Biblioteka
Jeta Para Lindjes


“Jeta Para Lindjes”, Tema dhe Pyetje (2023)

gjithësia

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Jeta Para Lindjes

Jeta jonë me Perëndinë përpara se të lindnim

Në njëfarë pike të jetës, shumica e njerëzve do të pyetin veten se çfarë do të ndodhë kur të vdesin. Por a e keni pyetur veten ndonjëherë nëse ekzistuat përpara se të lindnit dhe, nëse po, kush ishit në atë kohë?

Ne e dimë nga shkrimet e shenjta se përpara se të vinim në tokë, ne jetuam me Perëndinë dhe e adhuruam Atë si Atin tonë të Amshuar. Ne gjithashtu morëm udhëzime dhe përgatitje për jetën tonë në vdekshmëri dhe zgjodhëm ta ndiqnim planin e Atit tonë për shpëtimin tonë.

Ky plan i shpëtimit përfshiu ardhjen tonë në tokë. Si pjesë e përvojës në vdekshmëri, ne do të merrnim trupa të vdekshëm dhe një vel do të mbulonte kujtimet për jetën tonë para lindjes. Këtu në tokë ne duhet të ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes apo aftësinë tonë për të zgjedhur. Në Këshillin e Madh të mbajtur në jetën tonë para lindjes, Ati Qiellor zgjodhi Jezu Krishtin që të paguante çmimin për mëkatet tona dhe të mposhtte vdekjen dhe Jezusi e pranoi me gatishmëri atë rol. Ne mësuam se përparimi ynë që të bëhemi si Ati ynë Qiellor, do të kërkonte vendosjen e besimit tonë te Jezu Krishti dhe bindjen ndaj urdhërimeve të Perëndisë.

Çfarë Është Jeta Para Lindjes?

“Jeta para lindjes” i referohet jetës që jetuam përpara se të vinim në tokë si qenie në vdekshmëri. Në jetën para lindjes, të gjithë njerëzit jetuan me Perëndinë si fëmijët e Tij shpirtërorë.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Jeta Para Lindjes

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Plani i Shpëtimit, Jeta në Vdekshmëri, Bota e Shpirtrave, Jezu Krishti, Fëmijët e Perëndisë

Pjesa 1

Ju Jetuat me Perëndinë përpara se të Lindnit

grua duke përsiatur për jetën para lindjes

Përpara se të lindnim, ne kishim trupa shpirtërorë dhe jetonim me Perëndinë si bija dhe bij shpirtërorë të prindërve qiellorë (shihni te Moisiu 3:4–5). Atje ne “e njihni[m] dhe e adhuroni[m] Perëndinë si Atin [tonë] të Amshuar”. Kjo ishte një kohë mësimi e përgatitjeje dhe Perëndia na njihte (shihni te Jeremia 1:5) dhe na ndihmoi të përgatiteshim për jetën tonë në tokë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 138:56).

Gjëra për t’i menduar

  • Të vërtetat e dhëna mësim në dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” na ndihmojnë që të kuptojmë se si jeta jonë para lindjes i përshtatet planit të Atit Qiellor për lumturinë tonë. Lexoni tre paragrafët e parë të proklamatës, duke u kushtuar vëmendje të veçantë referencave për jetën tonë para lindjes. Si ju ndihmon kuptueshmëria juaj për jetën tonë para lindjes kur ndesheni me sfida? Si mendoni, përse Perëndia i ka zbuluar këto të vërteta rreth jetës para lindjes?

  • Ne nuk dimë shumë rreth jetës sonë para lindjes. Sidoqoftë, ne vërtet e dimë se “shumë … i morën mësimet e para në botën e shpirtrave dhe u përgatitën për të ardhur në kohën e duhur të Zotit” (Doktrina e Besëlidhje 138:56). Duke marrë parasysh atë që dini rreth planit të Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin dhe ungjillit të Jezu Krishtit, çfarë mësimesh mund të kemi mësuar gjatë kësaj kohe? Studiojini vargjet te Doktrina e Besëlidhje 138:53–57, duke i kushtuar vëmendje të veçantë vargut 56. Nëse e keni bekimin tuaj patriarkal, leximi i tij mund të jetë gjithashtu i dobishëm. Si mund t’ju japë vetëbesim gjatë kohëve të vështira njohuria se ishit të përgatitur për jetën tuaj në vdekshmëri?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Presidenti Rasëll M. Nelson i kujtoi anëtarët e Kishës: “Kush jeni ju? Së pari dhe më kryesorja, ju jeni një fëmijë i Perëndisë.” Ftojeni çdo njeri që të tregojë se përse identiteti i tij ose i saj si fëmijë i Perëndisë është i rëndësishëm për të. Më pas lexoni së bashku te Hebrenjve 12:9; Doktrina e Besëlidhje 76:24; Veprat e Apostujve 17:29 dhe Romakëve 8:16. Çfarë pikëpamjesh fitoni nga këto shkrime të shenjta? Çfarë mësoni nga këto shkrime të shenjta rreth asaj se çfarë do të thotë të jeni fëmijë i Perëndisë? Tregojani idetë tuaja grupit.

