Rrënjët dhe Degët
Përshpejtimi i historisë familjare dhe i punës në tempull në kohën tonë është thelbësor për shpëtimin dhe ekzaltimin e familjeve.
Pikërisht para vdekjes së tij nga kanceri në vitin 1981, shkrimtari polemizues, Uilliam Sarojan, u tha gazetarëve: “Kushdo duhet të vdesë, por unë gjithmonë mendova se do të bëhej përjashtim në rastin tim. Po tani?”1
Fraza “po tani” në përballjen me vdekjen në këtë jetë dhe fraza “po tani” në soditjen e jetës pas vdekjes janë në qendër të pyetjeve të shpirtit, të cilave ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit u përgjigjet kaq bukur në planin e Atit për lumturinë.
Në këtë jetë ne qeshim, ne qajmë, ne punojmë, ne luajmë, ne jetojmë dhe më pas ne vdesim. Jobi bën pyetjen e përmbledhur: “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?”2 Përgjigjja është një po kumbuese, për shkak të sakrificës shlyese të Shpëtimtarit. Një pjesë e shpjegimit paraqitës të larmishëm të Jobit për pyetjen është tërheqëse: “Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë. … Mbin si një lule, pastaj pritet. … Për drurin ka shpresë; në rast se pritet, rritet përsëri dhe vazhdon të mugullojë [dhe ajo degë e njomë nuk do] të vdesë … dhe lëshon degë si një bimë.”3
Plani i Atit tonë është rreth familjeve. Disa prej shkrimeve tona të shenjta më prekëse e përdorin konceptin e pemës me rrënjët dhe degët e saj si analogji.
Në kapitullin përfundimtar të Dhiatës së Vjetër, Malakia, në përshkrimin e Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit, e përdor plot gjallëri këtë analogji. Duke folur për krenarët dhe të ligjtë, ai shënon se ata do të digjen si kallamishte dhe “që [nuk do t’u] mbetet as rrënja as dega”4. Malakia e mbyll këtë kapitull me premtimin siguridhënës të Zotit:
“Ja, unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit.
Ai do të bëjë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve, me qëllim që vendi të mos goditet nga një shfarosje e plotë.”5
Në agimin e Ringjalljes, Moroni e ritheksoi këtë mesazh në udhëzimin e tij fillestar dhënë të riut Jozef Smith në vitin 1823.6
Të krishterët dhe judenjtë në mbarë botën e pranojnë rrëfimin e Dhiatës së Vjetër për Elijan.7 Ai ishte profeti i fundit që mbajti fuqinë vulosëse të Priftërisë Melkizedeke përpara kohës së Jezu Krishtit.8
Elija Rivendos Çelësat
Kthimi i Elijas ndodhi në Tempullin e Kirtlandit më 3 prill 1836. Ai shpalli se po përmbushte premtimin e Malakias. Ai dorëzoi çelësat e priftërisë për vulosjen e familjeve në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore.9 Misioni i Elijas lehtësohet me anë të asaj që nganjëherë quhet shpirti i Elijas, i cili, sikurse na ka mësuar Plaku Rasëll M. Nelson, është “një shfaqje e Frymës së Shenjtë që jep dëshmi për natyrën hyjnore të familjes”10.
Shpëtimtari foli me forcë rreth domosdoshmërisë së pagëzimit. Ai na mësoi: “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”11. Shpëtimtari vetë u pagëzua për të dhënë shembullin. Por çfarë ndodh me të vdekurit që nuk janë pagëzuar?
Doktrina e Tempullit dhe Puna për Historinë Familjare
Më 11 tetor 1840, në Nauvu, Vajlet Kimball i shkroi një letër burrit të saj, Plakut Hibër C. Kimball, i cili, me anëtarë të tjerë të Të Dymbëdhjetëve, po shërbente në një mision në Britaninë e Madhe. Konferenca e përgjithshme e tetorit ishte mbajtur pak ditë më parë.
