2010–2019
Krishti, Shëlbuesi
Prill 2014


Krishti, Shëlbuesi

Plaku Karlos H. Amado

Sakrifica e [Shëlbuesit] i bekoi të gjithë, që nga Adami, njeriu i parë, deri te njeriu i fundit i të gjitha qenieve njerëzore.

Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, lindi dhe vdiq në rrethana të pashoqe. Ai jetoi dhe u rrit në kushte të përulura, pa të mira materiale. Ai tha për Veten: “Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën” (Lluka 9:58).

Ai kurrë nuk mori nderime, përkrahje, miratim, as trajtim të privilegjuar nga udhëheqësit politikë të tokës apo nga udhëheqësit fetarë të kohës së Tij. As nuk u ul në vendet e para të sinagogave.

Predikimi i Tij ishte i thjeshtë dhe, megjithëse shumë njerëz e ndiqnin Atë, shërbesa e Tij gjithmonë u përqendrua te bekimi i njerëzve një e nga një. Ai kreu mrekulli të panumërta mes atyre që e pranuan Atë si të Dërguarin e Perëndisë.

Ai u dha Apostujve të Tij autoritet dhe fuqi të bënin mrekulli “[dhe] … vepra … edhe më të mëdha” nga ato që kreu Vetë (Gjoni 14:12), por Ai kurrë nuk u dha atyre privilegjin për të falur mëkatet. Armiqtë e Tij u zemëruan kur e dëgjuan të thoshte: “Shko dhe mos mëkato më” (Gjoni 8:11) ose “Mëkatet e tua të janë falur” (Lluka 7:48). Ajo e drejtë i përkiste vetëm Atij, ngaqë Ai është Biri i Perëndisë dhe ngaqë Ai do të paguante për ato mëkate me Shlyerjen e Tij.

Fuqia e Tij mbi Vdekjen

Fuqia e Tij mbi vdekjen ishte një tjetër cilësi hyjnore. Jairi i madh, kryetar i sinagogës, iu përgjërua “të shkonte në shtëpinë e tij, sepse ai kishte një vajzë të vetme …, që ishte për vdekje” (Lluka 8:41–42). Mësuesi e dëgjoi lutjen e tij dhe, ndërsa po ecnin, një shërbëtor erdhi te Jairi dhe i tha: “Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin” (Lluka 8:49). Pasi hyri në shtëpi, Jezusi u kërkoi të gjithëve që të dilnin jashtë dhe menjëherë, duke e kapur atë nga dora, i tha: “Çohu!” (Lluka 8:54).

Në një rast tjetër, ndërsa po udhëtonte për në qytetin e Nainit, Ai hasi një kortezh varrimi, një të ve duke vajtuar për vdekjen e birit të saj të vetëm. Plot mëshirë, Ai preku arkivolin dhe tha: “Djalosh, unë të them, çohu” (Lluka 7:14). Njerëzit, kur panë mrekullinë, bërtitën: “‘Midis nesh doli një profet i madh’ dhe: ‘Perëndia e vizitoi popullin e vet’ (Lluka 7:16). Kjo mrekulli qe edhe më mbresëlënëse për t’u përmendur, pasi tashmë e kishin shpallur zyrtarisht të vdekur djaloshin dhe ishin rrugës për ta varrosur. Me dy të rinj të kthyer përsëri në jetë, prova e autoritetit dhe e fuqisë së Tij mbi vdekjen i mahniti besimtarët dhe i mbushi me frikë përgojuesit.

Rasti i tretë ishte më mbresëlënësi. Llazari, Marta dhe Maria qenë vëllai dhe motrat, të cilët Krishti do t’i vizitonte shpesh. Kur njerëzit e njoftuan që Llazari ishte sëmurë, Ai qëndroi dy ditë përpara se të nisej për të shkuar te familja. Duke e ngushëlluar Martën për vdekjen e vëllait të saj, Ai i dëshmoi asaj në mënyrë të prerë: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë” (Gjoni 11:25).

Kur Shpëtimtari u kërkoi vajtuesve ta hiqnin gurin nga varri, Marta i pëshpëriti me druajtje: “Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh” (Gjoni 11:39).

Atëherë Jezusi me dashuri i kujtoi asaj: “A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?” (Gjoni 11:40). Dhe pasi e kishte thënë këtë, thirri me zë të lartë:

“Llazar, eja jashtë!

Atëherë i vdekuri doli” (Gjoni 11:43–44).

Pas katër ditëve të Llazarit në varr, armiqtë e Birit të Perëndisë u përballën me provë të pakundërshtueshme që nuk mund ta shpërfillnin, zvogëlonin apo shtrembëronin dhe ata, në mënyrë të pakuptimtë dhe të ligë, “që nga ajo ditë … vendosën ta vrasin” (Gjoni 11:53).

Urdhërimi i Ri

Më vonë, Krishti i gjallë kremtoi në Jerusalem, bashkë me Apostujt e Tij, Festën e Tij të fundit të Pashkës, vendosi ordinancën e sakramentit dhe u dha atyre urdhërimin që ta donin njëri-tjetrin me shërbesë të çiltër.

Agonia e Tij në Gjetseman

Pas kësaj, në shfaqjen më të madhërishme të dashurisë së Tij për njerëzimin dhe me ushtrimin e plotë të vullnetit të Tij, Ai eci me guxim dhe vendosmëri për t’u përballuar me sprovën e Tij më të rëndë. Në Kopshtin e Gjetsemanit, në vetmi të plotë, Ai vuajti agoninë më të fuqishme, duke i dalë gjak nga çdo por. Në nënshtrim të plotë ndaj Atit të Tij, Ai shleu për mëkatet tona dhe gjithashtu mori mbi Vete sëmundjet dhe hidhërimet tona, në mënyrë që të dinte se si të na vinte në ndihmë (shih Alma 7:11–13).

