Përqafojeni të Ardhmen me Besim
E ardhmja do të jetë e lavdishme për ata të cilët janë të përgatitur dhe që vazhdojnë të përgatiten për të qenë mjete në duart e Zotit.
Kjo ka qenë një mbrëmje e paharrueshme! Motrat e mia të dashura, jam i nderuar që jam me ju. Keni qenë në mendjen time kaq shpesh gjatë këtyre muajve të fundit. Jeni të forta më shumë se tetë milionë. Ju nuk keni vetëm numrin por edhe fuqinë shpirtërore për ta ndryshuar botën. Ju kam vëzhguar duke bërë pikërisht këtë gjatë kësaj pandemie.
Disa prej jush u gjendën befas duke kërkuar për furnizime të pakta ose një punë të re. Shumë mbikëqyrën fëmijët dhe kontrolluan fqinjët. Disa mirëpritën misionarët më herët nga sa i prisnin, ndërsa të tjera i kthyen shtëpitë e tyre në qendra të trajnimit të misionarëve. Ju e keni përdorur teknologjinë për t’u lidhur me familjarët dhe miqtë, për t’ju dhënë shërbesë atyre që janë ndier të izoluar, dhe për të studiuar me të tjerët programin Eja, Më Ndiq. Keni gjetur mënyra të reja për ta bërë Shabatin një kënaqësi. Dhe keni bërë maska mbrojtëse – miliona të tilla!
Me dhembshuri e dashuri të çiltër, u shpreh ngushëllimet e mia shumë grave anekënd botës njerëzit e dashur të të cilave kanë vdekur. Ne vajtojmë me ju. Dhe lutemi për ju. Ne lavdërojmë dhe lutemi për të gjitha ato që punojnë pa u lodhur për të mbrojtur shëndetin e të tjerëve.
Ju të reja, gjithashtu keni qenë të jashtëzakonshme! Ndonëse media shoqërore ka qenë e përmbytur me grindje, shumë prej jush kanë gjetur mënyra për të inkurajuar të tjerë dhe për të përhapur dritën e Shpëtimtarit tonë.
Motra, ju të gjitha keni qenë absolutisht heroike! Mrekullohem nga forca juaj dhe besimi juaj! Ju keni treguar se në rrethana të vështira vazhdoni përpara me guxim. Ju dua dhe ju siguroj se Zoti ju do dhe e sheh punën e mrekullueshme që po bëni. Ju faleminderit! Edhe një herë, ju keni treguar se jeni me plot kuptimin e fjalës shpresa e Izraelit!
Ju mishëroni shpresat që Presidenti Gordon B. Hinkli kishte për ju kur paraqiti dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, 25 vjet më parë në një mbledhje të përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës në shtator 1995.1 Është domethënëse që ai zgjodhi t’ua paraqesë këtë proklamatë të rëndësishme motrave të Kishës. Duke bërë këtë, Presidenti Hinkli nënvizoi ndikimin e pazëvendësueshëm të grave në planin e Zotit.
Tani, do të doja të dija se çfarë keni mësuar këtë vit. A jeni afruar më shumë me Zotin apo ndiheni edhe më larg prej Tij? Dhe si ju kanë bërë të ndiheni për të ardhmen ngjarjet e tanishme?
Pa dyshim Zoti ka folur për kohën tonë me terma të qartë. Ai paralajmëroi se në kohën tonë “zemrat e njerëzve do të mpaken”2 dhe se edhe të zgjedhurit rrezikojnë të mashtrohen.3 Ai i tha Profetit Jozef Smith se “paqja do të merret nga toka”4 dhe fatkeqësi do të bien mbi njerëzimin.5
Prapëseprapë, Zoti gjithashtu kishte dhënë një vegim të asaj se sa e mrekullueshme është kjo periudhë ungjillore. Ai e frymëzoi Profetin Jozef Smith të shpallte se “puna … në këto ditët e fundit është e një madhësie të gjerë. … Lavditë e saj janë përtej përshkrimit dhe madhështia e saj e pakapërcyeshme.”6
Tani, madhështi mund të mos jetë fjala që do të zgjidhnit për t’i përshkruar këto muaj të fundit! Si duhet t’i përballojmë ne edhe profecitë e zymta ashtu edhe shpalljet e lavdishme për kohën tonë? Zoti na e tregoi se si me siguri të thjeshtë por mahnitëse: “Nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni”7.
Çfarë premtimi! Një premtim që mund ta ndryshojë me plot kuptimin e fjalës mënyrën se si e shohim të ardhmen tonë. Kohët e fundit dëgjova një grua me dëshmi të thellë, të pranonte se pandemia, e ndërthurur me tërmetin në Luginën e Solt-Lejkut, e kishin ndihmuar të kuptonte se nuk ishte aq e përgatitur sa mendonte. Kur e pyeta nëse i referohej rezervës ushqimore apo dëshmisë së saj, ajo buzëqeshi dhe tha: “Po!”
