Biblioteka
Vegimi i Parë


“Vegimi i Parë”, Tema dhe Pyetje (2023)

vegimi i parë

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Vegimi i Parë

Jozef Smithi pa Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin

Shkrimet e shenjta tregojnë shumë rrëfime të profetëve që komunikuan me Perëndinë (shihni tek Amos 3:7). Bibla jep mësim se Perëndia foli me Moisiun “ballë për ballë” (Eksodi 33:11). Profetët e Librit të Mormonit gjithashtu folën me Jezu Krishtin ose patën vizita vetjake nga Ai dhe morën udhëzim prej Tij për kohën e tyre (shihni, për shembull, tek 3 Nefi 11).

Pas vdekjes dhe Ringjalljes së Jezusit dhe pas vdekjes së Apostujve të Tij, Kisha e Krishtit u korruptua nga ndryshime të doktrinës dhe të ordinancave të Tij. Për shekuj, bota ishte në një gjendje errësire shpirtërore pa praninë e Kishës së Krishtit. Në pranverën e vitit 1820, i riu Jozef Smith shqetësohej për mirëqenien e shpirtit të tij dhe kërkonte të dinte se me cilën kishë duhej të bashkohej. Ai shkoi në pyllin pranë shtëpisë së vet dhe u lut për t’i kërkuar Perëndisë udhëzim. Në përgjigje të lutjes së tij, Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozefit. Ashtu si Moisiu, Jozefi foli me Perëndinë ballë për ballë. Kjo ngjarje, e njohur si Vegimi i Parë, filloi Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në kohën tonë (shihni te Joseph Smith – Historia 1:7–20).

Çfarë Është Vegimi i Parë?

Në pranverën e vitit 1820, një i ri i quajtur Jozef Smith u lut në pyllin pranë shtëpisë së tij në shtetin e Nju‑Jorkut në SHBA. Në përgjigje të lutjes së tij, Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti iu shfaqën atij. Pas kësaj zbulese, Jozef Smithi u thirr të ishte një profet i Zotit dhe filloi Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Vegimi i Parë

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Profetët, Rivendosja e Ungjillit, Zbulesa Vetjake

Pjesa 1

Ju Mund të Mësoni Vetë se Vegimi i Parë Vërtet Ndodhi

Jozef Smithi në korije

Realiteti i shfaqjes së Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, ndaj të riut Jozef Smith është një aspekt thelbësor i Rivendosjes së Kishës së Krishtit. Vegimi i Parë vërteton faktin që qiejt janë hapur dhe Perëndia po flet me njeriun përsëri.

Ne mund të studiojmë materialin Joseph Smith’s accounts of the First Vision [Rrëfimet e Jozef Smithit për Vegimin e Parë]. Ne gjithashtu mund ta pyesim Perëndinë nëse Vegimi i Parë ndodhi vërtet (Moroni 10:4–6). Kur i bëjmë këto gjëra, Fryma e Shenjtë do të na e mësojë të vërtetën për Vegimin e Parë (shihni tek Alma 5:45–46).

Gjëra për t’i menduar

  • Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “Gjithë forca jonë qëndron mbi vlefshmërinë e atij vegimi. Ai ose ndodhi, ose nuk ndodhi. Nëse nuk ndodhi, atëherë kjo vepër është një mashtrim. Nëse ndodhi, atëherë ajo është vepra më e rëndësishme dhe më e mrekullueshme nën qiejt.” Si ndikon në jetën tuaj realiteti i Vegimit të Parë? Nëse nuk keni marrë ende një dëshmi për vlefshmërinë e atij vegimi, si do të përpiqeni fort që ta bëni këtë gjë?

  • Ndërkohë që mësoni rreth Vegimit të Parë, mund të jetë e dobishme që të lexoni rrëfimet e ndryshme që dha Jozef Smithi për ngjarjen. Këto janë në dispozicion tek “Accounts of Joseph Smith’s First Vision” [“Rrëfimet për Vegimin e Parë të Jozef Smithit”] te këndi i internetit Joseph Smith Papers. Si mendoni, përse Jozef Smithi zgjodhi që të theksonte hollësi të ndryshme në rrëfime të caktuara? Çfarë idesh të reja rreth Vegimit të Parë keni fituar nga studimi i rrëfimeve të ndryshme?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Shikoni së bashku materialin filmik “Kërko nga Perëndia: Vegimi i Parë i Jozef Smithit” (6:35). U thoni anëtarëve të grupit se ky material filmik u krijua duke përdorur hollësi nga secili prej rrëfimeve të Jozef Smithit për vegimin. Si ndiheni teksa e shihni këtë paraqitje figurative? Çfarë mësuat që kurrë nuk e kishit marrë parasysh më parë? Ftoni anëtarë të grupit që të tregojnë mbresat dhe idetë e tyre.

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Të Kuptuarit e Vegimit të Parë Mund ta Forcojë Dëshminë Tuaj për Ungjillin e Rivendosur të Jezu Krishtit

burrë duke lexuar shkrimet e shenjta

Përveç rolit domethënës që luajti Vegimi i Parë në Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit, ne gjithashtu mund të mësojmë të vërteta thelbësore të ungjillit nëpërmjet studimit të vegimit të Jozef Smithit. Natyra e Perëndisë, nevoja për një rivendosje të Kishës së Krishtit, qëllimi i ungjillit dhe të vërteta të tjera të rëndësishme u zbuluan që të gjitha në atë kohë.

