Katër Simbole nga Java e Pashkës
“Mbretëria ime nuk është e kësaj bote” (Gjoni 18:36).
Kurora me Gjemba
Shih Mateu 27:29; Marku 15:17; Gjoni 19:2.
Ushtarët romakë vendosën një kurorë me gjemba mbi kokën e Shpëtimtarit. “Ndoshta ky akt mizor ishte një përpjekje e mbrapshtë për të imituar vendosjen e kurorës me dafina të perandorit mbi kokën e Tij. … Sa therëse qe kjo, duke marrë parasysh se gjembat përfaqësonin zemërimin e Perëndisë kur Ai e mallkoi tokën për shkak të Adamit se që nga ajo kohë do të sillte gjemba. Por duke e mbajtur mbi krye këtë kurorë, Jezusi i ktheu gjembat në një simbol të lavdisë së Tij” (President James E. Faust, konferenca e përgjithshme, prill 1991).
Manteli i Purpurt
Shih Mateu 27:28; Marku 15:17; Gjoni 19:2.
Ngjyra e purpurt ishte një ngjyrë mbretërore dhe ushtarët me tallje e vendosën këtë mantel mbi Jezu Krishtin ngaqë Ai kishte shpallur se ishte mbreti i judenjve. Sigurisht, në realitet Ai është më shumë sesa kjo – Ai është “Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve” (1 Timoteut 6:15; Zbulesa 19:16).
“Gjaku del nga çdo por, kaq e madhe do të jetë dhembja e tij” (Mosia 3:7).
Presa e Ullinjve
Shih Mateu 26:36; Marku 14:32; Lluka 22:39–40; Gjoni 18:1.
“Është thellësisht simbolike që ‘gjaku [doli] nga çdo por’ [Mosia 3:7] kur Jezusi vuajti në Gjetseman, në vendin e presës së ullinjve. Në kohën e Shpëtimtarit, që të prodhohej vaji i ullirit, ullinjtë fillimisht shtypeshin duke rrotulluar një gur të madh mbi ta. ‘Pureja’ e fituar vendosej në shporta të buta, të thurura lirshëm, të cilat vendoseshin njëra mbi tjetrën. Pesha e tyre shtrydhte vajin e parë dhe më të mirin. Më pas ushtrohej shtypje e shtuar duke vendosur një tra ose kërcu të madh mbi shportat e vëna njëra mbi tjetrën, duke prodhuar më shumë vaj. Më së fundi, për të nxjerrë edhe pikat më të fundit, traut i shtoheshin nga njëra anë gurë si pesha për të krijuar shtypjen më të madhe dërrmuese. Dhe po, vaji është i kuq si gjaku kur del jashtë fillimisht” (Plaku D. Tod Kristoferson, konferenca e përgjithshme, tetor 2016).
“Ai nuk është këtu, por është ringjallur” (Lluka 24:6)
Varri i Zbrazët
Shih Mateu 28:1–8; Gjoni 20:1–18.
“Varri i zbrazët atë mëngjes të parë të Pashkës ishte përgjigjja për pyetjen e Jobit: ‘Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?’ [Jobit 14:14]. Të gjithëve atyre që mund të më dëgjojnë unë u deklaroj: ‘Nëse një njeri vdes, ai do të rrojë përsëri’. Ne e dimë, sepse kemi dritën e së vërtetës së zbuluar” (Presidenti Tomas S. Monson, “Ai Ësht’ Ngritur!” konferenca e përgjithshme, prill 2010).