Konferenca e Përgjithshme
Lypni, Kërkoni dhe Trokitni
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2020


10:9

Lypni, Kërkoni dhe Trokitni

Një pjesë e rëndësishme e planit të Atit Qiellor është mundësia për të komunikuar me Atë kurdoherë që duam.

Katër muaj më parë, gjatë studimit tim të shkrimeve të shenjta, po lexoja rreth misionit të Almës në Amoniha kur pashë këtë sugjerim te manuali Eja, Më Ndiq: “Teksa lexoni për bekimet e mëdha që Perëndia i dha popullit të Nefit (shih veçanërisht Alma 9:19–23), përsiatni për bekimet e mëdha që Ai ju ka dhënë juve”1. Vendosa të bëj një listë të bekimeve të Perëndisë për mua dhe ta regjistroj në variantin tim digjital të manualit. Brenda pak minutash, pata regjistruar 16 bekime.

Më të rëndësishmet midis tyre ishin bekimet e mrekullueshme të mëshirës dhe flijimit shlyes të Shpëtimtarit në emrin tim. Shkrova gjithashtu për bekimin që pata të përfaqësoja Shpëtimtarin si misionar i ri në Portugali dhe, më vonë, me shoqen time të dashur të përjetshme, Patrician, ku shërbyem me 522 misionarë të fuqishëm dhe të mrekullueshëm në Misionin e Porto-Alegres Jugor në Brazil. Duke folur për Patrician, shumë nga bekimet që shënova atë ditë, janë bekimet që kemi gëzuar së bashku gjatë 40 vjetëve tona të martesës – përfshirë vulosjen tonë në Tempullin e San‑Paolos në Brazil, tre fëmijët tanë të mrekullueshëm, bashkëshortet/ët e tyre dhe 13 mbesat e nipërit tanë.

Mendimet e mia u drejtuan gjithashtu te prindërit e mi të drejtë, që më rritën me parimet e ungjillit. M’u kujtua, veçanërisht, një çast kur nëna ime e dashur u gjunjëzua me mua për t’u lutur pranë shtratit tim kur isha rreth 10 vjeç. Ajo duhet ta ketë ndier se nëse lutjet e mia duhej të arrinin tek Ati im në Qiell, ato nevojitej të përmirësoheshin. Kështu ajo tha: “Unë do të lutem e para dhe pas lutjes sime do të lutesh ti”. Ajo e vijoi këtë model për shumë net, derisa ishte e sigurt që e pata mësuar me anë të parimit dhe të praktikës se si t’i flas Atit Qiellor. Unë do t’i jem përherë mirënjohës asaj që më mësoi të lutem, sepse mësova se Ati im Qiellor i dëgjon lutjet e mia dhe u përgjigjet atyre.

Në fakt, ai ishte një bekim tjetër që e përfshiva në listën time – dhuratën e të qenit në gjendje të dëgjoj dhe të mësoj vullnetin e Zotit. Një pjesë e rëndësishme e planit të Atit Qiellor është mundësia për të komunikuar me Atë kurdoherë që duam.

Një Ftesë nga Zoti

Kur Shpëtimtari e vizitoi Amerikën pas Ringjalljes së Tij, Ai përsëriti një ftesë që Ai ua pati bërë dishepujve të Tij në Galile. Ai tha:

“Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet.

Pasi kushdo që të lypë, merr; dhe ai që kërkon, gjen; dhe atij që do të trokasë, do t’i hapet” (3 Nefi 14:7–8; shih edhe Mateu 7:7–8).

Profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka bërë një ftesë të ngjashme në ditët tona. Ai tha: “Lutuni në emrin e Jezu Krishtit për shqetësimet tuaja, frikën tuaj, dobësitë tuaja – po, pikërisht dëshirat e zemrës suaj. Dhe më pas dëgjoni! Shkruajini mendimet që ju vijnë në mendje. Shënojini ndjenjat dhe pasojini me veprimet që nxiteni t’i bëni. Kur e përsëritni këtë proces ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, ju do të ‘rriteni drejt parimit të zbulesës’.”2

Presidenti Nelson shtoi: “Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”3.

Përse zbulesa është kaq thelbësore për mbijetesën tonë shpirtërore? Sepse bota mund të jetë pështjelluese dhe e zhurmshme, plot mashtrim dhe shpërqendrime. Komunikimi me Atin tonë në Qiell na aftëson të zgjedhim midis asaj që është e vërtetë dhe asaj që është e gënjeshtërt, asaj që është e përshtatshme për planin e Zotit për ne dhe asaj që nuk është. Bota mund të jetë gjithashtu e ashpër dhe zemërthyese. Por kur i hapim zemrat në lutje, ne do të ndiejmë ngushëllimin që vjen nga Ati ynë në Qiell dhe sigurinë që Ai na do dhe na vlerëson.

Pyetni

Zoti tha se “kush lyp merr”. Të kërkosh duket e thjeshtë dhe prapë është e fuqishme sepse zbulon dëshirat tona dhe besimin tonë. Sidoqoftë, kërkohet kohë dhe durim të mësosh ta kuptosh zërin e Zotit. Ne u kushtojmë vëmendje mendimeve e ndjenjave që na vijnë në mendje e zemër dhe ne i shkruajmë ato, sikurse na ka këshilluar profeti ynë të bëjmë. Regjistrimi i përshtypjeve tona është pjesë e rëndësishme e marrjes. Ai na ndihmon të rikujtojmë, të rishikojmë dhe të rindiejmë atë që Zoti po na mëson.

