2010–2019
Dashuria – Thelbi i Ungjillit
Prill 2014


Dashuria – Thelbi i Ungjillit

Presidenti Tomas S. Monson

Ne nuk mund ta duam me të vërtetë Perëndinë, në qoftë se nuk i duam bashkudhëtarët tanë në këtë udhëtim në vdekshmëri.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kur Shpëtimtari ynë shërbeu mes njerëzve, Atë e pyeti një mësues kureshtar i ligjit: “Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?”

Mateu shënon se Jezusi u përgjigj:

“‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe më gjithë mendjen tënde’.

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.”1

Marku e mbyll rrëfimin me thënien e Shpëtimtarit: “Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta”2.

Ne nuk mund ta duam me të vërtetë Perëndinë, në qoftë se nuk i duam bashkudhëtarët tanë në këtë udhëtim në vdekshmëri. Po njësoj, ne nuk mund t’i duam plotësisht bashkëqeniet tona në qoftë se nuk e duam Perëndinë, Atin e ne të gjithëve. Apostulli Gjon na thotë: “Ky është urdhërimi që kemi marrë nga ai: ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet”3. Ne jemi të gjithë fëmijë shpirtërorë të Atit tonë Qiellor dhe, si të tillë, jemi vëllezër e motra. Kur e mbajmë këtë të vërtetë në mendje, dashuria ndaj gjithë fëmijëve të Perëndisë do të bëhet më e lehtë.

Në të vërtetë, dashuria është pikërisht thelbi i ungjillit dhe Jezu Krishti është Shembulli ynë. Jeta e Tij është një trashëgimi dashurie. Të sëmurin Ai e shëroi; të shtypurin Ai e ngriti; mëkatarin Ai e shpëtoi. Më së fundi turma e zemëruar ia mori jetën Atij. Dhe prapëseprapë kumbojnë nga kodra e Golgotës fjalët: “Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”4 – një shprehje kurorëzuese në vdekshmëri e dashamirësisë dhe e dashurisë.

Ka shumë tipare që janë shfaqje të dashurisë, të tilla si mirësia, durimi, vetëmohimi, kuptueshmëria dhe falja. Në të gjitha shoqërimet tona, këto tipare dhe të tjera si ato do të ndihmojnë për ta vënë në dukje dashurinë e zemrës sonë.

Zakonisht dashuria jonë do të tregohet në ndërveprimet tona të përditshme njëri me tjetrin. Tërësisht e rëndësishme do të jetë aftësia jonë për ta dalluar nevojën e dikujt dhe më pas për të vepruar. Gjithmonë më ka pëlqyer ndjenja e shprehur në vjershën e shkurtër:

Me lot natën kam qarë

Ngaqë sytë s’më kanë parë

Që dikush nevojë për mua pati;

Por aspak keqardhje

Nuk kam ndier ende

Që atij i dhashë pak mirësi.5

Kohët e fundit mësova për një shembull prekës të dashurisë së përzemërt – një shembull që pati përfundime të paparashikuara. Ishte viti 1933 kur, për shkak të Depresionit të Madh, mundësitë për punësim ishin të pakta. Vendndodhja ishte në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara. Arlin Bisekër sapo kishte mbaruar shkollën e mesme. Pas një kërkimi të gjatë për punësim, ajo, më së fundi, pati mundësinë të gjente punë në një punishte veshjesh si rrobaqepëse. Punëtoret e punishtes paguheshin çdo ditë vetëm për secilën copë të përfunduar saktësisht që ato qepnin së bashku. Sa më shumë copa që prodhonin, aq më shumë paguheshin.

Një ditë, pak kohë pasi kishte filluar në punishte, Arlina u ndesh me një mënyrë qepjeje që e hutoi dhe e zemëroi. Ajo u ul te makina qepëse duke u përpjekur që ta shqepte orvatjen e saj të pasuksesshme për ta përfunduar copën me të cilën po punonte. Dukej se nuk gjendej askush që ta ndihmonte, pasi të gjitha rrobaqepëset e tjera po nxitonin për të mbaruar sa më shumë copa që mundeshin. Arlina u ndje e pafuqishme dhe e pashpresë. Në heshtje, ajo filloi të qante.