Nëse përgatitja është çelësi ynë për ta përqafuar këtë periudhë ungjillore dhe të ardhmen tonë me besim, si mund të përgatitemi më mirë?
Për dekada, profetët e Zotit na kanë nxitur të mbajmë rezerva ushqimesh, uji, dhe financiare për kohë nevoje. Pandemia aktuale e ka përforcuar urtësinë e asaj këshille. Unë ju nxit të ndërmerrni hapa për të qenë të përgatitur materialisht. Por jam akoma më i shqetësuar për përgatitjen tuaj shpirtërore dhe emocionale.
Lidhur me këtë, mund të mësojmë shumë nga kapiten Moroni. Si komandant i ushtrive nefite, ai u përball me forca kundërshtare që ishin më të forta, më të mëdha në numër dhe më mizore. Ndaj Moroni e përgatiti popullin e tij në tri mënyra thelbësore.
Së pari, ai i ndihmoi ata të krijonin zona ku do të ishin të sigurt – “vende … siguri[e]” i quajti ai.8 Së dyti, ai përgatiti “mendjet e njerëzve që të ishin besnikë të Zotit”9. Dhe së treti, ai nuk rreshti kurrë së përgatituri popullin e tij – fizikisht ose shpirtërisht.10 Le t’i shqyrtojmë këto tri parime.
Parimi Numër Një: Krijoni Vende Sigurie
Moroni e përforcoi çdo qytet të nefitëve me argjinaturë, fortifikata dhe mure.11 Kur lamanitët erdhën kundër tyre, ata “u çuditën jashtëzakonisht, për shkak të mençurisë së Nefitëve në përgatitjen e vendeve të tyre të sigurisë”12.
Në mënyrë të ngjashme, ndërsa trazira tërbohet rreth nesh, ne duhet të krijojmë vende ku ne të jemi të sigurt, si fizikisht edhe shpirtërisht. Kur shtëpia juaj bëhet një shenjtërore vetjake e besimit – ku banon Shpirti – shtëpia juaj bëhet vija e parë e mbrojtjes.
Po ashtu, kunjet e Sionit janë “strehim nga stuhia”13 sepse drejtohen nga ata që mbajnë çelësat e priftërisë dhe ushtrojnë autoritetin e priftërisë. Ndërsa vazhdoni ta ndiqni këshillën e atyre të cilët Zoti i ka autorizuar t’ju udhëheqin, ju do të ndieni siguri më të madhe.
Tempulli – shtëpia e Zotit – është një vend sigurie i pangjashëm me asnjë tjetër. Atje, ju motra, merrni dhurimin me fuqinë e priftërisë nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta të priftërisë që bëni.14 Atje, familjet tuaja vulosen për përjetësinë. Edhe këtë vit, kur hyrja në tempujt tanë është kufizuar shumë, dhurimi juaj ju ka dhënë të drejtë përdorimi të vazhdueshme te fuqia e Perëndisë ndërkohë që keni nderuar besëlidhjet tuaja me Të.
Thënë thjesht, vend sigurie është kudo ku ju mund ta ndieni praninë e Frymës së Shenjtë dhe të udhëhiqeni prej Tij.15 Kur Fryma e Shenjtë është me ju, ju mund ta jepni mësim të vërtetën, edhe kur ajo bie ndesh me opinionet mbizotëruese. Dhe ju mund të përsiatni pyetje të sinqerta rreth ungjillit në një mjedis zbulese.
Ju ftoj, motra të mia të dashura, të krijoni një shtëpi që është vend sigurie. Dhe e përsëris ftesën time për ju për ta rritur kuptueshmërinë tuaj për fuqinë e priftërisë dhe për besëlidhjet e bekimet e tempullit. Pasja e vendeve të sigurisë ku mund të strehoheni, do t’ju ndihmojë ta përqafoni të ardhmen me besim.
Parimi Numër Dy: Përgatiteni Mendjen tuaj për të Qenë Besnike ndaj Perëndisë
Ne kemi ndërmarrë një projekt madhor për ta shtuar jetën dhe kapacitetin e Tempullit të Solt-Lejkut.
Disa njerëz e vunë në dyshim nevojën për të marrë masa të tilla të jashtëzakonshme. Megjithatë, kur Lugina e Solt-Lejkut pësoi një tërmet me magnitutë 5,7 në fillim të këtij viti, ky tempull i përnderuar u tund aq sa ra boria e statujës së engjëllit Moroni!16
Ashtu si themeli fizik i Tempullit të Solt-Lejkut duhet të jetë aq i fortë sa t’i rezistojë katastrofave natyrore, edhe themelet tona shpirtërore duhet të jenë të palëkundura. Më pas, kur tërmetet metaforikë ta tronditin jetën tonë, ne të mund të qëndrojmë “të qëndrueshëm dhe të palëvizur” për shkak të besimit tonë.17
Zoti na mësoi se si ta rritim besimin tonë duke kërkuar “të mëso[jmë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”18. Ne e forcojmë besimin tonë në Jezu Krisht ndërsa përpiqemi fort t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe “gjithmonë [e] kujtoj[m]ë atë”19. Për më tepër, besimi ynë rritet çdo herë që ushtrojmë besimin tonë në Të. Kjo është domethënia e të mësuarit me anë të besimit.
