2018
Të Arrijmë ta Njohim Shpëtimtarin
Prill 2018


Të Arrijmë ta Njohim Shpëtimtarin

Autorja jeton në Juta, SHBA.

Ndërsa mësoni për Jezu Krishtin, ju e ftoni paqen dhe praninë e Tij në jetën tuaj.

Christ praying

Hollësi nga Ku Janë të Nëntët, nga Liz Lemon Swindle

Përfytyroni të lexoni çdo gjë rreth Shpëtimtarit në shkrimet e shenjta – në Biblën e Shenjtë, Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Do të duhej shumë kohë dhe punë! Por në janar 2017, Presidenti Rasëll M. Nelson dha një sfidë për të bërë pikërisht këtë – për të studiuar në veprat standarde çdo gjë që tha dhe bëri Jezusi. Presidenti Nelson tha se përfundimi i projektit e bëri atë “një njeri tjetër”. Ai jo vetëm që mësoi më shumë rreth Jezu Krishtit, por gjithashtu ndjeu një përkushtim të përtërirë ndaj Tij.1

Edhe ju mund të afroheni më shumë me Krishtin ndërsa mësoni për Të. Studimi i jetës dhe qëllimit të Tij e fton paqen e Tij në jetën tuaj dhe ju ndihmon që të arrini ta njihni Atë dhe Atin Qiellor. Shikoni se si iu përgjigjën këta të rinj dy pyetjeve: 1) Cila është historia juaj e parapëlqyer nga shkrimi i shenjtë rreth Shpëtimtarit dhe përse? 2) Dhe si ju kanë sjellë paqe studimet mbi ungjillin?

Më pëlqen historia e 10 lebrosëve ngaqë Krishti tregoi kaq shumë dashuri ndaj lebrosit që e falënderoi Atë. Ai tha: “Besimi yt të shëroi” (Lluka 17:19; shih vargjet 11–19). Më pëlqen shumë dashamirësia e çiltër që Ai i tregon çdokujt.

Për shkak të disa tragjedive të kohëve të fundit në shkollën time, çdo njeri ka nevojë për shumë paqe dhe ngushëllim. Unë kam gjetur forcë dhe paqe përmes studimeve të mia në seminar. Mësuesit e seminarit i bëjnë shkrimet e shenjta dhe ungjillin shumë të individualizuar për gjithsecilin [prej nesh]. Është me të vërtetë e hatashme të shikosh dallimin midis klasës së seminarit dhe një klase normale. Ka vërtet një ndjenjë tjetër atje që sjell paqe.

Gabriel S., 16 vjeç, Kolorado, SHBA

Historia e Almës rreth besimit dhe fjalës së Perëndisë (shih Alma 32:18–43) më ka mësuar se, kur mbjellim dashuri, ne marrim dashuri. Ashtu siç Alma u shpjegon zoramitëve, besimi është si një farë. Do të thotë të besosh se diçka është e vërtetë pa qenë vërtet atje për ta parë atë. Besimi rritet kur një njeri ka dëshirën për ta besuar dhe dëgjuar fjalën e Perëndisë. E gjithë kjo më ka ndihmuar që të jem e qetë, ta forcoj zemrën time dhe të marr një dëshmi se Ati Qiellor më sheh me sytë e dashurisë dhe të mëshirës.

Teksa i studioj shkrimet e shenjta çdo ditë, e kuptoj më mirë dashurinë që Shpëtimtari ynë ka për secilin prej nesh. Kjo njohuri më ndihmon t’jua shpjegoj miqve të mi në shkollë se ata nuk janë vetëm kur kanë probleme ngaqë ka një Perëndi që na do.

Maria D., 17 vjeçe, Guadalahara, Spanjë

Christ with children

Hollësi nga Krishti dhe Fëmijët e Librit të Mormonit, nga Del Parson

Tek 3 Nefi 17 më pëlqen kur Shpëtimtari i viziton kontinentet amerikane dhe i fton fëmijët të vijnë tek Ai. Ai ulet me ta dhe kalon kohë me ta një e nga një. Kjo është një histori e mahnitshme për mua që tregon se kush është Jezu Krishti dhe se sa shumë dashuri ka Ai për secilin prej nesh. Besoj gjithashtu se Ai do të ulet me secilin prej nesh kur të na nevojitet ndihma e Tij.

