“Vdekshmëria”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Vdekshmëria
Arsyeja e ekzistencës suaj
Shumicën e kohës jeta është e ngarkuar dhe ne nuk mendojmë vërtet nëse ka apo jo ndonjë qëllim të vërtetë për gjithë këtë. Thjesht po përpiqemi që ta mbarojmë edhe një ditë tjetër. Dhe prapëseprapë duket se ka diçka brenda nesh që ka shumë dëshirë të dijë: “Përse jam këtu?” ose “Cili është qëllimi i jetës?”
Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit shpall me siguri se jeta juaj ka vërtet një qëllim dhe ju mund ta dini atë qëllim. E thënë thjesht, ju jeni këtu sepse Ati juaj në Qiell jua dha atë mundësi dhe ju e pranuat atë plot gëzim. Qëllimi juaj në këtë jetë është të rriteni, të mësoni rreth Perëndisë, të bëheni më shumë si Ai dhe një ditë të merrni jetë të përjetshme me Të. Kuptueshmëria juaj për këto të vërteta mund të ketë një ndikim të fuqishëm mbi mënyrën se si i shihni bekimet dhe sprovat, hidhërimet dhe gëzimet e jetës.
Pjesa 1
Një Mundësi për të Marrë një Trup Fizik
Është e vështirë ta përfytyrojmë jetën pa trupat tanë; njohuria e madhe që kemi dhe përjetojmë, vjen nëpërmjet ndjesive tona fizike. Por ju jeni shumë më tepër sesa trupi juaj. Ju keni një shpirt që jetoi shumë kohë përpara se të lindnit. Perëndia, Ati i shpirtit tuaj, ju dha këtë trup fizik si dhuratë që t’ju ndihmojë të përjetoni jetën në vdekshmëri dhe të rriteni që të bëheni më shumë si Ai. Marrja e një trupi fizik dhe përjetimi i jetës në vdekshmëri në tokë është një pjesë kyç e planit të Tij për lumturinë tuaj të përjetshme.
Gjëra për t’i menduar
-
Çfarë dëshiron Perëndia që ne të kuptojmë rreth trupave tanë? Përsiateni këtë teksa lexoni te Zanafilla 1:26–27; Moisiu 2:27 dhe 1 Korintasve 6:19–20. Si është këndvështrimi i Perëndisë për trupin tuaj fizik i ndryshëm nga mesazhet që i shihni dhe i dëgjoni në botë? Si mund të ndikojë të shikuarit e trupit tuaj siç e shikon Ai, te zgjedhjet që bëni për trupin tuaj?
-
Merreni parasysh të shihni materialin filmik “God’s Greatest Creation” [“Krijimi më i Madh i Perëndisë”] (2:51) ose të lexoni artikullin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Your Body: A Magnificent Gift to Cherish” [“Trupi Juaj: Një Dhuratë e Madhërishme për t’u Gëzuar”]. Shënojini ndjenjat tuaja rreth dhuratës së trupit tuaj. Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për të treguar mirënjohjen tuaj për këtë dhuratë?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve ka një pjesë të titulluar “Trupi juaj është i shenjtë” (faqet 22–29). Ndoshta ju mund të lexoni së bashku dhe të ndaleni herë pas here për të bërë një pyetje të tillë si: “Ç’kuptim ka kjo për ju?” ose “Si do të ndikojnë këto parime te zgjedhjet që bëjmë rreth trupave tanë?”
Mësoni më shumë
-
Rasëll M. Nelson, “Vendime Përjetësie”, Liahona, nëntor 2013, f. 106–109
-
Diter F. Uhtdorf, “Udhëtimi Juaj i Mrekullueshëm për në Shtëpi”, Liahona, maj 2013, f. 125–129
-
Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 221–223
Pjesa 2
Një Kohë për t’u Përgatitur dhe për t’u Provuar
Nëse keni qenë në shkollë, atëherë me siguri e dini se si është të bëni një testim ose një provim. Një provim ju jep mundësinë të tregoni atë që keni mësuar, me qëllim që të mund të përparoni drejt një klase ose kursi më të lartë dhe të mësoni më shumë.
