Biblioteka
Bindja


“Bindja”, Tema dhe Pyetje (2023)

e re e buzëqeshur

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Bindja

Ndjekja e Perëndisë me një zemër të gatshme

Prindërit e kuptojnë rëndësinë e të mësuarit të fëmijëve të vegjël që ta shmangin prekjen e një sobe të nxehtë ose vrapimin në rrugë përpara makinave. Nëse fëmijët binden, qoftë nëse e kuptojnë apo jo përse bindja është e nevojshme, ata do të gëzojnë siguri dhe mbrojtje më të madhe.

Në jetën tonë para lindjes, Zoti shpalli se ishte e domosdoshme që fëmijëve të Perëndisë t’u jepej një përvojë në vdekshmëri në tokë që të “provo[hen] …, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë” (Abraham 3:25). Perëndia dëshiron që secili prej nesh të mësojë ta ndjekë Atë dhe t’u bindet urdhërimeve të Tij. Kur ne e bëjmë këtë, do të marrim bekimin e të jetuarit me Të në “një gjendje lumturie të pafund” (Mosia 2:41). Duke përdorur lirinë tonë morale të zgjedhjes dhe udhërrëfimin e Shpirtit, ne mund të fillojmë të kuptojmë përse Perëndia na ka dhënë ligje për t’iu bindur. Ati Qiellor premton lumturi dhe bekime për të gjithë ata që do t’ua vënë veshin fjalëve të Tij dhe me gatishmëri do t’u binden urdhërimeve të Tij.

Çfarë Është Bindja?

Në ungjillin e Jezu Krishtit, bindja kuptohet si bërja e vullnetit të Perëndisë dhe zbatimi i urdhërimeve të Tij. Ajo përfshin ushtrimin e lirisë sonë të zgjedhjes për ta ndjekur Perëndinë me një zemër të gatshme. Ne e demonstrojmë dashurinë tonë për Perëndinë kur zgjedhim t’i mirëbesojmë dhe t’i nënshtrohemi vullnetit të Tij.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Bindja

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Urdhërimet, Pendimi, Besëlidhjet dhe Ordinancat, Të Jetuarit e Ungjillit të Jezu Krishtit

Pjesa 1

Jezu Krishti iu Bind Perëndisë, Atit, në të Gjitha Gjërat

Jezusi në Gjetseman

Jezu Krishti shpalli: “Unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar” (Gjoni 6:38). Gjatë gjithë jetës së Tij në vdekshmëri, Jezusi demonstroi bindje ndaj të gjitha ligjeve dhe urdhërimeve të Atit të Tij. Ai tha: “[Unë] bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë [Perëndisë]” (Gjoni 8:29).

Në Kopshtin e Gjetsemanit, Jezusi u lut: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42). Pas vuajtjes në Gjetseman, Ai iu nënshtrua përulësisht vullnetit të Atit të Tij dhe u kryqëzua, duke u bërë Vetë një ofrim për të na shëlbyer ne të gjithëve (shihni te Mosia 15:7). Ngaqë Jezu Krishti ishte i bindur ndaj Atit të Tij në të gjitha gjërat, Ai e bëri të mundur shpëtimin dhe ekzaltimin për fëmijët e Perëndisë.

Në kohën tonë, Zoti na kërkon të ndjekim gjurmët e Tij dhe të “jeto[jmë] me anë të çdo fjale që del nga goja e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 98:11; shihni edhe te Ligji i Përtërirë 8:3). Jezu Krishti qartësoi arsyen më të rëndësishme për t’iu bindur Perëndisë kur Ai dha ftesën e drejtpërdrejtë dhe të thjeshtë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15).

Gjëra për t’i menduar

  • Jezu Krishti jetoi një jetë të pamëkatë e të shenjtë. Ai na fton që ta ndjekim Atë. Lexoni te 2 Nefi 31:7–10. Çfarë u kërkohet atyre që dëshirojnë ta ndjekin Jezu Krishtin?

  • Perëndia shpalli se vepra dhe lavdia e Tij është të “bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 11:20 dhe merrni parasysh atë që Zoti e përcakton si “puna [juaj]”.

