Bërja si Ai
Vetëm me ndihmën hyjnore të Shpëtimtarit ne të gjithë mund të përparojmë drejt bërjes si Ai.
Edhe për studiuesin e kujdesshëm të jetës dhe shërbesës së Jezu Krishtit, këshillimi i Shpëtimtarit për të qenë [siç tha Ai] “madje siç jam unë”1, është frikësues dhe në dukje i paarritshëm. Ndoshta ju jeni si unë – të gjithë shumë të vetëdijshëm për fajet dhe dështimet tuaja, prandaj mund ta gjeni më të rehatshme mendërisht që të ecni në një shteg pa një të përpjetë dhe me pak rritje. “Sigurisht, ky mësim është jorealist dhe një hiperbolë”, arsyetojmë ne, ndërkohë që në mënyrë të rehatshme zgjedhim kursin me qëndresë më të vogël, si rrjedhojë duke djegur më pak kalori për ndryshimin e nevojshëm.
Por sikur bërja “madje siç [është Ai]” të mos jetë e figurshme, as në gjendjen tonë në vdekshmëri? Po sikur të jetë, në njëfarë shkalle, e arritshme në këtë jetë dhe, me të vërtetë, një kusht paraprak për të qenë me Të përsëri? Po sikur “madje siç jam unë” të jetë saktësisht dhe pikërisht ajo që nënkupton Shpëtimtari? Atëherë çfarë? Çfarë niveli përpjekjeje do të ishim të gatshëm të jepnim për ta ftuar fuqinë e Tij mrekullibërëse në jetën tonë, me qëllim që ne të mund të ndryshojmë vetë natyrën tonë?
Plaku Nil A. Maksuell dha mësim: “Kur përsiatim se jemi urdhëruar nga Jezusi që të bëhemi si Ai, ne shohim se rrethana jonë e tanishme është një rrethanë në të cilën nuk jemi domosdoshmërisht të ligj, por, përkundrazi, është një rrethanë në të cilën ne jemi kaq me gjysmë zemre dhe kaq pa entuziazëm për kauzën e Tij – që është edhe kauza jonë, gjithashtu! Ne e lëvdojmë, por rrallë i përngjasojmë Atij.”2 Një shërbestar në moshë të re, Çarls M. Sheldoni, shprehu ndjenja të ngjashme në këtë mënyrë: “Krishterimit tonë i pëlqen kaq shumë lehtësia dhe rehatia e tij, aq sa të mos marrë mbi vete ndonjë gjë kaq të ashpër e të rëndë siç është një kryq”3.
Në fakt, të gjithë janë nën direktivën që të bëhen si Ai, ashtu si Jezu Krishti u bë si Ati.4 Teksa përparojmë, ne bëhemi më të plotë, më të përsosur dhe tërësisht të zhvilluar.5 Një mësim i tillë nuk bazohet te doktrinat e ndonjë sekti të caktuar, por vjen drejtpërsëdrejti nga Mësuesi Vetë. Është përmes këtij këndvështrimi që duhet të jetohet jeta, të ndërmerren komunikimet dhe të zhvillohen marrëdhëniet. Me të vërtetë, nuk ka asnjë mënyrë tjetër për t’i shëruar plagët e marrëdhënieve të prishura apo të një shoqërie të përçarë, përveç asaj që secili prej nesh t’i përngjasojë më plotësisht Princit të Paqes.6
Le të shqyrtojmë se si të fillojmë një ndjekje të kujdesshme, me dëshirë e qëllim për t’u bërë siç është Ai duke fituar tiparet e vetë Jezu Krishtit.
Vendosni dhe Zotohuni
Pak vite më parë, bashkëshortja ime dhe unë qëndruam në fillim të shtegut të malit më të lartë të Japonisë, malit Fuxhi. Kur filluam ngjitjen tonë, hodhëm vështrimin drejt majës së largët dhe e pyetëm veten a mund të arrinim atje.
Teksa ecnim përpara, filluam të ndienim lodhjen, muskujt që na dhembnin dhe efektet e lartësisë. Nga ana mendore, u bë e rëndësishme që ne të përqendroheshim vetëm te hapi pasues. Thoshim: “Mund të mos ngjitem shpejt deri në majë, por mund ta hedh hapin tjetër pikërisht tani”. Me kalimin e kohës detyra e frikshme më së fundi u bë e arritshme – hap pas hapi.
