Konferenca e Përgjithshme
Kishte Bukë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2020


10:7

Kishte Bukë

Kur përpiqemi të bëhemi të përgatitur materialisht, ne mund të përballemi me sprovat e jetës me vetëbesim të shtuar.

Përpara kufizimeve për udhëtimet të shkaktuara nga pandemia e tanishme, unë po kthehesha në shtëpi nga një detyrë ndërkombëtare e cila, për shkak të çështjeve të planifikimit, krijoi një periudhë pritjeje në aeroport të dielën. Ndërmjet fluturimeve kisha kohë që të merrja pjesë në një mbledhje vendore sakramenti, ku pata mundësinë gjithashtu të jepja një mesazh të shkurtër. Pas mbledhjes, një dhjak entuziast m’u afrua dhe më pyeti a e njihja Presidentin Nelson dhe a kisha pasur ndonjëherë rastin që t’ia shtrëngoja dorën. Iu përgjigja se e njihja atë, se ia kisha shtrënguar dorën dhe që, si anëtar i Peshkopatës Kryesuese, unë kisha mundësinë të takohesha me Presidentin Nelson dhe këshilltarët e tij dy herë çdo javë.

Më pas dhjaku i ri u ul në një karrige, i ngriti duart lart në ajër dhe bërtiti: “Kjo është dita më e shkëlqyer e jetës sime!” Vëllezër dhe motra, unë mund të mos i ngre duart lart në ajër dhe të bërtas, por jam përjetësisht mirënjohës për një profet të gjallë dhe për drejtimin që marrim nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit, veçanërisht gjatë këtyre periudhave të sfidave.

Që prej fillimit të kohës, Zoti ka siguruar drejtim për t’i ndihmuar njerëzit e Tij të përgatiten shpirtërisht dhe materialisht kundrejt fatkeqësive dhe sprovave që Ai e di se do të vijnë si pjesë e kësaj përvoje në vdekshmëri. Këto fatkeqësi për nga natyra mund të jenë vetjake ose të përgjithshme, por udhërrëfimi i Zotit do të sigurojë mbrojtje dhe përkrahje për aq sa ne ia vëmë veshin dhe veprojmë sipas këshillave të Tij. Një shembull i mrekullueshëm jepet në një rrëfim nga libri i Zanafillës, ku ne mësojmë për Jozefin në Egjipt dhe interpretimin e tij të frymëzuar të ëndrrës së Faraonit.

“Atëherë Jozefi i tha Faraonit … Perëndia i tregoi Faraonit atë që po gatitet të bëjë. …

Ja, po vijnë shtatë vite bollëku të madh në tërë vendin e Egjiptit;

por pas këtyre do të vinë shtatë vite zije buke dhe gjithë ai bollëk do të harrohet në vendin e Egjiptit.”1

Faraoni e dëgjoi Jozefin, iu përgjigj asaj që Perëndia i kishte treguar në një ëndërr, dhe menjëherë filloi të përgatitej për atë që do të vinte. Shkrimet e shenjta më pas shënojnë:

“Gjatë shtatë viteve të bollëkut, toka prodhoi shumë;

dhe Jozefi grumbulloi tërë ushqimet … gjatë atyre shtatë viteve. …

Kështu Jozefi grumbulloi grurë, si rëra e detit … sa pushoi së mbajturi llogari sepse sasia e grurit ishte e pallogaritshme.”2

Sapo kaluan shtatë vitet e bollëkut, neve na thuhet se “filluan shtatë vitet e zisë, ashtu si kishte thënë Jozefi. Kishte mungesë ushqimesh në të tëra vendet, por në tërë vendin e Egjiptit kishte bukë.”3

Sot ne jemi të bekuar që udhëhiqemi nga profetë të cilët e kuptojnë nevojën që kemi ne për t’u përgatitur kundrejt fatkeqësive “që do të vi[jnë]”4 dhe të cilët i njohin kufijtë ose kufizimet që mund të ndeshim në përpjekje për të ndjekur këshillat e tyre.