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Plaku Robert D. Hejls dha mësim: “Për shkak se Shpëtimtari ynë qe i bindur, Ai shleu për mëkatet tona, duke e bërë të mundur ringjalljen tonë e duke përgatitur udhën për ne që të kthehemi tek Ati ynë Qiellor”. Diskutoni se çfarë bekimesh gëzojmë për shkak se Jezu Krishti ishte përsosurisht i bindur ndaj Perëndisë, Atit. Çfarë do të donte Perëndia që ne të bënim për të treguar mirënjohjen tonë për bekimet e shumta që marrim?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Bindja Juaj ndaj Perëndisë do të Çojë në Lumturi dhe Bekime

familje e re duke qeshur

Në Librin e Mormonit, ne mësojmë se të gjithë që e dëgjuan predikimin kuptimplotë të mbretit Beniamin, u kthyen thellësisht në besimin te Jezu Krishti. Si rrjedhim, ata shprehën gatishmëri që të besëlidhnin për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë (shihni te Mosia 5:1–7). Një nga përgjegjësitë që kanë anëtarët e Kishës së Krishtit në kohën tonë, është që t’i zbatojnë të gjitha urdhërimet e Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:78). Profeti Jozef Smith shpjegoi se sa e rëndësishme ishte kjo detyrë për të kur tha: “Unë e bëra këtë rregullin tim: Kur Zoti urdhëron, bindu.

Ati ynë i dashur Qiellor ka zbuluar parimin e përjetshëm që drejton mënyrën se si jepen bekimet: “Kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet” (shihni te Doktrina e Besëlidhje 130:20–21). Ka arsye të ndryshme pse mund të zgjedhim t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë. Nganjëherë mund ta bëjmë këtë gjë nga frika e ndëshkimit. Ndonjëherë thjesht mund të jemi duke kërkuar shpërblimin e premtuar. Por arsyeja më e rëndësishme për të qenë të bindur, është që ne i duam Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe dëshirojmë t’u shërbejmë Atyre. Perëndia “kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme” (Doktrina e Besëlidhje 64:34).

Gjëra për t’i menduar

  • Mendoni rreth të gjitha mënyrave se si Ati Qiellor e ka demonstruar dashurinë e Tij për ju. Lexoni te Mosia 2:20–24. Përse është bindja jonë gjithçka që Perëndia kërkon prej nesh? Tani lexoni te Mosia 2:41. Si mund t’ia përshkruanit një personi tjetër se sa bujar është Perëndia ndaj atyre që përpiqen me sinqeritet t’u binden urdhërimeve të Tij?

  • Familja e Lehit përjetoi vështirësi të mëdha teksa udhëtoi në vendin e shkretë për disa vjet. Për shkak se ata u përpoqën t’i zbatonin urdhërimet e Perëndisë, Zoti i bekoi. Lexoni te 1 Nefi 17:1–4. Sipas vargut 3, çfarë është i përgatitur të bëjë Perëndia për ata që i zbatojnë urdhërimet e Tij?

  • Nuk do ta kuptojmë gjithmonë arsyen përse Perëndia na ka dhënë urdhërime të caktuara. Prapëseprapë, kur e ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes dhe zgjedhim t’i mirëbesojmë dhe t’i bindemi Perëndisë, ne mund të jemi të sigurt se gjithçka do të veprojë për të mirën tonë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 100:15). Shpëtimtari na premtoi: “Nëse i zbaton urdhërimet e mia e duron deri në fund, ti do të kesh jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 14:7).

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Presidenti Ezra Taft Benson shpalli: “Kur ne e vendosim Perëndinë të parin, gjithë gjërat e tjera zënë vendin e duhur ose largohen nga jeta jonë”. Çfarë do të thotë për ju që të “vendos[ni] Perëndinë të parin”? Kërkojuni anëtarëve të grupit që të flasin rreth rasteve kur kanë parë se “gjithë gjërat e tjera zënë vendin e duhur ose largohen nga jeta jonë” kur e vendosim Perëndinë të parin.

Mësoni më shumë

Shënime

  1. Robert D. Hejls, “Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia”, Liahona, maj 2014, f. 35.

  2. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 168.

  3. Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 43.