2010–2019
A Po Flini Gjatë Rivendosjes?
Prill 2014


A Po Flini Gjatë Rivendosjes?

Presidenti Diter F. Uhtdorf

Ka shumë që vihet në rrezik për ne si individë, si familje dhe si Kisha e Krishtit po t’i japim vetëm një shërbim me gjysmë zemër kësaj pune të shenjtë.

Rreth 200 vjet më parë, novela e shkurtër amerikane “Rip van Uinkël” u bë menjëherë një vepër klasike. Personazhi kryesor, Ripi, është një burrë pa ambicie, i cili është shumë i mirë për t’iu shmangur dy gjërave: punës dhe gruas së tij.

Një ditë, duke u endur nëpër male me qenin e tij, ai zbulon një grup burrash të veshur në mënyrë të çuditshme duke pirë dhe duke luajtur lojëra. Pasi pranon ca nga pija e tyre, Ripi përgjumet dhe i mbyll sytë për një çast. Kur i hap sytë përsëri, ai habitet të mësojë se qeni nuk është më, pushka e tij ka zënë ndryshk dhe ai tashmë ka një mjekër të gjatë.

Ripi bën rrugën e kthimit drejt fshatit të tij vetëm që të zbulojë se gjithçka ka ndryshuar. Gruaja e tij ka vdekur, miqtë e tij nuk janë më dhe portreti i mbretit Xhorxh III në tavernë është zëvendësuar nga një portret i dikujt që ai nuk e njeh – nga gjenerali Xhorxh Uashington.

Rip van Uinkëli kishte qenë duke fjetur për 20 vjet! Dhe gjatë asaj kohe, kishte humbur një nga periudhat më emocionuese në historinë e atdheut të tij – ai kishte fjetur gjatë Revolucionit Amerikan.

Në maj të vitit 1966, Dr. Martin Luter King i Riu e përdori këtë histori si ilustrim për fjalimin e tij “Mos Fli Gjatë Revolucionit”1.

Sot, unë dua të përdor të njëjtën temë dhe të ngre një pyetje për të gjithë ata që mbajnë priftërinë e Perëndisë: a po flini gjatë Rivendosjes?

Ne Po Jetojmë në Kohën e Rivendosjes

Ndonjëherë ne mendojmë për Rivendosjen e ungjillit si diçka të përfunduar, tashmë të lënë pas – Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit, ai i mori çelësat e priftërisë, Kisha u organizua. Në të vërtetë, Rivendosja është një proces i vazhdueshëm; ne po jetojmë në të pikërisht tani. Ajo përfshin “gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani” dhe “shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme” që “Ai ende do të zbulojë”.2 Vëllezër, zhvillimet emocionuese të së sotmes janë pjesë e asaj periudhe të përgatitjes, të parashikuar prej kohësh, që do ta arrijë kulmin në Ardhjen e Dytë të lavdishme të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Kjo është një nga periudhat më mbresëlënëse të historisë së botës! Profetët e lashtë kishin mall ta shihnin ditën tonë.

Kur koha jonë në vdekshmëri të përfundojë, për cilat përvoja do të jemi vërtet në gjendje të tregojmë rreth vetë ndihmesës sonë në këtë periudhë domethënëse të jetës sonë dhe në çuarjen më tej të punës së Zotit? A do të jemi në gjendje të themi se i përveshëm mëngët dhe punuam me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë? Apo do të duhet të pohojmë se roli ynë ishte kryesisht ai i një vëzhguesi?

Mendoj se ka një larmi arsyesh përse është e lehtë të bëhemi paksa të përgjumur lidhur me ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Më lini t’ju përmend tri arsye kryesore. Ndërsa flas, ju ftoj të përsiatni nëse ndonjëra mund të gjejë zbatim. Nëse ka vend për përmirësim, ju kërkoj që të merrni parasysh se çfarë mund të bëhet që të ndryshoni për më mirë.

Egoizmi

Së pari, egoizmi.

Ata që janë egoistë, kërkojnë interesat dhe kënaqësinë e tyre mbi gjithçka tjetër. Pyetja qendrore për njeriun egoist është “Ç’përfitim kam unë nga kjo?”

