Ne do t’i Provojmë me Këtë
Tani është koha për t’u përgatitur e për ta provuar veten se jemi të gatshëm e të aftë për t’i bërë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia ynë, do të na urdhërojë.
Lutem për ndihmën e Frymës së Shenjtë për të gjithë ne teksa shpreh mendimet dhe ndjenjat që kanë ardhur në mendjen e zemrën time në përgatitje për këtë konferencë të përgjithshme.
Rëndësia e Provimeve
Për më shumë se dy dekada përpara thirrjes sime në shërbim me kohë të plotë në Kishë, punova si mësues dhe administrator universiteti. Përgjegjësia ime kryesore si mësues ishte që t’i ndihmoja studentët të mësonin se si të mësonin vetë. Dhe një element jetik i punës sime ishte krijimi, vlerësimi dhe dhënia e përshtypjeve rreth rezultateve të studentit në provime. Siç mund ta dini tashmë nga përvoja vetjake, provimet zakonisht nuk janë pjesa e procesit të të mësuarit që studentët e pëlqejnë më shumë!
Por provimet periodike janë absolutisht thelbësore për të mësuarit. Një provim i efektshëm na ndihmon ta krahasojmë atë që kemi nevojë ta dimë, me atë që vërtet dimë rreth një teme konkrete; ai siguron edhe një standard me të cilin ne mund të vlerësojmë të mësuarit dhe zhvillimin tonë.
Po kështu, provimet në shkollën e vdekshmërisë janë element jetik i përparimit tonë të përjetshëm. Sidoqoftë, është interesant fakti që fjala provim nuk gjendet qoftë edhe një herë të vetme në tekstin e shkrimeve të shenjta të veprave standarde në anglisht. Përkundrazi, fjalë të tilla si vë në provë, hetoj dhe provoj përdoren për të përshkruar modele të ndryshme që tregojnë siç duhet njohurinë, kuptimin e përkushtimin tonë shpirtëror rreth planit të përjetshëm të Atit Qiellor për lumturinë dhe aftësinë tonë për të kërkuar bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit.
Ai që është autori i planit të shpëtimit, e përshkroi vetë qëllimin e provës sonë në vdekshmëri duke përdorur fjalët vë në provë, hetoj dhe provoj, të cilat gjenden në shkrimin e shenjtë të lashtë dhe modern. “Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë.”1
Merreni parasysh këtë përgjërim nga psalmisti David:
“Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.
Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.”2.
Dhe në vitin 1833, Zoti shpalli: “Si rrjedhim, mos kini frikë nga armiqtë tuaj, sepse unë kam dekretuar në zemrën time, thotë Zoti, që unë do t’ju vë në provë në gjithçka, nëse do ta duroni besëlidhjen time, madje deri në vdekje, që ju të mund të gjendeni të denjë”3.
Vënia në Provë dhe të Provuarit në Kohën e Sotme
Viti 2020 është shënuar, pjesërisht, nga një pandemi botërore që na ka vënë në provë, hetuar dhe provuar në shumë mënyra. Lutem që ne si individë dhe familje të jemi duke marrë mësime të vlefshme që mund të na i mësojnë vetëm përvojat sfiduese. Gjithashtu shpresoj që të gjithë ne ta pranojmë më plotësisht “madhështinë e Perëndisë” dhe të vërtetën se “ai do t’i shenjtërojë hidhërimet … t[ona] për të mirë[n tonë]”4.
Dy parime bazë mund të na drejtojnë dhe forcojnë ndërsa përballemi me rrethana që na vënë në provë dhe na provojnë në jetën tonë, çfarëdo qofshin ato: 1) parimi i përgatitjes dhe 2) parimi i të shkuarit përpara me një vendosmëri në Krishtin.
Vënia në Provë dhe Përgatitja
Si dishepuj të Shpëtimtarit, ne urdhërohemi që të “përgati[tim] çdo gjë të nevojshme dhe [të] ngr[emë] një shtëpi, madje një shtëpi lutjeje, një shtëpi agjërimi, një shtëpi besimi, një shtëpi mësimi, një shtëpi lavdie, një shtëpi rregulli, një shtëpi të Perëndisë”5.
Neve gjithashtu na është premtuar: “Nëse jeni të përgatitur ju s’do të frikësoheni.
Dhe që ju të mund t’i shpëtoni pushtetit të armikut dhe të mblidhet tek unë një popull i drejtë, pa njollë e pa faj.”6.
Këto shkrime të shenjta sigurojnë një strukturë të përsosur për organizimin dhe përgatitjen e jetës sonë dhe shtëpive tona si materialisht edhe shpirtërisht. Përpjekjet tona që të përgatitemi për përvojat sprovuese në vdekshmëri, duhet të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit i cili gradualisht u “rrit në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”7 – një ekuilibër i ndërthurur i gatishmërisë intelektuale, fizike, shpirtërore dhe shoqërore.
