Kisha e Jezu Krishtit Është Rivendosur!
Përpara se të vinim në tokë, ne jetuam me Prindërit tanë Qiellorë. Ata na donin! Ati Qiellor kishte një plan të mrekullueshëm për ne. Ne do të vinim në tokë që të mund të merrnim një trup dhe të mësonim e të rriteshim. Pastaj ne mund të ktheheshim që të jetonim në shtëpinë tonë qiellore. Por këtë nuk mund ta bënim vetë. Do të na duhej ndihmë.
Ati Qiellor zgjodhi vëllanë tonë më të madh, Jezu Krishtin, që të vinte në tokë për të na ndihmuar. Jezusi na tregoi se si t’i duam të tjerët dhe të zbatojmë urdhërimet e Atit Qiellor. Ai zgjodhi Apostuj për ta udhëhequr Kishën e Tij.
Më pas Jezusi vuajti për ne në Kopshtin e Gjetsemanit. Ai i ndjeu të gjitha dhembjet dhe brengat tona. Ai vdiq në kryq për ne. Për shkak të kësaj, ne mund t’i drejtohemi Atij kur jemi të lënduar apo të trishtuar ose kur kemi nevojë për ndihmë. Ne mund të pendohemi kur bëjmë diçka të gabuar.
Ditën e tretë pasi Jezusi vdiq, Ai u ringjall. Jezusi ishte përsëri i gjallë! Për shkak të kësaj, edhe ne do të ringjallemi. Ne mund të jetojmë sërish në qiell pasi të vdesim.
Pas Ringjalljes së Tij, Jezusi i vizitoi dishepujt e Tij në Jerusalem dhe në kontinentin amerikan. Ai u kërkoi Apostujve të Tij të vazhdonin t’u mësonin njerëzve ungjillin e Tij. Shumë njerëz që i dëgjuan Apostujt, u pagëzuan dhe u bashkuan me Kishën.
Pasi vdiqën Apostujt, njerëzit filluan tʼi harronin disa pjesë të rëndësishme të ungjillit të Jezusit. Ata reshtën së besuari se Ati Qiellor do t’i frymëzonte gjithnjë fëmijët e Tij në tokë. Ata harruan se çdo njeri në tokë do të kishte një mundësi për t’u pagëzuar. Ata reshtën së besuari se profetët dhe apostujt do ta udhëhiqnin gjithnjë Kishën.
Shumë vite kaluan. Më në fund, erdhi koha për tʼi risjellë pjesët e humbura të ungjillit të Jezusit. Erdhi koha që Kisha e Tij të rivendosej! Atit Qiellor i nevojitej dikush që të ishte profet dhe të ndihmonte për ta risjellë kishën sërish në tokë. Ai zgjodhi një djalosh që quhej Jozef Smith.
Një ditë, Jozefi po lexonte Biblën. Te vargu Jakob [Bibël] 1:5, thuhej se Ati Qiellor do t’u përgjigjet pyetjeve tona kur kërkojmë me besim. Jozefi vërtet kishte një pyetje! Ai e dinte se kishte shumë kisha që jepnin mësim për Jezusin. Por ai dëshironte të gjente nëse kishte ndonjë si Kisha e Jezusit te Dhiata e Re.
Një ditë të bukur pranvere afër periudhës së Pashkës, Jozefi shkoi në korije pranë shtëpisë së vet. Ai ra në gjunjë dhe filloi të lutej. Pastaj Jozefi pati një ndjesi të errët. Satani po përpiqej që ta shkurajonte. Por Jozefi vazhdoi të lutej me gjithë fuqinë e vet.
Pastaj zbriti një dritë e bukur. Jozefi pa Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ky quhet Vegimi i Parë. Ata thanë se Kisha e Jezusit nuk gjendej në tokë. Por do të ishte së shpejti. Rivendosja po fillonte!
Ati Qiellor dërgoi engjëj për të rivendosur pjesë të rëndësishme të ungjillit. Engjëlli Moroni i dha Jozefit fletët prej ari që ne të mund të kishim Librin e Mormonit, që të na ndihmonte të mësonim rreth Jezu Krishtit.
Gjon Pagëzori e solli sërish Priftërinë Aarone që ne të mund të pagëzoheshim. Pjetri, Jakobi dhe Gjoni e sollën Priftërinë Melkizedeke që ne të mund të merrnim Frymën e Shenjtë dhe të kemi bekime kur jemi të sëmurë.
Elija erdhi që ne të mund të vuloseshim me familjet tona në tempull.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua. Kjo do të thotë që Kisha e Jezusit është sërish në tokë! Të gjitha këto janë pjesë të Rivendosjes.
Rivendosja e ungjillit po vazhdon ende sot. Profetët, apostujt, misionarët dhe anëtarët po japin lajmin e mirë për Jezu Krishtin në mbarë botën. Po ndërtohen tempuj në shumë vende që njerëzit të mund të vulosen me familjet e tyre përgjithmonë. Dhe Kisha po i ndihmon njerëzit në vende ku ka uri ose fatkeqësi natyrore.
Çdo njeri mund të bëjë diçka që të ndihmojë për Rivendosjen. Ti mund të ndihmosh duke mësuar për historinë tënde familjare dhe duke bërë pagëzime në tempull. Ti mund të japësh të dhjetën që të ndërtohen kisha dhe tempuj. Ti mund të japësh oferta agjërimi për tʼi ndihmuar njerëzit në nevojë. Ti mund t’u tregosh njerëzve rreth Jezu Krishtit.
Jezusi na dha Kishën e Tij që të na ndihmojë të kthehemi te shtëpia jonë qiellore. Ne mund të marrim sakramentin dhe gjithmonë ta kujtojmë atë që bëri Ai për ne. Ne mund t’u shfaqim dashuri të tjerëve, siç bëri Ai. Ne mund ta ndihmojmë çdo njeri që të mësojë për ungjillin e Tij! ●