Ka një kuptim të qartë se efektet e COVID‑19, si dhe katastrofat natyrore shkatërruese, janë të paanshme dhe kapërcejnë kufijtë etnikë, shoqërorë dhe fetarë në çdo kontinent. Janë humbur vende pune dhe të ardhurat janë zvogëluar pasi mundësia për të punuar është prekur prej heqjes nga puna dhe aftësia për të punuar është ndikuar nga sfidat shëndetësore dhe ligjore.

Për të gjithë ata që janë prekur, ne shprehim mirëkuptim dhe shqetësim për situatën tuaj, si dhe një bindje të fortë se ditë më të mira na presin. Ju jeni bekuar me peshkopë e presidentë degësh që i kërkojnë anëtarët e bashkësive të tyre të cilët kanë nevoja materiale, dhe që kanë të drejtë të përdorin mjete dhe burime që mund t’ju ndihmojnë ta rindërtoni jetën tuaj dhe t’ju vendosin në shtegun e mbështetjes te vetja teksa zbatoni parimet e gatishmërisë.

Në mjedisin e sotëm, me një pandemi që ka shkatërruar ekonomi të tëra si dhe jetë individësh, do të ishte kontradiktore me një Shpëtimtar të dhembshur, të shpërfillim realitetin se shumë njerëz po vuajnë dhe t’u kërkojmë atyre të nisin krijimin e një rezerve ushqimore dhe parash për të ardhmen. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që ne duhet t’i shpërfillim në mënyrë të përhershme parimet e përgatitjes – vetëm se këto parime duhet të zbatohen “në urtësi dhe rregull”5 në mënyrë që në të ardhmen të mund të themi, ashtu siç tha Jozefi në Egjipt: “Kishte bukë”6.

Zoti nuk pret që ne të bëjmë më shumë sesa mund të bëjmë, por Ai pret që ne të bëjmë atë që mund të bëjmë, kur mund ta bëjmë atë. Ashtu siç Presidenti Nelson na kujtoi në konferencën tonë të fundit të përgjithshme: “Zotit i pëlqen shumë përpjekja”7.

Manuali Financat Vetjake në gjuhë [të ndryshme]

Udhëheqësit e Kishës shpesh i kanë inkurajuar shenjtorët e ditëve të mëvonshme “të përgatiten për kohë fatkeqësie në jetë duke patur një furnizim bazë ushqimi e uji dhe disa para të kursyera”8. Në të njëjtën kohë, ne inkurajohemi që të “je[m]i të urtë” dhe të “mos shko[jmë] në ekstreme”9 në përpjekjet tona për të krijuar një furnizim të depozitave familjare dhe një rezervë financiare. Një burim i titulluar Financat Vetjake për Mbështetjen te Vetja, i botuar në 2017‑ën dhe që aktualisht është në dispozicion në faqen e internetit të Kishës në 36 gjuhë, fillon me një mesazh nga Presidenca e Parë, e cila thotë:

“Zoti ka shpallur: ‘Është qëllimi im për të siguruar për shenjtorët e mi’ [Doktrina e Besëlidhje 104:15]. Kjo zbulesë është një premtim nga Zoti se Ai do të sigurojë bekime materiale dhe do ta hapë derën e mbështetjes te vetja. …

… Pranimi dhe të jetuarit e këtyre parimeve do t’jua aftësojnë më shumë që t’i merrni bekimet materiale të premtuara nga Zoti.

Ne ju ftojmë që t’i studioni me zell dhe t’i zbatoni këto parime dhe t’ua jepni mësim pjesëtarëve të familjes suaj. Ndërsa bëni kështu, jeta juaj do të bekohet … [sepse] ju jeni një fëmijë i Atit tonë në Qiell. Ai ju do dhe nuk do t’ju braktisë asnjëherë. Ai ju njeh dhe është gati t’ju zgjatë bekimet shpirtërore dhe materiale të mbështetjes te vetja.”10

Ky burim përfshin kapituj që i janë kushtuar krijimit dhe të jetuarit brenda një buxheti, mbrojtjes së familjes suaj nga vështirësitë, administrimit të një krize financiare, investimit për të ardhmen e shumë më tepër dhe ai është në dispozicion për të gjithë njerëzit në faqen e internetit të Kishës ose nëpërmjet udhëheqësve tuaj vendorë.

