2018
Ai Mëngjes i Shndritshëm të Diele
Prill 2018


Klasikët e Ungjillit

Ai Mëngjes i Shndritshëm të Diele

Nga një bisedë në konferencën e përgjithshme të tetorit 2006.

Atë ditë, Zoti i ringjallur i këputi lidhjet e vdekjes. Ai u ngrit nga varri dhe u shfaq ngadhënjimtar plot lavdi si Shpëtimtari i gjithë njerëzimit.

Mary Magdalene at the tomb

Ne e dimë se çfarë është Ringjallja – ribashkimi i shpirtit me trupin në formën e tij të përkryer. …

A mund ta imagjinoni këtë? Ne në kulmin e moshës? Kurrë të sëmurë, kurrë në dhembje, kurrë të munduar nga sëmundjet që na mbërthejnë aq shpesh në vdekshmëri?

Ringjallja është në thelb të gjërave që besojmë si të krishterë. …

… Kur Shpëtimtari u ngrit nga varri, … Ai bëri diçka që askush tjetër nuk mund ta bënte. Ai i këputi lidhjet e vdekjes, jo vetëm për Veten e Tij, por për të gjithë ata që kanë jetuar ndonjëherë – të drejtët dhe të padrejtët. …

… Ai e bëri atë dhuratë të vlefshme për të gjithë. Dhe me atë vepër madhështore, Ai zbuti hidhërimin shkatërrues, gërryes që ua ha shpirtin atyre që kanë humbur të dashurit e tyre të vyer.

Unë mendoj se sa e errët ishte ajo e premte kur Krishti u ngrit në kryq. …

… Toka u drodh dhe errësira e pushtoi. …

Ata njerëz të ligj, që kërkonin jetën e Tij, u gëzuan. …

Në atë ditë, [veli] i tempullit u [nda më dysh].

Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jezusit, ishin të dyja të pushtuara nga dëshpërimi. … Njeriu i shkëlqyer që e kishin dashur e nderuar, varej i pajetë në kryq. …

… Apostujt ishin të rrënuar [shpirtërisht]. Jezusi, Shpëtimtari i tyre – njeriu që kishte ecur mbi ujë dhe kishte ngritur të vdekurit – ishte Vetë në mëshirën e të ligjve. …

Ishte një e premte e mbushur me hidhërim shkatërrues, gërryes. …

Unë mendoj se nga të gjitha ditët që nga fillimi i historisë së kësaj bote, ajo e premte ishte më e errëta.

[Por] dëshpërimi nuk zgjati sepse të dielën, Zoti i ringjallur i këputi lidhjet e vdekjes. Ai u ngrit nga varri dhe u shfaq ngadhënjimtar plot lavdi si Shpëtimtari i gjithë njerëzimit.

Dhe, për një çast, sytë që ishin të mbushur me lot të pashtershëm, u thanë. Buzët që kishin pëshpëritur lutje hidhërimi dhe dëshpërimi, tani e mbushën ajrin me përlëvdime të mahnitshme, sepse Jezusi, Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, qëndroi përpara tyre si … provë që vdekja është thjesht fillimi i një ekzistence të re dhe të [mrekullueshme].

Secili prej nesh do të ketë të premtet e veta – ato ditë kur universi vetë duket i copëtuar dhe copëzat e botës sonë ndodhen përreth nesh të shpërndara në pjesëza. …

Por unë ju dëshmoj në emrin e Atij që e mposhti vdekjen – e diela do të vijë. Në zymtinë e hidhërimit tonë, e diela do të vijë.

… Pavarësisht nga dëshpërimi ynë, e diela do të vijë. Në këtë jetë apo në tjetrën, e diela do të vijë.

Unë ju dëshmoj se Ringjallja nuk është një fabul. Ne kemi dëshmitë personale të atyre që e panë Atë. Mijëra [njerëz] në Botën e Vjetër dhe në të Renë dëshmuan për Shpëtimtarin e ringjallur. Ata i ndien plagët në duart, këmbët dhe ijën e Tij. …

Pas Ringjalljes, dishepujt u ripërtërinë. Ata udhëtuan në mbarë botën … duke shpallur me guxim për Jezu Krishtin, Birin e ringjallur të Perëndisë së gjallë.

Shumë prej tyre … vdiqën si martirë, me dëshminë për Krishtin e ringjallur në buzët e tyre ndërsa vdisnin.

Ringjallja e ndryshoi jetën e atyre që e dëshmuan atë. A nuk duhet ta ndryshojë tonën?

Ne të gjithë do të ngrihemi nga varri. …

Për shkak të jetës dhe flijimit të përjetshëm të Shpëtimtarit të botës, ne do të ribashkohemi me ata që i kemi dashur.

… Në atë ditë ne do të gëzohemi patjetër që Mesia mundi gjithçka, që ne të mund të jetojmë përgjithmonë.

Në saje të ordinancave të shenjta që marrim në tempujt e shenjtë, largimi ynë nga kjo vdekshmëri e shkurtër, nuk mund t’i ndajë për kohë të gjatë marrëdhëniet që janë lidhur së bashku me fijet e lidhjeve të përjetshme.

Është dëshmia ime solemne se vdekja nuk është fundi i ekzistencës. …

Le të kuptojmë dhe të jetojmë plot falënderim për dhuratat e paçmuara që na vijnë si bij e bija të një Ati të dashur Qiellor, dhe për premtimin e asaj dite të shndritshme kur ne të gjithë do të ngrihemi ngadhënjimtarë nga varri.

… Pavarësisht se sa e errët e premtja jonë, e diela do të vijë.