2010–2019
Çfarë Po Mendon Ti?
Prill 2014


Çfarë Po Mendon Ti?

Plaku W. Krejg Zuik

Unë ju përgjërohem që të ushtroheni të bëni këtë pyetje, me konsideratë të dhimbsur për përvojën e dikujt tjetër: “Çfarë po mendon ti?”

Dyzet e një vite më parë hipa në ndenjësen e shoferit të një kamioni transporti me bashkëshorten time të bukur, Xhenin, dhe djalin tonë të mitur, Skotin. Ne po mbartnim një ngarkesë të rëndë me materiale ndërtimi përmes disa shteteve.

Asokohe nuk kishte detyrime për mbajtjen e rripit të sigurimit apo ndenjëse makine për foshnjat. Gruaja ime e mbante djalin tonë të çmuar në krahët e saj. Komenti i saj: “Vërtet që po fluturojmë”, duhet të më kishte përçuar një të dhënë rreth ndjenjave të saj të merakut.

Teksa ia zbritëm të tatëpjetës përtej qafës historike të Donerit, një pjesë e rrëpirët e autostradës, kabina e kamionit papritur e papandehur u mbush me tymnajë të dendur. Ishte e vështirë të shihje dhe ne mezi po merrnim frymë.

Në një kamion të rëndë, vetëm frenat nuk janë të mjaftueshme për ta ulur shpejtësinë aty për aty. Duke përdorur frenat e motorit dhe duke ulur marshet, me furi unë u orvata të ndaloja.

Pikërisht sa po dilja në anë të rrugës, por përpara se të kishim ndalur plotësisht, gruaja ime hapi derën e kabinës dhe kërceu jashtë me foshnjën tonë në krahët e saj. Pashë i pashpresë teksa u përplasën në pluhur.

Sapo e bëra kamionin të ndalte, u turra jashtë kabinës gjithë tym. Me adrenalinën në vena, vrapova përmes shkëmbinjve e barërave të egra dhe i mbajta ata në krahët e mi. Parakrahët dhe bërrylat e Xhenit ishin dërrmuar dhe po rridhnin gjak, por fatmirësisht ajo dhe djali ynë, të dy, ishin gjallë. Thjesht i mbajta pranë teksa pluhuri u ul atje në anë të autostradës.

Ndërsa rrahjet e zemrës m’u qetësuan dhe arrita të marr frymë, nxora pa menduar fjalët: “Po çfarë të shkretën po mendoje kështu? A e di se sa e rrezikshme ishte ajo? Mund të kishe vdekur!”

Ajo, me lotët që i rridhnin në faqet e nxira nga tymi, e ktheu shikimin nga unë dhe tha diçka që më theri në zemër dhe ende më kumbon në veshë: “Thjesht po përpiqesha të shpëtoja djalin tonë”.

E kuptova në atë çast se ajo mendoi që motori kishte marrë flakë, duke u frikësuar se kamioni do të shpërthente dhe ne do të vdisnim. Unë, gjithsesi, e dija se ishte një avari elektrike – e rrezikshme, por jo vdekjeprurëse. E pashë gruan time të çmuar, duke ledhatuar butësisht kokën e djalit tonë të mitur, dhe pyeta veten se çfarë lloj gruaje do të bënte diçka kaq të guximshme.

Kjo situatë mund të kishte qenë po aq e rrezikshme emocionalisht sa edhe avaria e vërtetë e motorit tonë. Me mirënjohje, pasi duruam qëndrimet tona të heshtura për njëfarë kohe të arsyeshme, secili nga ne duke besuar se personi tjetër ishte fajtor, shprehëm më në fund emocionet që gëlonin nën shpërthimet tona të nxehura. Ndjenjat e shprehura të dashurisë dhe frikës për sigurinë e tjetrit nuk e lejuan incidentin e rrezikshëm të përfundonte vdekjeprurës për martesën tonë të dashur.

Pali paralajmëroi: “Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por [vetëm] ajo që është e mirë [dhe] ndërt[uese], … që t’u japë hir atyre që dëgjojnë” (Efesianëve 4:29). Fjalët e tij përçojnë një masë dëlirësie.

