“Rivendosja e Ungjillit”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Rivendosja e Ungjillit
Plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit në kohën tonë
Pak kohë pas pagëzimit të Tij, Jezu Krishti filloi shërbesën e Tij duke u mësuar njerëzve se si të jetonin sipas planit të Atit Qiellor. Jezusi na mësoi se ka dy urdhërime të mëdha: i pari, ta duam Perëndinë me gjithë zemrën, mendjen, dhe forcën tonë; dhe i dyti, t’i duam të tjerët porsi vetveten (shihni te Mateu 22:36–40). Mesazhi i Tij ishte t’i ftonte burrat e gratë që të vijnë tek Ai, t’i besojnë dhe jetojnë të vërtetat e ungjillit të Tij dhe të shpëtohen.
Jezusi thirri Apostuj dhe u dha atyre autoritet për ta përfaqësuar Atë dhe për të ndihmuar në punën e Tij. Ai organizoi Kishën e Tij dhe theksoi rëndësinë e parimeve dhe ordinancave të para të ungjillit: besimi te Jezu Krishti, pendimi, pagëzimi dhe marrja e Frymës së Shenjtë (shihni te Mateu 9:13; 16:15–19; 17:19–20; Gjoni 3:5).
Me kalimin e kohës, pas vdekjeve të Apostujve të Zotit, shumë të vërteta të rëndësishme të ungjillit u ndryshuan ose humbën, si edhe organizimi dhe autoriteti origjinal i Kishës së Krishtit (shihni te Veprat e Apostujve 20:29–30). Por në përmbushje të profecisë, Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, rivendosën, ose rithemeluan, Kishën dhe plotësinë e ungjillit. Kjo rivendosje filloi në vitin 1820 nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Ajo vazhdon sot nëpërmjet zbulesës hyjnore që u jepet profetëve bashkëkohorë.
Pjesa 1
Bota u Përgatit për Rivendosjen e Ungjillit
Pasi vdiqën Apostujt e Krishtit, shumë aspekte të rëndësishme të ungjillit të Jezu Krishtit u keqkuptuan, u venitën ose u ndryshuan. Pa profetët e gjallë dhe autoritetin origjinal të dhënë nga Jezu Krishti, Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit pushoi së ekzistuari. Gjatë kësaj kohe, e cila nganjëherë quhet Braktisja e Madhe, shumë njerëz kërkuan një kuptim të vërtetë për ungjillin e Jezu Krishtit.
Shumë ngjarje ndihmuan që ta përgatitnin botën për Rivendosjen e ungjillit të Zotit dhe të Kishës së Tij. Për shembull, individë të caktuar sakrifikuan shumë, përfshirë jetën e tyre, për të përkthyer Biblën në anglisht dhe filluan shpërndarjen e saj tek të tjerët. Pasja në dispozicion e shkrimeve të shenjta e bëri më të lehtë që njerëzit të mësonin më shumë rreth Jezu Krishtit. Reformuesit folën kundër mospërputhjeve që panë në kishë me ato që jepeshin mësim në shkrimet e shenjta. Shumë europianë kërkuan liri fetare nëpërmjet shpërnguljes në Amerikën Veriore. Njerëz të panumërt po kërkonin një kuptim më të qartë për Jezu Krishtin dhe se si të gjenin paqe në këtë jetë.
Gjëra për t’i menduar
-
Shumë aspekte të rëndësishme të ungjillit të Jezu Krishtit humbën pasi vdiqën Apostujt e Tij. Kjo epokë e largimit nga ungjilli i vërtetë nganjëherë quhet Braktisja e Madhe. Lexoni tek Isaia 24:4–5; Mateu 24:9–12; Gjoni 16:1–3; 2 Thesalonikasve 2:1–4 dhe 1 Nefi 13:26–29. Çfarë thonë këto fragmente se do të ndodhte pasi të kishin vdekur Krishti dhe Apostujt e Tij? Si ka ndikuar në jetën tuaj Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit?
-
Lexoni rrëfimin e Jozef Smithit për Vegimin e Parë që gjendet te Joseph Smith – Historia 1:14–20. Çfarë mësoi Jozef Smithi rreth gjendjes së botës fetare përreth tij? Pse është e rëndësishme të fitoni dëshmi për vërtetësinë e Rivendosjes së ungjillit?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Ftoni anëtarë të grupit që të përshkruajnë atë që ndiejnë nëse janë të uritur. Si mund të ndikojë uria në gjendjen tuaj emocionale? Në përparësitë tuaja? Në dëshirat tuaja? Pas këtij diskutimi, lexoni së bashku tek Amos 8:11–12. Si mendoni, përse profeti Amos zgjodhi këtë simbolikë për të përshkruar botën gjatë Braktisjes së Madhe? Si është humbja e të vërtetave të ungjillit e ngjashme me një “uri në vend”? Si do të ndikohej jeta jonë po të kishim uri për të vërtetat shpirtërore në të njëjtën mënyrë siç kemi uri për ushqim?