Unë po citoj nga disa pjesë të letrës personale të Vajletës: “Ne patëm konferencën më të madhe dhe më interesante që ka qenë ndonjëherë që kur u organizua Kisha. … Presidenti [Jozef] Smith ka folur për një çështje të re dhe të lavdishme. … Ajo është, bërja e pagëzimit për të vdekurit. Pali flet për të, në letrën e parë drejtuar Korintasve, kapitulli i 15-të, vargu i 29-të. Jozefi ka marrë një shpjegim më të plotë për të me anë të zbulesës. Ai thotë se është privilegji i [anëtarëve të] kësaj Kishe për t’u pagëzuar për të gjithë të afërmit e tyre që kanë vdekur para se të dilte në dritë ky ungjill. … Duke e bërë këtë, ne veprojmë si përfaqësues për ta dhe u japim atyre privilegjin për t’u ngritur në Ringjalljen e Parë. Ai thotë se atyre do t’u predikohet ungjilli në burg.”
Vajleta shtoi: “Dua të pagëzohem për nënën time. … A s’është kjo një doktrinë e lavdishme?”12
Doktrina thelbësore e bashkimit të familjeve doli në dritë rresht pas rreshti e parim pas parimi. Ordinancat mëkëmbëse janë në qendër të lidhjes së bashku të familjeve të përjetshme, duke bashkuar rrënjët me degët.
Doktrina e familjes në lidhje me historinë familjare dhe punën e tempullit është e qartë. Zoti në udhëzimet e zbulesës fillestare iu drejtua “pagëzimi[t] për të vdekurit tuaj”13. Detyrimi ynë doktrinor është kundrejt vetë paraardhësve tanë. Kjo është ngaqë organizimi çelestial i qiellit bazohet tek familjet.14 Presidenca e Parë i ka nxitur anëtarët, veçanërisht rininë dhe të rinjtë në moshë madhore beqarë, që ta theksojnë punën për historinë familjare dhe ordinancat për emrat e vetë familjeve të tyre ose për emrat e paraardhësve të anëtarëve të lagjeve dhe kunjeve të tyre.15 Ne kemi nevojë të lidhemi si me rrënjët dhe me degët. Mendimi i të qenit të shoqëruar në mbretërimin e përjetshëm është me të vërtetë i lavdishëm.
Tempujt
Uillford Udraf tregoi se Profeti Jozef Smith jetoi aq sa të mjaftonte për të ngritur themelin për punë në tempull. Herën më të fundit që ai, Jozef Smithi, u takua me Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, ai u dha atyre indaumentet e tyre.16
Pas martirizimit të Profetit, shenjtorët e përfunduan Tempullin e Nauvusë dhe fuqia vulosëse u përdor për të bekuar mijërat e anëtarëve besnikë përpara eksodit drejt Maleve Shkëmbore. Tridhjetë vjet më vonë, në përfundimin e Tempullit të Seint-Xhorxhit, Presidenti Brigam Jang shpjegoi rëndësinë e përjetshme të ordinancave shpëtuese që më së fundi ishin të disponueshme si për të gjallët dhe për të vdekurit.17
Kjo thuhet në mënyrë të thjeshtë nga Presidenti Uillford Udraf: “Vështirë se ka ndonjë parim që Zoti e ka zbuluar, për të cilin jam gëzuar më shumë sesa për shëlbimin e të vdekurve tanë; që ne vërtet do t’i kemi etërit tanë, nënat tona, bashkëshortet tona dhe fëmijët tanë me vete në organizatën e familjes, në mëngjesin e ringjalljes së parë dhe në Mbretërinë Çelestiale. Këto janë parime të madhërishme. Ia vlejnë çdo sakrificë.”18
Ç’kohë e mrekullueshme për të qenë gjallë. Kjo është periudha e fundit e kujdestarisë ungjillore dhe ne mund ta ndiejmë përshpejtimin e punës për shpëtimin në çdo fushë ku përfshihet një ordinancë shpëtuese.19 Tani kemi tempuj përmes pjesës më të madhe të botës për t’i siguruar këto ordinanca shpëtuese. Vajtja në tempull për ripërtëritje shpirtërore, paqe, siguri dhe drejtim në jetën tonë është gjithashtu një bekim i madh.20
Më pak se një vit pasi Presidenti Tomas S. Monson u thirr si Apostull, ai përkushtoi Bibliotekën Gjenealogjike të Tempullit të Los-Anxhelesit. Ai foli për paraardhës të vdekur “duke pritur [për] ditën kur ju dhe unë do të bëjmë kërkimin që nevojitet për të hapur udhën … [dhe] po ashtu për të shkuar në shtëpinë e Perëndisë dhe për ta kryer atë punë … që ata … nuk mund ta kryejnë”21.
