2018
Teksa Ecim Përpara së Bashku
Prill 2018


Mesazhi i Presidencës së Parë

Teksa Ecim Përpara së Bashku

new First Presidency

Të dashur vëllezër e motra, ndihem i përulur që të jem me ju këtë mëngjes. Para katër ditësh ne vendosëm në varr një burrë gjigant, një profet të Perëndisë – Presidentin Tomas S. Monson. Asnjë fjalë nuk mund ta shprehë drejtësisht madhështinë dhe rëndësinë e jetës së tij. Do ta kujtoj gjithmonë plot gëzim miqësinë tonë, me mirënjohje për atë që ai më mësoi. Tani ne duhet të shohim përpara drejt së ardhmes me besim të plotë në Zotin tonë, Jezu Krishtin, Kisha e të cilit kjo është.

Dy ditë më parë, të gjithë Apostuj e gjallë u takuan në dhomën e sipërme të Tempullit të Solt-Lejkut. Atje ata morën një vendim të njëzëshëm, së pari, që të riorganizohej Presidenca e Parë tani dhe, së dyti, që unë të shërbej si Presidenti i Kishës. Fjalët janë të papërshtatshme për t’ju treguar se çfarë ndjeva kur Vëllezërit e mi – Vëllezërit të cilët mbajnë të gjithë çelësat e priftërisë të rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith në këtë periudhë ungjillore – i vendosën duart e tyre mbi kokën time për të më shuguruar dhe veçuar si President të Kishës. Ishte një përvojë e shenjtë dhe përulësuese.

Atëherë u bë përgjegjësia ime që të dalloja se cilët i kishte përgatitur Zoti që të ishin këshilltarët e mi. Si mund të zgjidhja vetëm dy nga Dymbëdhjetë Apostujt e tjerë, secilin prej të cilëve e dua aq fort? I jam thellësisht mirënjohës Zotit që iu përgjigj lutjeve të mia të zjarrta. Jam shumë mirënjohës që Presidenti Dallin Heris Ouks dhe Presidenti Henri Benion Ajring janë të gatshëm për të shërbyer me mua si Këshilltarët e Parë dhe të Dytë, përkatësisht. Presidenti Diter F. Uhtdorf ka zënë sërish vendin e tij në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Ai ka marrë tashmë detyra të rëndësishme për të cilat ai është i kualifikuar në mënyrë të pashoqe.

U jap përgëzimet e mia atij dhe Presidentit Ajring për shërbimin e tyre madhështor si këshilltarë të Presidentit Monson. Ata kanë qenë tërësisht të aftë, të përkushtuar dhe të frymëzuar. Jemi shumë mirënjohës për ta. Secili është i gatshëm të shërbejë tani atje ku nevojitet më shumë.

Si Apostulli i dytë në vjetërsi, Presidenti Ouks gjithashtu bëhet President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Gjithsesi, për shkak të thirrjes së tij në Presidencën e Parë dhe në përputhje me rendin e Kishës, Presidenti M. Rasëll Ballard, pasuesi në vjetërsi, do të shërbejë si Presidenti Veprues i atij kuorumi. Presidenca e Parë do të punojë krah për krah me Të Dymbëdhjetët që të dallojë vullnetin e Zotit dhe ta çojë përpara veprën e Tij të shenjtë.

Jemi mirënjohës për lutjet tuaja. Ato janë bërë për ne anembanë botës. Në mëngjesin pas vdekjes së Presidentit Monson, një lutje e tillë u bë nga një djalë katërvjeçar, i quajtur Benson. Ju citoj pjesë nga letra e nënës së tij dërguar bashkëshortes sime, Uendit. Bensoni u lut: “Ati Qiellor, të falënderojmë që Presidenti Tomas S. Monson mundi ta shihte bashkëshorten e tij sërish. Të falënderojmë për profetin tonë të ri. Ndihmoje të jetë trim dhe të mos ketë frikë ngaqë është i ri në detyrë. Ndihmoje të rritet që të bëhet i shëndetshëm dhe i fortë. Ndihmoje të ketë fuqi, sepse ai ka priftërinë. Dhe na ndihmo që të jemi gjithmonë të mirë.”

E falënderoj Perëndinë për fëmijë si ai dhe për prindër që janë të vëmendshëm ndaj zotimit të tyre për të qenë prindër të drejtë dhe plot qëllim – për çdo prind, mësues dhe anëtar që mban barrë të rënda dhe prapëseprapë shërben me shumë gatishmëri. Me fjalë të tjera, për secilin prej jush, unë jam përulësisht shumë mirënjohës.

