Një Bekim Ishte Gjithçka që Mund të Jepja
Xhonatan Mafra Sena de Santana
E mbarova juridikun rreth kohës kur bija ime mbushi një vjeç. Unë dhe bashkëshortja ime mezi po prisnim të festonim diplomimin tim, ditëlindjen e bijës sonë dhe mundësitë e reja që do të na vinin, por asgjë nuk shkoi ashtu siç e planifikuam.
E gjeta veten të papunë pak pasi mbarova shkollën dhe pata vështirësi për të gjetur punë. Shpejt erdhën vështirësitë financiare. Madje të bënim një festë të thjeshtë ditëlindjeje do të ishte e vështirë.
Pas shumë bisedash me bashkëshorten time, ne e pranuam gjendjen tonë. Nuk ishte e lehtë për mua si baba të mos isha në gjendje të blija qoftë edhe një dhuratë të thjeshtë për time bijë dhe ta shihja bashkëshorten time të dashur të ndihej e acaruar.
Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte. U luta dhe i kërkova Atit Qiellor të më ndihmonte të kuptoja se çfarë priste Ai prej meje. Papritur, sikur një zë t’i fliste mendjes sime, unë dëgjova fjalët vijuese: “Ti zotëron diçka më me vlerë se çdo zotërim material në këtë tokë. Ti mban priftërinë. Çfarë dhurate më të mirë mund t’i japësh bijës tënde sesa një bekim priftërie?”
Sytë m’u mbushën me lot kur mendova për domethënien që ka priftëria për mua. Zemra m’u mbush me mirënjohje kur mendova se priftëria është fuqia që mund ta bashkojë familjen time për gjithë përjetësinë.
Ia tregova ndjenjat e mia bashkëshortes sime. I thashë se gjithçka që mund të bëja, ishte t’i ofroja një bekim bijës sime. Të dy menduam se kjo do t’i sillte lumturi dhe paqe asaj dhe kjo do të ishte e mjaftueshme.
Ditën e ditëlindjes së bijës sonë, miqtë, të afërmit dhe fqinjët sollën një kek dhe zbukurime të thjeshta. Ishim mirënjohës që ta festonim këtë ditë të veçantë me njerëzit që i donim. Atë natë, vura duart e mia mbi kokën e bijës sime dhe i dhashë asaj një bekim. E bekova me gjithçka që Shpirti i Zotit më nxiti të thosha.
Ne akoma po kalojmë një periudhë ndryshimesh dhe sfidash lidhur me papunësinë dhe financat. Por edhe mes trishtimit e acarimit, paqe dhe ngushëllim na vjen nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Nuk kam dyshim se të qenit anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme me të drejtën për të përdorur fuqinë e priftërisë është një bekim. Ishte gjithçka që mund të jepja për ditëlindjen e bijës sime dhe ishte më se e mjaftueshme.