Kur Plaku Monson i atëhershëm i tha ato fjalë përkushtuese më 20 qershor 1964, kishte vetëm 12 tempuj në funksionim. Gjatë periudhës që Presidenti Monson ka shërbyer në këshillat drejtues të Kishës, 130 nga 142 prej tempujve në funksionim kanë pasur përkushtimin e tyre fillestar. S’është gjë tjetër veçse një mrekulli të shohësh përshpejtimin e punës së shpëtimit në kohën tonë. Njëzet e tetë tempuj të tjerë janë shpallur dhe janë në faza të ndryshme të përfundimit. Tetëdhjetë e pesë përqind e anëtarëve të Kishës jetojnë tani brenda një largësie prej 320 km nga një tempull.
Teknologjia për Historinë Familjare
Edhe teknologjia për historinë familjare ka përparuar jashtëzakonisht. Presidenti Hauard W. Hanter shpalli në nëntor të vitit 1994: “Ne kemi filluar të përdorim teknologjinë informatike për të përshpejtuar punën e shenjtë të sigurimit të ordinancave për të vdekurit. Roli i teknologjisë … është nxitur me të shpejtë nga Zoti vetë. … Megjithatë, ne qëndrojmë vetëm te pragu i asaj që mund të bëjmë me këto mjete.”22
Në 19 vitet që nga kjo thënie profetike, nxitja me të shpejtë e teknologjisë është pothuajse e pabesueshme. Një nënë 36-vjeçare, me fëmijë të vegjël, kohët e fundit më tha plot hare: “Thjesht mendoni ne kemi shkuar nga lexuesit e mikrofilmave në qendrat e përkushtuara për historinë familjare, tek ulja në tavolinën e kuzhinës me kompjuterin tim duke bërë histori familjare pasi fëmijët e mi i ka zënë gjumi më së fundi”. Vëllezër e motra, qendrat e historisë familjare janë tashmë në shtëpitë tona.
Puna në tempull dhe për historinë familjare nuk është thjesht rreth nesh. Mendoni për ata në anën tjetër të velit duke pritur për ordinancat shpëtuese që do t’i çlironin nga robëria e burgut shpirtëror. Burgu përcaktohet si “një gjendje izolimi ose robërie”23. Ata që janë në robëri, mund të jenë duke bërë pyetjen e Uilliam Sarojanit: “Po tani?”
Një motër besnike tregoi një përvojë të veçantë shpirtërore në Tempullin e Solt-Lejkut. Ndërsa ndodhej në dhomën e konfirmimit, pasi u thanë fjalët e një ordinance mëkëmbëse të konfirmimit, ajo dëgjoi: “Dhe e burgosura do të lirohet!” Ajo pati një ndjenjë të madhe ngutjeje për ata që po prisnin për punën e tyre të pagëzimit dhe të konfirmimit. Pasi u kthye në shtëpi, kërkoi në shkrimet e shenjta për frazën që kishte dëgjuar. Ajo gjeti shpalljen e Jozef Smithit në seksionin 128 të Doktrinës e Besëlidhjeve: “Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara. Toka duhet të shpërthejë në këngë. Të vdekurit duhet t’i thonë këngë përlëvdimi të përjetshëm mbretit Emanuel, që ka shuguruar, përpara se bota të ishte, atë që do të na bëjë të aftë për t’i shëlbyer ata nga burgu i tyre; sepse të burgosurit do të lirohen.”24
Pyetja është, çfarë kemi nevojë të bëjmë? Këshilla e Profetit Jozef ishte që t’i paraqisnim në tempull “analet e të vdekurve tanë, të cilët do të jenë të denjë për t’u pranuar plotësisht”25.
