2020
Mënyra se si të Rinjtë dhe të Rejat në Moshë Madhore Po Sjellin një Ndryshim në Rivendosjen e Vazhdueshme
Prill 2020


Të Rinjtë dhe Të Rejat në Moshë Madhore

Mënyra se si të Rinjtë dhe të Rejat në Moshë Madhore po Sjellin një Ndryshim në Rivendosjen e Vazhdueshme

Të rinjtë e të rejat në moshë madhore kanë pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm në punën e shpëtimit.

young adults

Kurdoherë që dëgjoni një ftesë nga një udhëheqës i Kishës për të marrë pjesë në Rivendosjen e vazhdueshme ose të ndihmoni për ta mbledhur Izraelin, a mendoni ndonjëherë: “Çfarë mund të bëj unë? Jam vetëm një njeri”, “Jam shumë i ri ose e re”, “Nuk jam ende i/e martuar” ose “Nuk di mjaftueshëm. Çfarë ndryshimi mund të sillja unë?”

Secilit prej nesh, herë pas here, i kalojnë këto mendime nëpër mendje. Por përpiquni ta shuani atë dyshim teksa lexoni disa nga fjalitë vijuese:

  • Jozef Smithi ishte vetëm 22 vjeç kur filloi të përkthente Librin e Mormonit.

  • Oliver Kaudëri ishte gjithashtu 22 vjeç dhe Xhon Uitmeri ishte 26 vjeç (dhe të dy ata ishin beqarë!) kur filluan të punonin si shkrues të Jozefit.

  • Në vitin 1835, kur u thirr Kuorumi i parë i Dymbëdhjetë Apostujve, ata kishin mosha nga 23 deri në 35 vjeç.

  • Shumë prej shenjtorëve të hershëm që u bashkuan me Kishën dhe e përhapën ungjillin, ishin të rinj e të reja në moshë madhore.

Në tërësi, Perëndia veproi nëpërmjet të rinjve dhe të rejave në moshë madhore në ditët e hershme të Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit. Njerëz pikërisht si ju.

Lëreni këtë ide të gjejë vend te ju.

Kisha nuk do të ishte përhapur anembanë botës sot nëse gjithsecili do të mendonte se nuk mund të sillte një ndryshim. Dhe ju – po, ju! – jeni pjesë e një brezi të zgjedhur për të vazhduar rivendosjen dhe udhëheqjen e Kishës së Jezu Krishtit sot.

Ju u Dërguat Këtu. Tani. Për një Arsye.

Kur foli për brezin tonë, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Ju po jetoni në ‘orën e njëmbëdhjetë’. Zoti ka deklaruar se kjo është hera e fundit që Ai do t’i thërrasë punëtorët në vreshtin e Tij për t’i mbledhur të zgjedhurit nga të katër cepat e tokës. (Shih DeB 33:3–6.) Dhe ju u dërguat për të marrë pjesë në këtë mbledhje.”1

Mendoni për fuqinë e 65 000 misionarëve kohëplotë që po e përhapin ungjillin gjithë ditën, çdo ditë, kudo në botë. Mendoni për gjithë të rinjtë e të rejat në moshë madhore që bëjnë besëlidhje në tempull, që përfitojnë nga priftëria e rivendosur dhe bekimet e tempullit dhe që besëlidhin për të qenë besnikë, për t’i forcuar familjet e tyre dhe për ta ngritur mbretërinë e Perëndisë në tokë. Mendoni për të rinjtë e të rejat në moshë madhore që shërbejnë si udhëheqës të Kishës anembanë botës. Mendoni për ata që po çajnë përpara për të ndjekur Jezu Krishtin pavarësisht nga të gjitha pengesat kundër tyre. Të rinjtë e të rejat në moshë madhore kanë qenë një pjesë jetike e Rivendosjes që nga fillimi. Dhe Rivendosja e vazhdueshme ka qenë një pjesë jetike e jetës së anëtarëve të panumërt, të rinj e të reja në moshë madhore të Kishës.