Një pasdite, disa muaj më parë, Suzana dhe unë bëmë inventarin e ushqimeve të ruajtura dhe furnizimeve për urgjenca. Në atë kohë, COVID‑19 po përhapej me shpejtësi dhe një seri tërmetesh e kishin lëkundur shtëpinë tonë në Jutë. Ne kemi punuar që në ditët më të hershme të martesës sonë për të ndjekur këshillën profetike lidhur me përgatitjen për sfida të paparashikuara, kështu që “hetimi” i gjendjes sonë të gatishmërisë mes virusit e tërmeteve dukej si gjë e mirë dhe në kohë për t’u bërë. Ne donim të zbulonim vlerësimet tona për këto provime të panjoftuara.
Mësuam shumë. Në shumë fusha, puna jonë përgatitore ishte tamam siç duhej. Sidoqoftë, në disa fusha të tjera, përmirësimi ishte i nevojshëm ngaqë nuk kishim dalluar e trajtuar në kohën e duhur nevoja të veçanta.
Ne gjithashtu qeshëm shumë. Për shembull, zbuluam artikuj në një dollap diku të mënjanuar, që kishin qenë në depon tonë të ushqimeve për dekada të tëra. Sinqerisht, kishim frikë t’i hapnim e kontrollonim disa nga këto kuti nga frika se mos lëshonim një pandemi tjetër botërore! Por ju duhet të jeni të lumtur të dini se ne i hodhëm siç duhet materialet e rrezikshme dhe se ai rrezik shëndetësor për botën u eliminua.
Disa anëtarë të Kishës mendojnë se planet dhe furnizimet për urgjenca, rezervat ushqimore dhe pakot me mjetet e nevojshme për 72‑orë nuk duhet të jenë të rëndësishme më, sepse Vëllezërit nuk kanë folur së fundi e gjerësisht për këto e tema të tilla në konferencë të përgjithshme. Por këshillat e përsëritura për t’u përgatitur janë shpallur nga udhëheqësit e Kishës ndër dekada. Vijimësia e këshillës profetike me kalimin e kohës krijon një shfaqje të fuqishme qartësie dhe një përmasë paralajmëruese shumë më të fortë nga sa mund të prodhojë ndonjëherë një paralajmërim i vetëm.
Ashtu si kohët sfiduese zbulojnë papërshtatshmëri në gatishmërinë materiale, ashtu edhe lëngatat e shkujdesjes shpirtërore e të vetëkënaqësisë, i shkaktojnë efektet e tyre më të dëmshme gjatë sprovave të vështira. Për shembull, në shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave mësojmë se shtyrja e përgatitjes çon në provime të pasuksesshme. Kujtoni mënyrën se si pesë virgjëreshat budallaçka nuk arritën të përgatiteshin ashtu siç duhej për hetimin që iu bë ditën e ardhjes së dhëndrit.
“Ato që ishin budallaçka, kur morën llampat e tyre, nuk morën me vete vajin;
kurse të mençurat, bashkë me llampat, morën edhe vajin në enët e tyre. …
Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: ‘Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!’.
Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llampat e tyre.
Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: ‘Na jepni nga vaji juaj, sepse llampat tona po na fiken’.
Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: ‘Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini’.
Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.
Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: ‘Zot, zot, hapna’.”8
“Por ai, iu përgjigj dhe tha: ‘Në të vërtetë po ju them: Nuk ju njoh’.”9
Të paktën në këtë hetim, pesë virgjëreshat budallaçka provuan se ishin vetëm dëgjuese dhe jo bërëse të fjalës.10
Kam një mik i cili ishte një student i zellshëm në fakultetin e drejtësisë. Gjatë një semestri, Semi harxhonte kohë çdo ditë për të rishikuar, përmbledhur dhe për të mësuar nga shënimet e tij për secilin kurs ku ishte regjistruar. Ai ndoqi të njëjtin model për të gjitha klasat e tij në fund të çdo jave dhe të çdo muaji. Kjo metodë i mundësoi atij që ta mësonte ligjin dhe jo thjesht të mësonte përmendsh hollësi. Dhe kur u afruan provimet përfundimtare, Semi ishte i përgatitur. Në fakt, ai zbuloi se periudha e provimeve përfundimtare ishte një nga pjesët më pak stresuese të trajnimit të tij juridik. Përgatitja efektive dhe në kohë i paraprin provimit të suksesshëm.
Qasja e Semit ndaj arsimimit të vet juridik nxjerr në pah një nga modelet kryesore të Zotit për rritje dhe zhvillim. “Kështu thotë Zoti Perëndi: Unë do t’u jap fëmijëve të njerëzve rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje; dhe të bekuar janë ata që dëgjojnë parimet e mia dhe që i vënë veshin këshillës sime, pasi ata do të mësojnë urtësi; pasi atij që merr, unë do t’i mësoj urtësi.”11
E ftoj secilin prej nesh që të “mendo[jë] mirë për sjelljen [e tij]”12 dhe të “analizo[jë] veten [e tij] a [është] në besim; [dhe ta] provo[jë] veten [e tij]”13. Çfarë kemi mësuar gjatë këtyre muajve të fundit të përshtatjeve dhe kufizimeve të mënyrës së jetesës? Çfarë kemi nevojë të përmirësojmë në jetën tonë nga ana shpirtërore, fizike, shoqërore, emocionale dhe intelektuale? Tani është koha për t’u përgatitur e për ta provuar veten se jemi të gatshëm e të aftë për t’i bërë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia ynë, do të na urdhërojë.
