2010–2019
Bija në Besëlidhje
Prill 2014


Bija në Besëlidhje

Presidenti Henri B. Ajring

Shtegu … që duhet të ndjekim në udhëtimin tonë për t’u kthyer tek Ati ynë Qiellor, … shënohet nga besëlidhje të shenjta me Perëndinë.

Na është dhënë mësim me fuqi shpirtërore sonte. Lutem që fjalët e folura nga këto motra udhëheqëse të madhërishme do të hyjnë në zemrën tuaj, siç kanë hyrë në zemrën time.

Kjo është një mbledhje historike. Të gjitha gratë e Kishës të moshës tetë vjeç e lart janë ftuar që të bashkohen me ne sonte. Shumë prej nesh janë lutur që Fryma e Shenjtë do të ishte me ne. Ai bekim na u plotësua teksa i dëgjuam këto motra të flasin dhe teksa dëgjuam muzikën frymëzuese. Unë lutem që Shpirti do të vazhdojë të jetë me ne, ndërsa u them disa fjalë nxitjeje dhe dëshmie, duke i shtuar asaj që tashmë është thënë – dhe veçanërisht për të dëshmuar se çfarë na është thënë, është ajo që Zoti do të donte që të dëgjonim.

Sonte do të flas rreth shtegut – i cili në mënyra kaq të bukura është përshkruar sot – që ne duhet ta ndjekim në udhëtimin tonë për t’u kthyer tek Ati ynë Qiellor. Ai shteg shënohet nga besëlidhje të shenjta me Perëndinë. Unë do të flas me ju rreth gëzimit të bërjes dhe të mbajtjes së atyre besëlidhjeve dhe të ndihmuarit të të tjerëve për t’i mbajtur ato.

Shumë prej jush u pagëzuan kohët e fundit dhe morët dhuratën e Frymës së Shenjtë me anë të vendosjes së duarve. Për ju ai kujtim është i freskët. Të tjera prej jush u pagëzuan kohë më parë, kështu që kujtimi i ndjenjave tuaja për atë përvojë besëlidhjeje mund të jetë më pak i qartë, por disa prej atyre ndjenjave ju kthehen sa herë që dëgjoni lutjet e sakramentit.

Nuk ka dy prej nesh që do të kemi të njëjtat kujtime të ditës kur bëmë atë besëlidhje të shenjtë të pagëzimit dhe kur morëm dhuratën e Frymës së Shenjtë. Por secili prej nesh e ndjeu miratimin e Perëndisë. Dhe ndiem dëshirë për të falur e për t’u falur dhe një vendosmëri të shtuar për të bërë të drejtën.

Sa thellë hynë ato fjalë në zemrën tuaj, u përcaktua gjerësisht nga mënyra se si u përgatitët nga njerëz të dashur. Shpresoj se ato prej jush, të cilat hynë në mbretëri kohët e fundit, jeni të bekuara të uleni pranë nënës suaj. Nëse jeni, ju mund t’i dërgoni asaj një buzëqeshje falënderimesh pikërisht tani. Unë mund të kujtoj ndjenjën e gëzimit dhe të mirënjohjes kur u ula mbrapa nënës sime në makinë, në rrugën e kthimit për në shtëpi prej pagëzimit tim në Filadelfia në Pensilvani.

Nëna ime ishte ajo që më kishte përgatitur me kujdes për ta bërë atë besëlidhje dhe të gjitha të tjerat që do të pasonin. Ajo kishte qenë besnike lidhur me këtë detyrë të ngarkuar nga Zoti:

“Dhe përsëri, për aq sa prindërit kanë fëmijë në Sion ose në ndonjë nga kunjat e tij që organizohen, të cilët nuk i mësojnë të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, kur janë tetë vjeç, mëkati qoftë mbi kokat e prindërve.

Sepse ky do të jetë një ligj për banorët e Sionit, ose në ndonjë nga kunjat e tij, që organizohen.

