaj
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Ne të gjithë kemi lirinë tonë të zgjedhjes. … Ne mund të zgjedhim që ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë ose jo. Ne mund të zgjedhim që ta lejojmë Perëndinë të jetë ndikimi më i fuqishëm në jetën tonë ose jo.” Kur vendosni me gatishmëri që ta ndiqni Perëndinë në zgjedhjet që bëni, ju tregoni se plani i Tij merr përparësi në jetën tuaj.
Zgjedhja për të besuar është njëri nga hapat e parë në përdorimin siç duhet të lirisë sonë të zgjedhjes. Të besuarit te Jezu Krishti e shton besimin tuaj dhe mirëbesimin tek Ai. Krishti gjithashtu dëshiron që ju të besoni te fjalët e Tij, të zbuluara nëpërmjet profetëve të Tij ndërkohë që vazhdon Rivendosja e plotësisë së ungjillit të Tij. Teksa zgjidhni të keni besim dhe të besoni, ju do të merrni kuptueshmëri më të madhe shpirtërore dhe do të gjeni qartësi kur merrni vendime. Do të rritet dëshira juaj për të qenë të bindur dhe ka më shumë të ngjarë që ju do të zgjidhni një shteg që ju çon drejt jetës së përjetshme.
Gjëra për t’i menduar
-
Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Vazhdoni në shtegun e besëlidhjeve. Zotimi juaj për ta ndjekur Shpëtimtarin nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të dhe më pas nëpërmjet mbajtjes së atyre besëlidhjeve, do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion të burrave, grave dhe fëmijëve kudo.” Cilat zgjedhje ju kanë ndihmuar që të përparoni në shtegun e besëlidhjeve të Zotit? Çfarë zgjedhjesh do të bëni që do t’ju ndihmojnë të qëndroni në shteg?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Ftojini të tjerët të flasin rreth përvojave kur jeta nuk doli siç e prisnin. Flisni rreth mendimeve dhe ndjenjave që mund të prodhojnë përvoja të tilla. Merrni parasysh të lexoni së bashku tek Isaia 55:8–9 dhe të diskutoni përse parimi i të lejuarit të Perëndisë për të triumfuar ju sjell paqe dhe vetëbesim.
Mësoni më shumë
-
Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 92–95
-
Gerrit W. Gong, “Choose to Let God Prevail”, For the Strength of Youth, gusht 2022, f. 2–5
-
Randall K. Benet, “Zgjidhni Jetën e Përjetshme”, Liahona, nëntor 2011, f. 98–100