Për shembull, kurdo që kemi besimin të jemi të bindur ndaj ligjeve të Perëndisë – edhe kur opinionet e përhapura na nënçmojnë – ose sa herë i rezistojmë argëtimit ose ideologjive që përlëvdojnë shkeljen e besëlidhjeve, ne po ushtrojmë besimin tonë, i cili nga ana tjetër e rrit besimin tonë.
Për më tepër, pak gjëra e ndërtojnë besimin më shumë se zhytja e rregullt në Librin e Mormonit. Asnjë libër tjetër nuk dëshmon me aq fuqi dhe qartësi për Jezu Krishtin. Profetët e tij, siç u frymëzuan nga Zoti, e panë kohën tonë dhe e përzgjodhën doktrinën dhe të vërtetat që do të na ndihmonin më së shumti. Libri i Mormonit është udhëzuesi ynë për mbijetesë në ditët e mëvonshme.
Natyrisht, siguria jonë përfundimtare vjen kur e vëmë veten në zgjedhë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Jeta pa Perëndinë është një jetë e mbushur me frikë. Jeta me Perëndinë është një jetë e mbushur me paqe. Është e tillë sepse bekimet shpirtërore vijnë te besnikët. Marrja e zbulesës vetjake është një nga më të mëdhatë e këtyre bekimeve.
Zoti ka premtuar se nëse do të kërkojmë, mund të marrim “zbulesë pas zbulese”20. Unë ju premtoj se ndërsa e rritni aftësinë tuaj për të marrë zbulesë, Zoti do t’ju bekojë me rritje të drejtimit për jetën tuaj dhe me dhurata të pafundme të Shpirtit.
Parimi Numër Tre: Mos Reshtni Kurrë së Përgatituri
Edhe kur gjërat shkuan mirë, kapiten Moroni vazhdoi ta përgatiste popullin e tij. Ai nuk reshti kurrë. Ai kurrë nuk u vetëkënaq.
Kundërshtari nuk resht kurrë së sulmuari. Kështu që, ne kurrë nuk mund të reshtim së përgatituri! Sa më të mbështetur te vetja të jemi – materialisht, emocionalisht dhe shpirtërisht – aq më të përgatitur jemi për të penguar sulmet e pareshtura të Satanit.
Motra të dashura, ju jeni kompetente për të krijuar vende sigurie për veten dhe ata që doni. Për më tepër, ju keni një dhurim hyjnor që ju aftëson të ndërtoni besim tek të tjerët në mënyra bindëse.21 Dhe ju kurrë nuk ndaleni. Ju e keni treguar atë sërish këtë vit.
Ju lutem, vazhdoni! Vigjilenca juaj për ruajtjen e shtëpive tuaja dhe rrënjosjen e besimit në zemrat e njerëzve tuaj të dashur, do të korrë shpërblime në brezat që do të vijnë.
Motrat e mia të dashura, ne kemi kaq shumë për të shpresuar! Zoti ju vendosi këtu tani sepse Ai e dinte që ju kishit aftësinë për t’i përballuar ndërlikimet e pjesës së fundit të këtyre ditëve të mëvonshme. Ai e dinte që ju do ta kapnit madhështinë e punës së Tij dhe do të ishit të etura të ndihmoni për suksesin.
Nuk po them se ditët përpara do të jenë të lehta, por ju premtoj se e ardhmja do të jetë e lavdishme për ata të cilët janë të përgatitur dhe që vazhdojnë të përgatiten për të qenë mjete në duart e Zotit.
Motrat e mia të dashura, nuk duhet thjesht të durojmë këtë periudhë të tashme. Le ta përqafojmë të ardhmen me besim! Kohët e trazuara janë mundësi që ne të lulëzojmë shpirtërisht. Janë kohë kur ndikimi ynë mund të jetë shumë më depërtues sesa në kohë më të qeta.
Ju premtoj se ndërsa krijojmë vende sigurie, i përgatitim mendjet tona për të qenë besnikë ndaj Perëndisë dhe nuk reshtim kurrë së përgatituri, Perëndia do të na bekojë. Ai do të “na shpëto[jë]; po, aq sa ai [do t’i] qetëso[jë] shpirtrat tanë dhe [do të] na [japë] besim të madh dhe [do të] na bë[jë që të mund] të shpresojmë në të për çlirimin tonë”22.
Ndërsa përgatiteni për ta përqafuar të ardhmen me besim, këto premtime do të jenë tuajat! Dëshmoj kështu, duke shprehur dashurinë time për ju dhe mirëbesimin tim tek ju, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.