2010–2019
Kur Prapë të Takohemi
Prill 2014


Kur Prapë të Takohemi

Presidenti Tomas S. Monson

Shpirti që kemi ndier gjatë këtyre dy ditëve të kaluara, qoftë dhe banoftë me ne ndërsa kryejmë ato gjëra që na angazhojnë çdo ditë.

Vëllezër e motra të dashura, çfarë konference e mrekullueshme ka qenë kjo! Jemi ushqyer shpirtërisht ndërsa kemi dëgjuar fjalët e frymëzuara të burrave dhe grave që na kanë folur. Muzika ka qenë madhështore, mesazhet janë përgatitur dhe paraqitur nën nxitjet e Shpirtit të Shenjtë dhe lutjet na kanë afruar me qiellin. Ne jemi lartësuar shpirtërisht në çdo mënyrë ndërsa kemi marrë pjesë së bashku.

Shpresoj se do ta gjejmë kohën që t’i lexojmë mesazhet e konferencës kur të mundësohen te LDS.org brenda pak ditëve të ardhshme dhe kur të shtypen në numrat e ardhshëm të revistave Ensign dhe Liahona, sepse e meritojnë shqyrtimin dhe studimin tonë të kujdesshëm.

E di se bashkoheni me mua për t’u shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë atyre vëllezërve dhe motrave që u liruan nga thirrjet gjatë kësaj konference. Ata kanë shërbyer mirë dhe kanë dhënë kontribute të rëndësishme në punën e Zotit. Përkushtimi i tyre ka qenë i plotë.

Ne kemi mbështetur gjithashtu, duke ngritur duart, vëllezër që janë thirrur në detyra të reja përgjegjësie. U urojmë mirëseardhjen dhe dëshirojmë që ta dinë se mezi po presim të shërbejmë me ta në kauzën e Mësuesit.

Ndërsa përsiatim për mesazhet që kemi dëgjuar, marrshim vendim që të veprojmë pak më mirë nga sa kemi bërë në të shkuarën. Qofshim të sjellshëm dhe të dashur me ata që nuk ndajnë besimet tona dhe standardet tona. Shpëtimtari solli në këtë tokë një mesazh dashurie dhe vullneti të mirë për të gjithë burrat dhe gratë. E ndjekshim përgjithmonë shembullin e Tij.

Ne përballemi me shumë sfida të rënda në botë sot, por unë ju siguroj se Ati ynë Qiellor është i vëmendshëm ndaj nesh. Ai do të na udhëzojë dhe bekojë ndërsa e vendosim besimin dhe mirëbesimin tonë tek Ai dhe do të na ndihmojë përmes çfarëdo vështirësie që përjetojmë.

Bekimet e qiellit qofshin me secilin prej nesh. Shtëpitë tona u mbushëshin me dashuri e mirësjellje dhe me Shpirtin e Zotit. I ushqefshim vazhdimisht dëshmitë tona të ungjillit, që ato do të jenë një mbrojtje për ne kundrejt goditjeve të kundërshtarit. Shpirti që kemi ndier gjatë këtyre dy ditëve të shkuara, qoftë e qëndroftë me ne ndërsa merremi me gjërat që na angazhojnë çdo ditë dhe u gjendshim gjithmonë duke bërë punën e Zotit.

Unë jap dëshmi se kjo punë është e vërtetë, se Shpëtimtari ynë jeton dhe se Ai e udhëzon dhe e drejton Kishën e Tij këtu mbi tokë. Unë ju lë dëshmimin dhe dëshminë time se Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm, jeton dhe na do. Ai është me të vërtetë Ati ynë dhe Ai është i çdonjërit dhe i vërtetë. E kuptofshim se sa afër nesh është i gatshëm të vijë Ai, sa larg është i gatshëm të shkojë Ai për të na ndihmuar, dhe se sa shumë na do Ai.

Vëllezërit e motrat e mia, Perëndia ju bekoftë. Paqja e Tij e premtuar qoftë me ju tani dhe gjithmonë.

Ju them lamtumirë derisa prapë të takohemi pas gjashtë muajsh dhe e bëj këtë në emrin e Jezu Krishtit, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, amen.