Nga ana përballë Arlinës ulej Bernis Rok. Ajo ishte më e madhe në moshë dhe më me përvojë si rrobaqepëse. Duke e parë ankthin e Arlinës, Bernisa e la punën e saj dhe shkoi pranë Arlinës, gjithë mirësi duke i dhënë udhëzim dhe ndihmë. Ajo qëndroi derisa Arlina fitoi vetëbesim dhe ishte në gjendje ta mbaronte copën me sukses. Bernisa atëherë u kthye te makina e saj, por e kishte humbur mundësinë për të mbaruar aq shumë copa që do të kishte mundur, sikur të mos kishte dhënë ndihmë.

Me këtë veprim të vetëm të dashurisë së përzemërt, Bernisa dhe Arlina u bënë shoqe përjetë. Secila, më së fundi, u martua dhe pati fëmijë. Diku rreth viteve 1950, Bernisa, e cila ishte anëtare e Kishës, i dha Arlinës dhe familjes së saj një kopje të Librit të Mormonit. Në vitin 1960, Arlina e bashkëshorti dhe fëmijët e saj u pagëzuan anëtarë të Kishës. Më vonë ata u vulosën në një tempull të shenjtë të Perëndisë.

Si rrjedhim i dashamirësisë së treguar nga Bernisa, që bëri ç’mundi për të ndihmuar dikë që nuk e njihte, por e cila ishte në ankth dhe kishte nevojë për ndihmë, individë të panumërt, si të gjallë dhe të vdekur, tani gëzojnë ordinancat shpëtuese të ungjillit.

Çdo ditë të jetës sonë na jepen mundësi për të treguar dashuri dhe dashamirësi ndaj njerëzve përreth nesh. Tha Presidenti Spenser W. Kimball: “Ne duhet të kujtojmë se ata njerëz që i takojmë në parkime, zyra, ashensorë dhe gjetkë, janë ajo pjesë e njerëzimit që Perëndia na e ka dhënë që ta duam dhe t’i shërbejmë. Do të na vlente pak të flisnim për vëllazërinë e përgjithshme të njerëzimit, në qoftë se nuk mund t’i shohim ata që janë kudo përreth nesh si vëllezërit dhe motrat tona.”6

Shpesh mundësitë tona për ta treguar dashurinë tonë vijnë papritur. Një shembull i një mundësie të tillë u shfaq në një artikull gazete në tetor të vitit 1981. Kaq mbresëlënëse ishte për mua dashuria dhe dashamirësia që shprehej në të, sa e kam mbajtur artikullin në dosjet e mia për më shumë se 30 vjet.

Artikulli tregon se një fluturim pa ndalesë i Linjës Ajrore të Alaskës nga Enkërixh në Alaska drejt Siatëllit në Uashington – një fluturim me 150 pasagjerë – u kthye drejt një qyteze të izoluar në Alaskë me qëllim që të transportonte një fëmijë të dëmtuar rëndë. Një djalë dyvjeçar kishte prerë një arterie në krahun e tij kur ra mbi një copë xhami, ndërsa po luante pranë shtëpisë së tij. Qyteza ishte 725 km në jug të Enkërixhit dhe sigurisht nuk ishte në rrugën e avionit. Megjithatë, mjekët e ndihmës së shpejtë që ishin atje, kishin dërguar një kërkesë tepër të shqetësuar për ndihmë dhe prandaj avioni e ndryshoi drejtimin që të merrte fëmijën dhe ta çonte atë në Siatëll, që ai të mund të kurohej në spital.

Kur avioni zbriti pranë qytezës së izoluar, mjekët e njoftuan pilotin se djali po humbiste aq shumë gjak sa mund të mos jetonte derisa të mbërrinin në Siatëll. U mor vendimi që të fluturonin edhe 320 km të tjera, që nuk ishin në rrugën e tyre, drejt Xhunos në Alaska, qytetit më të afërt me një spital.

