Le ta Përhapim Njohurinë Tonë për një Shpëtimtar
Nga një fjalim në Konferencën e Grave tek Universiteti “Brigam Jang”, i titulluar “The Knowledge of a Savior” [“Njohuria për një Shpëtimtar”], i mbajtur më 5 maj 2017.
I yni është mesazhi i paqes dhe ju jeni lajmëtarët që e predikojnë atë. Ju mund ta bëni këtë nëpërmjet kanaleve të reja dhe emocionuese të teknologjisë.
Ne jemi Kisha e Jezu Krishtit, e themeluar në ditët e mëvonshme. Në të njëjtën mënyrë se si Zoti i udhëzoi dishepujt e Tij të lashtë, neve na është dhënë përgjegjësia në ditët e mëvonshme që të “[dalim] në mbarë botën dhe [t’ia] prediko[jmë] ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15).
Profeti i lashtë, Nefi, i përmblodhi shkurtimisht këtë mision e mesazh dhe synimin e tyre: “Dhe, ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre” (2 Nefi 25:26).
Në librin e Mosias, ne lexojmë se si profeti i lashtë i Librit të Mormonit, mbreti Beniamin, e mblodhi tek tempulli popullin e tij nga i gjithë vendi, bëri të ngrihej një kullë dhe iu dha mësim njerëzve. Ndërkohë që u jepte mësim, ai gjithashtu u profetizoi për kohën tonë: “Dhe për më tepër, unë ju them juve se koha do të vijë kur njohuria [për] një Shpëtimtar do të përhapet mes çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli” (Mosia 3:20).
“Njohuria për një Shpëtimtar”
Një prej dhuratave më të çmuara për ta ruajtur si thesar brenda familjeve tona dhe për t’ua dhënë të tjerëve është “njohuria për një Shpëtimtar”, ose për Jezu Krishtin.
Me çeljen e periudhës ungjillore të plotësisë së kohëve erdhi një ndriçim mbi tërë njerëzimin dhe një ujëvarë e përparimeve teknologjike. Ajo solli me vete epokën industriale dhe mjetet e komunikimit, duke e lejuar të përmbushet profecia e mbretit Beniamin.
Si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i thirrur si dëshmitar i veçantë i “emrit të Krishtit në gjithë botën” (DeB 107:23), me detyra të veçanta si në Komitetin e Çështjeve Publike ashtu edhe në Komitetin e Shërbimeve të Komunikimit, unë jam në gjendje të përqendrohem te përmbushja e kësaj profecie – që “njohuria [për] një Shpëtimtar” të përhapet anembanë botës – duke përdorur teknologjitë më të fundit në dispozicionin tonë.
“Mes Çdo Kombi, Fisi, Gjuhe dhe Populli”
Historikisht, përparimet në shtyp dhe shpikja e radios dhe e televizionit bënë të mundur që mesazhi i Rivendosjes të shkojë anembanë botës. Ne gjejmë shembuj të shumtë të kësaj, disa prej të cilëve i kemi në kujtesën tonë.
Brenda 10 vjetësh nga Vegimi i Parë dhe një muaj përpara se të organizohej Kisha, u botuan 5 000 kopje të Librit të Mormonit. Që nga ajo kohë, janë shtypur mbi 175 milionë kopje.
Çdo mëngjes të diele, ju mund të dëgjoni ose shikoni transmetimin e programit Music and the Spoken Word [Muzikë dhe një Mesazh], i cili po i afrohet transmetimit të tij të 5 000-të. Transmetimi i parë ndodhi drejtpërsëdrejti në radio në vitin 1929. Transmetimi i parë i konferencës së përgjithshme në televizion ndodhi në vitin 1949.
