“A e Shihni se Çfarë Mund të Bëjë Pak Besim?”
Godfri J. Elis
Uashington, SHBA
Disa kohë më parë, unë dhe bashkëshortja ime i morëm me vete dy nga djemtë tanë më të vegjël në Francë, për të vizituar zonat ku kisha shërbyer si misionar kohëplotë. Vizituam degë të Kishës ku kisha shërbyer, dhe u gëzuam me anëtarët të cilëve u kisha dhënë mësim. Ne gjithashtu vizituam vende historike.
Një vend ishte rrënojat e Shato dë Shalyses. Kjo kështjellë e madhe mesjetare u sulmua dhe u shkatërrua së tepërmi shekuj më parë. Bimësia ishte rritur përreth rrënojave dhe shtegu për të shkuar atje ishte i ngushtë dhe i thepisur. Patëm një ngjitje të vështirë, por ia vlejti përpjekja kur mbërritëm.
Djemve u pëlqeu shumë të zbritnin në atë që dikur ishte bodrumi burg dhe të ngjiteshin lart në atë që kishte mbetur nga muret e kështjellës. Kështjella e magjepsi imagjinatën e tyre ashtu siç kishte magjepsur imagjinatën time 24 vjet më parë.
Ndërkohë që ishim atje, një stuhi vere u shfaq në largësi. Po lëvizte shpejt. Re të errëta dhe vetëtima e mbushën qiellin, të ndjekura nga gjëmime të mëdha bubullimash.
Nxituam teposhtë shtegut dhe vrapuam për te makina ndërsa stuhia na afrohej. Shpejt, një rrebesh shiu, që përplasej fort, na bëri qull dhe shtegu me dhé u kthye në baltë. U shqetësuam se do të humbnim drejtpeshimin dhe do të rrëzoheshim në shtegun e thepisur me gurë.
Pikasëm një lloj strehe midis pemëve, në buzë të shtegut. U ngjeshëm së bashku nën strehë dhe pyetëm veten se sa do të na duhej të prisnim për t’u kthyer.
“Le të themi një lutje”, tha djali ynë më i vogël.
Ai kërkoi që ta ofronte atë dhe u lut që shiu do të ndalonte, që ne të mund të zbritnim të sigurt nga kodra. Ai pa nga ne dhe tha: “Gjithçka që na nevojitet tani, është besim i mjaftueshëm.”
I shpjegova se lutjet nuk funksionojnë përherë ashtu.
“Jo”, tha ai, “do të pushojë për 10 minuta!”
Pas gati 10 minutash, shiu pushoi.
“Në rregull, le të shkojmë!” tha ai.
“Nëse largohemi tani, shiu do të fillojë sërish dhe do të kapemi në kurth”, tha djali ynë më i madh.
“Nuk do të fillojë”, u përgjigj djali ynë më i vogël. “Le të shkojmë!”
E bëmë rrugën e kthimit përmes pjesëve më të thata të shtegut, duke u mbajtur në shkurre e degë ndërsa ecnim. Kur u kthyem në makinë, bëmë një lutje mirënjohjeje. Shpejt shiu filloi sërish.
“A e shini se çfarë mund të bëjë pak besim?”, tha djali ynë përulësisht.
Ai na dha të gjithëve një mësim të madh atë ditë.