Pasi e çuan djalin në Xhuno, avioni u nis drejt Siatëllit, tashmë shumë orë pas orarit të caktuar. Asnjë nga pasagjerët nuk u ankua, edhe pse shumica e tyre do t’i humbisnin takimet dhe fluturimet me avionë të tjerë. Në fakt, ndërsa minutat dhe orët kalonin, ata mblodhën para, duke grumbulluar një shumë të konsiderueshme për djalin dhe familjen e tij.

Teksa avioni po zbriste në Siatëll, pasagjerët shpërthyen në britma gëzimi kur piloti shpalli se kishte marrë lajm me radio që djali do të bëhej mirë.7

Në mendje më vijnë fjalët e shkrimit të shenjtë: “Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit … dhe kushdo që gjendet i zotëruar prej saj në ditën e fundit, do të jetë mirë me të”8.

Vëllezër e motra, disa nga mundësitë tona më të mëdha për ta shprehur dashurinë tonë do të jenë brenda mureve të vetë shtëpive tona. Dashuria duhet të jetë pjesa më e rëndësishme e jetës familjare dhe, prapëseprapë, ndonjëherë ajo nuk është. Mund të ketë tepër padurim, tepër grindje, tepër zënka, tepër lot. Pyeti me keqardhje Presidenti Gordon B. Hinkli: “Pse ndodh që [ata] që i duam [më shumë], bëhen kaq shpesh objektet e fjalëve tona të ashpra? Pse ndodh që [ne] nganjëherë flasim sikur të kishim thika që shpojnë deri në palcë?”9 Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të ndryshojnë për secilin prej nesh dhe, prapëseprapë, e vërteta është që arsyet nuk kanë rëndësi. Nëse do ta zbatonim urdhërimin për të dashur njëri-tjetrin, ne duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin me mirësi dhe respekt.

Sigurisht do të ketë raste kur disiplina nevojitet të jetë në masën e duhur. Le të kujtojmë, megjithatë, këshillën që gjendet në Doktrina e Besëlidhje – domethënë që, kur është e domosdoshme për ne që ta qortojmë dikë, më pas të tregojmë një rritje të dashurisë.10

Do të shpresoja që ne do të përpiqeshim gjithmonë që të jemi të vëmendshëm dhe të ndjeshëm ndaj mendimeve, ndjenjave dhe rrethanave të njerëzve përreth nesh. Le të mos poshtërojmë ose nënvlerësojmë. Përkundrazi, le të jemi dashamirës dhe inkurajues. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e shkatërrojmë vetëbesimin e dikujt tjetër me anë të fjalëve ose veprimeve të pakujdesshme.

Falja duhet të shkojë krah për krah me dashurinë. Në familjet tona, si edhe me miqtë tanë, mund të ketë ndjenja të lënduara dhe mosmarrëveshje. Përsëri, në të vërtetë nuk ka rëndësi sesa e vogël ishte çështja. Nuk mund dhe nuk duhet të lihet që të gërryejë, acarojë dhe më së fundi të shkatërrojë. Fajësimi i mban plagët të hapura. Vetëm falja shëron.

Një zonjë e dashur, e cila tashmë ka vdekur, më vizitoi një ditë dhe papritmas më tregoi për disa gjëra për të cilat ndiente keqardhje. Ajo foli për një ngjarje që kishte ndodhur shumë vite më parë dhe kishte lidhje me një fermer fqinj, dikur një mik i mirë, por me të cilin ajo dhe burri i saj kishin pasur mosmarrëveshje në shumë raste. Një ditë fermeri kishte pyetur nëse mund të kalonte përmes pronës së tyre që t’i binte shkurt për tek toka e tij. Në atë çast ajo ndaloi në tregimin e saj dhe, me një dridhje të zërit, tha: “Vëllai Monson, nuk e lashë të kalonte përmes tokës sonë atëherë ose kurrë ndonjëherë, por atij iu desh të bënte rrugën e gjatë, duke i rënë përreth më këmbë, që të arrinte tek toka e tij. E kisha gabim dhe më vjen keq. Ai ka vdekur tashmë, por o, sikur të mund t’i thoja atij: ‘Më vjen shumë keq’. Sa do të doja të kisha një mundësi të dytë që të sillesha mirë.”

