I Rekomanduar te Zoti
Fillojeni tani procesin për t’u bërë “[të] rekomanduar te Zoti” që Shpirti i Tij të jetë me bollëk në ju.
Mirëmëngjesi vëllezër dhe motra. Si dishepull i Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, kam pritur me padurim që të mblidhemi nëpërmjet internetit nga të gjitha skajet e botës për këtë konferencë.
Ky ka qenë një vit tepër i pazakontë. Për mua ai filloi me një detyrë të caktuar nga Presidenca e Parë për t’i përkushtuar Zotit një tempull të shenjtë në Durban të Afrikës së Jugut. Nuk do ta harroj kurrë madhështinë e ndërtesës. Por më shumë sesa mjedisin, do të ruaj gjithnjë si thesar dinjitetin e njerëzve, të cilët ishin të përgatitur kaq mirë për të hyrë në atë ndërtesë të shenjtë. Ata erdhën gati për të marrë një nga bekimet kurorëzuese të Rivendosjes: përkushtimin e një shtëpie të Zotit. Ata erdhën me zemra të mbushura me dashuri për Të dhe Shlyerjen e Tij. Ata erdhën të mbushur me falënderime ndaj Atit tonë në Qiell, i cili siguroi ordinanca të shenjta që do të çonin drejt ekzaltimit. Ata erdhën të denjë.
Tempujt qëndrojnë mbi mënyrat e botës, pavarësisht se ku janë. Çdo tempull i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në botë – të 168‑të tempujt – qëndrojnë si testamente të besimit tonë për jetën e përjetshme dhe gëzimin që do ta kalojmë atë jetë me familjet tona dhe Atin tonë Qiellor. Frekuentimi i tempullit e rrit kuptueshmërinë tonë për Kreun‑Perëndi dhe ungjillin e përjetshëm, zotimin tonë për ta jetuar dhe dhënë mësim të vërtetën, dhe gatishmërinë tonë për ta ndjekur shembullin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.
Në pjesën e jashtme të çdo tempulli në Kishë gjenden fjalët e duhura: “Shenjtëri Zotit”. Tempulli është shtëpia e Zotit dhe një shenjtërore për t’u larguar nga bota. Shpirti i Tij i pushton të gjithë ata që adhurojnë brenda atyre mureve të shenjta. Ai vendos standardet me anë të të cilave ne hyjmë si të ftuarit e Tij.
Vjehrri im, Blejn Tuiçëlli, një nga burrat më të mirë që kam njohur ndonjëherë, më dha një mësim të shkëlqyer. Motra Rasband dhe unë shkuam ta vizitonim atë kur po i afrohej fundit të udhëtimit të tij në vdekshmëri. Teksa hymë në dhomë, peshkopi i tij sa po largohej. Teksa e përshëndetëm peshkopin, mendova: “Sa peshkop i mirë. Ai ndodhet këtu duke dhënë shërbesën e tij ndaj një anëtari besnik të lagjes së tij.”
Ia përmenda edhe Blejnit: “A nuk ishte gjë e bukur nga ana e peshkopit që erdhi për vizitë?”
Blejni më vështroi dhe m’u përgjigj: “Ishte shumë më tepër se aq. I kërkova peshkopit të vinte, sepse doja që të bëja intervistën për rekomandimin tim të tempullit. Dua që të shkoj i rekomanduar te Zoti.” Dhe ai shkoi!
Ajo frazë, “i rekomanduar te Zoti”, më ka mbetur në mendje. Kjo ka sjellë një këndvështrim krejt të ri mbi të qenit i intervistuar rregullisht nga udhëheqësit tanë të Kishës. Kaq i rëndësishëm është një rekomandim tempulli, saqë në Kishën e hershme, deri në vitin 1891, çdo rekomandim tempulli miratohej nga Presidenti i Kishës1.
Qoftë për rininë apo të rriturit, intervista juaj për rekomandimin e tempullit nuk ka të bëjë me gjërat që duhet të bëni dhe me ato që nuk duhet të bëni. Një rekomandim nuk është një listë kontrolli, një lejehyrje apo një biletë për një ndenjëse të veçantë. Ai ka një qëllim shumë më të lartë dhe më të shenjtë. Që të kualifikoheni për të pasur nderin për një rekomandim tempulli, ju duhet të jetoni në harmoni me mësimet e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Në intervistën tuaj ju keni mundësinë ta hulumtoni shpirtin tuaj për besimin tuaj vetjak te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij. Ju keni bekimin për ta shprehur dëshminë tuaj për ungjillin e rivendosur, gatishmërinë tuaj për t’i mbështetur ata që Zoti i ka thirrur për ta udhëhequr Kishën e Tij, besimin tuaj në doktrinën e ungjillit, përmbushjen e përgjegjësive tuaja familjare; dhe cilësitë tuaja të ndershmërisë, dëlirësisë, besnikërisë, bindjes dhe respektimin e Fjalës së Urtësisë, ligjin të së dhjetës dhe shenjtërimin e ditës së Shabatit. Këto janë parime themelore të një jete të përkushtuar ndaj Jezu Krishtit dhe veprës së Tij.