Në mënyrë interesante, në 1966-n, Presidenti Dejvid O. Mek-Kei (1873–1970) filloi të fliste për gjëra që do të vinin: “Zbulime të pashfaqura, me kaq fuqi të madhe, qoftë për bekimin ose për shkatërrimin e qenieve njerëzore, duke e bërë përgjegjësinë e njeriut për t’i pasur ato nën kontroll, përgjegjësinë më gjigante të vendosur ndonjëherë në duart njerëzore. … Kjo epokë është e mbushur me rreziqe të pakufizuara, si edhe mundësi të patreguara.”1
Në vitin 1974, Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) përshkroi vegimin e tij për një kohë që do të vinte: “Zoti e ka bekuar botën me shumë … satelitë. Ata ndodhen lart në qiejt, duke dërguar sinjale transmetimi pothuajse drejt çdo cepi të sipërfaqes së tokës. … Sigurisht që këta satelitë janë vetëm zanafilla e asaj që është ruajtur për të ardhmen e transmetimit mbarëbotëror. … Besoj se Zoti mezi pret që t’i vërë në duart tona shpikjet, të cilat ne, njerëzit joprofesionistë as që na i kanë zënë sytë ndonjëherë.”2
Me përparimet teknologjike në komunikim dhe mediat që tani shfaqen gjerësisht për shkak të internetit, duket se e kemi dëshmuar në periudhën e jetës sonë përmbushjen e mirëfilltë të profecive të mbretit Beniamin, Presidentit Mek-Kei dhe Presidentit Kimball.
Gjithashtu gjendet një model i qartë i përshtatjes së këtyre teknologjive për të ndërtuar mbretërinë e Zotit në tokë. Do të doja t’ju tregoja shembuj të kësaj.
LDS.org dhe Mormon.org
Në vitin 1996, Kisha filloi zyrtarisht përdorimin e internetit si mjet komunikimi dhe dërgimi të mesazheve. Që nga ajo kohë, janë paraqitur përafërsisht 260 faqe interneti të sponsorizuara nga Kisha, përfshirë faqet në dispozicion në pothuajse çdo vend ku jetojnë anëtarë të Kishës, në gjuhën e tyre amtare.
Do të tregoj dy shembuj të njohur të këtyre faqeve të internetit. E para është LDS.org, e krijuar në 1996-n, e cila sot ka mbi 24 milionë vizitorë të rinj çdo vit dhe mesatarisht mbi 1 milion vizitorë çdo javë. Këtu shumë anëtarë gjejnë programin mësimor për mësimdhënien dhe biseda të konferencave të përgjithshme, të mëparshme. E dyta është Mormon.org, një faqe interneti e krijuar për t’ua paraqitur ungjillin fqinjëve dhe miqve tanë, të cilët nuk janë anëtarë të Kishës. Kjo faqe ka mbi 16 milionë vizitorë të ndryshëm në vit.
Programet Kompjuterike
Sigurisht, teknologjitë përparojnë me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë, duke kërkuar përpjekje dhe burime të konsiderueshme për t’i njohur risitë. Me shpikjen e telefonave inteligjentë erdhi fuqia për të mbledhur e përdorur sasi të stërmëdha të dhënash me një mjet që mbahet në duar. Shumica e këtyre të dhënave organizohen në formën e programeve kompjuterike, ose “apps”. Programi i parë i sponsorizuar nga Kisha u krijua në vitin 2007.
Janë të shumtë shembujt e përdorimit tonë dobiprurës të programeve kompjuterike që ta përhapim “njohuri[në tonë për] një Shpëtimtar”. Nuk do të përshkruaj përmbajtjen e programeve të shumta që janë në dispozicion në pëllëmbën e dorës, por ja disa shembuj të programeve që ndoshta janë më të njohura për ju:
-
Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Mormon Channel [Kanali Mormon]
-
LDS Tools [Mjetet SHDM]
-
LDS Music [Muzika SHDM]
-
Family Tree [Pema Familjare]
Këto po përdoren miliona herë çdo javë nga miliona përdorues.
