2020
Forcojeni Besimin Tuaj nëpërmjet Vegimit të Parë
Prill 2020


Forcojeni Besimin Tuaj nëpërmjet Vegimit të Parë

Lutem që ju do ta ndiqni modelin e Jozefit për lutjen, do të mësoni të vërtetat që ai mësoi dhe do ta forconi besimin tuaj tek Ati juaj Qiellor dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti.

Teenaged Elder Anderson shares his beliefs with friends Illustration of Elder Neil Anderson when he was 16 years old at a conference he traveled to the east coast to attend. He is in a informal group of people and he is explaining his beliefs to the group.

Kur isha 16 vjeç, udhëtova nga shtëpia ime në Ajdaho për në një konferencë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara, ku morën pjesë të rinj e të reja nga të gjithë 50 shtetet dhe gati 40 kombe. Përpara asaj kohe, rrallë isha ndodhur në një situatë ku besimi dhe bindjet e mia më veçonin nga të tjerët.

Një mbrëmje në një mjedis grupi joformal, lindi një diskutim rreth disa prej bindjeve dhe praktikave të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Një grup i madh studentësh papritur e kthyen vëmendjen e tyre drejt meje dhe filluan të bënin pyetje, disa prej të cilave ishin kritikuese ndaj bindjeve tona fetare.

Kjo më kapi disi në befasi. Por pasi mendova për një çast, fillova të tregoj disa nga parimet bazë të ungjillit. Shpjegova se ne kemi një Atë Qiellor, se ne jemi bijtë dhe bijat e Tij dhe se ne jemi në tokë për të zhvilluar besim te Jezu Krishti dhe për ta vënë veten tonë në provë duke zgjedhur të mirën kundrejt të ligës.

Tregimi për këto parime më çoi te dëshmia e Jozef Smithit. Studentët e tjerë nuk kishin pyetur për Jozef Smithin, por unë u gjenda duke shkuar drejt zanafillave përse e besoja atë që besoja. Teksa tregoja për shfaqjen e Atit dhe Birit në Korijen e Shenjtë, papritur të gjithë mbetën të heshtur. Një ndjenjë depërtuese shenjtërie hyri në dhomë dhe një ndjenjë e pamasë e fuqisë shpirtërore pushoi mbi mua dhe fjalët e mia.

Pas kësaj, disa studentë më falënderuan për bindjet e mia të forta. Disa edhe pyetën për më shumë informacion rreth Kishës. Kur u ktheva në dhomën time atë natë, e kuptova se unë isha personi mbi të cilin kjo përvojë pati ndikimin më të madh. E kisha ndier për veten time fuqinë e dhënies së dëshmisë për Perëndinë Atin, Jezu Krishtin dhe Vegimin e Parë.

Që nga ajo përvojë më shumë se 50 vjet më parë, unë kam dëshmuar qindra herë për Atin, Birin dhe Profetin Jozef Smith. Në këto përvoja, e kam ndier vazhdimisht dëshminë vërtetuese të Frymës së Shenjtë.

Do të doja të jepja pesë parime që i kam mësuar nga të kuptuarit tim shpirtëror për Vegimin e Parë. Këto parime e kanë forcuar besimin tim tek Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur dhe dëshirën time për t’i ndjekur Ata. Shpresoj që t’ju forcojnë edhe ju.

An illustration of the First Vision

1. Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë Janë Qenie të Ndara

Për shekuj, studiuesit dhe filozofët fetarë kanë debatuar për natyrën e Perëndisë Atit, Jezu Krishtit dhe Frymës së Shenjtë. Shumë besonin se Ata ishin një qenie. Në saje të përvojës së Jozefit në Korijen e Shenjtë 200 vjet më parë, ne e dimë të vërtetën absolute rreth natyrës së Perëndisë.

Para së gjithash, Ai jeton! Së dyti, Ati dhe Biri janë dy qenie të veçanta, të lavdishme, të ringjallura, të ndryshme nga njëri‑tjetri. Më vonë, Jozefi mësoi se “Fryma e Shenjtë nuk ka një trup prej mishi e kockash, por është një personazh i Shpirtit. Po të mos ishte kështu, Fryma e Shenjtë nuk mund të banonte në ne” (Doktrina e Besëlidhje 130:22).

2. Ne Jemi Bij dhe Bija të Perëndisë

Nëpërmjet Vegimit të Parë dhe përvojave të tjera, Profeti Jozef Smith mësoi se Perëndia nuk është njëfarë fuqie e largët që krijoi botën dhe banorët e saj dhe më pas nuk u kujtua më për ta. Në realitet, secili prej nesh është “një bijë [ose bir] e dashur e prindërve qiellorë”1.

Proklamata mbi familjen shpall: “Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj dhe femra, janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor.”2 Ati ynë e ka shpallur me qartësi atë destinacion: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).

Identiteti ynë vjen nga Perëndia dhe ne jemi këtu në tokë që të bëhemi më shumë si Ai. Kjo kuptueshmëri që e mora nga Vegimi i Parë, më lejoi mua si i ri, të dija se unë kisha një Atë Qiellor vetjak, i cili më donte dhe dëshironte që unë të kthehesha tek Ai.