Shfaqja e Perëndisë, Atit, dhe Jezu Krishtit qartësoi të vërtetat rreth natyrës së Perëndisë që kishin humbur nëpër shekuj. Njëra nga gjërat më të rëndësishme nga këto është që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë dy qenie të veçuara me trupa që duken si trupat tanë (shihni te Joseph Smith – Historia 1:17; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 130:1, 22). Jezu Krishti iu përgjigj pyetjeve të Jozef Smithit rreth mjedisit fetar të asaj kohe dhe i tha Jozefit se Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit nuk ishte në tokë (shihni te Joseph Smith – Historia 1:19–20). Dhe me dy fjalë të thjeshta Perëndia, Ati, i mësoi Jozefit një zotësi thelbësore për këdo që kërkon të vërtetën; Ai u drejtua nga Jezu Krishti dhe urdhëroi: “Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:17.)

Gjëra për t’i menduar

  • Lexoni bisedën e Plakut Diter F. Uhtdorf “Frytet e Vegimit të Parë, duke u kushtuar vëmendje “fryteve” që diskuton ai dhe mënyrës se si lidhen ato me jetën tonë. Si ka ndikuar Vegimi i Parë tek ju? Ç’kuptim ka ai vegim për ju? Mund t’i mbani shënim mendimet tuaja në ditarin tuaj.

  • Lexoni bisedën “Një Kërkim Besnik Shpërblehet, nga Plaku Patrisio M. Xhiufra. Në këtë bisedë të konferencës së përgjithshme, Plaku Xhiufra rendit pesë të vërteta thelbësore që i mësoi gjatë mësimit nga misionarët ku e dëgjoi për herë të parë historinë e Vegimit të Parë. Cilat nga këto të vërteta kanë domethënie vetjake për ju? Si e kanë forcuar dëshminë tuaj dhe si e kanë bekuar jetën tuaj këto të vërteta?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Vegimi i Parë Mund t’ju Mësojë se si ta Dini të Vërtetën për Veten Tuaj

i ri duke lexuar shkrimet e shenjta

Ju mund të mësoni nga shembulli i Jozef Smithit se si ta kërkoni të vërtetën. Historia e Jozef Smithit thotë që ai donte të dinte se me cilën kishë të bashkohej. Ai kishte në mendje këtë pyetje teksa lexonte nga Bibla, prandaj, kur lexoi vargjet te Jakob [Bibël] 1:5–6, ky fragment ishte veçanërisht domethënës për të: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet. Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar.”

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Nëse përvoja e pashoqe e Jozef Smithit në Korijen e Shenjtë na mëson ndonjë gjë, është se qiejt janë hapur dhe se Perëndia u flet fëmijëve të Tij”. Ndërkohë që përgjigjet ndaj pyetjeve tuaja mund të mos vijnë nëpërmjet një vegimi, ju ende mund të jeni të sigurt se Perëndia i dëgjon lutjet tuaja dhe u jep përgjigje atyre. Teksa bëni përpjekje të zellshme dhe e vini besimin tuaj te Perëndia, ju mund të jeni të sigurt, sikurse Jozef Smithi, se Perëndia do t’i mbajë premtimet e Tij.

Gjëra për t’i menduar

  • Ndërsa mësojmë rreth ungjillit të Jezu Krishtit, ne të gjithë kemi pyetje. Disa marrin përgjigje me lehtësi, ndërsa të tjerat mund të kërkojnë përpjekje të madhe. Çfarë pyetjesh keni rreth ungjillit, shkrimeve të shenjta ose fjalëve të profetëve të gjallë? Me pyetjet tuaja në mendje, lexoni te 1 Nefi 15:6–11. Çfarë mësoni nga këto vargje rreth mënyrës se si të merrni zbulesë? Si mund të ushtroni besim te Jezu Krishti teksa prisni për përgjigjet që kërkoni?

  • Lexoni artikullin “The First Vision: A Pattern for Personal Revelation” [“Vegimi i Parë: Një Model për Zbulesën Vetjake”], nga Presidenti Henri B. Ajring. Çfarë mësoni nga ky artikull rreth përgatitjes për të marrë zbulesë vetjake? Çfarë ndryshimesh të vogla mund të bëni në jetën tuaj për t’ju ndihmuar që të jeni më të hapur për t’i marrë nxitjet e Frymës së Shenjtë?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Lexoni si grup te 1 Nefi 10:17–19. Çfarë mësoni nga këto vargje rreth gatishmërisë së Perëndisë për t’iu përgjigjur lutjeve tona? Çfarë përvojash vetjake keni pasur me marrjen e zbulesës vetjake? Ftojini anëtarët e grupit që të shprehin idetë dhe përvojat e tyre si të jetë e përshtatshme.

  • Ftoni anëtarë të grupit që të lexojnë ose dëgjojnë vetë bisedën e Presidentit Nelson “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”. Kërkojuni t’i kushtojnë vëmendje të veçantë mësimdhënies së tij rreth marrjes së zbulesës vetjake. Më pas mblidhuni si grup dhe ftojeni secilin person që të tregojë atë që ai ose ajo mësoi. A vini re ndonjë model në gjërat që anëtarët e grupit tuaj i gjetën udhëzuese? Çfarë mund të mësoni nga Presidenti Nelson dhe nga grupi juaj rreth mënyrës se si mund ta merrni më mirë zbulesën vetjake?

Mësoni më shumë