Rekomandimi juaj i tempullit pasqyron një qëllim të thellë e shpirtëror, se po përpiqeni fort t’i jetoni ligjet e Zotit dhe të doni atë që do Ai: përulësinë, butësinë, qëndrueshmërinë, dashurinë hyjnore, kurajën, dhembshurinë, faljen dhe bindjen. Dhe ju e zotoni veten ndaj atyre standardeve kur e nënshkruani emrin në atë dokument të shenjtë.
Rekomandimi juaj i tempulli hap portat e qiellit për ju dhe njerëz të tjerë me rite dhe ordinanca të një rëndësie të përjetshme, duke përfshirë pagëzimet, dhurimet, martesat dhe vulosjet.
Të jemi “[të] rekomanduar te Zoti” do të thotë të kujtohemi për atë që pritet nga një shenjtor i ditëve të mëvonshme që i mban besëlidhjet. Vjehrri im, Blejni, e konsideroi atë si përgatitje të paçmueshme për ditën kur ai do të qëndronte përulësisht përpara Zotit.
Merrni parasysh rastin kur Moisiu u ngjit në malin Horeb dhe Zoti Jehova iu shfaq atij në një ferrishtë që digjej. Perëndia i tha atij: “Hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë”2.
Heqja e këpucëve tona te dyert e tempullit do të thotë të heqim dorë nga dëshirat apo kënaqësitë e botës të cilat na e largojnë vëmendjen nga rritja shpirtërore, të mënjanojmë ato gjëra që e devijojnë jetën tonë të çmuar në vdekshmëri, të ngrihemi mbi sjelljet kundërshtuese dhe të kërkojmë kohë për të qenë të shenjtë.
Sipas planit hyjnor, trupi ynë fizik është një krijim i Perëndisë, një tempull për shpirtin tonë dhe duhet të trajtohet me nderim. Shumë të vërteta janë fjalët në këngën e Fillores: “Trupi im është një tempull, [që] ka nevojë për kujdesin më të madh”3. Kur Zoti iu shfaq nefitëve, Ai urdhëroi: “Shenjtëroh[uni] nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni pa njollë para meje”4. Zoti pyeti: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” dhe më pas u përgjigj: “Madje siç jam unë”5. Për të qenë “[të] rekomanduar te Zoti”, ne përpiqemi fort që të jemi si Ai.
Mbaj mend që e dëgjova Presidentin Hauard W. Hanter në fjalimin e tij të parë në konferencën e përgjithshme si Presidenti i 14-të i Kishës. Ai tha: “Është dëshira më e thellë e zemrës sime që çdo anëtar të Kishës ta kemi të denjë për të hyrë në tempull. Zoti do të kënaqej nëse çdo anëtar i rritur do të ishte i denjë për ta pasur – dhe do ta kishte – një rekomandim të vlefshëm tempulli.”6 Unë do të shtoja se një rekomandim me përdorim të kufizuar do të përcaktonte një shteg të qartë për rininë tonë të shtrenjtë.
Presidenti Rasëll M. Nelson kujtoi fjalët e Presidentit Hanter: “Në atë ditë, më 6 qershor 1994, rekomandimi i tempullit që ne mbajmë, u bë një objekt i ndryshëm në kuletën time. Më parë, ai ishte një mjet për një qëllim. Ishte mjeti për të më lejuar mua që të hyja në një shtëpi të shenjtë të Zotit; por pasi ai e bëri atë deklaratë, ai u bë një qëllim në vetvete. Ai u bë simboli im i bindjes ndaj një profeti të Perëndisë.”7
Nëse nuk e keni marrë ende një rekomandim apo nëse rekomandimit tuaj i ka mbaruar afati, rrini në radhë te dera e peshkopit ashtu si shenjtorët e hershëm ndenjën në radhë te dera e Tempullit të Navusë në 1846-ën8. Paraardhësit e mi ishin mes atyre besnikëve. Ata po e braktisnin qytetin e tyre të bukur dhe po shkonin drejt perëndimit, por e dinin se kishte përvoja të shenjta që po i prisnin në tempull. Sara Riçi nga shtegu i thepisur në Ajoua, shkroi: “Po të mos kishte qenë për besimin dhe njohurinë që u derdh mbi ne në atë tempull …, udhëtimi ynë do të kishte qenë sikur të … hidhnim një hap në errësirë”9. Kjo është ajo që po humbasim, në qoftë se po e përshkojmë këtë jetë të vetëm, pa frymëzimin dhe paqen e premtuar në tempull.
Fillojeni tani procesin për t’u bërë “[të] rekomanduar te Zoti” që Shpirti i Tij të jetë me ju me bollëk dhe që standardet e Tij t’ju sjellin “paqe të ndërgjegjes”10.
Udhëheqësit tuaj të të rinjve, udhëheqëset tuaja të të rejave, presidenti i kuorumit të pleqve, presidentja e Shoqatës së Ndihmës, vëllezërit dhe motrat shërbestare do t’ju ndihmojnë që të përgatiteni dhe peshkopi apo presidenti juaj i degës do t’ju udhërrëfejë me dashuri.