Mediat Shoqërore
Sipas përkufizimit, mediat shoqërore janë teknologji të kontrolluara nga kompjuteri, që i lejojnë individët dhe organizatat të shohin, krijojnë dhe përhapin informacion, ide dhe forma të tjera të shprehjes nëpërmjet komuniteteve dhe rrjeteve virtuale.
Duke filluar rreth vitit 2010, Kisha filloi një përvetësim të zellshëm të përdorimit të mediave shoqërore për të përmbushur përhapjen e “njohuri[së për] një Shpëtimtar”. Kjo është një formë komunikimi që lëviz shpejt, dinamike dhe digjitale. Është pothuajse e pakrahasueshme për sa i përket shpejtësisë së ndryshimit.
Një tipar i dukshëm i mediave shoqërore është që, sapo dikush ndien se e njeh ose ndihet rehat me një platformë, shfaqet një më e re, më e madhe ose që vlerësohet si më interesante apo më e mirë.
Do të përshkruaj shkurtimisht pesë platforma të mediave shoqërore që Kisha po i përdor si kanale komunikimi:
1. Facebook-u ka më shumë se 2 miliardë përdorues anembanë botës. Këtu, përdoruesit e formojnë vetë rrjetin e tyre shoqëror të miqve në internet.
2. Instagram-i është një faqe shoqërore që përqendrohet te fotografitë dhe materialet filmike.
3. Pinterst-i është si një tabelë buletini virtual. Këtu figura pamore të quajtura “pineska” mbërthehen në tabelë. Këto mund të jenë fraza frymëzuese ose pamje synimnxitëse fotografike.
4. Twitter-i është një rrjet shoqëror që iu mundëson përdoruesve të dërgojnë e lexojnë mesazhe të shkurtra deri në 280 karaktere, të quajtura “tweet-e” [“tuite”].
5. Snapchat-i paraqet fotografi dhe materiale të shkurtra filmike që zhduken ose menjëherë ose brenda 24 orësh.
Si institucion, ne po i përdorim këto faqe të mediave shoqërore në mënyrë të fuqishme.
Facebook-u
Ju mund të sillni ndërmend mesazhin prekës të konferencës lidhur me depresionin që Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e dha disa vite më parë.3 Nga biseda e tij u prodhua një fragment filmik që është parë mbi dy milionë herë vetëm në Facebook, me disa mijëra pëlqime, shpërndarje dhe komente pozitive.4
Instagram-i
Në gusht 2016, Presidenti Diter F. Uhtdorf publikoi një material filmik në Instagram, duke i mësuar parime të ungjillit nipit të tij, Erikut, në – a mund ta merrni me mend – kabinën e pilotëve të një avioni!5 Publikimin në Instagram nga Presidenti Uhtdorf e panë me kënaqësi mijëra njerëz dhe komente të shumta pozitive e shoqëruan atë.
Kisha botoi gjithashtu në llogarinë e vet në Instagram, në nëntor 2017, një material filmik të Plakut Dallin H. Ouks dhe të Plakut M. Rasëll Ballard që i përgjigjeshin pyetjes së një të reje në moshë madhore mbi motrat që shërbejnë në misione. Ky postim u pa mbi 112 000 herë.
Pinterest-i
Në Pinterest dikush mund të gjejë qindra “pineska” nga LDS.org dhe madje më shumë prej anëtarëve të veçantë, të cilat i frymëzojnë të tjerët.
Për shembull, shumë veta përhapin fjalë të profetëve – të shkuar dhe të tanishëm. Një “pineskë” nga njëri prej mësimeve të dhëna nga Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) thotë: “Varet aq shumë në jetë nga qëndrimi ynë”6.
Twitter-i
Një tuit në Twitter nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i dhënë vitin e kaluar në mëngjesin e Pashkës, ishte parë 210 000 herë. Plaku Bednar tregoi se një mesazh i shkurtër, i thjeshtë: “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall” (Mateu 28:6), mund të ketë ndikim të thellë dhe afatgjatë.