Zoti Është në Timon

current Quorum of the Twelve Apostles

Teksa ecim përpara së bashku, ju ftoj të mendoni rreth mënyrës madhështore me anë të së cilës Zoti e qeveris Kishën e Tij. Kur një President i Kishës ndërron jetë, nuk ka asnjë fshehtësi se kush është personi pasues i thirrur që të shërbejë në atë detyrë. Nuk ka fushatë elektorale, nuk ka përpjekje për t’u zgjedhur, por vetëm veprimet pa bujë të një plani hyjnor të vazhdueshmërisë, i paraqitur prej Zotit Vetë.

Çdo ditë e shërbimit të një Apostulli është një ditë e të mësuarit dhe përgatitjes për më shumë përgjegjësi në të ardhmen. Kërkohen dekada shërbimi për një Apostull që të shkojë nga karrigia e Apostullit më të ri në detyrë në karrigen e Apostullit më me vjetërsi në grup. Gjatë asaj kohe, ai fiton përvojë të drejtpërdrejtë në çdo fushë të punës së Kishës. Ai gjithashtu bëhet mjaft i njohur me njerëzit e tokës, përfshirë historitë, kulturat, gjuhët e tyre, teksa detyrat e çojnë atë pareshtur anekënd rruzullit tokësor. Ky proces i vazhdimësisë në udhëheqjen e Kishës është i pashoq. Nuk di ndonjë tjetër të ngjashëm me të. Kjo gjë nuk duhet të na habitë, sepse kjo është Kisha e Zotit. Ai nuk vepron sipas mënyrës së njerëzve.

Kam shërbyer në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve nën pesë Presidentë të mëparshëm të Kishës. E kam parë secilin President të merrte zbulesë dhe t’i përgjigjej asaj zbulese. Zoti gjithmonë i ka udhëzuar e frymëzuar profetët e Tij dhe gjithmonë do t’i udhëzojë e frymëzojë ata. Zoti është në timon. Ne, të cilët jemi shuguruar që të japim dëshmi për emrin e Tij të shenjtë anembanë botës, do të vazhdojmë të përpiqemi ta dimë vullnetin e Tij dhe ta ndjekim atë.

Qëndroni në Shtegun e Besëlidhjeve

taking the sacrament

Tani, secilit anëtar të Kishës unë i them, vazhdoni në shtegun e besëlidhjeve. Zotimi juaj për ta ndjekur Shpëtimtarin nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të dhe më pas nëpërmjet mbajtjes së atyre besëlidhjeve, do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion të burrave, grave dhe fëmijëve kudo.

Si Presidencë e re, ne dëshirojmë të fillojmë me përfundimin në mendje. Për këtë arsye, ne po ju flasim sot nga një tempull. Përfundimi për të cilin përpiqet fort secili prej nesh, është të na dhurohet fuqi në një shtëpi të Zotit, të vulosur si familje, besnikë ndaj besëlidhjeve të bëra në tempull të cilat na kualifikojnë për dhuratën më të madhe të Perëndisë – dhuratën e jetës së përjetshme. Ordinancat e tempullit dhe besëlidhjet që bëni atje, janë thelbësore për ta forcuar jetën tuaj, martesën e familjen tuaj dhe aftësinë tuaj për t’u bërë ballë sulmeve të kundërshtarit. Adhurimi juaj në tempull dhe shërbimi juaj atje për paraardhësit tuaj do t’ju bekojnë me zbulesë dhe paqe të shtuar vetjake dhe do ta forcojnë zotimin tuaj për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve.

Tani, nëse jeni larguar nga shtegu, më lejoni t’ju ftoj me gjithë shpresën në zemrën time që, ju lutemi, të ktheheni. Cilatdo qofshin shqetësimet tuaja, cilatdo qofshin sfidat tuaja, ka vend për ju në këtë, Kishën e Zotit. Ju dhe brezat ende të palindur do të bekoheni nga veprimet tuaja tani për t’u kthyer në shtegun e besëlidhjeve. Ati ynë në Qiell gëzohet me fëmijët e Tij dhe Ai dëshiron që secili prej nesh të kthehet në shtëpi tek Ai. Ky është qëllimi madhor i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – ta ndihmojë secilin prej nesh që të kthehet në shtëpi.

Ju shpreh dashurinë time të thellë për ju – dashuri e cila është rritur gjatë dekadave të takimit me ju, të adhurimit me ju dhe të shërbimit ndaj jush. Mandati ynë hyjnor është që të shkojmë te çdo komb, fis, gjuhë dhe popull, që të ndihmojmë për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit. Këtë do ta bëjmë me besim në Zotin Jezu Krisht, duke e ditur se Ai është në drejtim. Kjo është vepra e Tij dhe Kisha e Tij. Ne jemi shërbëtorët e Tij.

Unë shpall përkushtimin tim ndaj Perëndisë, Atit tonë të Amshuar, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. I njoh Ata, i dua Ata dhe betohem t’u shërbej Atyre – dhe juve – deri në frymën e fundit të jetës sime. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.