2010–2019
Mirësevini në Konferencë
Prill 2014


Mirësevini në Konferencë

Presidenti Tomas S. Monson

Jemi … të bashkuar në besimin tonë dhe në dëshirën tonë për të dëgjuar dhe mësuar nga mesazhet që do të na paraqiten.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sa i kënaqur jam që t’ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë mbarëbotërore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Jemi mbledhur së bashku si një familje e madhe, me më shumë se 15 milionë anëtarë, të bashkuar në besimin tonë dhe në dëshirën tonë për të dëgjuar dhe mësuar nga mesazhet që do të na paraqiten.

Gjashtë muajt e shkuar kanë kaluar shpejt ndërsa puna e Kishës ka shkuar përpara e papenguar. Ishte privilegji im, vetëm pak më shumë se një muaj më parë, që të përkushtoja Tempullin e Gilbertit në Arizonë, një strukturë e mrekullueshme. Mbrëmjen përpara përkushtimit, u zhvillua një aktivitet kulturor në parkun Diskaveri aty pranë. Dymbëdhjetë mijë të rinj paraqitën një program 90-minutësh. Vallëzimet, këngët dhe paraqitjet muzikore ishin të jashtëzakonshme.

Kjo zonë kishte përjetuar një stinë veçanërisht të thatë dhe besoj se shumë lutje ishin dërguar drejt qiellit gjatë disa javëve paraprirëse për shiun aq të nevojshëm. Për fat të keq, ai erdhi pikërisht përpara shfaqjes dhe qëndroi gjatë gjithë paraqitjes! Pavarësisht nga fakti që të rinjtë u bënë qull nga shiu dhe patën të ftohtë nga temperatura e ulët, ne të gjithë e ndiem Shpirtin e Zotit. Tema e programit, “Jeto i Vërtetë ndaj Besimit” – mendoni për atë: “Jeto i Vërtetë ndaj Besimit” – u portretizua mrekullisht nga të rinj dhe të reja të buzëqeshur dhe entuziastë. Pavarësisht nga gjithë shiu i ftohtë, kjo qe një përvojë plot besim dhe frymëzuese që këta të rinj do ta çmojnë gjithmonë si thesar dhe do t’ua tregojnë fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tyre në vitet që do të vijnë.

Ditën pasuese, u zhvillua përkushtimi i Tempullit të Gilbertit në Arizonë. Ai u bë tempulli i 142-të funksionues në Kishë. Ndryshe nga mbrëmja e mëparshme, dita ishte e bukur dhe e mbushur me diell. Sesionet qenë vërtet frymëzuese. Në pjesëmarrje me mua ishin Presidenti Henri B. Ajring, Plaku e Motra Ted R. Kelister, Plaku e Motra Uilliam R. Uolker dhe Plaku e Motra Kent F. Riçards.

Në maj do të përkushtohet Tempulli i Fort Lloderdejlit në Florida. Tempuj të tjerë janë programuar për t’u përfunduar dhe përkushtuar më vonë në këtë vit. Në vitin 2015 presim të përfundojmë dhe përkushtojmë tempuj të rinj në shumë pjesë të botës. Ky proces do të vazhdojë. Kur të gjithë tempujt e njoftuar më parë të përfundohen, ne do të kemi 170 tempuj në funksionim në mbarë botën.

Edhe pse tani po i përqendrojmë përpjekjet tona në përfundimin e tempujve të njoftuar më parë dhe nuk do të njoftojmë ndonjë tempull të ri në të ardhmen e afërt, ne do ta vazhdojmë procesin e përcaktimit të nevojave dhe të gjetjes së vendeve për tempuj që ende do të vijnë. Njoftime do të bëhen atëherë në konferenca të përgjithshme të ardhshme. Ne jemi një popull tempullndërtues dhe tempullfrekuentues.

Tani, vëllezër dhe motra, ne mezi po presim të dëgjojmë mesazhet që do të na paraqiten sot dhe nesër. Ata që do të na flasin, kanë kërkuar ndihmë dhe drejtim nga qielli, kur kanë përgatitur mesazhet e tyre.

Të gjithë ne, këtu dhe kudoqoftë – u mbushëshim me Shpirtin e Zotit dhe u lartësofshim e u frymëzofshim ndërsa dëgjojmë e mësojmë. Në emrin e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, amen.