Këtë vit i vura si sfidë vetes që të lexoja një faqe nga shkrimet e shenjta çdo ditë. Ndërsa e kam bërë këtë, kam filluar që ta pres me padurim atë çdo ditë. Kam mësuar kaq shumë nga fjalët dhe historitë në shkrimet e shenjta teksa jam përpjekur të shpenzoj kohë për t’i kuptuar ato dhe gjithashtu jam afruar më shumë me Atin tim Qiellor dhe Shpëtimtarin ndërsa kam mësuar për Ta. Kjo ka sjellë shumë paqe në jetën time.

Ana C., 17 vjeçe, Montana, SHBA

Më pëlqen shumë kur Krishti vjen në kontinentet amerikane, pyet nëse ka ndonjë të sëmurë dhe të munduar mes tyre dhe më pas i shëron ata. Pastaj Ai i bekon fëmijët e vegjël. (Shih 3 Nefi 17.) Mendoj se është një histori e hatashme dhe e fuqishme. Më pëlqejnë fëmijët e vegjël dhe më pëlqen shumë kur njerëzit u japin atyre më tepër dashuri, ngaqë fëmijët janë kaq të pastër. Historia më tregon thellësinë e dashurisë së Shpëtimtarit për ne. Meqenëse Ai i deshi njerëzit në atë kohë mjaftueshëm sa të bënte çdo gjë që Ai bëri, Ai mund të na dojë edhe ne sot.

Isaia 53:3 thotë se Shpëtimtari është një “njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes”. Kur mendoj për Shlyerjen e Krishtit, atë që Ai kaloi për ne, dhe mënyrën se si mund të marr falje kur pendohem për mëkatet e mia, unë ndihem me të vërtetë në paqe. Shumë njerëz në Librin e Mormonit – bijtë e Mosias, Amoni dhe Alma i Riu – patën të kaluara plot gabime, por qenë në gjendje që të merrnin falje. Ata u kthyen te Krishti, u penduan dhe u bënë shembuj madhështorë, prej të cilëve ne mund të mësojmë sot. Më ngushëllon ta di se edhe unë mund të marr falje.

Alina T., 18 vjeçe, Oregon, SHBA

Historia ime e parapëlqyer nga shkrimi i shenjtë rreth Jezusit është kur Ai e ktheu ujin në verë gjatë një dasme, me nxitjen e nënës së Tij (shih Gjoni 2:1–11). Ky është shkrimi im i parapëlqyer ngaqë historia tregon respektin e Jezusit për gratë dhe nënën e Tij në veçanti. Kjo histori i nxit fëmijët që t’iu binden prindërve të tyre, jo nga frika por nga dashuria e pafund. Shembulli i Jezu Krishtit është ai për të cilin duhet të përpiqet fort cilido. Dashuria e Tij për nënën e Tij nuk pushoi kurrë dhe as nuk duhet të pushojë dashuria jonë për prindërit tanë. Ky është gjithashtu fragmenti im i parapëlqyer ngaqë mrekullia e Tij është një vepër shërbimi dhe ne gjithashtu mund të krijojmë mrekulli duke i ndihmuar të tjerët.

Kjo histori dhe histori të tjera në shkrimet e shenjta më kanë sjellë paqe. Është tepër ngushëlluese ta di që, nëse përpiqem gjithmonë të mësoj për Krishtin dhe t’i ndjek mësimet e Tij, një ditë unë mund të kthehem tek Ati ynë i dashur Qiellor.

