2020
Një Ndryshim i Madh i Zemrës
Prill 2020


Mësime nga Libri i Mormonit

Një Ndryshim i Madh i Zemrës

Falë Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne jo vetëm që mund të pastrohemi nga mëkati, por gjithashtu mund të shërohemi nga të qenit mëkatarë.

rusted metal heart

Me Rënien e Adamit, sëmundja dhe mëkati u sollën në botë. Që të dy mund të jenë vdekjeprurës në sferat e tyre përkatëse. Nga të gjitha sëmundjet, ndoshta asnjë sëmundje nuk është kaq e përhapur ose shkatërruese sa kanceri. Në disa vende, më shumë se një e treta e popullsisë do të zhvillojë një lloj forme të kancerit dhe ai është përgjegjës për gati një të katërtën e të gjitha vdekjeve.1 Kanceri shpesh fillon me një qelizë të vetme, kaq e vogël sa mund të shihet vetëm me një mikroskop. Por është i aftë të rritet e të përhapet me të shpejtë.

Pacientët me kancer i nënshtrohen trajtimit me qëllim që ta heqin kancerin. Heqja e plotë do të thotë që nuk ka më asnjë provë të dallueshme të sëmundjes. Sidoqoftë, mjekët janë të shpejtë të vënë në dukje se, edhe pse një pacient mund ta ketë hequr kancerin, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që ai ose ajo shërohet.2 Prandaj, edhe pse heqja siguron lehtësim dhe shpresë, pacientët me kancer gjithmonë shpresojnë për diçka përtej heqjes – ata shpresojnë të shërohen. Sipas një burimi: “Që një njeri të shpallet si i shëruar nga kanceri, ai duhet të presë dhe të shohë nëse kanceri do të mund t’i shfaqej sërish, pra, koha është faktori vendimtar. Nëse pacientit nuk i shfaqet kanceri për disa vjet, mund të jetë shëruar nga kanceri. Kancere të caktuara mund të rishfaqen mbas shumë vitesh pas heqjes.”3

Sëmundja dhe Mëkati

Sado shkatërrues që është kanceri për trupin, mëkati është edhe më shkatërrues për shpirtin. Mëkati zakonisht fillon në përmasë të vogël – nganjëherë aq të vogël sa nuk duket– por është në gjendje të rritet me shpejtësi. E sëmur, pastaj e gjymton, pastaj e vret shpirtin. Është shkaku kryesor – në të vërtetë, i vetmi shkak – i vdekjes shpirtërore në të gjithë krijimin. Kurimi për mëkatin është pendimi. Pendimi i vërtetë është 100 përqind i efektshëm që ta bëjë mëkatarin të shërohet ose të bëjë të ndodhë një heqje e mëkateve. Kjo heqje ofron lehtësim dhe gëzim për shpirtin. Megjithatë, marrja e një heqjeje të mëkatit dhe të qenit i lirë nga simptomat dhe efektet e tij nuk do të thotë medoemos që mëkatari është shëruar plotësisht. Ka diçka karakteristike të zemrës së një njeriu të rënë që e lejon të mëkatojë ose e bën atë të prekshëm prej mëkatit. Prandaj mëkati mund të rishfaqet, madje shumë vjet pas heqjes. Gjendja pa mëkat, ose me fjalë të tjera, ruajtja e heqjes së mëkateve, është thelbësore për qenien të shëruar plotësisht.

Të Pastruar dhe të Shëruar

Kjo analogji na ndihmon të kuptojmë se nga ana shpirtërore, ne nuk duhet të jemi vetëm të pastruar nga mëkati, por edhe të shëruar nga qenia mëkatarë. Lufta që e vendos vullnetin tonë për të bërë mirë kundrejt natyrës sonë për të bërë keq, mund të jetë e mundimshme. Nëse jemi besnikë, ne do të jemi ngadhënjimtarë jo thjesht ngaqë ia kemi nënshtruar natyrën tonë vullnetit tonë, por ngaqë e kemi shkrirë vullnetin tonë me Perëndinë dhe Ai e ka ndryshuar natyrën tonë.