Vëllezër, jam i sigurt që mund ta kuptoni se kjo sjellje është qartësisht në kundërshtim me shpirtin e kërkuar për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë.

Kur kërkojmë shërbimin ndaj vetvetes kundrejt shërbimit pa menduar për vetveten, përparësitë tona bëhen të përqendruara te bërja të njohur dhe vetëkënaqësia jonë.

Brezat e shkuar i patën ndeshjet e tyre me forma të ndryshme të egoizmit dhe narcizmit, por mendoj se sot ne po u bëjmë atyre goxha konkurencë. Nuk është e rastit që Oxford Dictionary kohët e fundit shpalli “selfi-n [foton e vetvetes]” si fjalën e vitit?3

Në mënyrë të natyrshme, ne të gjithë kemi dëshirë që të na njihet vlera dhe nuk ka asgjë të keqe me çlodhjen dhe kënaqjen e vetvetes. Por kur të kërkuarit që të “marri[m] fitime dhe të ke[mi] lëvdata nga bota”4, është një pjesë thelbësore e shtysës sonë, ne vërtet do të humbasim përvojat shëlbuese dhe gëzuese që vijnë, kur japim bujarisht nga vetja për punën e Zotit.

Cili është shërimi?

Përgjigjja, si gjithmonë, gjendet në fjalët e Krishtit:

“Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.

Sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë.”5

Ata, të cilët me gjithë zemër ia dorëzojnë jetën e tyre Shpëtimtarit tonë dhe u shërbejnë Perëndisë e bashkënjerëzve, zbulojnë një pasuri dhe plotësi të jetës që njeriu egoist apo vetëmburrës nuk do ta përjetojë kurrë. Njerëzit vetëmohues japin nga vetja. Këto mund të jenë dhurata të vogla të dashurisë hyjnore, të cilat kanë një ndikim të madh për mirë: një buzëqeshje, një shtrëngim dore, një përqafim, kohë e harxhuar duke dëgjuar, një fjalë e butë inkurajimi apo një gjest përkujdesjeje. Të gjitha këto veprime mirësie mund të ndryshojnë zemra dhe jetë. Kur i shfrytëzojmë mundësitë e pakufizuara për t’i dashur bashkënjerëzit tanë dhe për t’u shërbyer atyre, përfshirë bashkëshorten dhe familjen tonë, aftësia jonë për ta dashur Perëndinë dhe për t’u shërbyer të tjerëve do të rritet tej mase.

Ata që u shërbejnë të tjerëve, nuk do të flenë gjatë Rivendosjes.

Varësitë

Një diçka tjetër që mund të na shkaktojë të ecim përgjumësh gjatë kësaj stine të rëndësishme të botës, është varësia.

Varësitë shpesh fillojnë në mënyrë tinëzare. Varësitë janë fije të holla të veprimit të përsëritur, të cilat thuren në lidhjet e forta të zakonit. Zakonet e këqija kanë aftësinë për t’u bërë varësi shkatërruese.

Këta zinxhirë lidhës të varësisë mund të kenë forma të ndryshme si pornografia, alkooli, seksi, drogat, duhani, kumari, ushqimi, puna, interneti ose realiteti virtual. Satani, armiku ynë i përbashkët, ka shumë mjete të parapëlqyera të cilat i përdor që të na e vjedhë potencialin tonë hyjnor për ta plotësuar misionin tonë në mbretërinë e Zotit.

Ati ynë Qiellor trishtohet kur sheh se sa me gatishmëri disa prej bijve të Tij fisnikë i shtrijnë kyçet e duarve për të pranuar prangat e varësive shkatërruese.

Vëllezër, ne mbajmë priftërinë e përjetshme të Perëndisë së Plotfuqishëm. Ne jemi me të vërtetë bijtë e Më të Lartit dhe na është dhuruar një potencial i papërshkrueshëm. Ne jemi projektuar që të fluturojmë lirisht përmes qiejve. Ne nuk u krijuam që të lidheshim me vargonj pas tokës, të burgosur brenda këmishave të forcës që i kemi bërë vetë.

