2020
Berglinda Gudnason – Arnesisla, Islandë
Prill 2020


Portrete Besimi

Berglinda Gudnason

Arnesisla, Islandë

sisters hugging

Berglinda (në të majtë) me motrën e saj, Elinin (në të djathtë). Kur Berglinda ishte në depresionin më të thellë me të cilin ishte përballur ndonjëherë, ajo mendoi se nuk mund të vazhdonte më. Duke iu hapur familjes dhe miqve rreth vështirësive të saj, ajo ka gjetur shërim shpirtëror dhe emocional nëpërmjet mjeteve që ka siguruar Ati Qiellor.

Mindi Selu, Fotografe

Kam vuajtur nga depresioni që kur kam qenë 13 vjeçe. Në një pikë të caktuar, gjërat u përkeqësuan kaq shumë saqë u përpoqa të vrisja veten. Në atë kohë ndihesha shumë e pashpresë. Mendoja: “Nuk do të jem kurrë e lumtur. Nuk do të arrij kurrë ndonjë gjë.”

Pati një çast kur mendova se largimi nga Kisha ishte përgjigjja e problemeve të mia, sepse thjesht ndihesha e pashpresë për çdo gjë. Në Islandë është kaq e thjeshtë të bësh atë që nuk duhet ta bësh. Kisha është kaq e vogël këtu. Ndërkohë që rriteshim, në klasat tona të Kishës ishim vetëm unë dhe vëllezërit e motrat e mia. Ndihesha e vetmuar dhe për njëfarë kohe nuk më pëlqente të shkoja në kishë.

Shumica e njerëzve në Islandë nuk e pëlqejnë fenë. Njerëzit fillojnë të pinë alkool në moshë të hershme. Fillova të pija edhe unë, dhe isha joaktive për një çast në jetën time. Nuk jam krenare për këtë, por është pjesë e përvojës sime dhe mësova prej saj. Studiova një bisedë nga Plaku Xhefri R. Holland dhe më pëlqeu ajo që tha ai: “Nga e kaluara duhet mësuar, por jo të jetohet në të. … Dhe kur t’i kemi mësuar ato që na nevojitet të mësojmë … , atëherë ne shikojmë përpara [dhe] mbajmë mend që besimi gjithnjë drejtohet tek e ardhmja.”1.

Një ditë kur po vuaja vërtet, lexova bekimin tim patriarkal. Teksa e lexova, kuptova se unë vërtet kam një të ardhme. Perëndia ka një plan për mua dhe Ai në të vërtetë më do. Vajtja në kishë, marrja e sakramentit, leximi i shkrimeve të shenjta dhe lutja kanë sjellë kaq shumë dritë dhe lumturi në jetën time. Shpejt kuptova: “Kjo në të vërtetë më ndihmon”. Ky ishte çasti kur kuptova se unë e dëshiroja gjithmonë ungjillin në jetën time. Pas gjithçkaje që kam kaluar, e di se ungjilli ka shpëtuar jetën time dhe jam shumë e lumtur për këtë.

Të folurit rreth depresionit me familjen dhe miqtë e mi më ka ndihmuar kaq shumë. Më çoi gjithashtu drejt marrjes së një ndihme më të madhe. Nuk doja të merrja mjekime ose të shkoja në terapi. Vazhdoja t’i thosha vetes: “Kam Perëndinë”. Por Perëndia siguron shumë mjete të tjera, si për shembull mjekime dhe terapi që ne t’i përdorim, përveç gjërave shpirtërore.

Teksa fillova t’i lexoja shkrimet e mia të shenjta çdo ditë e më shumë dhe të afrohesha më pranë Perëndisë nëpërmjet lutjes, unë mora shumë bekime dhe zbulesa, se qëllimi im është që të ndihmoj të tjerët. Mendoj se ka kaq shumë prej nesh që përballen me probleme të shëndetit mendor dhe ne përpiqemi ta fshehim atë. Depresioni dhe vështirësitë e mia më kanë mësuar se është më mirë të hapesh dhe të lidhesh me të tjerët. Shoqja ime kohët e fundit u hap me mua rreth betejës së saj me depresionin. Biseduam rreth kësaj dhe me të vërtetë e kuptuam njëra-tjetrën.