Mbreti Beniamin dha mësim: “Pasi njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë dhe ka qenë që nga rënia e Adamit dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe nuk zhvesh njeriun e natyrshëm … nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot” (Mosia 3:19). Në përgjigje të këtij mësimi dhe mësimeve të tjera, populli i Beniaminit u lut: “O, ki mëshirë dhe përdor gjakun shlyes të Krishtit, që ne të mund të marrim faljen e mëkateve tona dhe zemrat tona të mund të pastrohen” (Mosia 4:2; theksimi i shtuar). Pasi u lutën, Zoti iu përgjigj kërkesës së tyre që kishte dy pjesë. Së pari, “Shpirti i Zotit erdhi mbi ta dhe ata u mbushën me gëzim, pasi kishin marrë një heqje të mëkateve të tyre dhe pasi kishin paqe të ndërgjegjes” (Mosia 4:3).

Duke e parë që populli i tij kishte marrë “një heqje”, mbreti Beniamin i nxiti ata drejt një kurimi të plotë duke u dhënë mësim mënyrën se si të qëndronin në një heqje të mëkateve (shih Mosia 4:11–30). “Në qoftë se e bëni këtë”, premtoi ai, “ju do të gëzoheni gjithmonë dhe do të mbusheni me dashurinë e Perëndisë dhe gjithmonë do të mbani një heqje të mëkateve tuaja” (Mosia 4:12).

Njerëzit besuan dhe u zotuan sipas fjalëve të mbretit Beniamin, pas së cilës Zoti i dha përgjigje pjesës së dytë të lutjes së tyre – se “zemrat [e tyre] të mund të pastrohen”. Me mirënjohje dhe përlëvdim, njerëzit thirrën: “Shpirti [i] Zotit të Plotfuqishëm … ka bërë një ndryshim të madh te ne, ose në zemrat tona, që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht” (Mosia 5:2). Mbreti Beniamin shpjegoi se ky ndryshim i madh do të thoshte që ata kishin lindur prej Perëndisë (shih Mosia 5:7).

Si u Bë Ajo?

Profeti Alma na mësoi se ne duhet të pendohemi si edhe të lindemi përsëri – të lindemi prej Perëndisë, të ndryshuar në zemrat tona (shih Alma 5:49). Ndërsa vazhdimisht pendohemi, Zoti do t’i largojë të gjitha mëkatet tona dhe Ai do të largojë atë çka në mënyrë të natyrshme e shkakton ose e lejon mëkatin tek ne. Por, me fjalët e Enosit: “Zot, si u bë ajo?” (Enosi 1:7.) Përgjigjja është e thjeshtë, prapëseprapë e thellë dhe e përjetshme. Atyre që janë shëruar nga çfarëdo gjendjeje, fizike apo shpirtërore, Zoti u ka shpalluar: “Besimi yt të ka shëruar” (shih Marku 5:34; Enosi 1:8).

Ndryshimi i madh i zemrës, i përjetuar nga Alma ndodhi “sipas besimit të tij” dhe zemrat e pasuesve të tij u ndryshuan kur ata “e vunë besimin e tyre në Perëndinë e vërtetë dhe të gjallë” (Alma 5:12, 13). Zemrat e popullit të mbretit Beniamin u “ndryshua[n] nëpërmjet besimit në emrin e [Shpëtimtarit]” (Mosia 5:7).

Nëse do ta kemi këtë lloj besimi, që të mund të mirëbesojmë te Zoti me gjithë zemrën tonë, ne duhet të bëjmë gjënë që na çon drejt besimit dhe më pas të bëjmë gjënë drejt së cilës na çon besimi. Mes gjërave të shumta që na çojnë drejt besimit, lidhur me këtë ndryshim të zemrës, Zoti ka theksuar agjërimin, lutjen dhe fjalën e Perëndisë. Dhe megjithëse besimi çon drejt shumë gjërave, pendimi është fryti i tij i parë.