Kemi përjetuar një kohë kur tempujt kanë qenë të mbyllur ose me përdorim të kufizuar. Për Presidentin Nelson dhe ata prej nesh që shërbejnë përkrah tij, vendimi i frymëzuar për t’i mbyllur tempujt ishte “i dhimbshëm” dhe i “mbytur nga shqetësimi”. Presidenti Nelson e gjeti veten duke pyetur: “Çfarë do t’i thosha Profetit Jozef Smith? Çfarë do t’i thosha Brigam Jangut, Uillford Udrafit dhe Presidentëve të tjerë deri te Presidenti Tomas S. Monson?”11
Tani, ne gradualisht dhe plot mirënjohje po i rihapim tempujt për vulosje dhe dhurime në një shkallë të kufizuar.
Të qenit i denjë për ta frekuentuar tempullin, sidoqoftë, nuk është pezulluar. Më lejoni të theksoj, qoftë nëse keni mundësi të shkoni te një tempull apo jo, ju keni nevojë për një rekomandim aktual tempulli për të qëndruar me vendosmëri në shtegun e besëlidhjeve.
Nga fundi i vitit të kaluar, Motra Rasband dhe unë ishim me detyrë në Zelandën e Re, duke i folur një grupi të madh të rinjsh e të rejash në moshë madhore beqarë. Nuk ishte e lehtë për ta që të shkonin në tempull; tempulli në Hamilton po rinovohej dhe ishin ende në pritje të fillimit të punimeve për tempullin e Oklandit. Megjithatë, pata mbresën që t’i nxitja të rinovonin apo të merrnin rekomandime tempulli.
Edhe pse nuk mund të paraqiteshin në tempull, ata do të paraqiteshin para Zotit, të dëlirë dhe të përgatitur për t’i shërbyer Atij. Të qenit i denjë për të mbajtur një rekomandim aktual tempulli është si mbrojtje ndaj kundërshtarit, për shkak se keni bërë një zotim të fortë ndaj Zotit për jetën tuaj, ashtu edhe një premtim se Shpirti do të jetë me ju.
Ne bëjmë punë në tempull kur i kërkojmë paraardhësit tanë dhe i dorëzojmë emrat e tyre për ordinanca. Ndërkohë që tempujt tanë kanë qenë të mbyllur, ne prapë kemi qenë në gjendje të bëjmë kërkime për familjet tona. Me Shpirtin e Perëndisë në zemrat tona, ne, si mëkëmbës, po qëndrojmë në vend të tyre që ata të jenë “[të] rekomanduar te Zoti”.
Kur po shërbeja si Drejtor Ekzekutiv i Departamentit të Tempujve, unë e dëgjova Presidentin Gordon B. Hinkli t’i referohej këtij shkrimi të shenjtë të thënë nga Zoti rreth Tempullit të Navusë: “Puna për tempullin tim dhe të gjitha punët që ju kam caktuar, duhet të vazhdojnë dhe të mos ndalen; dhe zelli juaj, dhe këmbëngulja juaj, dhe durimi, dhe veprat tuaja duhet të dyfishohen dhe ju në asnjë mënyrë nuk do ta humbisni shpërblimin tuaj, thotë Zoti i Ushtrive”12.
Puna jonë në tempull është e lidhur ngushtë me shpërblimin tonë të përjetshëm. Kohët e fundit jemi vënë në provë. Zoti na ka thirrur që të punojmë në tempuj me “zell, … këmbëngulj[e] … dhe durim”13. Të qenit “i rekomanduar te Zoti” i kërkon ato cilësi. Ne duhet të jemi të zellshëm në të jetuarit e urdhërimeve, të këmbëngulim në vëmendjen tonë ndaj besëlidhjeve tona të tempullit dhe të jemi mirënjohës për atë që Zoti vazhdon të na mësojë për to dhe të jemi të duruar teksa presim që tempujt të rihapen në plotësinë e tyre.
Kur Zoti na thërret që ne t’i “dyfisho[jmë]” përpjekjet tona, Ai po kërkon që ne të rritemi në drejtësi. Për shembull, ne mund ta zgjerojmë studimin tonë të shkrimeve të shenjta, kërkimin tonë për historinë familjare dhe lutjet tona me besim, që ne të mund t’ua tregojmë dashurinë tonë për shtëpinë e Zotit atyre që po përgatiten për të marrë një rekomandim tempulli, pjesëtarëve tanë të familjes në veçanti.
Ju premtoj, si Apostull i Zotit Jezu Krisht, që kur përpiqeni fort për t’i dyfishuar përpjekjet tuaja të drejta, ju do të ndiheni të përtërirë në përkushtimin tuaj ndaj Perëndisë, Atit, dhe Jezu Krishtit, ju do të ndieni një bollëk të Frymës së Shenjtë duke ju udhërrëfyer, ju do të jeni mirënjohës për besëlidhjet tuaja të shenjta dhe do të ndieni paqe duke e ditur se jeni “[të] rekomanduar te Zoti”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.