Kërkojeni Krishtin në Çdo Mendim
Lufta kundër tundimit kërkon një jetë të tërë zelli dhe besnikërie. Por ju lutem ta dini se Zoti është gati të na ndihmojë.
Në himnin e tij poetik të lavdërimit, psalmisti shpalli:
“Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.
Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.
Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.”1
Në paralelizmin kuptimor të kësaj poeme, psalmisti përlëvdon tiparin hyjnor të gjithëdijes të Zotit, sepse Ai vërtet ka dijeni për çdo aspekt të shpirtrave tanë.2 Duke qenë i vetëdijshëm për gjithçka që është e nevojshme për ne në këtë jetë, Shpëtimtari na fton ta kërkojmë Atë në çdo mendim dhe ta ndjekim Atë me gjithë zemër.3 Kjo na jep premtimin se mund të ecim në dritën e Tij dhe se udhërrëfimi i Tij e parandalon ndikimin e errësirës në jetën tonë.4
Kërkimi i Krishtit në çdo mendim dhe ndjekja e Tij me gjithë zemër kërkon që ne t’i përputhim mendjen dhe dëshirat tona me të Tijat.5 Shkrimet e shenjta e përmendin këtë përputhje si “qëndr[im të patundur] në Zotin”6. Kjo mënyrë veprimi nënkupton që ne të jetojmë vazhdimisht në harmoni me ungjillin e Krishtit e të përqendrohemi çdo ditë në gjithçka që është e mirë.7 Vetëm atëherë mund të fitojmë “paq[en] e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie” dhe e cila do t’i “ruajë zemrat … dhe mendjet [tona] në[përmjet] Krishti[t] Jezus”8. Shpëtimtari Vetë i udhëzoi pleqtë e Kishës në shkurt 1831: “I mblidhni thesar këto gjëra në zemrat tuaja dhe i lini gjërat solemne të përjetësisë të pushojnë në mendjet tuaja”9.
Pavarësisht nga përpjekjet tona të vazhdueshme për ta kërkuar Zotin, mendimet e papërshtatshme mund të depërtojnë në mendjen tonë. Kur lejohen mendime të tilla dhe madje ftohen për të qëndruar, ato mund t’u japin formë dëshirave të zemrës sonë dhe të na çojnë drejt asaj që do të bëhemi në këtë jetë dhe përfundimisht çfarë do të trashëgojmë për përjetësinë.10 Plaku Nil A. Maksuell njëherë e theksoi këtë parim duke thënë: “Dëshirat … përcaktojnë ndryshimin gradual të rezultateve, përfshirë [faktin] përse ‘ka shumë që thirren, por pak zgjidhen’”11.
Profetët tanë të lashtë dhe modernë vazhdimisht na kanë kujtuar që t’i bëjmë ballë tundimit me qëllim që ta shmangim humbjen e forcës sonë shpirtërore të tërheqjes dhe të qenit të pështjelluar, të çorientuar dhe të zhgënjyer në jetë.
Duke folur metaforikisht, dorëzimi ndaj tundimit është si t’i afrosh një magneti një send metalik. Forca e padukshme e magnetit e tërheq sendin metalik dhe e mban të ngjitur fort. Magneti e humbet fuqinë e tij mbi të vetëm kur sendi metalik vendoset larg prej tij. Prandaj, ashtu si magneti është i paaftë të ushtrojë fuqi mbi një send metalik të vendosur larg, kur i bëjmë ballë tundimit, ai venitet dhe e humbet fuqinë e tij mbi mendjen e zemrën tonë dhe, si rrjedhojë, mbi veprimet tona.
Kjo analogji më kujton një përvojë që ma tregoi një anëtare shumë besnike e Kishës ca kohë më parë. Kjo anëtare më tha se kur u zgjua një mëngjes të caktuar, një mendim i papërshtatshëm që nuk e kishte përjetuar kurrë më parë, papritur iu shfaq në mendje. Edhe pse e kapi tërësisht në befasi, ajo reagoi kundër situatës sa hap e mbyll sytë, duke i thënë vetvetes dhe atij mendimi: “Jo!” dhe e zëvendësoi atë me diçka të mirë për ta larguar mendjen e vet nga mendimi i pamirëpritur. Më tha se teksa ushtroi me drejtësi lirinë e saj morale të zgjedhjes, u zhduk menjëherë ai mendim i pavullnetshëm negativ.
