“Bota e Shpirtrave”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Bota e Shpirtrave
Ku banojnë shpirtrat midis vdekjes dhe ringjalljes sonë
A e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë ndodh pasi vdesim? Ungjilli i Jezu Krishtit në mënyrë të qartë na mëson se jeta në tokë nuk është gjithçka që ekziston. Trupat tanë shpirtërorë ekzistuan përpara se të lindnim dhe do të vazhdojnë të jetojnë pasi të vdesim. Pas vdekjes, ne shkojmë në botën e shpirtrave për të pritur ringjalljen tonë. Ungjilli i Jezu Krishtit gjithashtu jepet mësim në botën e shpirtrave. Për shkak se çdo shpirt është i çmuar për Perëndinë, Jezu Krishti siguroi një mënyrë për shpëtimin e atyre që vdiqën pa një mundësi për ta marrë ungjillin.
Pjesa 1
Ka Jetë pas Vdekjes
Vdekja e një miku ose një njeriu të dashur vjen me dhembje dhe pikëllim. Ndërkohë që vajtimi për humbjen e të tjerëve është pjesë e përvojës sonë në vdekshmëri, shkrimet e shenjta shpallin se Jezu Krishti e hoqi “thumbi[n e] vdekjes” nëpërmjet Ringjalljes së Tij prej së vdekuri (Mosia 16:8; Alma 22:14; Mormoni 7:5). Për shkak se Jezu Krishti i theu rripat e vdekjes, ne të gjithë do të jetojmë përsëri (shihni tek Alma 11:42–43). Kur vdesim, trupat tanë fizikë ndahen nga trupat tanë shpirtërorë. Trupi ynë shpirtëror më pas “cakt[ohet] në një vend sipas veprave [tona] me të drejtët ose të padrejtët, për të pritur atje ringjalljen”. (Shihni tek Alma 40:11–13.)
Gjëra për t’i menduar
-
Plaku Uedhërford T. Klejton vëzhgoi: “Bota e sheh lindjen dhe vdekjen si fillimin dhe mbarimin. Por për shkak të planit të shenjtë të Perëndisë, ne e dimë se lindja dhe vdekja janë në të vërtetë vetëm çaste kulmore në udhëtimin tonë drejt jetës së përjetshme me Atin tonë Qiellor.” Si mund t’ju përgatitë ky këndvështrim për kohën kur vdes dikush që e doni?
-
Lexoni te 1 Korintasve 15:51–55, 57. Mendoni për një rast kur vdiq dikush që ju e doni. Si ju ndihmoi dijenia se Jezu Krishti e mposhti vdekjen? Si mund ta përdorni atë njohuri për t’i forcuar të tjerët që kanë pyetje rreth humbjes e vdekjes?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Për t’i ndihmuar ata që nuk e njohin konceptin e trupave shpirtërorë, ju mund të përdorni një dorashkë që të përfaqësojë trupin fizik dhe dorën tuaj që të përfaqësojë një shpirt. Vendoseni dorën tuaj brenda dorashkës dhe tregoni se dorashka është “gjallë” vetëm kur dora është brenda saj. Më pas nxirreni dorën jashtë dhe shpjegoni se dora vazhdon të jetojë pavarësisht se çfarë i ndodh dorashkës. Më pas, mund ta vishni përsëri dorashkën dhe të shpjegoni se pasi të ringjallemi, shpirti ynë dhe trupi ynë nuk do të ndahen më kurrë. (Shihni tek Alma 11:45.)
Mësoni më shumë
-
Pol V. Xhonson, “Dhe Vdekja Nuk Do Të Jetë Më”, Liahona, maj 2016, f. 121–123
Pjesa 2
Çfarë Dimë rreth Botës së Shpirtrave?
Pas vdekjes, trupat tanë shpirtërorë shkojnë në botën e shpirtrave. Atje, shpirtrat e të drejtëve “pranohen në një gjendje lumturie që quhet parajsë, një gjendje e pushimit, një gjendje e paqes, ku ata do të prehen nga të gjitha trazirat e tyre dhe nga të gjitha vuajtjet dhe brengat” (Alma 40:12). “At[a] që … vd[iqën] në mëkatet e tyre, pa një dituri të së vërtetës ose të shkeljes, duke i mohuar profetët”, janë shpirtrat në burg (Doktrina e Besëlidhje 138:32; shihni edhe te 1 Pjetër 3:18–20).