Jeta, në disa mënyra, është si një provim apo testim. Përvojat tona dhe përgjigjet tona ndaj atyre përvojave na japin mundësi për të treguar “nëse [ne] do t’i bëj[m]ë të gjitha gjërat që Zoti … do [të na] urdhërojë” (Abraham 3:25). Por ndryshe nga shumica e testimeve në shkollë, testimi i jetës nuk është thjesht një kohë për t’u vlerësuar; ai është një proces i të bërit. Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ju mund t’i korrigjoni gabimet nëpërmjet pendimit dhe gradualisht të bëheni më shumë si Perëndia. Nëse e përdorim kohën tonë në tokë që të kthehemi te Krishti dhe ta pranojmë ungjillin e Tij, Ai mund t’i përdorë përvojat tona në vdekshmëri, përfshirë përvojat plot dhimbje e keqardhje, për të na përgatitur për përjetësinë (shihni te Romakëve 8:28).
Gjëra për t’i menduar
-
Nëse dikush ju pyet: “Cili është qëllimi i jetës?”, çfarë do të thoshit? Merreni parasysh se si këto fragmente të shkrimeve të shenjta mund të japin informacion për përgjigjen tuaj: Alma 12:24; 34:31–37; Doktrina e Besëlidhje 84:43–48. Si “përgatiten[i] të takohen[i] me Perëndinë”?
-
Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Kjo jetë realisht është koha kur merrni vendimin se çfarë lloj jete ju dëshironi të jetoni përgjithmonë”. Bëjini vetes pyetjet: “Çfarë lloj jete dëshiroj unë të jetoj përgjithmonë? Çfarë zgjedhjesh po bëj që do të më çojnë tek ai qëllim? A ka ndonjë përshtatje që kam nevojë të bëj? Si mund të kem qasje te fuqia e Shpëtimtarit për të më ndihmuar që t’i bëj ato ndryshime?”
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Në materialin filmik “The Challenge to Become” [“Sfida për t’u Bërë”], Presidenti Dallin H. Ouks tregon një shëmbëlltyrë rreth një babai të pasur. Kjo shëmbëlltyrë mund të nxitë diskutimin rreth qëllimeve të Atit tonë Qiellor për ne në jetën në vdekshmëri. Ju mund të flisni rreth mënyrave se si prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre që të përgatiten për të ardhmen e tyre. Si po ju përgatit Ati Qiellor për bekimet e përjetshme të së ardhmes që Ai dëshiron t’jua japë? Ndoshta ju mund t’i tregoni njëri‑tjetrit disa përvoja dhe zgjedhje që po ju ndihmojnë të përgatiteni për jetën e përjetshme.
Mësoni më shumë
-
Romakëve 5:3–5; 1 Pjetër 1:6–7; Doktrina e Besëlidhje 121:7–8; 122:5–7
-
Dejvid A. Bednar, “Ne do t’i Provojmë me Këtë”, Liahona, nëntor 2020, f. 8–11
Pjesa 3
Një Mënyrë se si të Përjetojmë Gëzim te Jezu Krishti
Profeti Lehi e përmblodhi qëllimin e jetës me një fjali të shkurtër: “Njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25). Por as Lehi nuk pati një jetë të lehtë. Ai pati të gjitha llojet e shqetësimeve dhe hidhërimeve; atij iu desh të largohej nga shtëpia e tij që të shpëtonte jetën e vet dhe dy prej bijve të tij ngritën krye kundër tij. Lidhur me përshkrimin e Lehit për qëllimin e jetës, Presidenti Nelson tha: “Merreni me mend! Mes gjithë fjalëve që [Lehi] mund të kishte përdorur për të përshkruar natyrën dhe qëllimin e jetës sonë këtu në vdekshmëri, ai zgjodhi fjalën gëzim!” Edhe me të gjitha sprovat dhe punën e madhe që përfshihen në jetën në vdekshmëri, ne duhet të mos harrojmë kurrë se ajo që Ati ynë vërtet dëshiron, përfundimisht, është që ne të marrim gëzimin që ka Ai.
Gjëra për t’i menduar
-
Gjatë kohëve kur nuk ndihemi veçanërisht të gëzuar dhe ne të gjithë i kemi ato kohë, mund të vijë në ndihmë një shkrim i shenjtë i tillë si Hebrenjve 4:14–16. Çfarë mësoni rreth Shpëtimtarit nga këto vargje? Çfarë e kualifikon Atë që të ofrojë “ndihmë në kohë nevoje”?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
Mësoni më shumë
-
D. Tod Kristoferson, “Gëzimi i Shenjtorëve”, Liahona, nëntor 2019, f. 15–18