Ndërsa e dëgjoja, më erdhi në mendje vërejtja e brengosur e Xhon Grinlif Uitërit: “Prej gjithë fjalëve të trishtuara, të dala nga gjuhë e penë, më të trishtuarat janë këto: ‘Sikur të kishte qenë!’”11 Vëllezër e motra, kur i trajtojmë të tjerët me dashuri dhe vëmendje dashamirëse, ne vërtet do t’iu shmangemi keqardhjeve të tilla.

Dashuria shprehet në shumë mënyra të dallueshme: një buzëqeshje, një përshëndetje me dorë, një fjalë e mirë, një kompliment. Shprehje të tjera mund të jenë më të menduara, të tilla si të treguarit e interesit për veprimtaritë e dikujt, mësimdhënia e një parimi me mirësi dhe durim, të vizituarit e dikujt që është i sëmurë ose që nuk del nga shtëpia. Këto fjalë e veprime si dhe shumë të tjera mund të përçojnë dashuri.

Dejll Karnigi, një autor dhe lektor i mirënjohur amerikan, besonte se çdo njeri ka brenda vetes së tij ose të saj “fuqinë për ta shtuar sasinë e përgjithshme të lumturisë së botës … duke i thënë disa fjalë vlerësimi të sinqertë dikujt që është i vetmuar ose pa kurajë”. Tha ai: “Ndoshta ju do t’i harroni nesër fjalët e mira që thoni sot, por dëgjuesi mund të gëzohet prej tyre për tërë jetën”12.

Ju mund të filloni tani, pikërisht sot, të shprehni dashuri për gjithë fëmijët e Perëndisë, qofshin ata pjesëtarët e familjeve tona, miqtë tanë, thjesht të njohur apo krejtësisht të panjohur. Kur ngrihemi çdo mëngjes, ne duhet të marrim vendim që t’i përgjigjemi me dashuri dhe mirësi çfarëdo gjëje që mund të na ndodhë.

Përtej aftësisë për ta kuptuar, vëllezër dhe motra të mia, është dashuria e Perëndisë për ne. Për shkak të kësaj dashurie, Ai dërgoi Birin e Tij, i cili na deshi aq sa të jepte jetën e Tij për ne, që ne të mund të kemi jetë të përjetshme. Kur arrijmë ta kuptojmë këtë dhuratë të pakrahasueshme, zemrat tona do të mbushen me dashuri për Atin tonë të Amshuar, për Shpëtimtarin tonë dhe për mbarë njerëzimin. Qoftë kështu është lutja ime më e zellshme, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mateu 22:36–39.

  2. Marku 12:31.

  3. 1 Gjoni 4:21.

  4. Lluka 23:34.

  5. Autor i panjohur, në Richard L. Evans, “The Quality of Kindness”, Improvement Era, maj 1960, f. 340.

  6. The Teachings of Spencer W. Kimball, bot. Edward L. Kimball (1982), f. 483.

  7. Shih “Injured Boy Flown to Safety”, Daily Sitka Sentinel (Alaska), 22 tetor 1981.

  8. Moroni 7:47.

  9. Gordon B. Hinckley, “Let Love Be the Lodestar of Your Life”, Ensign, maj 1989, f. 67.

  10. Shih Doktrina e Besëlidhje 121:43.

  11. “Maud Muller”, në The Complete Poetical Works of Whittier (1878), f. 206, theksimi i shtuar.

  12. Dale Carnegie, në, për shembull, Larry Chang, Wisdom for the Soul (2006), f. 54.