Portrete Besimi
Rakotomalala Alfons
Sarodroa, Madagaskar
Kur Rakotomalala u interesua për ungjillin, kisha më e afërt ishte në Antsirabe, një qytet 50 km larg fshatit të tij në Sarodroa. Rakotomalala dhe një mike gjetën një mënyrë për ta bërë udhëtimin çdo të diel.
Sot, Sarodroa ka një shtëpi mbledhjesh të vogël ku mbi 100 anëtarë marrin pjesë çdo të diel. Rakotomalala e ka parë fshatin e tij ta përqafojë ungjillin. Nga Sarodroa kanë shërbyer katër misionarë dhe Kisha vazhdon të rritet.
Cody Bell, fotograf
Kur gjyshi im u sëmur, shkova në Antsirabe që të rrija me të. Misionarët e vizituan shtëpinë e tij disa herë. Gjyshi dhe unë nuk ishim anëtarë të Kishës, por atij i pëlqenin vizitat nga misionarët. Një natë, ata i dhanë një bekim gjyshit dhe, pas një mbrëmjeje familjare, na dhanë një Libër të Mormonit.
“Ju lutemi, lexojeni këtë libër dhe pyeteni Perëndinë nëse është i vërtetë”, thanë ata.
Kur u ktheva në Sarodroa, nuk dëshiroja ta lexoja Librin e Mormonit pasi mendova se nuk ishte i vërtetë. Pastaj, një ditë u sëmura aq shumë saqë ngela në shtëpi për disa ditë. Teksa po kërkoja të bëja diçka, e gjeta Librin e Mormonit dhe fillova ta lexoja.
Më vonë, u ktheva në Antsirabe dhe takova misionarët. Ata më mësuan më shumë mbi Librin e Mormonit dhe mbi Profetin Jozef Smith. U thashë atyre se nuk na nevojiteshin profetë dhe se nuk ka profet sot. Misionarët më kërkuan t’i lutesha Perëndisë dhe ta pyesja nëse ka një profet tani. Ata premtuan se Perëndia do të më përgjigjej. U luta dhe e ndjeva se ajo që thanë misionarët, ishte e vërtetë.
Dëshiroja të shkoja në kishë, por nuk kisha para për autobusin. Fola me miken time, Razafindravaonasolon, dhe ajo më tha se mund të ngitnim biçikletën time. Ne udhëtonim çdo të diel për dy orë në secilin drejtim nga Sarodroa për në Antsirabe. Kur unë lodhesha nga pedalimi, ulesha pas dhe ajo do të fillonte të pedalonte. Pastaj, kur lodhej ajo, i ndërronim vendet sërish.
Përfundimisht, familja e Razafindravaonasolos dhe unë u bashkuam me Kishën. Ne e frekuentuam Kishën në Antsirabe derisa u hap një degë në Sarodroa. Ishim shumë të lumtur kur mundëm ta frekuentonim Kishën në vetë fshatin tonë!
Babai i Razafindravaonasolos u thirr si president i degës. Një ditë, ai më takoi dhe më nxiti të përgatitesha për një mision. Nuk mendoja se mund të shërbeja, por ai më siguroi se mundesha. E pranova thirrjen për të shërbyer në Misionin e Antananarivos në Madagaskar. Tani jam i martuar dhe kam dy fëmijë. Jam mirënjohës për familjen time dhe kam pasur më shumë përvoja nga sa mund të tregoj, të cilat më kanë ndihmuar ta di se kjo Kishë është e vërtetë.