Çfarë Domethënie Ka për Mua Rivendosja

Për shumë prej nesh, pjesëmarrja jonë në Rivendosje buron nga ajo që na ka mësuar. Për Venela Vakapalin, një e re në moshë madhore e kthyer në besim nga Andra Prandeshi në Indi, “Rivendosja ka të bëjë me kërkimin e zbulesës. Jozef Smithi kërkoi zbulesë në pyll. Ai u këshillua me Zotin, ai priti për përgjigjen, ai ishte i duruar. Kjo është ajo që më pëlqen shumë.” Venela shpjegon: “Përpara se të dëgjoja për Rivendosjen, nuk dija shumë rreth kërkimit të zbulesës. Një nga gjërat e mrekullueshme që më mahnit, është sasia e madhe e kohës që shpenzoi ai për të marrë zbulesë nga Perëndia. Kjo është ajo që mësova nga Rivendosja.”

Ema dhe Xhejkëb Robertsi, një çift i ri nga Juta, SHBA, pajtohen me idenë që Rivendosja ka të bëjë me “zbulesën e vazhdueshme” – për veten tonë dhe për botën – “që ne të mund të kemi një profet, një zëdhënës nga Perëndia këtu në tokë, për t’u siguruar se çfarëdo sfidash që sjell bota, ne kemi dikë që është duke punuar dhe duke u lutur e duke bashkëbiseduar me Perëndinë, për t’u siguruar që ne të jemi të përgatitur dhe të aftë të përballemi me çfarëdo sfide që sjell bota teksa ajo ndryshon”.

“Kjo sasi e madhe njohurie që vjen me Rivendosjen, e bën jetën time më të lehtë dhe më pak stresuese”, thotë Xhejkëbi. E gjitha vjen me një siguri “se ka një Perëndi që na do dhe kujdeset për ne”, thotë Ema. “Qëllimi i Tij është lumturia jonë. Si të rinj e të reja në moshë madhore, ne mund t’i mirëbesojmë plotësisht Atij dhe ta ndjekim Atë ngaqë e dimë se synimi i Tij është lumturia jonë. Ne e dimë se jemi qenie të përjetshme dhe kjo më jep shumë shpresë e besim, se çfarëdo gjëje që bëj tani dhe çfarëdo gabimesh që bëj tani, unë prapë mund të pendohem dhe e kam këtë kohë për të përparuar e për të mësuar.”

Ajo lloj sigurie e ndihmoi gjithashtu Ramona Morrisin, një të re në moshë madhore nga Barbadosi, kur ajo mësoi fillimisht për Rivendosjen. Mes gjërave të tjera, ajo fitoi një dëshmi se “Ati Qiellor është atje për ne. Rivendosja thjesht u sjell paqe atyre që pyesin për jetën e tyre dhe planin e Perëndisë për ta”.

Por edhe pse të kuptuarit e Rivendosjes ka sjellë qartësi në jetën e saj, ajo gjithashtu e pranon se “të qenit kaq larg nga zyrat qendrore të Kishës, e bën të vështirë të lidhesh me ungjillin, por për shkak se kam pasur një dëshmi të fortë të ungjillit të rivendosur, e di se edhe për aq larg sa jam, unë ende mund të ndihem si pjesë e Rivendosjes, se nuk jam vetëm”.