Kohët e fundit një person i dashur më tha: “Unë besoj që zbulesa vetjake është e vërtetë. Besoj se Fryma e Shenjtë do të më tregojë çdo gjë që duhet të bëj.4 Është e lehtë të besoj kur gjoksi më digjet me bindje të padyshimtë.5 Por si mund ta kem Frymën e Shenjtë që të më flasë gjithmonë me kaq fuqi?”

Njeriut tim të dashur dhe të gjithë juve, do t’ju thosha se edhe unë do të doja t’i ndieja ato përshtypje të fuqishme nga Shpirti dhe gjithnjë të shihja qartë shtegun që duhet të ndjek. Por nuk e shoh. Sidoqoftë, ajo që mund të ndiejmë më shpesh është zëri i qetë, i ulët i Zotit që i pëshpërit mendjes dhe zemrës sonë: “Unë jam këtu. Unë të dua. Vazhdo; bëj më të mirën. Unë do të të përkrah.” Nuk na nevojitet të dimë kurdoherë gjithçka ose të shohim gjithçka.

Zëri i qetë, i ulët është ripohues, inkurajues dhe ngushëllues – dhe shumë herë ajo është pikërisht çka na duhet për atë ditë. Fryma e Shenjtë është i vërtetë dhe mbresat prej Tij janë të vërteta – të mëdhatë dhe të voglat.

Kërkoni

Zoti vijoi të premtojë: “Kush kërkon gjen”. Kërkimi nënkupton përpjekje mendore dhe shpirtërore – të përsiatësh, të provosh, të përpiqesh dhe të studiosh. Ne kërkojmë sepse ne u mirëbesojmë premtimeve të Zotit. “Sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6). Kur kërkojmë, ne jemi duke pranuar përulësisht se ende kemi shumë për të mësuar dhe se Zoti do ta zgjerojë kuptueshmërinë tonë, duke na përgatitur të marrim më shumë. “Pasi vini re, kështu thotë Zoti Perëndi: Unë do t’u jap fëmijëve të njerëzve rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje; … pasi atij që merr, unë do t’i jap më shumë” (2 Nefi 28:30).

Trokitni

Më në fund, Zoti tha: “Do t’i çelet atij që troket”. Të trokasësh është të veprosh me besim. Kur ne e ndjekim aktivisht Atë, Zoti hap udhën përpara nesh. Është një himn i bukur që na mëson: “Zgjohu dhe bëj më shum’ ti sesa shtëpin’ [tonë] lart t’ëndërrosh. Të bësh mir’ ësht’ kënaq’si, pa masë lumturi, bekim dashurie t’meritosh.”6 Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetëve, së fundi shpjegoi se zbulesa shpesh vjen ndërsa jemi në veprimin e të bërit mirë. Ai tha: “Kur përpiqemi t’u vijmë në ndihmë njerëzve përreth nesh, unë mendoj se Zoti na jep një masë shtesë nga dashuria e Tij për ta dhe, si rrjedhim, edhe për ne. Unë mendoj se ne e dëgjojmë zërin e Tij – ne e ndiejmë Atë në një mënyrë të ndryshme – ndërsa lutemi të ndihmojmë njerëzit përreth nesh sepse kjo është një nga lutjet që Ai do më shumë t’u përgjigjet.”7

Shembulli i Almës

Ai sugjerim i thjeshtë te manuali Eja, Më Ndiq për të menduar rreth bekimeve të mia, solli një shpirt të ëmbël dhe disa këndvështrime të papritura shpirtërore. Ndërsa vijova leximin rreth Almës dhe shërbesës së tij në Amoniha, unë zbulova se Alma jep një shembull të mirë të asaj se ç’do të thotë të lutesh, të kërkosh dhe të trokasësh. Ne lexojmë se “Alma luftoi shumë në shpirt, duke u përpjekur me Perëndinë, në lutje të fuqishme, që ai të derdhte Shpirtin e tij mbi njerëzit”. Ajo lutje, sidoqoftë, nuk mori përgjigje në mënyrën që ai shpresonte, dhe Almën e dëbuan nga qyteti. “Duke qenë i rënduar me dhimbje”, Alma ishte gati të hiqte dorë, kur një engjëll i dha këtë mesazh: “Qofsh i bekuar, ti, Alma; prandaj, ngrije kokën dhe gëzohu; pasi ti ke arsye të madhe të gëzohesh”. Engëlli i tha atij të kthehej në Amoniha dhe të përpiqej përsëri dhe Alma “u kthye me të shpejtë”8.

Çfarë mësojmë nga Alma rreth të pyeturit, kërkuarit dhe trokiturit? Ne mësojmë se lutja kërkon punë të madhe shpirtërore dhe nuk çon gjithnjë te rezultati që shpresojmë. Por kur ndihemi të shkurajuar apo të rënduar nga dëshpërimi, Zoti na jep ngushëllim dhe fuqi në mënyra të ndryshme. Ai mund të mos u përgjigjet të gjitha pyetjeve tona apo t’i zgjidhë të gjitha problemet tona menjëherë; përkundrazi, Ai na inkurajon të vijojmë të përpiqeni. Nëse atëherë ne e përputhim me të shpejtë planin tonë me planin e Tij, Ai do ta hapë udhën për ne, sikurse bëri për Almën.

Është dëshmia ime që kjo është periudha e plotësisë së ungjillit. Ne mund të gëzojmë bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit në jetën tonë. Ne kemi shkrimet e shenjta gjerësisht në dispozicion. Ne udhëhiqemi nga profetë që na mësojnë vullnetin e Zotit për kohët e vështira ku jetojmë. Për më tepër, ne kemi qasje të drejtpërdrejtë te vetë zbulesa jonë, që Zoti të mund të na ngushëllojë dhe drejtojë personalisht. Sikurse engjëlli i tha Almës, ne kemi “arsye të madhe të gëzohe[mi]” (Alma 8:15). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.