Hapi i parë në këtë shteg të bërjes si Jezu Krishti është të kemi dëshirën për ta bërë këtë gjë. Është mirë ta kuptojmë këshillimin që të jemi si Ai, por ajo kuptueshmëri nevojitet të shoqërohet me një dëshirë të zjarrtë për t’u shndërruar, hap pas hapi, përtej njeriut të natyrshëm.7 Për ta zhvilluar dëshirën, ne duhet të dimë se cili është Jezu Krishti. Ne duhet të dimë diçka për karakterin e Tij8 dhe duhet të kërkojmë tiparet e Tij në shkrimin e shenjtë, në shërbesat e adhurimit dhe në vende të tjera të shenjta. Kur fillojmë të dimë më shumë për Të, ne do t’i shohim tiparet e Tij të pasqyruara te njerëz të tjerë. Kjo do të na japë kurajë në vetë kërkimin tonë, sepse nëse të tjerët mund t’i fitojnë në njëfarë mase tiparet e Tij, po ashtu mund t’i fitojmë edhe ne.
Nëse jemi të ndershëm me veten tonë, Drita e Krishtit9 brenda nesh na pëshpërit se ka një largësi midis vendit ku jemi në krahasim me karakterin e dëshiruar të Shpëtimtarit.10 Një ndershmëri e tillë është jetike nëse duam të përparojmë drejt bërjes si Ai. Në të vërtetë, ndershmëria është njëri nga tiparet e Tij.
Tani, ata prej nesh që janë guximtarë, mund të marrin parasysh që ta pyesin një pjesëtar të besuar të familjes, bashkëshortin/en, një mik/e ose një udhëheqës/e shpirtëror/e se cili tipar i Jezu Krishtit na nevojitet – dhe mund të kemi nevojë ta përgatitim veten për përgjigjen që mund të mos na pëlqejë! Nganjëherë e shohim veten me ato pasqyrat që e shtrembërojnë pamjen për ta bërë komike, të cilat na tregojnë ose më të shëndoshë ose më të dobët nga ç’jemi në të vërtetë.
Miqtë dhe familjarët e besuar mund të na ndihmojnë ta shohim veten në mënyrë më të saktë, por edhe ata, sado të dashur e të dobishëm që do të donin të ishin, mund t’i shohin gjërat në mënyrë të papërsosur. Si rrjedhojë, është jetike që ne gjithashtu ta pyetim Atin tonë të dashur Qiellor se çfarë na nevojitet dhe ku duhet t’i përqendrojmë përpjekjet tona. Ai ka një kuptueshmëri të përsosur për ne dhe me dashuri do të na e tregojë dobësinë tonë.11 Ndoshta do të mësoni se keni nevojë për durim, përulësi, dashuri hyjnore, dashuri, shpresë, zell ose bindje më të madhe, për të përmendur vetëm disa.12
Jo shumë kohë më parë pata një përvojë që më përmirësoi shpirtërisht, kur një udhëheqës i dashur i Kishës më bëri një sugjerim shumë të drejtpërdrejtë se kisha nevojë të përmirësohesha në një tipar të caktuar. Ai nga dashuria nuk e shtrembëroi realitetin. Atë natë, unë ia tregova këtë përvojë bashkëshortes sime. Ajo ishte fatmirësisht plot dhembshuri edhe kur ra dakord me sugjerimin e tij. Fryma e Shenjtë ma pohoi se këshilla e tyre ishte nga një Atë i dashur Qiellor.
Mund të jetë gjithashtu e dobishme që të plotësoni me sinqeritet veprimtarinë për tiparet si të Krishtit në kapitullin 6 të udhëzuesit Predikoni Ungjillin Tim13.
Pasi të keni bërë një vlerësim të sinqertë dhe të keni marrë vendimin që ta filloni ngjitjen e malit, do t’ju nevojitet të pendoheni. Presidenti Rasëll M. Nelson me dashuri dha mësim: “Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të ndryshojmë! Ne e lejojmë Shpëtimtarin që të na shndërrojë në variantin më të mirë të vetes sonë. Ne zgjedhim të rritemi shpirtërisht dhe të marrim gëzim – gëzimin e shëlbimit tek Ai. Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të bëhemi më shumë si Jezu Krishti.”14
Bërja siç është Jezu Krishti, do të kërkojë ndryshimin e zemrës dhe të mendjes sonë, në të vërtetë, të vetë karakterit tonë dhe bërja e kësaj gjëje është e mundur vetëm nëpërmjet hirit shpëtues të Jezu Krishtit.15
Përcaktoni dhe Veproni
Tani që e keni marrë vendimin për të ndryshuar e për t’u penduar dhe keni kërkuar udhërrëfim me anë të lutjes, përsiatjes me sinqeritet dhe ndoshta këshillimit me të tjerët, juve do t’ju nevojitet të përzgjidhni një tipar që do të bëhet veçanërisht përqendrimi juaj. Do t’ju nevojitet të zotoheni për të bërë një përpjekje kuptimplotë. Këto tipare nuk do të vijnë pa mundim dhe papritur, por nëpërmjet hirit të Tij ato do të vijnë gradualisht ndërkohë që përpiqeni fort.