Çfarë do të thotë për ju fraza “asnjë fjalë e keqe”? Ne vazhdimisht përjetojmë ndjenja mjaft të ngarkuara me zemërim – vetë ndjenjat tona dhe të të tjerëve. Ne kemi parë zemërim të pakontrolluar të vërshojë në vende publike. E kemi përjetuar atë si një lloj “shkarkese elektrike” emocionale në ngjarjet sportive, në arenën politike dhe madje në vetë shtëpitë tona.

Fëmijët ndonjëherë u flasin prindërve të dashur me gjuhë po aq të mprehta sa tehu i shpatës. Bashkëshortët e bashkëshortet, që kanë ndarë disa prej përvojave më të pasura dhe më të dhembshura të jetës, e humbasin largpamësinë dhe durimin me njëri-tjetrin dhe i ngrenë zërat e tyre. Të gjithë ne, edhe pse fëmijë të besëlidhjes së një Ati të dashur Qiellor, kemi ndier keqardhje që, duke i dhënë të drejtë vetes, jemi sulur me vrik për t’i gjykuar të tjerët dhe kemi folur me fjalë gërryese përpara se ta kuptonim situatën nga këndvështrimi i dikujt tjetër. Ne të gjithë kemi pasur mundësi të mësojmë se si fjalët shkatërrimtare mund ta kthejnë një situatë nga të rrezikshme në vdekjeprurëse.

Një letër e kohëve të fundit nga Presidenca e Parë deklaron qartazi: “Ungjilli i Jezu Krishtit na mëson t’i duam dhe t’i trajtojmë të gjithë njerëzit me mirësi dhe qytetari – edhe kur nuk jemi dakord” (First Presidency letter [Letër e Presidencës së Parë], 10 janar 2014). Çfarë kujtuesi mjeshtëror, që ne mundemi dhe ne duhet të marrim pjesë në vazhdimin e dialogut qytetar, veçanërisht kur e shohim botën nga këndvështrime të ndryshme.

Shkruesi i Fjalëve të Urta këshillon: “Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin” (Fjalët e Urta 15:1). Një “përgjigj[e] e ëmbël” përbëhet nga një reagim i arsyeshëm – fjalë të shtruara nga një zemër e përulur. Kjo nuk do të thotë që ne kurrë nuk shprehemi drejtpërdrejt apo që ne bëjmë lëshim për të vërtetat doktrinore. Fjalët që mund të jenë të prera në informacion, mund të jenë të buta në shpirt.

Libri i Mormonit përmban një shembull të goditur të të folurit pohues të dhënë gjithashtu në rrethanat e një mosmarrëveshjeje martesore. Bijtë e Sarias dhe Lehit ishin dërguar sërish në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi dhe nuk ishin kthyer. Saria besonte se bijtë e saj ishin në rrezik dhe ajo u mbush me zemërim dhe i duhej dikush për ta fajësuar.

Dëgjojeni historinë nga këndvështrimi i birit të saj, Nefit: “Pasi [nëna ime] kishte kujtuar se kishim mbaruar në vendin e shkretë; dhe gjithashtu ishte ankuar kundër atit tim, duke i thënë se ai ishte një njeri vegimtar, duke thënë: Vër re, ti na nxore nga toka e trashëgimit tonë dhe bijtë e mi nuk janë më dhe ne mbarojmë në vendin e shkretë” (1 Nefi 5:2).

Tani, le të marrim parasysh se çfarë mund të ishte duke menduar Saria. Ajo ishte e mbushur me ankth për kthimin e bijve të saj grindavecë në vendin ku të shoqit i ishte kërcënuar jeta. Ajo i kishte këmbyer shtëpinë dhe miqtë e saj të dashur për një çadër në një vend të shkretë, të izoluar, ndërsa ishte ende në moshën që mund të lindte fëmijë. E çuar në pikën që nuk mbante më nga frika e saj, Saria duket se është hedhur në mënyrë heroike, edhe pse të paarsyeshme, nga lartësia e një kamioni jashtë kontrollit në përpjekje për të mbrojtur familjen e saj. Ajo i shprehu të shoqit shqetësime të logjikshme në një gjuhë zemërimi dhe dyshimi e fajësimi – gjuhë në të cilën e gjithë raca njerëzore duket të jetë çuditërisht mjaft e aftë.