Kur marrim parasysh parimin e gatishmërisë, ne mund ta hedhim vështrimin prapa te Jozefi në Egjipt për frymëzim. Dijenia se çfarë do të ndodhte nuk do të kishte qenë e mjaftueshme për të duruar gjatë viteve të “dobëta” [të thatësirës] pa njëfarë shkalle sakrifice gjatë viteve të bollëkut. Në vend që të konsumonin gjithçka që mund të prodhonin nënshtetasit e Faraonit, kufizime u vendosën dhe u ndoqën, duke u dhënë mjaftueshëm për nevojat e tyre të menjëhershme, si edhe për nevojat e tyre të ardhshme. Nuk mjaftonte vetëm të dinin se kohë sfiduese do të vinin. Ata duhej të vepronin dhe për shkak të përpjekjes së tyre, “kishte bukë”11.

Kjo çon te një pyetje e rëndësishme: “Pra, çfarë mësojmë?” Një vend i mirë për ta filluar është të kuptojmë se të gjitha gjërat janë shpirtërore për Zotin “dhe asnjëherë” Ai nuk na ka dhënë “një ligj që është tokësor”12. Çdo gjë, pra, na drejton për te Jezu Krishti si themeli mbi të cilin ne duhet të ndërtojmë, madje gatishmërinë tonë materiale.

Të jemi të përgatitur dhe të mbështetur te vetja materialisht do të thotë “të beso[jmë] se nëpërmjet hirit, apo fuqisë aftësuese, të Jezu Krishtit dhe vetë përpjekjes sonë, ne jemi në gjendje të plotësojmë të gjitha nevojat shpirtërore e materiale të jetës që kërkojmë për veten tonë dhe familjet tona”13.

Aspekte të tjera të një themeli shpirtëror për gatishmërinë materiale përfshijnë të vepruarit “në urtësi dhe rregull”14, i cili nënkupton një shtim gradual të rezervave ushqimore dhe kursimeve me kalimin e kohës, si edhe përfshirjen e mjeteve “të vogla dhe të thjeshta”15, e cila është një shfaqje e besimit se Zoti do t’i lartësojë përpjekjet tona të vogla por të qëndrueshme.

Me një themel shpirtëror në vendin e duhur, ne mund të zbatojmë më pas me sukses dy elemente të rëndësishme të gatishmërisë materiale – administrimin e financave dhe rezervat ushqimore në shtëpi.

Parimet kyç për t’i administruar financat tuaja ashtu siç duhet përfshijnë pagimin e të dhjetave dhe ofertave, eliminimin dhe shmangien e borxhit, përgatitjen dhe të jetuarit brenda një buxheti dhe kursimin për të ardhmen.

Parimet kyç për rezervat ushqimore në shtëpi përfshijnë ruajtjen e ushqimeve, depozitimin e ujit dhe ruajtjen e gjërave të tjera të nevojshme bazuar te nevojat individuale dhe familjare, të gjitha për shkak se “magazina më e mirë”16 është shtëpia, e cila bëhet “rezerva më e arritshme në kohë nevoje”17.

Kur i përqafojmë parimet shpirtërore dhe kërkojmë frymëzim nga Zoti, ne do të udhërrëfehemi për të ditur vullnetin e Zotit për ne, individualisht dhe si familje, dhe mënyrën se si t’i zbatojmë më së miri parimet e rëndësishme të gatishmërisë materiale. Hapi më i rëndësishëm nga të gjithë është të fillojmë.

Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim këtë parim kur tha: “Ndërmarrja e veprimit është ushtrimi i besimit. … Besimi i vërtetë përqendrohet [në] dhe [te] Zoti… Jezu Krisht dhe gjithnjë çon në veprim.”18

Vëllezër dhe motra, në një botë që është gjithnjë në ndryshim, ne duhet të përgatitemi për të papriturat. Edhe pse ditë më të mira na presin, ne e dimë që kohët e mira dhe kohët e këqija në vdekshmëri do të vazhdojnë. Kur përpiqemi të bëhemi të përgatitur materialisht, ne mund t’i përballojmë sprovat e jetës me vetëbesim të shtuar, paqe në zemrat tona dhe, sikurse Jozefi në Egjipt, ne do të jemi në gjendje të themi, madje edhe në rrethana stresuese: “Kishte bukë”19. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.