  • Mendoni për histori që ju kanë thënë të tjerët rreth fëmijërisë suaj. Edhe pse nuk e mbani mend kohën kur ishit foshnjë apo fëmijë dy ose trevjeçar, ajo që ju ndodhi atëherë, ende mund të ndikojë gjatë gjithë jetës suaj. Ftojeni grupin që të tregojë disa shembuj. Ashtu siç nuk mund ta kujtojmë fëmijërinë tonë të hershme, ne nuk mund të kujtojmë as jetën tonë para lindjes. Si ndikon ky fakt te mënyra se si mendojmë për jetën tonë para lindjes?

Mësoni më shumë

  • Diter F. Uhtdorf, “Udhëtimi Juaj i Mrekullueshëm për në Shtëpi”, Liahona, maj 2013, f. 125–129

  • Neal A. Maxwell, “Premortality, a Glorious Reality”, Ensign, nëntor 1985, f. 15–18

  • Chapter 6: Our Premortal Life”, Doctrines of the Gospel Student Manual (2010), f. 13–15

Pjesa 2

Jezu Krishti u Zgjodh në Jetën Para Lindjes që të Ishte Shpëtimtari Ynë

Jezu Krishti u zgjodh si Shpëtimtari ynë

Në jetën para lindjes, Ati Qiellor thirri një Këshill të Madh që të paraqiste planin e Tij për përparimin tonë të përjetshëm. Ne mësuam se do të vinim në tokë, ku mund të ushtronim lirinë tonë të zgjedhjes dhe mund të bëheshim më shumë si Perëndia (shihni tek Abraham 3:23–26). Ati Qiellor zgjodhi që Jezu Krishti të ishte Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës dhe Ai me gatishmëri e pranoi atë rol (shihni te 1 Pjetër 1:19–20). Si Shëlbuesi ynë, Ai do të bënte të mundur që ne të ktheheshim në praninë e Perëndisë nëpërmjet mposhtjes së vdekjes dhe mëkatit.

Megjithatë, Luciferi (Satani) u përpoq ta shkatërronte lirinë e zgjedhjes që Perëndia ua dha fëmijëve të Tij (shihni te Moisiu 4:1–3). Ai gjithashtu dëshironte të merrte lavdinë e Perëndisë (shihni tek Isaia 14:12–15; Doktrina e Besëlidhje 76:25–29). Kjo shkaktoi një ndarje të madhe mes fëmijëve të Perëndisë (shihni tek Abraham 3:27–28; Zbulesa 12:7). Ata që e ndoqën Luciferin, u dëbuan nga qielli bashkë me të (shihni te Zbulesa 12:8–9; Doktrina e Besëlidhje 29:36–37). Të gjithë ata që e pranuan Jezu Krishtin si Shpëtimtarin, ishin në gjendje të përparonin dhe të merrnin një trup fizik në tokë.

Perëndia na dha dhuratën e lirisë morale të zgjedhjes. Lexoni te 2 Nefi 2:27–29, duke i kushtuar vëmendje rolit që luan liria e zgjedhjes në jetën tonë. Përse është dhurata e lirisë së zgjedhjes një pjesë vendimtare e planit të Atit Qiellor dhe e përvojës sonë në vdekshmëri? Çfarë ju mëson dëbimi i Luciferit dhe ndjekësve të tij rreth rëndësisë së lirisë së zgjedhjes?

Jezu Krishti u parashugurua të ishte Shpëtimtari ynë. Çfarë do të thotë titulli “Shpëtimtar”? Lexoni te Gjoni 3:17; Veprat e Apostujve 2:21; Helamani 14:15 dhe Moisiu 1:6. Çfarë mësoni nga këto vargje rreth rolit të Jezu Krishtit?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

Gjatë jetës sonë para lindjes, ne i njihnim Perëndinë dhe Jezu Krishtin. Në vdekshmëri, ne nuk kemi asnjë kujtim për atë kohë dhe duhet të “ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit” (2 Korintasve 5:7). Nëse u jepni mësim fëmijëve më të vegjël, ju mund t’i ftoni ata të ecin nëpër dhomë me sy të lidhur që t’i ndihmoni të kuptojnë se çfarë do të thotë kjo. Si grup, studioni disa prej shkrimeve të shenjta të renditura nën zërin “Besim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Më pas diskutoni rolin që luan besimi te Jezu Krishti në udhëtimin tonë për t’u kthyer në shtëpinë tonë qiellore.

Mësoni më shumë

  • Dallin H. Ouks, “Plani i Madh”, Liahona, maj 2020, f. 93–96

  • Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Këshill në Qiell”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]

  • Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpëtimtar”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]

Burime të Tjera rreth Jetës Para Lindjes