Kur Moroni u bëri thirrje njerëzve që të besonin në Krishtin dhe të pendoheshin, ai i nxiti të vinin te Shpëtimtari me gjithë zemër, duke hequr nga vetja çdo fëlliqësi. Për më tepër, Moroni i ftoi t’i kërkonin Perëndisë, me vendosmëri të patundur, se ata nuk do të binin në tundim.12 Zbatimi i këtyre parimeve në jetën tonë kërkon më shumë se një bindje të thjeshtë; ai kërkon që t’i përshtatim mendjet dhe zemrat tona te këto parime hyjnore. Një përshtatje e tillë kërkon përpjekje vetjake çdo ditë e vazhdimisht, krahas mbështetjes sonë te Shpëtimtari, sepse prirjet tona në vdekshmëri nuk do të zhduken vetë. Lufta kundër tundimit kërkon një jetë të tërë zelli dhe besnikërie. Por ju lutem ta dini se Zoti është gati të na ndihmojë në përpjekjet vetjake dhe na premton bekime të mrekullueshme nëse durojmë deri në fund.
Gjatë një kohe veçanërisht të vështirë kur Jozef Smithi dhe të burgosurit me të në burgun e Libertisë nuk kishin liri për asgjë përveç mendimeve të tyre, Zoti u dha atyre këshillë të dobishme dhe një premtim që vlejnë për të gjithë ne:
“Brendësia jote duhet të jetë plot dashuri hyjnore ndaj gjithë njerëzve e ndaj familjes së besimit dhe virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë; …
Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm dhe skeptri yt një skeptër i pandryshueshëm i drejtësisë dhe së vërtetës.”13
Kur e bëjmë këtë gjë, mendime të shenjta do t’i zbukurojnë vazhdimisht mendimet tona dhe dëshira të dëlira do të na udhëheqin drejt veprimeve të drejta.
Moroni gjithashtu i kujtoi njerëzit e tij që të mos ishin nën kontrollin e epsheve të tyre.14 Fjala epsh i drejtohet një dëshire shumë të fortë dhe të pahijshme për diçka.15 Epshi përfshin të gjitha mendimet e errëta apo dëshirat e liga që e bëjnë individin të përqendrohet në praktika egoiste apo zotërime materiale në vend që të bëjë mirë, të jetë i sjellshëm, të zbatojë urdhërimet e Perëndisë, e kështu me radhë. Ai shpesh shfaqet nëpërmjet ndjenjave më mishtore të frymës. Apostulli Pal i përcaktoi disa prej këtyre ndjenjave, të tilla si “ndyrësia, shthurja, … armiqësimi, … mëritë, zënkat, … smira … e të tjera si këto”16. Përveç të gjitha aspekteve të liga të epshit, ne nuk mund të harrojmë se armiku e përdor si një armë të fshehtë dhe mashtruese kundër nesh kur na tundon të bëjmë diçka të gabuar.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë dëshmoj se kur mbështetemi mbi shkëmbin e shpëtimit, Shpëtimtarin e shpirtrave tanë, dhe e ndjekim këshillën e Moronit, aftësia jonë për t’i kontrolluar mendimet tona do të rritet shumë. Mund t’ju siguroj se pjekuria jonë shpirtërore do të rritet me një ritëm të shtuar, duke e ndryshuar zemrën tonë, duke na bërë më shumë si Jezu Krishti. Përveç kësaj, ndikimi i Frymës së Shenjtë do të jetë më i thellë dhe i vazhdueshëm në jetën tonë. Atëherë, tundimet e armikut, pak nga pak, do ta humbasin fuqinë e tyre mbi ne, duke sjellë si rezultat një jetë më të lumtur, më të dëlirë e më të përkushtuar.
Për ata që, për çfarëdo arsye, bien në tundim dhe po kryejnë veprime të padrejta, ju siguroj se ka një mënyrë për t’u kthyer, se ka shpresë në Krishtin. Disa vite më parë, unë pata mundësinë të takohem me një anëtar të dashur të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i cili kaloi përmes një kohe shumë të vështirë në jetën e tij pasi kishte kryer një shkelje të rëndë. Kur e pashë fillimisht, mund të shihja trishtim në sytë e tij, të shoqëruar nga një shkëlqim i shpresës në fytyrën e tij. Vetë pamja e tij pasqyronte një zemër të përulur e të ndryshuar. Ai kishte qenë një i krishterë i përkushtuar dhe ishte bekuar shumë nga Zoti. Megjithatë, ai kishte lejuar një mendim të vetëm, të pahijshëm që t’i pushtonte mendjen, i cili çoi më pas drejt mendimesh të tjera. Pasi u bë gjithnjë e më shumë lejues ndaj këtyre mendimeve, shpejt ato hodhën rrënjë në mendjen e tij dhe filluan të rriten thellë në zemrën e tij. Më së fundi ai veproi sipas këtyre dëshirave të padrejta, të cilat e bënë të merrte vendime kundër gjithçkaje që ishte më e çmuara në jetën e tij. Më tha se, në qoftë se nuk do t’i kishte lënë vend atij mendimi idiot që në fillim, ai nuk do të ishte bërë i cenueshëm dhe i prekshëm nga tundimet e armikut – tundime që i sollën kaq shumë trishtim në jetën e vet, të paktën për një periudhë kohe.
