Si Mund ta Përtërija Studimin Tim të Shkrimeve të Shenjta?
Sara Kinan
Juta, SHBA
Isha kthyer në shtëpi nga misioni im prej vetëm tre muajsh, kur fillova të has vështirësi për leximin e shkrimeve të shenjta.
I kisha lexuar çdo ditë shkrimet e shenjta në mision dhe kisha premtuar të vazhdoja kur të kthehesha në shtëpi. Por, teksa koha kalonte, dukej thjesht se kishte gjëra që më dilnin pengesë. Ose kisha shumë detyra shtëpie, isha shumë e zënë me punën, ose thjesht isha tepër e lodhur. Pas secilit shfajësim, leximi im i shkrimeve të shenjta pakësohej derisa thuajse nuk po lexoja fare.
E hapa Librin e Mormonit një natë dhe planifikova të lexoja vetëm një varg. Vargu që lexova, më kujtoi se shkrimet e shenjta përmbajnë “fjalën e këndshme të Perëndisë, po, fjalën që shëron shpirtin e plagosur” (Jakobi [LiM] 2:8).
E përsiata këtë varg dhe e kuptova pasojën negative që po më sillte lënia pas dore e studimit të shkrimeve të shenjta. Po ndihesha më e tensionuar në shkollë, më moskokëçarëse në kishë dhe më larg prej Perëndisë. Shpirti im kishte nevojë për fjalën shëruese të Perëndisë që gjendet në shkrimet e shenjta. E dija se kisha nevojë t’i riorganizoja përparësitë e mia.
Iu drejtova miqve të mi, familjes sime dhe udhëheqësve të Kishës për sugjerime mbi mënyrën se si ta përtërija studimin tim të shkrimeve të shenjta. Zbulova tri gjëra që ishin të dobishme.
Së pari, e kuptova se studimi natën i shkrimeve të shenjta nuk ishte dobiprurës për mua. Studimi në mëngjes më lejonte t’i përsiatja gjatë gjithë ditës doktrinën dhe parimet që i kisha lexuar atë mëngjes.
Së dyti, na mësohet t’i lexojmë shkrimet e shenjta me familjet tona, por, meqë isha në kolegj dhe larg prej familjes sime, fillova t’i lexoja shkrimet e shenjta me shoqet e dhomës dhe mikesha të tjera. Kjo më ndihmoi të qëndroja e përgjegjshme dhe ndezi diskutime të shkëlqyera për ungjillin.
Së treti, fillova t’i shkruaja nxitjet dhe mendimet që i mora gjatë studimit të shkrimeve të shenjta. Kjo më ndihmoi të përqendrohesha tek ajo që po lexoja, dhe më ndihmoi ta dalloja më mirë zërin e Shpirtit.
Pasi studimi i shkrimeve të shenjta u bë sërish përparësi në jetën time, zbulova se kisha më shumë kohë dhe energji për ta përmbushur gjithçka që më nevojitej të bëja. Më e rëndësishmja, ndjeva sërish afërsi me Perëndinë teksa i lexoja shkrimet e shenjta dhe përsiatja për to. Tani, kur kaloj kohë me shkrimet e shenjta, ndiej paqe dhe gjej shërim për shpirtin tim.