Snapchat-i
Së fundi, figura dhe fjalë që jepnin njërin nga Mesazhet e Presidencës së Parë, të dhënë nga Presidenti Monson (1927–2018), kohët e fundit u shfaqën në Snapchat.
Rreziqet Shoqëruese
Tani, pasi i kemi lavdëruar të gjitha virtytet e këtyre teknologjive të reja dhe kemi treguar përdorimin e tyre siç duhet, unë mendoj se gjithashtu është e dobishme të diskutojmë disa nga rreziqet që lidhen me to.
Ne të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm për kohën që mund të harxhohet në mediat shoqërore apo në përdorimin e programeve kompjuterike. Përdorimi i mediave shoqërore gjithashtu mbart një rrezik të pakësimit të ndërveprimit ballë për ballë, gjë që mund ta ndrydhë zhvillimin e aftësive shoqërore të shumë prej të rinjve tanë.
Rreziqet që shoqërohen me përmbajtjen e papërshtatshme, nuk mund të mos theksohen. Ka një epidemi në rritje të varësisë nga pornografia në shoqëri, gjë që po ndikon negativisht dhe po i bën viktima madje edhe anëtarët dhe familjet e Kishës.
Së fundi, ju ofroj dy rreziqe shtesë që po shfaqen, rrjetat e të cilëve janë hedhur praktikisht mbi çdo njeri, përfshirë të rejat, si dhe nënat dhe bashkëshortet e “brezit të mijëvjeçarëve”. Unë i emërtoj këto dy rreziqe si “realiteti i idealizuar” dhe “krahasimet ligështuese”. Mendoj se mënyra më e mirë për t’i përshkruar këto dy rreziqe, është të ofroj disa shembuj.
Duke folur në përgjithësi, fotografitë që publikohen në mediat shoqërore, priren ta portretizojnë jetën në më të mirën dhe shpesh madje në mënyrë jorealiste. Ato shpesh mbushen me fotografi të bukura të zbukurimeve të shtëpisë, vendeve të mrekullueshme të pushimeve dhe përgatitjes së ushqimeve të ndërlikuara. Sigurisht, rreziku është që shumë njerëz të shkurajohen ngaqë dukshëm nuk maten dot me këtë realitet të idealizuar virtual.
E frymëzuar nga një publikim i një keku për ditëlindje, i përgatitur me “petulla të fshira”, mbesa ime kohët e fundit publikoi përpjekjen e saj për të bërë të njëjtën gjë. Në vend që ta lejonte këtë gjë që të krijonte trysni të tepruar, ajo vendosi t’i frymëzonte të tjerët duke vendosur “dështimin e saj në Pinterest” (shih fotografinë e kekut me petulla të fshira).
Me shpresë, ne mund të mësojmë që të gjejmë më shumë humor dhe më pak shkurajim kur përballemi me pamje që mund të paraqesin realitet të idealizuar dhe që shumë shpesh mund të çojnë drejt krahasimeve ligështuese.
Kjo siç duket nuk është thjesht një shenjë e kohës sonë por, duke e matur me fjalët nga Pali, ishte edhe në kohët e shkuara: “Por ata, duke matur veten e tyre … dhe duke u krahasuar me veten e tyre, nuk kanë mend” (2 Korintasve 10:12).
Plaku J. Devn Kornish, i Të Shtatëdhjetëve, së fundi dha gjithashtu një këshillë që i përshtatet kohës: “Ne e stërmundojmë veten tonë pa qenë nevoja duke konkurruar dhe duke u krahasuar. Në mënyrë të gabuar ne e gjykojmë denjësinë vetjake nëpërmjet gjërave që vërtet i kemi ose nuk i kemi, dhe nëpërmjet opinioneve të të tjerëve. Nëse duhet të krahasohemi, le të krahasojmë mënyrën se si ishim në të kaluarën me mënyrën se si jemi sot – dhe madje me mënyrën se si duam të jemi në të ardhmen.”7
Më lejoni të tregoj një prej të fshehtave të familjes sonë, që gjendet në këtë fotografi të familjes (shih në faqen tjetër) të nxjerrë disa vite më parë, përpara mbërritjes së mediave shoqërore. Po të ishte bërë sot, ajo ka të ngjarë që do të publikohej në mediat, duke përfaqësuar një familje me katër djem të bukur, me ngjyra të bashkërenduara, me sjellje të mirë, që po kënaqen me mundësinë e një fotografie së bashku si një familje në harmoni. A doni të dini historinë e vërtetë?