Gjëra për t’i menduar
-
Shpirtrat që janë në burg, mund të marrin mësimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Por gjendja e disa shpirtrave në burg nganjëherë përmendet në shkrimet e shenjta si “ferr”, ose vendi i përkohshëm ku të jobesnikët dhe ata që nuk do ta pranojnë ungjillin, vuajnë deri në ringjalljen e tyre (shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:81–85). Individët që zgjedhin të mos pendohen për mëkatet e tyre ose të mos e pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit, do të vuajnë për vetë mëkatet e tyre përpara se të shpëtohen në një mbretëri lavdie në përjetësinë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 19:16–18). Si mund t’ju ndihmojë ky fragment që ta kuptoni më mirë përvojën e atyre që janë në burgun e shpirtrave?
-
Shpirtrat në parajsë janë shpirtrat e të drejtëve që “pranohen në një gjendje lumturie … një gjendje e pushimit, një gjendje e paqes, ku ata do të prehen nga të gjitha trazirat e tyre dhe nga të gjitha vuajtjet dhe brengat” (Alma 40:12). Si e rrit kjo e vërtetë dëshirën tuaj për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë dhe për të jetuar me drejtësi?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Për të marrë vesh se çfarë na mësojnë shkrimet e shenjta rreth botës së shpirtrave, krijoni dy kolona në letër dhe emërtojeni njërën anë “Të Drejtët” dhe anën tjetër “Të Ligjtë”. Më pas studioni tek Alma 40:6–14 dhe Doktrina e Besëlidhje 138:12–14, 20–22. Diskutoni atë që zbuluat në këto fragmente të shkrimeve të shenjta.
Mësoni më shumë
-
“The Spirit World”, Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), f. 279–284
Pjesa 3
Ungjilli Predikohet në Botën e Shpirtrave
A e keni menduar se çfarë u ndodh njerëzve që vdesin pa e dëgjuar kurrë ungjillin e Jezu Krishtit ose pa pasur mundësinë për të marrë ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit? Një Atë Qiellor i urtë dhe i dashur, ka përgatitur një mënyrë që të gjithë fëmijët e Tij të kthehen dhe të jetojnë me Të, në qoftë se e zgjedhin këtë gjë. Profeti Jozef Smith u shpalli anëtarëve të Kishës: “Të vdekurit duhet t’i thonë këngë përlëvdimi të përjetshëm mbretit Emanuel, që ka shuguruar, përpara se bota të ishte, atë që do të na bëjë të aftë për t’i shëlbyer ata nga burgu i tyre; sepse të burgosurit do të lirohen” (Doktrina e Besëlidhje 128:22).
Në vitin 1918 Presidenti Jozef F. Smith pa një vegim qiellor për botën e shpirtrave. Hollësitë e atij vegimi, të shënuara te Doktrina e Besëlidhje 138, e qartësojnë të kuptuarit tonë se si Jezu Krishti bëri të mundur që ata që ishin në robëri në burgun e shpirtrave, ta mësonin ungjillin, të pendoheshin dhe të merrnin ordinancat thelbësore të priftërisë.
Gjëra për t’i menduar
-
Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 138:16–19, 50–52. Sipas këtyre vargjeve, në çfarë mënyre është e tërë bota e shpirtrave si një burg madje edhe për shpirtrat e drejtë? (Shihni edhe te 1 Pjetër 3:18–20; 4:6.) Çfarë emocionesh përjetuan ata individë në parajsë me vdekjen e Jezu Krishtit dhe shfaqjen e Tij në botën e shpirtrave?
-
Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 138:29–37, 57–59, duke kërkuar se si bekimet e ungjillit vihen në dispozicion të individëve që vdiqën pa e marrë ungjillin në këtë jetë. Çfarë do të thotë për ju që paraardhësit tuaj mund të shpëtohen për shkak të asaj që bëri Jezu Krishti?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve jetike me Perëndinë dhe marrjes së ordinancave të veta thelbësore të pagëzimit dhe tempullit, ju po ndihmoni që Izraeli të mblidhet”. Diskutoni për mënyrat se si mund t’i ndihmoni ata që kanë vdekur, që të shëlbohen dhe të marrin ordinancat thelbësore. Ftojini anëtarët e grupit që kanë marrë pjesë në atë punë, që të tregojnë përvojat e tyre vetjake.
Mësoni më shumë
-
Gjoni 5:25–29; 1 Pjetër 3:18–22; 4:6; Doktrina e Besëlidhje 138:53–56
-
Dejll G. Renland, “Historia Familjare dhe Puna në Tempull: Vulosja dhe Shërimi”, Liahona, maj 2018, f. 46–49
-
“Redeeming Our Dead through Temple Service”, Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (2011), f. 407–415