Tiparet si të Krishtit janë dhurata nga një Atë i dashur Qiellor për të na bekuar ne dhe njerëzit përreth nesh. Prandaj, përpjekjet tona për t’i marrë këto tipare do të kërkojnë përgjërime që burojnë nga zemra për ndihmën e Tij hyjnore. Nëse i kërkojmë këto dhurata për t’u shërbyer më mirë të tjerëve, Ai do të na bekojë në përpjekjet tona. Kërkimi me egoizëm i një dhurate nga Perëndia, do të përfundojë në zhgënjim e acarim.
Duke u përqendruar thellësisht te një tipar i nevojshëm, teksa përparoni në marrjen e atij tipari, tipare të tjera fillojnë t’ju shtohen. A mund t’i rritet dashuria dhe përulësia dikujt që po përqendrohet thellësisht te dashuria hyjnore? A mund të fitojë zell dhe shpresë dikush që po përqendrohet te bindja? Përpjekjet tuaja domethënëse për të fituar një tipar, bëhen batica që i ngre të gjitha anijet në liman.
Mbani Shënim dhe Vazhdoni
Është e rëndësishme për mua që teksa përpiqem fort për t’u bërë si Ai, t’i mbaj shënim përvojat e mia dhe atë që po mësoj. Ndërkohë që studioj duke mbajtur thellë në mendje njërin nga tiparet e Tij, mësoj gjëra të reja nga shkrimet e shenjta teksa shikoj shembuj të këtij tipari në mësimet e Tij, në shërbesën e Tij dhe te dishepujt e Tij. Sytë e mi bëhen gjithashtu më të përqendruar te dallimi i tiparit tek të tjerët. Kam vëzhguar individë të mrekullueshëm si brenda ashtu edhe jashtë Kishës të cilët kanë tipare që i përngjasojnë Atij. Ata janë shembuj të fuqishëm të mënyrës se si ato tipare mund të shfaqen te njerëzit e vdekshëm nëpërmjet hirit të Tij të dashur.
Me qëllim që të shihni përparim të vërtetë, do t’ju nevojitet të ushtroni përpjekje të vazhdueshme. Ashtu sikurse ngjitja e një mali kërkon përgatitje paraprake dhe qëndresë e këmbëngulje gjatë ngjitjes, po ashtu ky udhëtim do të kërkojë përpjekje dhe sakrificë të vërtetë. Krishterimi i vërtetë, në të cilin ne përpiqemi fort të bëhemi si Mësuesi ynë, gjithmonë ka kërkuar përpjekjet tona më të mira.16
Tani disa fjalë paralajmërimi. Urdhërimi për t’u bërë si Ai nuk ka për qëllim t’ju bëjë të ndiheni fajtorë, të padenjë ose që nuk ju duan. E tërë përvoja jonë në vdekshmëri është rreth përparimit, përpjekjes, dështimit dhe daljes me sukses. Edhe pse bashkëshortja ime dhe unë mund të kishim dashur që t’i mbyllnim sytë dhe në mënyrë magjike të transportoheshim drejt majës së malit, ky nuk është qëllimi i jetës.
Ju jeni mjaft të mirë dhe ju duan, por kjo nuk do të thotë se jeni ende të plotësuar. Ka punë për t’u bërë në këtë jetë dhe në jetën pas kësaj. Vetëm me ndihmën e Tij hyjnore ne të gjithë mund të përparojmë drejt bërjes si Ai.
Në këto kohë kur “gjithë gjërat [duket se ja]në në rrëmujë; dhe … frik[a është e dukshme] mbi gjithë njerëzit”17, i vetmi kundërhelm, i vetmi ilaç është të përpiqemi fort që të jemi si Shpëtimtari18, Shëlbuesi19 i gjithë njerëzimit, Drita e Botës20 dhe ta kërkojmë Atë që shpalli: “Unë jam udha”21.
E di se bërja si Ai nëpërmjet ndihmës hyjnore dhe forcës së Tij është e arritshme hap pas hapi. Nëse nuk do të ishte e mundur, Ai nuk do të na e kishte dhënë këtë urdhërim.22 E di këtë – pjesërisht ngaqë i shoh tiparet e Tij te kaq shumë prej jush. Për këto gjëra unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.