2018
Ky Është Vendi
Prill 2018


Ky Është Vendi

Simeon Nah

Aba, Nigeri

man standing in the temple

Ilustrimi nga Allen Garns

Babai im, një i krishterë i përkushtuar, më dha mësim që të kem besim në Jezu Krishtin. Ai besim më ndihmoi t’i mbijetoja luftës civile trevjeçare në Nigeri nga fundi i viteve 1960, kur isha në ushtri. Megjithatë, më vonë u ndjeva i pështjelluar dhe nuk shkova më në kishë.

Kur erdha për të marrë arsimim në Shtetet e Bashkuara në vitin 1981, ndjeva se kisha nevojë për Perëndinë në jetën time. Për dy vjet shkova në kisha të ndryshme në Boston të Masaçusetsit, por asnjëra nuk më tërhoqi. Nuk e ndieja Shpirtin, kështu që e ndërpreva kërkimin.

Jo shumë kohë pasi bashkëshortja ime, Mabela, erdhi tek unë nga Nigeria në vitin 1984, fillova të kem dëshirë të zjarrtë që t’i afrohesha sërish Perëndisë dhe t’i përkitja një kishe. Një mik nga Nigeria që më erdhi për vizitë, nuk e dinte se po kërkoja një kishë, por më tregoi rreth një kishe për të cilën kishte dëgjuar dhe që kishte një libër të quajtur Libri i Mormonit.

Pas kësaj, vazhdova të kërkoja kisha. Gjeta një kishë të quajtur Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Fjala shenjtor ma tërhoqi vëmendjen. Nuk e dija se kishte një kishë me anëtarë që quheshin shenjtorë. Atë të diel, vendosa ta kontrolloja.

Në mbledhjen e sakramentit ku mora pjesë, bashkësia i këndoi himnet në një mënyrë nderuese, priftërinjtë i bekuan bukën dhe ujin dhe shërbesa u zhvillua me rregull dhe përulësi. Më pas, teksa ecja drejt hollit dhe mendoja për shërbesën, dëgjova emrin tim.

“Simeon”, tha zëri i Shpirtit, “ky është vendi.”

Në atë çast, dy misionarë u afruan. Ata u paraqitën dhe më treguan Librin e Mormonit. I vështrova dhe thashë: “Nuk di asnjë gjë për Librin e Mormonit, por e njoh Biblën. Jam gati.”

Ata filluan të më mësonin planin e shpëtimit. Më pak se një muaj më vonë, u pagëzova. Bashkëshortja ime u bashkua me Kishën pak kohë më pas. Disa vite pas kësaj, ne u vulosëm në Tempullin e Uashington D.K.‑së dhe pesë fëmijët tanë u vulosën me ne.

Në tempull, shumë gjëra më janë zbuluar, por fjalët që i dëgjova ditën time të parë në kishë, më janë vërtetuar shumë herë me anë të zbulesës në tempull: “Ky është vendi”. Ndikimi i atij pohimi nga Fryma e Shenjtë e ka ndryshuar përgjithmonë jetën time dhe jetën e bashkëshortes e të fëmijëve të mi.