2020
Ndërtimi i Mbretërisë në Kaledonian e Re
Prill 2020


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

Ndërtimi i Mbretërisë në Kaledonian e Re

Të rinjtë e të rejat në moshë madhore në Kaledonian e Re dhe kudo në botë po ngrihen në nivelin e thirrjes për të shërbyer dhe për të qenë udhëheqës në Kishë.

“Mundësia për të shërbyer është një prej bekimeve të mëdha të anëtarësisë në Kishë.”1 Si i ri apo e re në moshë madhore, shërbimi në Kishë mund të jetë një mundësi emocionuese për rritje, udhëheqje dhe forcimin e muskujve tuaj shpirtërorë. Por me gjithë përgjegjësitë e tjera që sjell mosha e rritur e hershme, shërbimi mund të jetë nganjëherë sfidues – veçanërisht në zonat ku Kisha është pothuajse e vogël. Për shembull, çfarë bëni kur thirreni për të qenë presidentja e Të Rejave të kunjit, kur po përpiqeni të përgatiteni për të shërbyer në një mision ndërkohë që frekuentoni edhe kolegjin dhe po ndihmoni të bashkërendoni institutin dhe, o po, jeni vetëm 21 vjeçe?

Për shumë zona në Kishë, ky nuk është një skenar i pazakontë. Në Kaledonian e Re, një territor i vogël francez përtej detit me rreth 2400 anëtarë të Kishës, anëtarëve që janë të rinj e të reja në moshë madhore shpesh u jepen disa përgjegjësi mjaft të mëdha për ndërtimin e mbretërisë së Zotit. Presidenti Rasëll M. Nelson një herë u tha të rinjve e të rejave në moshë madhore: “Ju jeni udhëheqësit/et e ardhshëm/me të Kishës së Zotit! A jeni gati të merrni frerët e udhëheqjes?”2 Për shkak të nevojës dhe për shkak të dashurisë që ata kanë për Shpëtimtarin, të rinjtë e të rejat në moshë madhore kudo në botë janë gati të shërbejnë dhe udhëheqin në Kishë.

Në Shërbim të Tij gjatë Gjithë Jetës

Për shumë të rinj e të reja në moshë madhore në Kaledonian e Re, misionet e tyre i ndihmojnë ata që të përgatiten për të shërbyer gjatë gjithë jetës në Kishë. Siolan (Sio) Ulivaka mori një thirrje për të shërbyer si këshilltar i dytë në peshkopatë vetëm një javë pasi u lirua nga misioni i tij kohëplotë. “Sapo kisha mbaruar misionin”, thotë Sio. “Isha i lodhur dhe i kisha thënë vetes se tani do të çlodhesha.” Por ai prapë e pranoi thirrjen. “Kuptova se do shkoj ku Zoti dëshiron që unë të shkoj. Jam në shërbim të Tij – jo vetëm për dy vjet, por për gjithë jetën.”

Që prej kohës kur shërbeu në peshkopatë, Sio tani është martuar, ka një fëmijë dhe është shpërngulur në një lagje tjetër. Por ai vazhdon të shërbejë dhe t’i përmbushë thirrjet e tij në Kishë.

Plaku Ërl C. Tingi, Autoritet i Përgjithshëm i Shtatëdhjetë nderi, u tha të rinjve e të rejave në moshë madhore: “Një thirrje në Kishë është një nga bekimet më të mrekullueshme që mund të gëzoni në këtë fazë të jetës. Keni kaq shumë për të dhënë në lagjen ose degën ku jetoni. Talentet dhe aftësitë tuaja janë të nevojshme për një Kishë që është në rritje.”3 Sio nuk është i vetmi i ri në moshë madhore në ishull, aftësitë e të cilit janë vënë në përdorim për të ndihmuar Kishën në rritje – të rinj e të reja të tjera në moshë madhore shërbejnë në pothuaj çdo pozicion në nivel lagjeje dhe kunji. Sio thotë: “Përpiqemi të sjellim me vete gjërat që kemi mësuar në misionet tona, për t’i forcuar kunjin tonë dhe lagjet tona.” Këta të rinj e të reja në moshë madhore bëjnë shumë sakrifica me qëllim që të forcojnë mbretërinë në vendlindjen e tyre, por ashtu siç thotë Sio: “Ajo që sakrifikojmë më së shumti është koha jonë”.

Disa të rinj e të reja në moshë madhore kanë dy ose madje tri thirrje. “Kjo mund të jetë një bekim për ta, por mund të jetë edhe një barrë”, thotë Sio, ndërkohë që shumë njerëz e kanë të vështirë t’i drejtpeshojnë kërkesat e moshës së rritur të hershme me përgjegjësitë e tyre në Kishë. “Është e vështirë të bësh çdo gjë në të njëjtën kohë.” Por Sio zbuloi se kur e vendoste Zotin të parin, pjesa tjetër ishte e lehtë për t’u përmbushur. Ai thotë: “Zoti ka ndihmuar për çdo gjë tjetër – shkollën, gjetjen e një bashkëshorteje – gjithçka ishte në duart e Zotit”.

E Ardhmja e Kishës

Profetët dhe apostujt kanë opinione të forta rreth aftësive dhe shërbimit që të rinjtë e të rejat në moshë madhore mund të japin në Kishë: “Na nevojiten e tërë zemra dhe shpirti juaj. Na nevojiten të rinj në moshë madhore plot jetë, mendimtarë, të zjarrtë, që dinë si t’i dëgjojnë dhe t’u përgjigjen pëshpëritjeve të Shpirtit të Shenjtë.”4

Të rinjtë e të rejat në moshë madhore në Kaledonian e Re dhe kudo në botë po ngrihen në nivelin e kësaj thirrjeje apostolike. Ata e kuptojnë se janë e ardhmja e Kishës dhe zgjedhin të shërbejnë në çfarëdo mënyre që munden. Ata e inkurajojnë njëri‑tjetrin në thirrjet e tyre. Ata punojnë me misionarët. Ata e përhapin ungjillin dhe i ftojnë miqtë e tyre në kishë. Ata u japin këshilla të rinjve dhe të rejave në lagjet e tyre dhe i shtyjnë ata që të shërbejnë në misione. Ata udhëtojnë në largësi të mëdha për ta frekuentuar tempullin. Ata u japin mësim joanëtarëve në familjet e tyre. Dhe të gjitha këto përpjekje po e ndërtojnë mbretërinë.

Sio e pranon se, kur vjen puna te shërbimi ndaj Zotit: “Ne jemi mjetet e Tij”. Në këto kohë kur Kisha po rritet, Zoti do t’u bëjë thirrje shenjtorëve të të gjitha moshave, kudo, që t’i pranojnë përgjegjësitë për ta ndërtuar dhe forcuar mbretërinë e Tij. A jemi gati që t’i përgjigjemi asaj thirrjeje?

Shënime

  1. Karl B. Kuk, “Shërbeni”, Liahona, nëntor 2016, f. 110.

  2. Russell M. Nelson, në Marianne Holman Prescott, “Prepare for Future Church Leadership, President Nelson Tells Young Adults”, 8 janar 2017, news.ChurchofJesusChrist.org.

  3. Earl C. Tingey, “Three Messages to Young Adults”, Liahona, prill 2007, f. 27.

  4. M. Rasëll Ballard, “Brezi më i Mirë i Të Rinjve në Moshë Madhore”, Liahona, maj 2015, f. 68.