Ne jo gjithmonë e vëmë re atë me të cilën po ndeshen njerëzit e tjerë, por ndonjëherë thjesht eci përreth dhe vështroj njerëzit e tjerë, dhe kuptoj se Perëndia e njeh secilin dhe çdonjërin prej nesh. Ai na do dhe e di saktësisht atë që të gjithë ne po kalojmë. Dhe ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin.

Nëpërmjet betejave të mia me depresionin, kam mësuar të pyes: “Çfarë mund të mësoj nga kjo sprovë?” në vend që të pyes “Përse e kam këtë sprovë?” Më pëlqen shumë Ethëri 12:27, ku thuhet se gjërat e dobëta mund të bëhen të forta nëse kemi besim te Jezu Krishti. Ky është gjithmonë një ngushëllim për mua.

Të gjithë ne zgjodhëm të vinim këtu në tokë. E dinim se do të vuanim nëpërmjet sprovave. Dhe sinqerisht, kjo është ajo që e bën jetën të mrekullueshme. Ngaqë ne e dimë se do të vijnë gjëra të mira. Dimë që nëse e ndjekim Shpëtimtarin gjatë çdo faze të vështirë, ne mund të kemi jetë të përjetshme dhe të gjitha këto bekime që po presin për ne.

Pa dyshim që kam parë se si kam ndryshuar nëpërmjet depresionit. Shlyerja e Shpëtimtarit është e vërtetë, zemra ime ka ndryshuar dhe jam bërë më e fortë. Ndiej sikur jam një njeri tjetër nga ajo që isha dikur. Njerëzit e vënë re dhe thonë: “Ke ndryshuar”. Një vajzë nga shkolla madje tha: “Shoh një ndryshim dhe dritë tek ty”. Është e çuditshme, sepse ajo nuk është as anëtare e Kishës dhe nuk kishim folur ndonjëherë më parë.

Kur isha në pikën më të keqe të depresionit, njerëzit më thoshin: “Do të bëhet më mirë”. Lodhesha kaq shumë duke dëgjuar këtë por, sado e çuditshme të duket, është e vërtetë.

Por duhet të dëshironi të bëheni më mirë. Kam mësuar se nuk mund të prisni të bëheni më mirë duke mos bërë asgjë. Duhet të dëshironi të jeni të lumtur dhe të besoni se keni potencial dhe një të ardhme. Është e rëndësishme të mbani mend se kaq shumë njerëz ju duan, përfshirë Atin tuaj Qiellor. Ata janë të gjithë atje për t’ju ndihmuar.

Kurrë nuk e mendoja se do të isha kaq e lumtur sa jam tani. Ka ditë që ende kam vështirësi, por me mjetet që më ka dhënë Ati Qiellor, mund t’ia dal mbanë. Tani, kur shoh se po filloj të ndihem në depresion, i them vetes se të tjerët më duan, se kam njerëz me të cilët të flas, dhe se gjërat do të përmirësohen.

Berglind sitting down

Përballja me depresionin e ka bërë Berglindën më të vetëdijshme për mënyrën se si ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin përmes sfidave. “Perëndia e njeh secilin dhe çdonjërin prej nesh, Ai na do dhe Ai e di saktësisht atë që të gjithë ne po kalojmë. Dhe ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin.”

Berglind smiling

Berglinda ka parë ndryshim te vetja e saj nëpërmjet sfidave të veta. “Shlyerja e Shpëtimtarit është e vërtetë”, thotë ajo. “Zemra ime ka ndryshuar dhe jam bërë më e fortë. Ndiej sikur jam një njeri tjetër nga ajo që isha dikur.”

Berglind reading scriptures

“Teksa fillova t’i lexoja shkrimet e mia të shenjta çdo ditë e më shumë”, thotë Berglinda, “unë mora shumë bekime dhe zbulesa, se qëllimi im është që të ndihmoj të tjerët. Më pëlqen shumë Ethëri 12:27, ku thuhet se gjërat e dobëta mund të bëhen të forta nëse kemi besim te Jezu Krishti. Ky është gjithmonë një ngushëllim për mua.”

Shënim

  1. Jeffrey R. Holland, “The Will of the Father in All Things” (takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 13 janar 2009), speeches.byu.edu.