Një Zog i Vogël ma Kujtoi
Laura Linton
Jutë, SHBA
Isha 26 vjeçe kur unë dhe bashkëshorti im humbëm fëmijën tonë të parë. Kenedi u diagnostikua me tumor në kokë kur ishte vetëm 13‑muajshe. Pas tre operacionesh, pesë fazash kimioterapie dhe shumë mjekimeve dhe trajtimeve, ajo ndërroi jetë në krahët tona kur ishte 20‑muajshe.
Isha e rrënuar që kisha humbur vogëlushen time të bukur, kureshtare dhe energjike. Si mund të ndodhte kjo? Si mund të vazhdoja? Kisha kaq shumë pyetje, por nuk kisha asnjë përgjigje. Dy ditë pas varrimit, unë dhe bashkëshorti im shkuam te varri, që ishte ende i mbuluar me lule dhe kordele të bukura ngjyrë rozë nga funerali.
Teksa mendova për bijën time, pashë një zogth të vockël, tepër i brishtë për të fluturuar, duke kërcyer pupthi në bar. Ky zog më kujtoi Kenedin ngaqë ajo i donte kafshët. Zogu kërceu pupthi deri te varri dhe luajti me kordelet dhe lulet. Buzëqesha, duke e ditur se kjo ishte pikërisht ajo që Kenedi do të kishte dashur. Më pas zogu kërceu pupthi drejt meje. Nuk guxova të lëvizja asnjë muskul. Zogu i vogël kërceu pupthi pikërisht pranë meje, u mbështet te këmba ime, i mbylli sytë dhe ra në gjumë.
Vështirë se mund t’i shpjegoj ndjenjat që pata atë çast. M’u duk sikur po merrja një përqafim nga bija ime, Kenedi. Nuk mund ta mbaja bijën time, por ky zog i vogël – një krijesë e Atit tonë në Qiell – mundi të vinte dhe të mbështeste kokën e tij të vockël tek unë, duke më kujtuar se Ati Qiellor e kuptonte dhimbjen time dhe do të ishte gjithmonë atje për të më ngushëlluar e për të më ndihmuar gjatë kësaj sprove.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Kur fjalët nuk mund ta japin lehtësimin për të cilin kemi nevojë … , kur logjika dhe arsyeja nuk mund të japin të kuptuarit e mjaftueshëm rreth padrejtësive dhe pabarazisë së jetës, … dhe kur duket se ndoshta jemi krejt vetëm, ne vërtet jemi të bekuar nga mëshirat e dhembshura të Zotit” (“Mëshirat e Dhembshura të Zotit”, Liahona, maj 2005, f. 100; Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 121).
Nuk i kisha ende të gjitha përgjigjet për pyetjet e mia, por kjo mëshirë e dhembshur më siguroi se Ati ynë Qiellor na do shumë mua dhe Kenedin dhe se nëpërmjet flijimit shlyes të Birit të Tij, Jezu Krishtit, kam shpresë se Kenedi, unë dhe bashkëshorti im një ditë do të jemi së bashku si familje.