Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
Gjetja e Gëzimit nga Bërja e Punës së Zotit
Si të rinj e të reja në moshë madhore, jeta është e ngarkuar. Ka kaq shumë gjëra që mund të bëjmë: të çojmë më tej arsimimin tonë, të kërkojmë shokun ose shoqen tonë të përjetshme, të vendosim për një karrierë, të nisim një familje. Dhe së bashku me gjithë ato gjëra të mira, ne gjithashtu inkurajohemi të “gjend[emi] gjithmonë duke bërë punën e Zotit”1.
“Është koha që të gjithë ne ta kuptojmë më qartësisht rolin tonë në përshpejtimin e punës për shpëtim. Ndërsa e bëjmë punën misionare të anëtarit, … punën në tempull e për historinë familjare dhe mësimdhënien e ungjillit një pjesë të natyrshme të jetës sonë, ne do të përjetojmë gëzim të madh dhe do të na dhurohen dhuratat shpirtërore që na nevojiten për ta forcuar Kishën.”2
Këtu janë vetëm pak nga të rinjtë e të rejat në moshë madhore të ngarkuar me punë, të cilët përjetojnë gëzim kur gjejnë kohë për punën e Zotit.
Historia Familjare: Thjesht Filloni Tani
“Rivendosja ka bërë shumë gjëra për mua personalisht ngaqë kam arritur të di se familjet mund të jenë së bashku përgjithmonë”, thotë Itumeleng Tlebere nga Maseru në Lesotho. “Unë mund t’i shoh sërish gjyshërit dhe paraardhësit e mi që kanë ndërruar jetë. Kjo është arsyeja pse e dua historinë familjare kaq shumë. Për shkak se jam brezi i parë në Kishë, kam kaq shumë punë për të bërë për ta.”
Itumelengu e di nga përvoja se gjurmimi i dokumenteve dhe informacioneve mund të jetë sfidues, por ai i inkurajon të rinjtë e të rejat e tjera në moshë madhore që të përfshihen në historinë e tyre familjare: “Thjesht filloni ta bëni atë. … Historia familjare më ka bërë të ndihem mirënjohës për çdo gjë që kam.” Ajo mund të bëjë të njëjtën gjë për ju.
Dhënia e Shërbesës: Jini Duart e Perëndisë
Lusi Fergusoni nga Juta, SHBA, tregon se si dhënia e shërbesës e ndihmoi atë gjatë javës më të keqe të jetës së saj – por në një mënyrë të papritur. Ishte java e provimeve përfundimtare në shkollë, një javë e ngarkuar në punë dhe i dashuri i saj sapo e kishte lënë. Dhe pastaj, ajo thotë: “E kisha harruar, por unë dhe shoqja ime shërbestare kishim planifikuar të bënim ëmbëlsira (mafins) për motrat që na ishin caktuar për t’u dhënë shërbesë”.
Teksa i piqnin ëmbëlsirat së bashku, shoqja shërbestare e Lusit e dëgjoi, pati dhembshuri për të dhe i ofroi këshillë. “Bërja dhe shpërndarja e ëmbëlsirave nuk ishte diçka që do të ishte shumë e rëndësishme ose do të sillte shumë ndryshim”, reflekton Lusi. “Por pasi shoqja më la në shtëpi, e kuptova se kjo ishte pikërisht ajo që kisha nevojë për t’u ndier më mirë dhe se ndonjëherë Perëndia dërgon njerëz të tjerë për të qenë duart e Tij. Ajo që ishte e qartë për mua ishte se ndihma erdhi nga shoqja ime shërbestare në vend të motrave që më ishin caktuar mua. Jam mirënjohëse që ajo më ndihmoi të ndieja se nuk isha vetëm dhe se kishte njerëz që më donin.”
Puna Misionare: Jetoni për të Qenë një Shembull
Nuk keni pse të jeni një misionar kohëplotë për ta përhapur ungjillin. Venela Vakapali, nga Andra‑Pradeshi, në Indi, shpjegon: “Kur hipi nëpër autobusë, kur hipi në tren, e hap Librin e Mormonit dhe e lexoj atë, dhe pjesa më e madhe e njerëzve më pyesin për të.”
Eshli Diloni nga Juta, SHBA, tregon: “Thjesht se nuk shërbeva në mision, nuk do të thotë se nuk jam misionare. Në vend që të largohesha nga familja ime për t’i shërbyer Zotit, unë i shërbej Zotit me familjen time. Unë u shërbej të tjerëve dhe jetoj për të qenë shembull i një dishepulleje të Jezu Krishtit”.
Prindërimi: Mësojuani Fëmijëve Ungjillin
Ingrid de Bastian Ortizi, nga Verakruzi, Meksikë, është një nënë 26‑vjeçare e tre fëmijëve. Ajo shpjegon: “Si prindër në moshë të re me fëmijë të vegjël, ka ditë që janë rraskapitëse, me punë shtëpie pa fund si edhe vëmendjen që kërkojnë fëmijët. Megjithatë, ne ndiejmë përgjegjësi të madhe për t’ua mësuar ungjillin fëmijëve tanë, që ata ta dinë se janë fëmijë të Perëndisë.
Detyra ime si nënë është që t’i ndihmoj ata ta kuptojnë vetë se Ati ynë Qiellor ka një plan lumturie për ta.”
Edhe në qoftë se nuk jeni ende prind, ju prapë mund të luani një rol për të ndihmuar në mësimdhënien ndaj fëmijëve. “Është kaq thelbësore që fëmijët të dinë rreth këtyre parimeve dhe doktrinave”, thotë Ingridi, “që ne me siguri të mund të kontribuojmë si të rritur në moshë madhore beqarë apo të martuar në disa nga thirrjet në Fillore dhe çerdhe.”
Ne jemi të gjithë të rinj e të reja në moshë madhore të ngarkuar me punë. Por cilatdo qofshin rrethanat tuaja, ju mund të gjeni mënyra të thjeshta për ta bërë punën e Zotit në të gjitha fushat e jetës suaj – si të mëdha dhe të vogla.