Udhëheqja e Kishës i ka drejtuar një thirrje të qartë brezit të ri që të jetë pararoja në përdorimin e teknologjisë për të përjetuar shpirtin e Elijas, për t’i kërkuar paraardhësit e tyre dhe për të kryer ordinanca në tempull për ta.26 Shumica e punës së rëndë në përshpejtimin e punës së shpëtimit si për të gjallët dhe të vdekurit do të bëhet nga ju të rinj.27
Nëse të rinjtë në secilën lagje jo vetëm që do të shkojnë në tempull dhe do të bëjnë pagëzime për të vdekurit e tyre, por edhe do të punojnë me familjet e tyre dhe anëtarë të tjerë të lagjeve për të siguruar emrat e familjeve për punën e ordinancave që kryejnë, si ata dhe Kisha do të bekohen tej mase. Mos e nënvleftësoni ndikimin e të vdekurve për t’ju ndihmuar në përpjekjet tuaja dhe gëzimin e takimit më së fundi me ata të cilëve u shërbeni. Bekimi përjetësisht i rëndësishëm i bashkimit të vetë familjeve tona është thuajse përtej aftësisë sonë për ta kuptuar.28
Në anëtarësinë mbarëbotërore të Kishës, tashmë pesëdhjetë e një përqind e të rriturve nuk i kanë që të dy prindërit në pjesën Family Tree [Pema Familjare] të faqes së Internetit FamilySearch [Kërkimi i Familjes] të Kishës. Gjashtëdhjetë e pesë përqind e të rriturve nuk i kanë të renditur që të katër gjyshërit.29 Mbani mend, ne pa rrënjët dhe degët tona nuk mund të shpëtohemi. Anëtarët e Kishës kanë nevojë ta gjejnë dhe ta vendosin këtë informacion jetik.
Më së fundi ne kemi doktrinën, tempujt dhe teknologjinë që familjet ta përmbushin këtë punë të lavdishme të shpëtimit. Unë sugjeroj një mënyrë që mund të bëhet kjo. Familjet mund të mbajnë një “Mbledhje për Family Tree [Pemën Familjare]”. Kjo duhet të jetë një përpjekje e përhershme. Kushdo do të sillte histori, ngjarje dhe fotografi ekzistuese familjare, duke përfshirë zotërime të dashura të gjyshërve dhe prindërve. Të rinjtë tanë janë plot dëshirë që të mësojnë rreth jetës së pjesëtarëve të familjes – nga erdhën dhe si jetuan ata. Shumë i kanë pasur zemrat e tyre të kthyera tek etërit. Ata i duan historitë dhe fotografitë, dhe e kanë ekspertizën teknologjike për t’i skanuar dhe ngarkuar këto histori e fotografi në rrjet në Family Tree [Pemën Familjare] dhe për t’i lidhur dokumentat burimore me paraardhësit që ato të ruhen për tërë kohën. Sigurisht, synimi kryesor është që të përcaktoni cilat ordinanca janë ende të nevojshme për t’u bërë dhe të caktoni detyra për punën thelbësore në tempull. Broshura My Family [Familja Ime] mund të përdoret për të ndihmuar që të shënohet informacioni i familjes, historitë dhe fotografitë që më pas të mund të ngarkohen në rrjet në Family Tree [Pemën Familjare].
Zotimet dhe qëllimet që priten nga familja, duhet të jenë ndër përparësitë tona kryesore për ta mbrojtur vendmbërritjen tonë hyjnore. Për ata që po kërkojnë përdorim më të frytshëm të ditës së Shabatit për tërë familjen së bashku, përshpejtimi i kësaj pune është një veprimtari mjaft e dobishme. Një nënë plot krenari tregon se si djali i saj 17-vjeçar futet në kompjuter pas kishës të dielën për të bërë punën e historisë familjare dhe djali i saj 10-vjeçar ka shumë dëshirë t’i dëgjojë historitë dhe t’i shohë fotografitë e paraardhësve të tij. Kjo gjë e ka bekuar tërë familjen e tyre që të përjetojnë shpirtin e Elijas. Rrënjët dhe degët tona të çmuara duhet të ushqehen.
Jezu Krishti dha jetën e Tij si një shlyerje mëkëmbëse. Ai i dha zgjidhje pyetjes përfundimtare të ngritur nga Jobi. Ai e mposhti vdekjen për mbarë njerëzimin, gjë të cilën ne nuk mund ta bënim për veten tonë. Ne, megjithatë, mund të kryejmë ordinanca mëkëmbëse dhe të bëhemi me të vërtetë shpëtimtarë në Malin e Sionit30 për vetë familjet tona me qëllim që ne, së bashku me ta, të mund të ekzaltohemi, si edhe të shpëtohemi.
Unë jap dëshmi për flijimin shlyes të Shpëtimtarit dhe për sigurinë e planit të Atit për ne dhe familjet tona. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.