Dhe fëmijët e tyre do të pagëzohen për heqjen e mëkateve të tyre, kur të bëhen tetë vjeç dhe do të marrin [Frymën e Shenjtë].”1

Nëna ime e kishte bërë pjesën e saj. Ajo i kishte përgatitur fëmijët e saj me fjalë shumë të ngjashme me ato të Almës, siç shënohen në Librin e Mormonit:

“Dhe ndodhi që ai u tha atyre: Vini re, këtu janë ujërat e Mormonit (pasi kështu quheshin) dhe tani, pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta –

Po, dhe jeni të gatshëm të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që ju të gjendeni, madje deri në vdekje, që ju të mund të shëlbeheni nga Perëndia dhe të numëroheni me ata të ringjalljes së parë, që ju të mund të keni jetën e përjetshme –

Tani unë ju them, në qoftë se kjo është dëshira e zemrave tuaja, çfarë keni kundër pagëzimit në emrin e Zotit, si një dëshmi para tij që ju keni hyrë në një besëlidhje me të, se ju do t’i shërbeni atij dhe do të zbatoni urdhërimet e tij, që ai të mund të derdhë mbi ju Shpirtin e tij më me shumicë?

Dhe tani, kur njerëzit kishin dëgjuar këto fjalë, ata përplasën duart e tyre nga gëzimi dhe thirrën: Kjo është dëshira e zemrave tona.”2

Ju mund të mos i keni përplasur duart kur fillimisht e dëgjuat atë ftesë për të besëlidhur me anë të pagëzimit, por me siguri e ndiet dashurinë e Shpëtimtarit dhe një zotim më të madh që t’i ushqeni shpirtërisht të tjerët për Të. Unë mund t’i them fjalët “me siguri”, ngaqë ato ndjenja vendosen thellë në zemër për të gjitha bijat e Atit Qiellor. Kjo është pjesë e trashëgimisë suaj hyjnore prej Tij.

Ju morët udhëzim prej Tij përpara se të vinit në këtë jetë. Ai ju ndihmoi të kuptonit dhe pranonit se do të kishit sprova, vënie në provë dhe mundësi përsosurisht të zgjedhura pikërisht për ju. Ju mësuat se Ati ynë kishte një plan lumturie për t’ju kaluar në mënyrë të sigurt përmes sprovave dhe që ju do të ndihmonit për të kaluar njerëz të tjerë në mënyrë të sigurt përmes sprovave të tyre. Ky plan shenjohet nga besëlidhje me Perëndinë.

Ne jemi të lirë të zgjedhim nëse i bëjmë dhe i mbajmë ato besëlidhje. Vetëm pak prej bijave të Tij e kanë në këtë jetë mundësinë që madje të mësojnë për ato besëlidhje. Ju jeni një prej pak bijave të favorizuara. Ju, të dashura motra, secila prej jush është një bijë në besëlidhje.

Ati Qiellor ju mësoi përpara se të lindeshit, rreth përvojave që do të kishit kur u larguat prej Tij dhe erdhët në tokë. Ju u mësuat se rruga për t’u kthyer në shtëpi tek Ai nuk do të ishte e lehtë. Ai e dinte se do të ishte tepër e vështirë për ju që ta bënit udhëtimin pa ndihmë.

Ju jeni bekuar që jo vetëm ta gjeni udhën për t’i bërë ato besëlidhje në këtë jetë, por edhe që të rrethoheni nga të tjera të cilat do të ndihmojnë – të cilat, sikurse ju, janë bija të besëlidhjes së Atit Qiellor.

Ju të gjitha e keni ndier sonte bekimin e të qenit në shoqërinë e bijave të Perëndisë, të cilat janë gjithashtu nën besëlidhje për t’ju ndihmuar dhe drejtuar ju, ashtu sikurse premtuan të bënin. Unë e kam parë atë që keni parë ju, ndërkohë që motrat e besëlidhjes e mbajnë atë zotim për të ngushëlluar e ndihmuar – dhe e bëjnë atë me një buzëqeshje.

Më kujtohet buzëqeshja e Motrës Rubi Heit. Ajo ishte bashkëshortja e Plakut Dejvid B. Heit, që ishte një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kur ishte i ri, ai shërbeu si presidenti i kunjit të Palo Altos në Kaliforni. Ai lutej dhe shqetësohej për vajzat në klasën e Trëndafileve në lagjen e vet.

Prandaj Presidenti Heit u frymëzua që ta pyeste peshkopin për të thirrur Rubi Heitin si mësuese për ato vajza të reja. E dinte se ajo do të ishte një dëshmitare e Perëndisë, e cila do t’i frymëzonte, ngushëllonte dhe donte vajzat në atë klasë.