Për fat të mirë, sikurse biri plëngprishës në shëmbëlltyrën e famshme që gjendet në ungjillin sipas Llukës, “ai erdhi në vete” dhe u zgjua nga ajo ëndërr e keqe.17 Ai e ripërtëriu mirëbesimin e tij te Zoti, ndjeu pendesë të vërtetë dhe pati dëshirën që përfundimisht të kthehej në tufën e Zotit. Atë ditë ne që të dy e ndiem dashurinë shëlbuese të Shpëtimtarit për ne. Në fund të takimit tonë të shkurtër, ne që të dy ishim të pushtuar nga emocioni dhe edhe sot e kujtoj gëzimin shkëlqyes në fytyrën e tij kur u largua nga zyra ime.
Miqtë e mi të dashur, kur u bëjmë ballë tundimeve të vogla, të cilat shpesh vijnë papritur në jetën tonë, ne pajisemi më mirë për të shmangur shkelje të rënda. Siç tha Presidenti Spenser W. Kimball: “Rrallë hyn ndonjë njeri në shkelje më të thellë pa u hapur udhën fillimisht shkeljeve më të vogla, të cilat u hapin derën më të mëdhave. … ‘Një fushë e pastruar [nuk mbushet] menjëherë me barëra të këqija.’”18
Teksa përgatitej për të plotësuar misionin e Tij hyjnor në tokë, Shpëtimtari Jezu Krishti ishte shembulli i rëndësisë së bërjes ballë vazhdimisht të gjithçkaje që mund të na e largojë mendjen nga realizimi i qëllimit tonë të përjetshëm. Pas disa sulmeve të pasuksesshme nga armiku, që u përpoq ta devijonte Atë nga misioni i Tij, Shpëtimtari e largoi kategorikisht djallin duke thënë: “Shporru, Satan. … Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.”19
A mund ta përfytyroni, vëllezërit dhe motrat e mia, se çfarë do të ndodhte nëse duhej të merrnim forcë dhe kurajë nga Shpëtimtari dhe t’u thoshim: “Jo” dhe “Shporru” mendimeve të pavirtytshme që në çastin e parë fare që na vijnë në mendje? Cili do të ishte ndikimi mbi dëshirat e zemrave tona? Si do të na mbajnë veprimet që pasojnë pranë Shpëtimtarit dhe si do ta lejojnë ndikimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë në jetën tonë? E di se kur e ndjekim shembullin e Jezusit, ne do të shmangim shumë tragjedi dhe sjellje të padëshirueshme që mund të shkaktojnë probleme dhe mosmarrëveshje familjare, emocione dhe prirje negative, bërje padrejtësish dhe keqtrajtime, robërim nga varësitë e liga dhe gjithçka tjetër që do të ishte kundër urdhërimeve të Zotit.
Në mesazhin e tij historik dhe prekës nga prilli i këtij viti, profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, bëri një premtim se të gjithë ata që janë të gatshëm ta “dëgjoj[në] Atë” – të dëgjojnë Jezu Krishtin – dhe t’u binden urdhërimeve të Tij “do të bekohe[n] me fuqi shtesë për t’u përballur me tundimet, vështirësitë dhe dobësitë” dhe se aftësia jonë për të ndier gëzim do të rritet, edhe gjatë trazirës së tanishme gjithnjë në rritje.20
Ju dëshmoj se premtimet e dhëna nga profeti ynë i dashur janë premtimet e dhëna nga Shpëtimtari Vetë. Ftoj të gjithë ne që ta “dëgjoj[më] Atë” në çdo mendim dhe ta ndjekim Atë me gjithë zemër, me qëllim që të fitojmë forcën dhe kurajën për t’u thënë: “Jo” dhe “Shporru” të gjitha gjërave që mund të na sjellin mungesë të lumturisë në jetën tonë. Nëse e bëjmë këtë, unë premtoj se Zoti do të dërgojë një përmasë të shtuar të Shpirtit të Tij të Shenjtë për të na forcuar e ngushëlluar dhe ne mund të bëhemi individë sipas vetë zemrës së Zotit.21
Ju jap dëshminë time se Jezu Krishti jeton dhe se nëpërmjet Tij, ne mund të triumfojmë mbi ndikimet e liga të armikut dhe të kualifikohemi për të jetuar në përjetësi me Zotin dhe në praninë e Atit tonë të dashur në Qiell. Dëshmoj për këto të vërteta me gjithë dashurinë time për ju dhe për Shpëtimtarin tonë të mrekullueshëm, emrit të të cilit i jap lavdi, nder dhe përlëvdim përgjithmonë. Unë i them këto gjëra në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.