3. Ne Mund të Falemi për Mëkatet Tona

Njëri nga shqetësimet e thella të Jozefit ishte që të falej për mëkatet e tij. Në një rrëfim të Vegimit të Parë, Zoti iu drejtua të riut që kërkonte të vërtetën, me këto fjalë: “Jozef, biri im, mëkatet e tua të janë falur. Shko në udhën tënde, sillu sipas statuteve të mia dhe zbatoji urdhërimet e mia. Vër re, unë jam Zoti i lavdisë. Unë u kryqëzova për botën, që të gjithë ata që besojnë në emrin tim, të mund të kenë jetë të përjetshme.”3

Jozefi mësoi se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ai mund të falej për mëkatet e tij dhe të bëhej i pastër e i kulluar përpara Perëndisë. Atij iu dha një dituri e sigurt se Jezu Krishti mori mbi veten e Tij mëkatet dhe barrët e të gjithë atyre që kanë jetuar ndonjëherë dhe do të jetojnë ndonjëherë në tokë.

Nga Vegimi i Parë ne mësojmë se në saje të hirit të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, edhe ne mund të falemi për mëkatet tona dhe një ditë të qëndrojmë të pastër përpara Atit.

4. Ati Ynë Qiellor i Dëgjon dhe u Përgjigjet Lutjeve Tona

Në korije atë ditë të vitit 1820, Jozefi mësoi se Ati Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve. Më vonë, Jozefi tha: “Kisha besim të plotë në marrjen e një manifestimi hyjnor, sikurse kisha marrë më përpara” (Joseph Smith – Historia 1:29). Shembulli i tij na mëson se ne mund t’i afrohemi Atit tonë Qiellor në lutje për të marrë vetë përgjigjet tona.

Jozefi e përsëriti këtë model lutjeje herë pas here. Pati besim se Zoti do t’i dëgjonte lutjet e tij dhe do t’i jepte përgjigje për to. Ai lut për gjëra që ju ka të ngjarë të jeni lutur.

U lut për urtësi (shih Joseph Smith – Historia 1:12–13).

U lut për pagëzimin (shih Joseph Smith – Historia 1:68).

U lut për çlirim (shih Doktrina e Besëlidhje 121:1–4).

U lut për misionarët (shih Doktrina e Besëlidhje 109:22).

U lut për Kishën, për anëtarët e saj dhe për udhëheqësit e saj (shih Doktrina e Besëlidhje 109:71–76).

Dhe u lut për familjen e tij (shih Doktrina e Besëlidhje 109:68–69).

Ky është një model për ne. Jozefi na tregoi se ne të gjithë mund të shkojmë tek Ati ynë në lutje.

5. Ati dhe Biri na Njohin Personalisht

Nga Vegimi i Parë, ne mësojmë se këto Qenie çelestiale na njohin personalisht, po ashtu siç e njihnin Jozefin. Ati e thirri Jozefin me emër dhe “duke treguar tjetrin”, tha: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:17).

Ati dhe Biri i dinin nevojat, shqetësimet dhe dëshirat e Jozefit, ashtu sikurse Ata i dinë tonat. Ata gjithashtu i dinë sukseset dhe hidhërimet tona.

Në rininë time, unë u luta për shumë gjëra. Tani teksa e hedh vështrimin pas, disa nga ato gjëra nuk duken aq të rëndësishme. Por ishin të rëndësishme për mua atëherë dhe unë e kuptova që në moshë të vogël se kisha një Atë në Qiell i cili po më dëgjonte. Nuk merrja gjithmonë përgjigje të menjëhershme, por e ndieja se në vetë kohën e Tij dhe sipas vetë mënyrës së Tij, Ai do ta plotësonte lutjen time sipas mënyrës që ishte e drejtë për mua.

Kini vetëbesim dhe mirëbesim se Perëndia do t’ju flasë. Besoni tek ato ndjenja që ju vijnë thellë në zemrën tuaj. Arrita të besoj te lutja dhe ta kuptoj fuqinë e saj, sepse i dija përvojat e Profetit Jozef Smith. E dija se Perëndia e dinte emrin tim dhe se Ai do të më përgjigjej, ashtu siç Ai e di emrin tuaj dhe do t’ju përgjigjet juve.

Dëshmia

Për shumicën e 68 vjetëve që kam jetuar në tokë, unë e kam vënë në provë modelin e Jozefit për lutjen. Si të gjithë dishepujt e vërtetë të Shpëtimtarit, unë gjithashtu kam marrë përgjigje nga qielli. Unë e di që Jezusi është Krishti. Ai është Biri i Perëndisë. Ai u ringjall dhe jeton sot. Ai ka fuqinë për t’i falur mëkatet tona. Nëpërmjet besimit, bindjes dhe pendimit tonë, Ai mund të na kthejë në mënyrë të sigurt në shtëpinë tonë qiellore.

Si Apostull i Zotit Jezu Krisht dhe si dëshmitari i Tij i shuguruar, unë dëshmoj me siguri dhe bindje të pohuar nga Shpirti i Shenjtë se Ati dhe Biri iu shfaqën Jozef Smithit në Korijen e Shenjtë. Lutem që ju do ta ndiqni modelin e Jozefit për lutjen, do të mësoni të vërtetat që ai mësoi, dhe do ta forconi besimin tuaj tek Ati juaj Qiellor dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti.

Shënime

  1. “Tema e Të Rejave” youngwomen.ChurchofJesusChrist.org.

  2. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, maj 2017, f. 145.

  3. “Joseph Smith’s Accounts of the First Vision” [“Rrëfimet e Jozef Smithit për Vegimin e Parë”], josephsmithpapers.org.

Ilustrimi nga David Malan

Ilustrimi nga Kendall Ray Johnson