2020
Marrja e Besimit Tim Hap pas Hapi
Prill 2020


Marrja e Besimit Tim Hap pas Hapi

Kërkon kohë të marrësh një dëshmi. Shpesh kërkon përvoja të vogla të cilat mblidhen së bashku.

1. Legs with bare feet, 200 liter barrel being pushed along dirt road. Scene of Zimbabwe in background. 2. Legs walking off page. Pants and shoes suitable for church. African scene in bkgrd. _Spot: Elder Dube approx 22 yrs old bearing testimony from church benches.

Një nga çastet vendimtare në jetën time ndodhi për mua në moshën 10‑vjeçare kur kalova dy javë duke mësuar doktrinën katolike në Misionin Katolik Roman të Loretos, rreth 32 km larg nga shtëpia ime në fshatin Silobela në Zimbabve. Kam arritur ta njoh e ta dua Shpëtimtarin Jezu Krisht dhe të shoh te Zoti nëpërmjet këtyre mësimeve dhe mbresave të hershme.

Kur isha në godinën e kishës katolike, pashë piktura me skena nga jeta e Shpëtimtarit të pikturuara në mur: skena nga lindja e Jezu Krishtit, mësimdhënia në tempull, lutja në Kopshtin e Gjetsemanit, mbartja e kryqit drejt Kalvarit, kryqëzimi në Golgota dhe Ringjallja e Tij. Më bënin vërtet të ndihesha i trishtuar kur i shihja ato gozhdë e gjemba. Në kohën kur arrita te piktura e Kryqëzimit, sytë e mi u mbushën me lot. Dhe çdo herë qaja dhe thosha: “Ej, Ai vërtet vuajti shumë, pikërisht për mua”.

Gjatë ceremonisë së konfirmimit, njëri nga priftërinjtë i hodhi sytë nga unë dhe tha: “Ju jeni drita e botës” (Mateu 5:14). Më pas, duke treguar me gisht një qiri të ndezur, ai citoi fjalët e Shpëtimtarit: “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:16).

Teksa mësoja më shumë për Jezusin, unë fillova të dëshiroja t’u jepja shërbim të tjerëve. Për shembull, na duhej të merrnim ujë tetë kilometra larg nga fshati ynë. Shpesh, gratë në fshat, përfshirë nënën time, do të mbanin mbi kokë një enë 20‑litërshe të mbushur me ujë. Pas përvojës sime në seminarin katolik, unë shpesh shtyja një enë 200‑litërshe me ujë për të ndihmuar nënën dhe gjithashtu ndihmoja dy të veja të tjera që ishin fqinjat tona. Më kujtohet ndjenja e mirë që e kisha sa herë që i ndihmoja të tjerët.

Këto përvoja më ndihmuan ta zhvilloja besimin tim tek Ati Qiellor e Jezu Krishti dhe tërthorazi më përgatitën për të pranuar ungjillin e Jezu Krishtit kur isha 22 vjeç.

Marrja e Librit të Mormonit

Unë u rrita gjatë një kohe ndryshimi në vendin tim. Pakica e bardhë, e udhëhequr nga Ian Smithi, shpalli pavarësinë nga Britania në vitin 1965. Kjo nxiti sanksione nga Kombet e Bashkuara dhe filluan vitet e luftës civile që zgjatën deri në vitin 1980, vit i cili shënoi pavarësinë e Zimbabvesë. Kur e mbarova shkollimin tim, u shpërngula në një qytet që të punoja dhe nuk frekuentova asnjë kishë për disa vjet.

Një ditë po luaja me djemtë e shefit tim. Ata ishin nëntë dhe shtatë vjeç. Ata thanë: “Ti e di se babai ynë është presidenti i degës në Kishën tonë”. Më shpjeguan se çfarë është një president dege dhe, pa menduar, thashë: “Babai juaj nuk do të shkojë në qiell”. E kuptova se kisha bërë një gabim të madh dhe me dëshpërim mendova se çfarë mund t’u thosha që t’i bëja ta harronin komentin tim. Në fund të ditës, kur e panë babanë e tyre, ata vrapuan drejt tij dhe i përsëritën atë që kisha thënë. Mendova se do ta humbisja punën.

Shefi im më kishte treguar më parë një xhaketë nga koha kur kishte qenë në ushtri, që tregonte se kishte vrarë njerëz. Kjo ishte arsyeja përse e kisha thënë atë gjë. Në një mënyrë shumë të qetë, ai më pyeti përse e thashë atë gjë. Unë thashë: “Shef, ju kujtohet, më thatë që vratë njerëz në luftë. Në Bibël thuhet: ‘Mos vrit’.”

Më pyeti se cilën kishë frekuentoja. I thashë se më parë shkoja në Kishën Katolike, por nuk kisha shkuar për shtatë vjet. Ai më tregoi përvoja në Dhiatën e Vjetër rreth luftërave e forcave kundërshtare dhe më pas më dha një kopje të Librit të Mormonit. Isha kaq i gëzuar që nuk e humba punën.