Motra Heit ishte të paktën 30 vjet më e madhe se vajzat të cilave u jepte mësim. Përsëri, 40 vjet pasi u kishte dhënë mësim, sa herë që do të takohej me gruan time, e cila kishte qenë një prej vajzave në klasën e saj, ajo do të zgjaste dorën, do të buzëqeshte dhe do t’i thoshte Kathit: “O! Trëndafilja ime.” Unë pashë më shumë se buzëqeshjen e saj. E ndjeva dashurinë e saj të thellë për një motër, për të cilën ajo ende tregonte kujdes sikur të ishte vetë bija e saj. Buzëqeshja dhe përshëndetja e saj e ngrohtë erdhën ngaqë e shihte se një motër dhe një bijë e Perëndisë ishte ende në shtegun e besëlidhjeve drejt shtëpisë.

Ati Qiellor buzëqesh për ju po ashtu, sa herë që sheh se ndihmoni një prej bijave të Tij që të lëvizë përgjatë shtegut të besëlidhjes drejt jetës së përjetshme. Dhe Ai kënaqet çdo herë që ju përpiqeni të zgjidhni të drejtën. Ai sheh jo vetëm atë që jeni, por edhe atë që mund të bëheni.

Ju mund të keni pasur një prind tokësor që mendoi se mund të jeni më të mira nga ajo që menduat se mund të ishit. Unë e pata një nënë të tillë.

Ajo që nuk e dija kur isha i ri, ishte që Ati im Qiellor, Ati juaj Qiellor, sheh potencial më të madh te fëmijët e Tij nga sa ne, ose edhe nënat tona tokësore, shohim brenda vetes. Dhe kurdoherë që ju ecni përpara në atë shteg drejt potencialit tuaj, i sillni Atij lumturi. Dhe mund ta ndieni miratimin e Tij.

Ai e sheh atë potencial të lavdishëm në të gjitha bijat e Tij, kudo që janë ato. Tani, kjo vendos një përgjegjësi të madhe mbi secilën prej jush. Ai pret që ta trajtoni çdo njeri që takoni, si një fëmijë të Perëndisë. Kjo është arsyeja përse Ai na urdhëron t’i duam të afërmit tonë porsi veten dhe t’i falim ata. Ndjenjat tuaja të mirësisë dhe faljes ndaj të tjerëve vijnë si trashëgimia juaj hyjnore prej Tij si bija e Tij. Çdo njeri që takoni, është fëmija i Tij i dashur shpirtëror.

Kur e keni atë ndjenjë të madhe të qenies motra, çfarë menduam se na veçonte, largohet tutje. Për shembull, motra më të reja dhe më të moshuara i shprehin ndjenjat e tyre me pritshmërinë që ato do të kuptohen dhe pranohen. Ju jeni më të ngjashme si bija të Perëndisë sesa jeni të ndryshme.

Me atë këndvështrim, të rejat duhet ta presin me gëzim hyrjen e tyre në Shoqatën e Ndihmës, si një mundësi për ta zgjeruar rrethin e tyre të motrave, të cilat do të arrijnë t’i njohin, admirojnë e duan.

Po ajo aftësi për të kuptuar atë që mund të jemi, po rritet në familjet dhe në Fillore. Po ndodh në mbrëmjet familjare të shtëpisë dhe në programet e Fillores. Fëmijë të vegjël po frymëzohen për të thënë gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme, sikurse bënë kur Shpëtimtari i zgjidhi gjuhët e tyre kur u dha mësim atyre pasi Ai u ringjall.3

Ndërkohë që Satani mund të jetë duke i sulmuar motrat në moshë gjithnjë e më të re, Zoti po i lartëson motrat në nivele gjithnjë e më të larta të shpirtmërisë. Për shembull, të rejat po i mësojnë nënat e tyre se si ta përdorin FamilySearch për të gjetur e shpëtuar paraardhësit. Disa motra të reja që unë i njoh, po zgjedhin që të shkojnë herët në mëngjes për të kryer pagëzime mëkëmbëse në tempuj pa asnjë shtytje përveç shpirtit të Elijas.

Në misionet kudo në tokë, motra po thirren që të shërbejnë si udhëheqëse. Zoti krijoi nevojën për shërbimin e tyre duke i prekur zemrat e motrave në numër gjithnjë e më të madh për të shërbyer. Shumë më tepër presidentë misionesh i kanë parë motrat misionare të bëhen gjithnjë e më të fuqishme si predikuese dhe veçanërisht si udhëheqëse plot përkujdesje.