Ende më kujtohet telefonata nga gruaja ime. “Geri, ku je? Jemi këtu te studioja në natyrë e fotografit. Jemi gati të bëjmë fotografinë. Nuk ka qenë e lehtë t’i bëj të gjithë djemtë të vishen, të bashkërendohen e të jenë gati. A je këtu afër?”
Epo, kisha harruar dhe ende s’isha larguar nga zyra! Mbërrita gjysmë ore me vonesë dhe gjërat nuk kishin shkuar aq mirë në mungesën time, pothuajse deri në rrëmujë.
Çfarë kishte ndodhur? Epo, biri im më i madh kishte vrapuar nëpër kopsht dhe kishte gjetur një pemë molle, kishte mbledhur disa mollë dhe kishte filluar t’ua hidhte djemve të tjerë. Ai e goditi djalin tonë të tretë në kurriz me një mollë, e bëri të rrëzohej përtokë dhe prandaj ai filloi të qante.
Ndërkohë që kjo po ndodhte, djali im i dytë u ul dhe pantallonat e tij u ngritën paksa. Fëmijët e tjerë panë që çorapet e tij ishin çorape të bardha sporti, jo çorapet e kishës që nëna e tij i kishte nxjerrë që ai t’i vishte. Ajo e pyeti: “Përse nuk i veshe çorapet e kishës?”
Ai tha: “Epo, nuk më pëlqejnë. Më bëjnë të kruhem.”
Dhe teksa po i fliste atij, djali ynë dyvjeçar po vraponte përmes oborrit, u pengua te diçka, ra përtokë dhe i doli gjak nga hunda. Tani filloi të pikojë gjak në bluzën e tij të bardhë, me jakë golf dhe ajo u ndot. Në këtë kohë u shfaqa unë. E vetmja mënyrë se si ta shpëtonim fotografinë ishte ta rrotullonim nga pas golfin e bardhë dhe ai ta vishte mbrapsht, duke i fshehur pikat e gjakut nga aparati fotografik.
Me sa duket, teksa djali ynë më i madh po vraponte përreth duke hedhur mollë, ai u rrëzua dhe iu bë një njollë e madhe bari në gju. Prandaj, në fotografi, krahu i tij është vendosur në mënyrë strategjike, duke mbuluar njollat e barit.
Sa për djalin tonë të tretë, na u desh të pritnim për 20 minuta që sytë e tij të mos ishin më të kuq nga e qara.
Dhe sigurisht, njollat e gjakut të djalit tonë më të vogël tashmë janë në pjesën e pasme të bluzës.
Tani, djali ynë i dytë i ka duart të vendosura në mënyrë strategjike mbi çorapet e tij të bardha të sportit, kështu që gjithçka përputhet.
Sa për mua, unë tani jam në hall të madh me gruan ngaqë ishte mbërritja ime me vonesë që e kishte shkaktuar gjithë këtë.
Prandaj, kur ta shihni këtë fotografi të bukur të familjes sonë dhe ankoheni: “Përse nuk i rregullojmë dot gjërat dhe të jemi një familje e përsosur në fotografi si familja e tyre?”, ju të gjithë do ta dini se është e gabuar!