Cili është shërimi?

Gjëja e parë që duhet të kuptojmë, është se varësitë janë shumë më të lehta për t’u parandaluar sesa për t’u kuruar. Me fjalët e Shpëtimtarit: “Mos lejoni asnjë prej këtyre gjërave të hyjnë në zemrën tuaj”6.

Disa vite më parë, Presidentit Tomas S. Monson dhe, mua na u dha mundësia për të vizituar Air Force One [Forca Ajrore Një] – avionin magjepsës që transporton presidentin e Shteteve të Bashkuara. Pati kontrolle skrupuloze të sigurimit nga Shërbimi Sekret dhe unë buzëqesha pak ndërkohë që agjentët e kontrolluan profetin tonë të dashur përpara se të hipnim në avion.

Më pas piloti kryesues më ftoi të ulesha në vendin e kapitenit. Ishte një përvojë mbresëlënëse që të ulesha përsëri në kabinën e një makine fluturuese të mahnitshme, si ato që kisha drejtuar për kaq shumë vite. Kujtimet e fluturimeve përmes oqeaneve dhe kontinenteve ma mbushën mendjen dhe zemrën. Përfytyrova ngritje dhe ulje emocionuese të avionëve në aeroporte kudo në mbarë botën.

Pothuajse në mënyrë të pandërgjegjshme, i vendosa duart e mia në katër levat e 747-s. Pikërisht atëherë, një zë i dashur dhe i pagabueshëm erdhi nga pas – zëri i Tomas S. Monsonit.

“Diter”, tha ai, “as mos të të shkojë në mendje”.

Nuk po pranoj ndonjë gjë, por ndoshta Presidenti Monson e kuptoi ç’kisha në mendje.

Kur tundohemi të bëjmë gjëra që nuk duhet t’i bëjmë, le të dëgjojmë paralajmërimin e dashur të familjes dhe të miqve të besuar, të profetit tonë të dashur dhe gjithmonë të Shpëtimtarit.

Mbrojtja më e mirë ndaj varësisë është të mos fillohet kurrë.

Por çfarë të bëjnë ata njerëz që gjenden nën shtrëngimin e varësisë?

Ju lutemi, ta dini, para së gjithash, se ka shpresë. Kërkoni ndihmë prej njerëzve të dashur, udhëheqësve të Kishës dhe këshilluesve të specializuar. Kisha siguron ndihmë për shërimin nga varësitë nëpërmjet udhëheqësve vendorë të Kishës, internetit7 dhe, në disa zona, nëpërmjet LDS Family Services [Shërbimeve Familjare SHDM].

Gjithmonë kujtoni, me ndihmën e Shpëtimtarit, ju mund të çliroheni prej varësisë. Mund të jetë një shteg i gjatë, i vështirë, por Zoti nuk do të heqë dorë prej jush. Ai ju do. Jezu Krishti vuajti Shlyerjen që t’ju ndihmojë të ndryshoni, të çliroheni nga robëria e mëkatit.

Gjëja më e rëndësishme është që të vazhdoni të përpiqeni – nganjëherë duhen disa përpjekje përpara se njerëzit t’ia dalin me sukses. Prandaj mos hiqni dorë. Mos e humbisni besimin. Mbajeni zemrën pranë Zotit dhe Ai do t’ju japë fuqinë e çlirimit. Ai do t’ju bëjë të lirë.

Vëllezërit e mi të dashur, gjithmonë qëndroni larg prej zakoneve që mund të çojnë drejt varësisë. Ata që bëjnë kështu, do të jenë në gjendje t’ia përkushtojnë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e tyre shërbimit të Perëndisë.

Ata nuk do të flenë gjatë Rivendosjes.

Përparësitë Konkurruese

Një pengesë e tretë që nuk na lejon të përfshihemi tërësisht në këtë punë, janë përparësitë e shumta konkurruese që hasim. Disa prej nesh janë kaq të zënë sa ne ndihemi si një karrocë e tërhequr nga një duzinë kafshësh pune – secila duke tërhequr fort në një drejtim të ndryshëm. Shumë energji shpenzohet, por karroca nuk shkon gjëkundi.