Nëse shërbeni apo jo si një misionare kohëplotë, ju mund të fitoni të njëjtën aftësi për ta pasuruar martesën tuaj dhe mundësinë për të rritur fëmijë fisnikë me anë të ndjekjes së shembujve të grave të madhërishme.

Merrni parasysh Evën, nënën e tërë të gjallëve. Plaku Rasëll M. Nelson tha këtë për Evën: “Ne dhe tërë njerëzimi jemi bekuar përgjithmonë për shkak të kurajës dhe urtësisë së madhe të Evës. Duke e marrë frutin e para, ajo bëri atë që ishte e nevojshme të bëhej. Adami ishte mjaft i urtë sa të bënte po ashtu.”4

Çdo bijë e Evës ka potencialin që t’i sjellë familjes së saj të njëjtin bekim që Eva i solli familjes së vet. Ajo ishte kaq e rëndësishme në krijimin e familjeve sa ne kemi këtë raportim për krijimin e saj: “Dhe Perënditë thanë: Le ta bëjmë një ndihmëse të përshtatshme për burrin, sepse nuk është mirë që burri të jetë i vetëm, si rrjedhim ne do të formojmë një ndihmëse të përshtatshme për të.”5

Ne nuk e njohim tërë ndihmën që Eva ishte për Adamin dhe për familjen e tyre. Por vërtet e njohim një dhuratë të madhe që dha ajo, të cilën mund ta japë edhe secila prej jush: ajo e ndihmoi familjen e saj për të parë shtegun drejt shtëpisë, kur udha përpara dukej e vështirë. “Dhe Eva, gruaja e tij, i dëgjoi të gjitha këto gjëra dhe u gëzua, duke thënë: Po të mos ishte për shkeljen tonë, ne kurrë nuk do të kishim patur farë dhe kurrë nuk do të kishim njohur të mirën dhe të keqen, dhe gëzimin e shëlbimit tonë, dhe jetën e përjetshme që Perëndia ua jep gjithë të bindurve.”6

Ju e keni shembullin e saj që ta ndiqni.

Me anë të zbulesës, Eva e dalloi udhën për në shtëpi te Perëndia. Ajo e dinte se Shlyerja e Jezu Krishtit e bëri jetën e përjetshme të mundshme brenda familjeve. Ajo ishte e sigurt, siç mund të jeni ju, se, ndërkohë që i mbante besëlidhjet e saj me Atin e saj Qiellor, Shëlbuesi dhe Fryma e Shenjtë do ta shoqëronin atë dhe familjen e saj përmes çfarëdo hidhërimesh dhe zhgënjimesh që do të vinin. Ajo e dinte se mund të mirëbesonte tek Ata.

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;

Pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.”7

Unë e di se Eva u përball me hidhërime dhe zhgënjime, por gjithashtu e di që gjeti gëzim në njohurinë se ajo dhe familja e saj mund të ktheheshin për të jetuar me Perëndinë. E di se shumë prej jush që ndodheni këtu, po përjetoni hidhërime dhe zhgënjime. Ju lë bekimin tim se, ashtu si Eva, ju mund të ndieni të njëjtin gëzim që ndjeu ajo, ndërkohë që bëni udhëtimin e kthimit në shtëpi.

Unë kam një dëshmi të sigurt se Perëndia, Ati, përkujdeset për ju me dashuri. Ai e do secilën prej jush. Ju jeni bijat e Tij në besëlidhje. Ngaqë ju do, Ai do të sigurojë ndihmën që ju nevojitet për ta lëvizur vetveten dhe për t’i lëvizur të tjerët përpara përgjatë udhës së kthimit në praninë e Tij.

E di se Shpëtimtari e pagoi çmimin për të gjitha mëkatet tona dhe se Fryma e Shenjtë dëshmon për të vërtetën. Ju e keni ndier atë ngushëllim në këtë mbledhje. Unë kam dëshmi se të gjitha çelësat, të cilat i lidhin besëlidhjet e shenjta, janë rivendosur. Ata mbahen dhe ushtrohen sot nga profeti ynë i gjallë, Presidenti Tomas S. Monson. I lë këto fjalë ngushëllimi dhe shprese me ju, bijat e Tij të dashura të besëlidhjes, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.