Merrini parasysh dy vargjet vijuese nga libri i Helamanit që i vënë në dukje këto parime. Së pari, ne lexojmë për një popull njerëzish të cilët “agjëruan dhe u lutën shpesh dhe u bënë … gjithnjë e më të vendosur në besimin e Krishtit … madje në pastrimin dhe në shenjtërimin e zemrave të tyre, shenjtërim që vjen për shkak të dhënies së zemrave të tyre Perëndisë” (Helamani 3:35). Më pas, nga Samueli, profeti lamanit, mësojmë: “Shkrimet e shenjta, po, në profecitë e profetëve të shenjtë, … [na] shpien … të besoj[m]ë në Zotin dhe në pendim, besim dhe pendim që sjellin një ndryshim të zemrës” (Helamani 15:7).

diamond heart

Në Varësi të Perëndisë

Këtu ne duhet të ndalemi dhe të dallojmë se ky ndryshim i madh, për të cilin po flasim, ndodh brenda nesh; ai nuk ndodh prej nesh. Ne jemi të aftë të pendohemi, të ndryshojmë sjelljen tonë, qëndrimet tona, madje dëshirat dhe bindjet tona fetare, por është përtej fuqisë dhe aftësisë sonë për ta ndryshuar natyrën tonë. Për këtë ndryshim të madh, ne jemi tërësisht në varësi të Perëndisë së Plotfuqishëm. Është Ai që plot hir i pastron zemrat tona dhe e ndryshon natyrën tonë “pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” (2 Nefi 25:23). Ftesa e Tij është e vazhdueshme dhe e sigurt: “Pendoh[uni] dhe [ejani] tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do [t’ju] shëroj” (3 Nefi 18:32; theksimi i shtuar).

Efekti i të shëruarit nga qenia mëkatarë është që ne bëhemi “të ndryshuar nga gjendja [jonë] e mishit dhe e rënë në një gjendje drejtësie … duke u bërë bijtë dhe bijat e tij; Dhe kështu [ne] bëhe[mi] krijesa të reja” (Mosia 27:25, 26). Pamja e fytyrës sonë rrezaton Dritën e Krishtit. Për më tepër, shkrimet e shenjta na thonë se “kushdo që ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton” (1 Gjon 5:18). Kjo nuk është ngaqë jemi të paaftë për të mëkatuar, por ngaqë është tashmë natyra jonë që të mos mëkatojmë. Ky është një ndryshim i madh, me të vërtetë.

Duhet të mbajmë mend që përjetimi i një ndryshimi të madh të zemrës është një proces që ndodh me kalimin e kohës, jo një çast në kohë. Ndryshimi është zakonisht shkallë‑shkallë, nganjëherë aq gradual sa nuk vihet re, por është i vërtetë, është i fuqishëm dhe është i domosdoshëm.

Nëse nuk e keni përjetuar ende një ndryshim të tillë të madh, unë do t’ju pyesja: A jeni penduar dhe a keni marrë një heqje të mëkateve tuaja? A i studioni shkrimet e shenjta? Sa shpesh agjëroni e luteni, që ju të mund të bëheni gjithnjë e më të vendosur në besimin te Krishti? A keni besim të mjaftueshëm sa të mirëbesoni te Zoti me gjithë zemrën tuaj? A po qëndroni të palëkundur në atë besim? A po u kushtoni vëmendje mendimeve, fjalëve e veprimeve tuaja dhe a po i zbatoni urdhërimet e Perëndisë? Nëse i bëni këto gjëra, ju do të gëzoheni gjithmonë, do të mbusheni me dashurinë e Perëndisë dhe gjithmonë do të mbani një heqje të mëkateve tuaja. Dhe nëse mbani një heqje të mëkateve, ju do të shëroheni, do të keni shëndet dhe do të ndryshoheni!

Jezu Krishti ka fuqi të na pastrojë nga mëkatet tona dhe gjithashtu të na shërojë prej qenies sonë mëkatare. Ai është i fuqishëm të na shpëtojë dhe për atë qëllim, Ai është i fuqishëm të na ndryshojë. Nëse do t’i drejtojmë zemrat tona tek Ai, duke ushtruar besim nëpërmjet bërjes së të gjitha ndryshimeve që jemi të aftë t’i bëjmë, Ai do ta ushtrojë fuqinë e Tij brenda nesh që të bëjë të ndodhë ky ndryshim i madh i zemrës (shih Alma 5:14).

Shënime

  1. Shih Stacy Simon, “Facts & Figures 2019: US Cancer Death Rate Has Dropped 27% in 25 Years”, Shoqata Amerikane e Kancerit, 8 janar 2019, cancer.org.

  2. Shih “Remission: What Does It Mean?” webMD.com.

  3. Cathy Sweat, The Gates to Recovery (2019).