Mediat Shoqërore dhe Puna Misionare
Siç mund ta shihni, na nevojitet të jemi në dijeni ndaj rreziqeve dhe dëmeve, përfshirë realitetin e idealizuar dhe krahasimet ligështuese. Bota zakonisht nuk është aq e shkëlqyer sa ç’duket në mediat shoqërore. Prapëseprapë, ka shumë mirësi që ka ardhur dhe do të vijë nëpërmjet këtyre platformave të komunikimit.
Sektori i Misionarëve dha udhëzim të ri në vitin 2017 mbi mënyrat praktike se si mund të përdoren mediat shoqërore në punën misionare. Burime të shumta digjitale që janë në dispozicion për ne, mund të përdoren në mënyra të fuqishme, të lehta, të thjeshta dhe jashtëzakonisht të efektshme.
Ka kaq shumë zbatime për përdorimin e teknologjisë në mënyra të duhura dhe të frymëzuara. Ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për t’ia mësuar përdorimin e drejtë të teknologjisë brezit të ri, për ta paralajmëruar atë dhe për ta parandaluar përdorimin e padrejtë si edhe rreziqet që lidhen me të. Kjo duhet të ndihmojë që të na sigurojë se përfitimet prej teknologjisë do t’i tejkalojnë rreziqet që lidhen me të.
“Sa të Bukur Janë Lajmëtarët”
Gjatë kohës që po përsiatja dhe lutesha thellësisht rreth këtij mesazhi, u zgjova herët një mëngjes me një këngë dhe fjalët e thjeshta të saj në mendje: “Sa të bukur janë lajmëtarët që na predikojnë ungjillin e paqes”8.
I yni është mesazhi i paqes dhe ju jeni lajmëtarët e bukur që e predikojnë atë. Ju mund ta bëni këtë nëpërmjet këtyre kanaleve të reja dhe emocionuese të teknologjisë. Ne jetojmë në një botë të pashoqe, në plotësinë e kohëve, me aftësinë për ta predikuar ungjillin e paqes në mënyrë të mirëfilltë nga pëllëmba e dorës.
Ne kemi fjalët profetike të profetëve të lashtë, të cilat e karakterizojnë përsosurisht kohën tonë dhe japin drejtim për kohën tonë: “Dhe për më tepër, unë ju them juve se koha do të vijë kur njohuria [për] një Shpëtimtar do të përhapet mes çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli” (Mosia 3:20).
Gjithashtu kemi fjalët që na vijnë nga zbulesa e kohës së sotme, duke na folur dhe duke na dhënë udhërrëfim për kohën tonë dhe rrethanat tona. Citoj Plakun Bednar: “Unë besoj se ka ardhur koha për ne si dishepuj të Krishtit që t’i përdorim këto mjete të frymëzuara si duhet dhe më me efektshmëri për të dëshmuar për Perëndinë, Atin e Amshuar, planin e Tij të lumturisë për fëmijët e Tij; dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, si Shpëtimtarin e botës; për të shpallur realitetin e Rivendosjes së ungjillit në ditët e mëvonshme dhe për të përmbushur punën e Zotit”9.
E ftoj secilin prej jush që ta marrë parasysh tërësisht rolin e vet në predikimin e ungjillit të paqes si lajmëtarë të bukur. Bëftë secili prej nesh pjesën e vet për ta përhapur “njohuri[në për] një Shpëtimtar” mes çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli. Mënyra më e mirë se si ta bëjmë këtë gjë është hap pas hapi dhe në një mënyrë të veçantë që funksionon më mirë për ju dhe familjen tuaj. Pastë secili prej jush kurajën që të shkruani, vendosni, pëlqeni, ndani, tregoni, bëni miq, shtoni në Twitter e Snapchat dhe ngrini në një mënyrë që do t’i sjellë lavdi, nder e respekt vullnetit të Atit tonë të dashur Qiellor dhe do të sjellë njohuri për një Shpëtimtar në familjen, të afërmit dhe miqtë tuaj – përfshirë miqtë tuaj në mediat shoqërore.