-
Në bisedën e tij “Preparations for the Restoration and the Second Coming: ‘My Hand Shall Be over Thee’” [“Përgatitjet për Rivendosjen dhe për Ardhjen e Dytë: ‘Dora Ime do të Jetë mbi Ty’”], Plaku Robert D. Hejls nënvizoi disa ngjarje të veçanta në historinë e botës që ndihmuan për ta përgatitur botën për Rivendosjen. Dëgjojeni ose lexojeni këtë bisedë së bashku dhe më pas ftoni anëtarë të grupit që të tregojnë për atë që mësuan. Si ishte dora e Zotit e dukshme në ngjarjet që çuan drejt Rivendosjes?
Mësoni më shumë
-
“Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
D. Tod Kristoferson, “Shpërndarja e Mesazhit të Rivendosjes dhe Ringjalljes”, Liahona, maj 2020, f. 110–113
-
Mësime të Presidentëve të Kishës: Gordon B. Hinkli (2016), f. 45–56
Pjesa 2
Rivendosja e Ungjillit Hapi Periudhën Ungjillore të Plotësisë së Kohëve
Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit solli dritë të re në botë. Ajo filloi në pranverën e vitit 1820, kur i riu Jozef Smith u lut në një korije pemësh pranë shtëpisë së tij në Palmira, Nju‑Jork. Ai shqetësohej rreth qëndrimit të tij shpirtëror përpara Perëndisë dhe dëshironte të dinte se cila kishë ishte e vërtetë. Në përgjigje të lutjes së tij, Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti iu shfaqën atij.
Me kalimin e kohës Perëndia filloi t’ia rivendoste Jozef Smithit të vërtetën e ungjillit. Kjo derdhje e së vërtetës solli shkrime të shenjta, autoritetin e priftërisë, organizimin e Kishës, doktrinën dhe ordinancat thelbësore të shpëtimit dhe të ekzaltimit. Ky proces i shpërndarjes së ungjillit përsëri në tokë solli në dritë atë që shkrimet e shenjta e quajnë “periudha e plotësisë së kohëve” (Efesianëve 1:10; Doktrina e Besëlidhje 112:30). Një periudhë ungjillore është një kohë kur Zoti ka një profet dhe ungjillin e Tij në tokë. Në këtë periudhë të fundit ungjillore bota po përgatitet për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.
Gjëra për t’i menduar
-
Ne jetojmë në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve, një kohë si asnjë tjetër. E dimë se kjo periudhë ungjillore nuk do të përfundojë në braktisje, por kjo nuk do të thotë që nuk do të përballemi me sfida të rëndësishme. Studioni mesazhin e Plakut Xhefri R. Holland “This, the Greatest of All Dispensations” [“Kjo, Më e Madhja e të Gjitha Periudhave Ungjillore”]. Çfarë sfidash vë në dukje Plaku Holland në këtë mesazh? Çfarë mësoni nga mesazhi i tij rreth qëndrimit që mund të zgjidhni të mbani kur përballeni me këto sfida?
-
Një pjesë emocionuese e të jetuarit në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve, është të qenit pjesë e Rivendosjes së vazhdueshme të ungjillit. Lexoni te Veprat e Apostujve 3:19–21; Efesianëve 1:3, 10; Doktrina e Besëlidhje 27:13; 112:30; 128:18. Çfarë mësoni nga këto vargje rreth asaj që do të ndodhë gjatë kësaj periudhe ungjillore? Si mund të jepni ndihmesë në këtë punë të madhërishme?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Të kërkuarit dhe të besuarit te zbulesa e vazhdueshme mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në jetën tuaj. Te dokumenti “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve shpallën: “Dyqind vjet kanë kaluar tani që kur kjo Rivendosje u fillua nga Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti. … Ne me gëzim shpallim se Rivendosja e premtuar shkon përpara nëpërmjet zbulesës së vazhdueshme.” Kërkojuni anëtarëve të grupit që të tregojnë për zbulesa ose mësime të frymëzuara bashkëkohore, të cilat kanë pasur ndikim të rëndësishëm tek ta. Çfarë mësoni nga përvojat e anëtarëve të grupit lidhur me zbulesën bashkëkohore?