Dhe ajo nuk është vetëm. Të rinjtë e të rejat në moshë madhore kudo në botë janë duke marrë pjesë në Rivendosje nëpërmjet shërbimit në tempull, historisë familjare dhe punës misionare. Me kuptimin e zbulesës vetjake të cilën e marrim nga të mësuarit rreth Vegimit të Parë të Jozef Smithit dhe Rivendosjes, ne të gjithë mund të vazhdojmë të kërkojmë të dimë vullnetin e Perëndisë dhe se çfarë roli mund të luajmë në Rivendosjen e vazhdueshme.

world map

Hartë nga Getty Images

Të Rinjtë dhe Të Rejat në Moshë Madhore Duke Udhëhequr Kishën

Mund të jemi të rinj e të reja në moshë madhore, por ne mund të jemi udhëheqës në Kishë tani. Pavarësisht se është anëtarja e vetme e Kishës në familjen e saj, Janka Toroni nga Gijori në Hungari, është forcuar nga pjesëmarrja me të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore në aspekte të tjera të Rivendosjes: “Një grup miqsh të mi kanë shkuar në misione dhe ka qenë e mrekullueshme të shohësh përparimin e tyre, dhe pastaj ata kthehen dhe rriten aq shumë nëpërmjet gjithë përvojave të tyre. Është një përvojë e mrekullueshme për të gjithë ne. Dhe është gjithmonë e mahnitshme t’i shoh miqtë e mi të rinj e të reja beqare në moshë madhore të shërbejnë në thirrjet e tyre dhe ndonjëherë madje të shoh mundësitë që i krijojnë vetes, si për shembull të dalin vullnetarë për të qenë këshilltarë në konferencat e FSY‑së (Për Forcën e Rinisë). Mendoj se Rivendosja nuk ka të bëjë gjithmonë me të mësuarit e njerëzve rreth ungjillit – ka të bëjë me forcimin e anëtarëve që kemi.”

Të rinjtë e të rejat në moshë madhore në Hungari e kuptojnë se ata janë udhëheqësit e ardhshëm të Kishës. “Ne jemi të nevojshëm dhe kemi nevojë të ngrihemi në lartësinë e detyrës, e cila ndonjëherë është rraskapitëse”, pranon Janka. “Zoti po e përshpejton punën dhe ne jemi pjesë e saj. Ndonjëherë ne mendojmë: ‘Si supozohet që ta bëj këtë?’ Por është e mrekullueshme të shohësh se udhëheqësit tanë kanë kaq shumë mirëbesim te ne. Është nxitëse për ata që e duan Kishën dhe kanë një dëshmi të fortë, ngaqë e dinë se një ditë ne do të mbahemi përgjegjës. Ne duhet të marrim përgjegjësi për vetë përparimin tonë shpirtëror.”

Shon dhe Stefani Xhozefi nga Australia Perëndimore marrin pjesë në Rivendosje duke i këshilluar të rinjtë e të rejat në lagjen e tyre. “Për mua, pjesëmarrja në Rivendosje është që t’i ndihmoj brezat e ardhshëm të kuptojnë se çfarë është ungjilli dhe se si mund t’i ndihmojë ata dhe të tjerët në jetën e tyre”, thotë Stefania. “Ne mund të ndihmojmë në krijimin e një themeli më të fortë për Kishën në vendin tonë më vonë.”

“Ne duam t’i ndihmojmë të rinjtë e të rejat të marrin dëshmi për Librin e Mormonit e Jozef Smithin dhe të kuptojnë vetë se ata janë me të vërtetë fëmijë të Perëndisë”, shpjegon Shoni. “Nuk duam që ajo të jetë diçka për të cilën ata thjesht kënduan në Fillore – ne duam që ta dinë se në fakt kjo është e vërtetë.”

Sa për Venelën, të jetuarit e ungjillit në Indi nuk është gjithmonë i lehtë, por ajo e di se forca e të rinjve dhe të rejave anëtare në moshë madhore atje do t’i frymëzojë të tjerët dhe do të ndihmojë në çuarjen përpara të Rivendosjes. “Këtu, të gjithë të rinjtë e të rejat në moshë madhore janë shumë besnikë. Ata kërkojnë mundësi për ta treguar dëshminë e tyre”, thotë ajo. “Ne jemi si pionierë në Indi. Ne vijmë nga vende të ndryshme dhe disa prej nesh madje largohemi nga familjet tona. Jeta mund të jetë sfiduese këtu, por ne prapë zgjedhim ta jetojmë ungjillin. Shkrimet e shenjta më japin shumë shpresë, forcë e kurajë.”