Shpesh ne i përkushtojmë përpjekjet tona më të mira që të ndjekim një hobi, një sport, interesa profesionale dhe çështje të komunitetit apo çështje politike. Të gjitha këto gjëra mund të jenë të mira dhe të respektuara, por a po na lenë kohë dhe energji për ato që duhet të jenë përparësitë tona më të larta?

Cili është shërimi?

Edhe njëherë, ai vjen nga fjalët e Shpëtimtarit:

“‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe më gjithë mendjen tënde’.

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.”8

Gjithçka tjetër në jetë duhet të jetë dytësore ndaj këtyre dy përparësive të mëdha.

Edhe në shërbimin në Kishë, është e lehtë të harxhohet shumë kohë thjesht duke shkuar përmes lëvizjeve pa pasur zemrën ose thelbin e të qenit dishepull.

Vëllezër, ne, si mbajtës të priftërisë, jemi zotuar që të jemi njerëz që e duam Perëndinë dhe të afërmin tonë dhe që jemi të gatshëm ta tregojmë atë dashuri nëpërmjet fjalës dhe veprës. Ky është thelbi se cilët jemi ne si dishepuj të Jezu Krishtit.

Ata që jetojnë sipas këtyre parimeve, nuk do të flenë gjatë Rivendosjes.

Një Thirrje për t’u Zgjuar

Apostulli Pal shkroi: “Zgjohu, ti që fle, dhe ringjallu prej së vdekurish, dhe Krishti do të shndrisë mbi ty”9.

Miqtë e mi të dashur, dijeni se ju jeni bij të dritës.

Mos e lejoni egoizmin! Mos i lejoni zakonet që mund të çojnë drejt varësisë! Mos i lejoni përparësitë konkurruese t’ju nanurisin drejt moskokëçarjes ose shkëputjes nga të qenit të bekuar si dishepuj dhe nga shërbimi fisnikërues në priftëri!

Ka shumë që vihet në rrezik për ne si individë, si familje dhe si Kisha e Krishtit po t’i japim vetëm një shërbim me gjysmë zemër kësaj pune të shenjtë.

Të qenit një dishepull i Jezu Krishtit nuk është një përpjekje që bëhet një herë në javë ose një herë në ditë. Është një përpjekje që bëhet njëherë dhe përgjithmonë.

Premtimi i Zotit ndaj mbajtësve të Tij të vërtetë të priftërisë është pothuajse tej mase i madhërishëm për t’u kuptuar.

Ata që janë besnikë ndaj Priftërive Aarone e Melkizedeke dhe i lartësojnë thirrjet e tyre, “shenjtërohen me anë të Shpirtit në ripërtëritjen e trupave të tyre”. Si rrjedhim, gjithçka që Ati ynë ka, do t’u jepet atyre.10

Unë dëshmoj se fuqia dëlirësuese e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe fuqia ndryshuese e Frymës së Shenjtë mund ta shërojnë e shpëtojnë njerëzimin. Është privilegji ynë, detyra jonë e shenjtë dhe gëzimi ynë që t’ia vëmë veshin thirrjes së Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë me një mendje të vullnetshme dhe me qëllim të plotë të zemrës. Le të “flak[im] tej zinxhirët me të cilët je[mi] lidhur dhe [të dalim] nga errësira dhe [të] ngrih[emi] nga pluhuri”11.

Le të jemi të zgjuar dhe të mos lodhemi duke bërë mirë, sepse ne “po ngr[emë] themelin e një vepre të madhe”12, madje po përgatitemi për kthimin e Shpëtimtarit. Vëllezër, kur e shtojmë dritën e shembullit tonë si një dëshmi të bukurisë dhe fuqisë së të vërtetës së rivendosur, ne nuk do të flemë gjatë Rivendosjes. Për këtë unë dëshmoj dhe ju lë bekimin tim, në emrin e shenjtë të Mësuesit tonë, madje Jezu Krishtit, amen.