Ai ma dha Librin e Mormonit në vitin 1981, por nuk e lexova ose as që e hapa për dy vjet. Një të diel, kur shokët e mi kishin ikur, nuk kisha ç’të bëja prandaj e mora librin dhe shkova në një stacion treni aty pranë dhe lexova. Kur lexoja atë ditë, mund ta ndieja shtysën për të bërë mirë, por gjëja që më preku vërtet më vonë në leximin tim ishte 3 Nefi 11. Lexova për nefitët që ishin ende gjallë, të cilët kishin kaluar përmes luftërave e trazirave dhe më pas Shpëtimtari Jezu Krisht iu shfaq atyre.

Atdheu im kishte kaluar vetë një luftë për 15 vjet. Shumë prej njerëzve me të cilët u rrita në fshatin tim, kishin shkuar në luftë dhe nuk ia dolën të ktheheshin. Të tjerë njerëz ishin gjymtuar për gjithë jetën.

Prandaj, ndërkohë që lexoja rreth nefitëve, ndjeva sikur Shpëtimtari Jezu Krisht po më afrohej mua kur tha: “Ngrihuni dhe ejani tek unë, që të mund … të ndieni gjurmët e gozhdëve në duart e mia dhe në këmbët e mia, që ju të dini se unë jam Perëndia i Izraelit dhe Perëndia i tërë tokës” (3 Nefi 11:14).

Ndjeva sikur Ai po më afrohej mua personalisht duke më ftuar që të vija tek Ai. E kuptova se mund ta bëja këtë gjë. Ajo kuptueshmëri ndryshoi gjithçka.

Marrja e Dëshmisë Sime

M’u deshën disa muaj që të merrja guximin të shkoja në kishë. E dija se ku ishte kisha, por nuk kishte misionarë në degën tonë të vogël. Në shkurt 1984, hyra brenda godinës kishtare në Kuekue. Doja të dilja jashtë menjëherë. Nuk isha i sigurt se përkitja atje dhe u ula në fund, gati që të dilja me të shpejtë. Pas veprimtarive të fillimit të mbledhjes, presidenti i degës, Majk Aleni, dha dëshminë e tij rreth Shpëtimtarit Jezu Krisht dhe Librit të Mormonit. Ndjeva lidhje me atë dëshmi. Personi pasues gjithashtu dha dëshminë e tij rreth Shpëtimtarit dhe Librit të Mormonit dhe kështu bëri personi i tretë. Isha shumë i lumtur. Nuk mund ta gjeja guximin që të shkoja te foltorja, kështu që u ngrita në këmbë atje ku isha dhe thashë: “E dua Jezusin. Jam duke e lexuar Librin e Mormonit.” Dhe u ula. Ai ishte fillimi i dëshmisë sime.

1. Legs with bare feet, 200 liter barrel being pushed along dirt road. Scene of Zimbabwe in background. 2. Legs walking off page. Pants and shoes suitable for church. African scene in bkgrd. _Spot: Elder Dube approx 22 yrs old bearing testimony from church benches.

Ato dëshmi ishin mënyra se si Zoti m’u afrua mua, sepse më ndihmoi të ndieja se përkitja atje. E ndjeva se këta ishin vëllezërit dhe motrat e mia. Gjatë ditëve në vazhdim u luta për ta dhe që të më pranonin. Atje u takova me anëtarë që ishin kaq dashamirës dhe që më ndihmuan.

Shumë gjëra ndodhën atë ditë kur hyra brenda godinës së kishës. Pyes veten se çfarë do të kishte ndodhur nëse ata anëtarë nuk do t’i kishin dhënë dëshmitë e tyre. Asnjëherë nuk i dihet nëse ka ndonjë njeri që po has vështirësi. Kur ngriheni dhe thoni atë që ndieni, mund të jetë pikërisht ajo që dikush ka nevojë të dëgjojë.

Jepini dëshmitë tuaja shpesh. Kur e bëni, ju forconi veten tuaj dhe të tjerët përreth jush. Mbrojeni atë që e dini. Kur e ndiqni këshillën nga Libri i Mormonit, ju do të afroheni më pranë Shpëtimtarit.

Afrohuni Pranë Shpëtimtarit

Koha që kalova në Misionin Katolik Roman të Loretos, më hapi udhën për t’u bërë dishepull i Shpëtimtarit Jezu Krisht. Që nga ajo kohë kam mësuar se qenia dishepull është një proces dhe ne kemi nevojë të vazhdojmë të ecim përpara pavarësisht nga dobësia dhe kufizimet tona. Kur e përqafojmë ftesën: “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej” (Mateu 5:48), ne do të përparojmë drejt jetës së përjetshme “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (shih Doktrina e Besëlidhje 98:12).

E dimë se udha nuk do të jetë gjithmonë e lehtë dhe ne do të përjetojmë disa vështirësi e dëshpërim gjatë procesit, por të shohim te Zoti është e vetmja mënyrë për të gjetur paqe në jetën tonë.

Shlyerja e Shpëtimtarit Jezu Krisht është gjithçka për mua. Unë e di që Shpëtimtari po afrohet drejt nesh. Na nevojitet ta ngremë lart vështrimin, ta ndjekim Atë dhe t’u afrohemi të tjerëve për t’i lartësuar ata, ashtu si Ai na afrohet dhe na lartëson ne.

Kam mësuar se qenia dishepull është një proces dhe ne kemi nevojë të vazhdojmë të ecim përpara.

Ilustrimet nga Greg Newbold