Pavarësisht se ku jemi, si të rinj e të reja në moshë madhore, ne mund të vazhdojmë të kemi një ndikim të fuqishëm në Rivendosjen e vazhdueshme nëpërmjet besimit dhe zotimit tonë ndaj ungjillit.

E Ardhmja e Kishës: Është në Dorën Tonë

Ne jemi e ardhmja e Kishës. Jemi në betejën e fundit. Ati Qiellor mbështetet te ne për ta ndihmuar Atë të bëjë punën e Tij – punën e Tij që e ndryshon jetën përjetësisht. Ai e di se ne jemi mjaft të fortë sa të vazhdojmë të çajmë përpara dhe të luftojmë kundër çdo gjëje me të cilën kundërshtari përpiqet të na tundojë e mashtrojë. Dhe Satani po dëshpërohet. Ai e di se po lufton një betejë të cilën e ka humbur ngaqë puna e Zotit do të triumfojë.

“Ne e dimë se Zoti po e përshpejton punën dhe askush nuk mund ta ndalojë”, thotë Janka. “Ne e dimë se do të ndodhë gjithsesi. Por duhet të vendosim nëse do të jemi pjesë e saj dhe do të ndihmojmë për ta çuar përpara atë, apo do të shohim si spektatorë. Ne kemi lirinë e zgjedhjes të jemi pjesë e saj dhe ne kemi dëshminë që të jemi në gjendje të zgjedhim të drejtën dhe të zgjedhim ta ndjekim Krishtin. Ne duhet të jemi pjesë e saj.”

Pra, është në dorën tonë që të zgjedhim se në cilën anë jemi.

Është në dorën tonë që të kemi kurajë për të qëndruar për atë që besojmë.

Është në dorën tonë që të kërkojmë zbulesë vetjake për jetën tonë.

Është në dorën tonë që t’i lejojmë sfidat e vështira që ndeshim, të na e forcojnë besimin tonë te Shpëtimtari.

Është në dorën tonë që ta ndjekim Atë dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i sjellë të tjerët tek Ai.

Është në dorën tonë që të durojmë deri në fund në mënyrën më të mirë që mundemi.

Jemi me të vërtetë në ditët e fundit. Dhe, të udhëhequrit e Kishës në atë që Presidenti Nelson e quan “periudha ungjillore më detyruese në historinë e botës”2, tingëllon si një përgjegjësi me të vërtetë dërrmuese. Por mendoni këtë – Ati Qiellor na mirëbesoi mjaftueshëm dhe na ruajti që të jemi në këtë tokë në këtë pikë të veçantë në kohë, në këtë kohë kur përballemi me tundime dhe shpërqendrime të panumërta dhe me kaq shumë opinione kundërshtuese.

Duke na dërguar këtu në periudhën ungjillore më kryesore, Ati Qiellor nuk na vuri në këtë situatë që të dështojmë. Ai e njeh potencialin tonë, forcën tonë, kurajën tonë dhe përfundimisht, Ai e di se ne mund të sjellim një ndryshim në Rivendosjen e Kishës, pavarësisht nga mosha apo gjendja jonë civile. Pavarësisht se sa të pamundura mund të duken sprovat tona apo se sa e pamundur mund të duket të udhëhequrit dhe përhapja e ungjillit anembanë tokës, me Atë në anën tonë, kush vallë mund të luftojë kundër nesh? Ai do të na ndihmojë të arrijmë të pamundurën.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Qëndroni si Mijëvjeçaristë të Vërtetë”, Liahona, tetor 2016, f. 48.

  2. Rasëll M. Nelson, “Qëndroni si Mijëvjeçaristë të Vërtetë”, Liahona, tetor 2016, f. 46.