-
Koncepti i periudhave ungjillore mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar. Shikoni së bashku materialin filmik “Periudhat ungjillore: Modeli i Braktisjes dhe i Rivendosjes” (6:52), duke u ndalur sipas nevojës që t’i bëni njëri-tjetrit pyetje dhe të gjeni përgjigje. Si e ka forcuar dëshminë tuaj për Rivendosjen në kohën tonë të kuptuarit e modelit të periudhave ungjillore? Si ndiheni rreth të jetuarit në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve?
Mësoni më shumë
-
Gordon B. Hinckley, “At the Summit of the Ages”, Ensign, nëntor 1999, f. 72–74
-
Feith Sathërlin Blekhërst, “Çfarë, Përse dhe Si: Një Analizë e Rivendosjes”, Liahona, prill 2018, f. 58–61
Pjesa 3
Rivendosja Vazhdon nëpërmjet Profetëve dhe Apostujve Bashkëkohorë
Tani, më shumë se 200 vjet pasi Ati Qiellor dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozef Smithit, Rivendosja vazhdon. Profetët dhe apostujt e gjallë kërkojnë dhe marrin zbulesë për të drejtuar Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Zoti po i përgatit Kishën e Tij dhe popullin e Tij për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Vepra e Perëndisë vazhdon të shpaloset nëpërmjet Rivendosjes së vazhdueshme dhe udhëheqjes së frymëzuar të shërbëtorëve të Zotit (shihni te Nenet e Besimit 1:9).
Në vitin 2018 Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Ne jemi dëshmitarë të një procesi rivendosjeje. Nëse mendoni se Kisha është rivendosur plotësisht, ju po shihni vetëm fillimin. Ka shumë më tepër që do të vijë. … Pritni deri vitin që vjen. Dhe më pas vitin e ardhshëm. Pini vitaminat. Çlodhuni sa duhet. Do të jetë emocionuese.”
Gjëra për t’i menduar
-
Në bisedën e tij në vitin 2014 “A Po Flini Gjatë Rivendosjes?”, Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë i Presidencës së Parë, sugjeroi tre tundime që mund të na pengojnë nga pjesëmarrja aktivisht në Rivendosjen e vazhdueshme të ungjillit. Studiojeni këtë bisedë, duke u kushtuar vëmendje pengesave që ai thotë se mund të mos na lejojnë që të arrijmë potencialin tonë. Me cilat nga këto pengesa mund të punonit për t’i kapërcyer? Bëni një plan për ta bërë këtë gjë.
-
Disa njerëz që i dëshmuan shumë prej ngjarjeve të Rivendosjes, u frymëzuan të shkruanin për to. Zgjidhni një himn nga faqja tematike “Rivendosja e Ungjillit” te Himnet dhe lexojeni tekstin e tij. Çfarë mësoni nga teksti rreth rëndësisë së Rivendosjes? Si ju bëjnë të ndiheni ato fjalë? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Në një bisedë të vitit 2020 të titulluar “Përmbushja e Profecisë”, Plaku Ronald A. Rasband renditi disa profeci të lashta dhe bashkëkohore që janë përmbushur si pjesë e Ringjalljes së ungjillit. Studiojeni këtë bisedë së bashku dhe më pas ftoni anëtarë të grupit që të tregojnë se cilat përmbushje të profecisë janë më domethënëse për ta. Si e ndryshon ky ushtrim mënyrën se si mendoni rreth Rivendosjes? Si ndiheni kur merrni parasysh rëndësinë e të jetuarit në këtë kohë të pritur prej shumë kohësh?
-
Në artikullin “Rivendosja e Vazhdueshme”, Plaku LeGrand R. Kurtis i Riu, Historiani dhe Dokumentuesi i Kishës, renditi tri mënyra se si mund të marrim pjesë në Rivendosjen e vazhdueshme:
-
Bëni dhe mbani besëlidhje të shenjta
-
Përmbushini thirrjet dhe detyrat që merrni
-
Ndihmoni për të mbledhur Izraelin
Si grup, lexoni atë që dha mësim Plaku Kurtis rreth secilës prej këtyre ndihmesave ndaj veprës. Në cilën ndihmesë ndiheni të frymëzuar të merrni pjesë në këtë kohë? Si do ta bëni këtë? Tregojani idetë tuaja grupit dhe përcaktoni mënyra se si mund ta ndihmoni njëri‑tjetrin që t’i realizoni synimet tuaja.
-
Mësoni më shumë
-
Zbulesa 14:6–7; Doktrina e Besëlidhje 1:17–30; 43:28; Nenet e Besimit 1:6, 9
-
Gary E. Stevenson, “The Ongoing Restoration” (fjalim në Javën Arsimore të Kompleksit të Universitetit “Brigam Jang”, 20 gusht 2019), speeches.byu.edu