Ana R., 17 vjeçe, Viktoria, Australi

Më pëlqen historia kur Krishti ecën mbi ujë. Ai ecën deri te barka ku janë të gjithë Apostujt dhe e fton Pjetrin të ecë mbi ujë. Pjetri fillimisht ka besim dhe mund të ecë mbi ujë, por pastaj e humbet besimin e tij dhe fillon të fundoset. Më pas Krishti i zgjat dorën dhe e kap atë (shih Mateu 14:25–33). Historia spikat për mua sepse Krishti i ka gjithmonë duart e Tij në jetën tonë – Ai na mbron.

Studimet e mia më ndihmojnë sepse unë i studioj shkrimet e shenjta në mëngjes dhe kjo e bën ditën time më të mirë. Kur nuk studioj, dita ime nuk është aq e lumtur apo argëtuese – thjesht nuk ndihem mirë. Kur i lexoj shkrimet e mia të shenjta rregullisht në mëngjes, gjatë ditës ndihem shumë më mirë ngaqë e ftoj Frymën e Shenjtë të jetë me mua gjatë saj.

Xhejms K., 17 vjeç, Alaskë, SHBA

Christ and the rich young man

Hollësi nga Krishti dhe Sunduesi i Ri Pasanik, nga Heinrich Hofmann

Më pëlqen shumë historia e Krishtit dhe e të riut pasanik (shih Marku 10:17–22). Kjo më jep shumë njohuri dhe këndvështrim për t’i dhënë përparësi Perëndisë mbi çdo gjë. Të të kërkojnë të shesësh cilindo zotërim tokësor do të ishte një kërkesë shumë e vështirë për thuajse gjithkënd. Por mendoj se të qenit të gatshëm për ta vendosur Perëndinë mbi zotërimet është një nga gjërat që gjithsecili prej nesh duhet ta mësojë në jetë. Dashuria e pakufishme e Jezu Krishtit për ne është me të vërtetë e mahnitshme. Ajo është vërtet më e mirë se çdo sasi paraje apo send vetjak që fitojmë në këtë jetë.

Leximi i shkrimeve të shenjta më sjell paqe dhe ngushëllim, si dhe urtësi e kuptueshmëri më të madhe. Edhe pse mundet që jo gjithmonë ta ndiej menjëherë fuqinë e studimit të shkrimit të shenjtë, unë e di se leximi i shkrimeve të shenjta ndikon pozitivisht në jetën time dhe më ndihmon ta ndiej Shpirtin dhe t’i dalloj nxitjet e Tij.

Juzhen C., 19 vjeçe, Taiçung, Tajvan

woman touching the hem

Hollësi nga Gruaja Prek Cepin e Rrobës së Krishtit, nga Heidi Daynes Darley

Ndërkohë që Krishti është udhës për të parë një vajzë të vogël e cila po vdes, një grua me fluks gjaku thjesht e prek rrobën e Tij dhe shërohet. Krishti kthehet dhe bisedon me të pasi e kupton se ajo e ka prekur Atë (shih Lluka 8:43–48). Pavarësisht se po shkonte për të ndihmuar dikë tjetër, Krishti gjeti kohë edhe për të. Krishti gjen kohë për të gjithë ne gjithashtu.

Unë kam me të vërtetë një jetë shumë të ngarkuar, duke rendur për në shkollë ose për në kursin e baletit apo duke kryer detyra të tjera. Gjatë kësaj kohe, nuk gjej kohë për veten apo të ndiej paqe. Kur i lexoj shkrimet e mia të shenjta apo them një lutje, unë ndiej paqe. Është mirë të ndihesh kështu dhe të kesh një shkëputje nga kjo çmenduri. Në ato çaste paqeje, unë afrohem më shumë me Shpëtimtarin dhe rritem në ungjill.

Zoe B., 17 vjeçe, Juta, SHBA

Shënim

  1. Shih Rasëll M. Nelson, “Profetët, Udhëheqja dhe Ligji Hyjnor” (takimi shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 8 janar 2017), broadcasts.lds.org; “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, konferenca e përgjithshme e prillit 2017; “Studiojini Fjalët e Shpëtimtarit”, Liahona, janar 2018, f. 56–59.