Profeti Lehi e dëgjoi frikën që përforconte zemërimin e së shoqes. Pastaj ai dha një përgjigje të shtruar në gjuhën e dhembshurisë. Së pari, ai e pranoi të vërtetën lidhur me mënyrën se si dukeshin gjërat nga këndvështrimi i saj: “Dhe … ati im i foli asaj, duke thënë: Unë e di se jam një njeri vegimtar, … por [po] të kisha qëndruar në Jeruzalem [ne] do të kish[im] mbaruar me vëllezërit e mi” (1 Nefi 5:4).

Më pas bashkëshorti i saj iu drejtua frikës së saj lidhur me mirëqenien e bijve të tyre, teksa Fryma e Shenjtë i dëshmoi pa dyshim atij, duke thënë:

“Por vër re, unë mora një tokë të premtimit, në gjërat e së cilës unë gëzohem; po, dhe e di se Zoti do t’i shpëtojë djemtë e mi nga duart e Labanit. …

Dhe me këtë gjuhë, ati im, Lehi, e ngushëlloi nënën time … në lidhje me ne” (1 Nefi 5:5–6).

Sot ekziston një nevojë e madhe që burrat dhe gratë të kultivojnë respekt për njëri-tjetrin përtej diferencave të mëdha të besimit e të sjelljes dhe përtej hendeqeve të thella të qëllimeve kontradiktore. Është e pamundur të dish gjithçka që hyn në mendjet e zemrat tona, apo edhe të kuptosh rrethanat e sprovave dhe të zgjedhjeve që has secili nga ne.

Sidoqoftë, çfarë do të ndodhte me “fjalë[n] e keqe” për të cilën foli Pali, nëse vetë pozicioni ynë do të përfshinte së pari ndjeshmëri për përvojën e tjetrit? Duke i pranuar plotësisht kufijtë e vetë papërsosurive dhe dobësive të mia, unë ju përgjërohem që të ushtroheni të bëni këtë pyetje, me konsideratë të dhimbsur për përvojën e tjetrit: “Çfarë po mendon ti?”

Ju kujtohet kur Zoti i befasoi Samuelin dhe Saulin duke zgjedhur një djalë të vogël bari, Davidin e Bethlehemit, si mbretin e Izraelit? Zoti i tha profetit të Tij: “Sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën” (1 Samuelit 16:7).

Kur kabina e kamionit tonë u mbush me tym, gruaja ime veproi në mënyrën më të guximshme që mund të mendonte, për ta mbrojtur djalin tonë. Edhe unë veprova si mbrojtës, kur e vura në dyshim zgjedhjen e saj. Si për çudi, nuk kishte rëndësi se cili kishte më shumë të drejtë. Ajo që kishte rëndësi, ishte që ta dëgjonim njëri-tjetrin dhe të kuptonim pikëpamjen e tjetrit.

Gatishmëria për të parë me sytë e njëri-tjetrit do ta shndërrojë “fjalë[n] e keqe” në “[dhënie] hir[i]”. Apostulli Pal e kuptoi këtë dhe secili nga ne mund ta përjetojë gjithashtu atë në njëfarë mase. Kjo mund të mos e ndryshojë apo zgjidhë problemin, por mundësia më e rëndësishme mund të jetë nëse dhënia e hirit mund të na ndryshojë ne.

Unë jap dëshmi të përulur se ne mund të “jap[im] hir” nëpërmjet gjuhës së dhembshur, kur dhurata e kultivuar e Frymës së Shenjtë i përshkon zemrat tona me ndjeshmëri për ndjenjat dhe rrethanat e të tjerëve. Ajo na mundëson t’i shndërrojmë situatat e rrezikshme në vende të shenjta. Unë dëshmoj për Shpëtimtarin e dashur, i cili “shikon zemrën [tonë]” dhe merakoset për atë çfarë po mendojmë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.