Ne jemi në borxh me Të dhe Atin tonë Qiellor pasi sakrifica e Tij i bekoi të gjithë, që nga Adami, njeriu i parë, deri te njeriu i fundit i të gjitha qenieve njerëzore.

Dënimi dhe Kryqëzimi i Shpëtimtarit

Kur agonia e Tij në Gjetseman përfundoi, Ai me vullnet të lirë iu dorëzua përndjekësve të Tij. I tradhtuar nga një prej [pasuesve] të Tij, Ai u dënua nxitimthi, në një mënyrë të padrejtë si dhe të paligjshme, në një gjyq si të manipuluar, ashtu edhe të mangët. Po atë natë, Ai u akuzua për krimin e blasfemisë dhe u dënua me vdekje. Në urrejtjen dhe etjen e tyre për hakmarrje – ngaqë Ai u dëshmoi se ishte Biri i Perëndisë – armiqtë e Tij komplotuan që Pilati ta dënonte Atë. Me atë qëllim, ata e ndryshuan akuzën e blasfemisë në kryengritje, në mënyrë që vdekja e Tij të bëhej me anë të kryqëzimit.

Dënimi i Tij mes romakëve ishte edhe më mizor: talljet dhe përqeshja e tyre ndaj mbretërisë së Tij shpirtërore, kurorëzimi poshtërues me një kurorë gjembash, fshikullimi i dhembshëm i Tij dhe agonia e zgjatur e Kryqëzimit të Tij publik, ishin të gjitha një paralajmërim i qartë për çdo njeri që mund të guxonte ta shpallte veten e tij ose të saj dishepull të Tij.

Në çdo çast të vuajtjes së Tij, Shëlbuesi i botës shfaqi vetëkontroll të jashtëzakonshëm. Ai përherë mendoi për t’i bekuar të tjerët; Ai, me mirësi e dhembshuri, iu lut Gjonit që të kujdesej për nënën e Tij, Marien. Ai i kërkoi Atit të Tij në Qiell që t’i falte ekzekutuesit të cilët e kryqëzuan. Me përmbushjen e punës së Tij në tokë, Ai ia dorëzoi shpirtin e Tij Perëndisë dhe dha frymën e fundit. Trupi fizik i Krishtit u çua në varr dhe mbeti atje tri ditë.

Puna e Shëlbuesit mes të Vdekurve

Ndërsa dishepujt e Tij po vuanin nga trishtimi, shkurajimi dhe pasiguria, Shpëtimtari ynë, në një fazë tjetër të planit të lavdishëm të Atit të Tij, e zgjeroi shërbesën e Tij në një mënyrë të re. Në periudhën e shkurtër prej tri ditësh, Ai punoi në mënyrë të palodhur për të organizuar punën e pamasë të shpëtimit mes të vdekurve. Ato ditë u kthyen në disa nga ditët më shpresëdhënëse për familjen e Perëndisë. Gjatë asaj vizite, Ai i organizoi pasuesit e Tij besnikë në mënyrë që ata t’u jepnin lajmet e gëzueshme të shëlbimit atyre që në jetë nuk arritën të dinin për planin e lavdishëm ose që nuk e kishin pranuar atë. Tani ata do të kishin mundësinë që të çliroheshin nga robëria e tyre dhe të shëlbeheshin nga Perëndia i të gjallëve dhe i të vdekurve (shih DeB 138:19, 30–31).

Frytet e Para të Ringjalljes

Me përmbushjen e punës së Tij në botën e shpirtrave, Ai u kthye në tokë – për ta bashkuar përgjithmonë shpirtin e Tij me trupin e Tij fizik. Megjithëse Ai e kishte shfaqur plot autoritet fuqinë e Tij mbi vdekjen, rrëfimet e shkrimeve të shenjta për ata që Ai i kishte kthyer në jetë përpara Ringjalljes së Tij, tregojnë që ata vetëm sa ishin kthyer në një jetë që ishte zgjatur në mënyrë të mrekullueshme; ata prapëseprapë do të vdisnin.

Krishti qe i pari që u ringjall që kurrë të mos vdiste më, për të zotëruar përgjithmonë një trup të përsosur, të përjetshëm. Në gjendjen e Tij të ringjallur, Ai iu shfaq Maries, e cila sapo e njohu, filloi ta adhuronte. Shëlbuesi ynë, me dhembshuri të madhe, e paralajmëroi atë lidhur me gjendjen e Tij të re dhe të lavdishme: “Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im” (Gjoni 20:17) – duke dhënë një dëshmi tjetër që shërbesa e Tij në botën e shpirtrave ishte e vërtetë dhe e plotë. Atëherë, duke përdorur një gjuhë që pohonte realitetin e Ringjalljes së Tij, Ai tha: “Unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj” (Gjoni 20:17). Pasi shkoi tek Ati i Tij, Ai u kthye sërish dhe iu shfaq Apostujve të Tij. “U tregoi atyre duart e veta dhe brinjën. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan” (Gjoni 20:20).

Shëlbuesi Do Të Kthehet

Unë dëshmoj se Krishti do të kthehet në një mënyrë shumë të ndryshme nga ardhja e Tij e parë. Ai do të vijë në pushtet dhe lavdi me të gjithë Shenjtorët e drejtë dhe besnikë. Ai do të vijë si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve, si Princi i Paqes, Mesia i premtuar, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi, për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit. E dua dhe i shërbej Atij me gjithë zemër, dhe lutem që të mund të shërbejmë me gëzim e përkushtim dhe që të mund t’i qëndrojmë besnikë Atij deri në fund. Në emrin e Tij, Jezu Krishtit, amen.