Vënia në Provë dhe Shkuarja Përpara
Dikur mora pjesë në një ceremoni varrimi për një misionar në moshë të re i cili vdiq në një aksident. Babai i misionarit foli në shërbesë dhe përshkroi pikëllimin prej një ndarjeje të papritur nga jeta të një fëmije të dashur. Ai shpalli haptas se ai vetë nuk i kuptonte arsyet ose kohën për një ngjarje të tillë. Por unë gjithmonë do ta kujtoj këtë burrë të mirë duke shpallur gjithashtu se e dinte që Perëndia i dinte arsyet dhe kohën për vdekjen e fëmijës së tij – dhe kjo i mjaftonte. Ai i tha bashkësisë se ai dhe familja e tij, megjithëse të pikëlluar, do të ishin mirë; dëshmitë e tyre do të mbeteshin të qëndrueshme dhe të palëkundura. Ai i përmbylli fjalët e tij me këtë deklaratë: “Dua që ju të dini se për sa i përket ungjillit të Jezu Krishtit, familja jonë është e gjitha në të. Jemi të gjithë në të.”
Megjithëse humbja e një njeriu të dashur ishte zemërcopëtuese dhe e vështirë, pjesëtarët e kësaj familjeje të guximshme shpirtërisht ishin të përgatitur të provonin se mund të merrnin mësime me rëndësi të përjetshme nëpërmjet gjërave që vuajtën.14
Besnikëria nuk është marrëzi apo fanatizëm. Përkundrazi, do të thotë t’i mirëbesojmë dhe ta vendosim besimin tonë te Jezu Krishti si Shpëtimtari ynë, tek emri i Tij dhe te premtimet e Tij. Teksa “shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për të gjithë njerëzit”15, ne bekohemi me një këndvështrim dhe largpamësi të përjetshme që shtrihen shumë përtej aftësisë sonë të kufizuar në vdekshmëri. Neve do të na mundësohet të “mblidhe[mi] së bashku dhe … të qëndroj[m]ë në vende të shenjta”16 dhe të “mos lëviz[im], derisa dita e Zotit të vijë”17.
Ndërkohë që po shërbeja si president i Universitetit “Brigam Jang” – Ajdaho, Plaku Xhefri R. Holland erdhi në kompleksin universitar në dhjetor të vitit 1998 për të folur në një nga takimet tona shpirtërore të përjavshme. Suzana dhe unë ftuam një grup studentësh që të takoheshin dhe të bisedonin me Plakun Holland përpara se ai të jepte mesazhin e tij. Kur po mbaronte koha jonë së bashku, e pyeta Plakun Holland: “Nëse do të mund t’u mësonit këtyre studentëve vetëm një gjë, cila do të ishte ajo?”
Ai u përgjigj:
“Ne po dëshmojmë një lëvizje gjithnjë e më të madhe drejt polarizimit. Variantet e tokës asnjanëse do të hiqen për ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Rruga asnjanëse do të mbyllet.
Nëse jeni futur në ujë në rrjedhën e një lumi, do të shkoni diku. Thjesht do të shkoni atje ku ju çon rryma. Vajtja me rrjedhën, ndjekja e baticës, dredhimi pa një drejtim në rrymë nuk do të funksionojë.
Duhet të bëhen zgjedhje. Mosbërja e një zgjedhjeje, është një zgjedhje. Mësoni të zgjidhni tani.”
Thënia e Plakut Holland për rritjen e polarizimit është provuar profetike nga prirjet shoqërore dhe ngjarjet e 22 viteve që kur iu përgjigj pyetjes sime. Duke parathënë mospërputhjen gjithnjë e më të madhe midis mënyrave të Zotit dhe të botës, Plaku Holland paralajmëroi se ditët e rehatisë duke e pasur një këmbë në Kishën e rivendosur dhe një këmbë në botë po zhdukeshin shpejt. Ky shërbëtor i Zotit po i inkurajonte të rinjtë të zgjidhnin, të përgatiteshin dhe të bëheshin dishepuj të devotshëm të Shpëtimtarit. Ai po i ndihmonte ata që të përgatiteshin, të shkonin përmes dhe përpara në përvojat provuese, shqyrtuese dhe sprovuese të jetës së tyre.
Premtim dhe Dëshmi
Procesi i të provuarit të vetes është një pjesë themelore e planit të madh të Atit Qiellor për lumturinë. Premtoj që ndërsa përgatitemi dhe shkojmë përpara me besim te Shpëtimtari, ne të gjithë mund të marrim të njëjtin vlerësim në shqyrtimin përfundimtar të vdekshmërisë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd”18.
Dëshmoj se Perëndia, Ati i Amshuar, është Ati ynë. Jezu Krishti është Biri i Tij i Vetëmlindur dhe i gjallë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Për këto të vërteta dëshmoj plot gëzim, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.