Jashtëzakonisht të Favorizuar nga Zoti
Kohët e vuajtjes dhe zhgënjimit nuk e ndryshojnë syrin vëzhgues të Zotit ndërkohë që Ai vështron plot favor mbi ne, duke na bekuar.
Një ditë, si misionarë në moshë të re duke punuar në një degë të vogël në ishullin e vogël të Amami Oshimës në Japoni, shoku im dhe unë ishim shumë të emocionuar kur mësuam se Presidenti Spenser W. Kimball do të vizitonte Azinë dhe se të gjithë anëtarët dhe misionarët në Japoni u ftuan në Tokio që ta dëgjonin profetin në një konferencë zone. Me anëtarët e degës, shoku im dhe unë plot emocion filluam të bënim plane për konferencën, të cilat do të kërkonin një udhëtim me anije për 12 orë përmes detit të Kinës Lindore drejt tokës kryesore të Japonisë, të pasuar nga një udhëtim për 15 orë me tren drejt Tokios. Për fat të keq, sidoqoftë, kjo nuk ndodhi. Na erdhi fjalë nga presidenti ynë i misionit se, për shkak të largësisë dhe kohës, shoku im dhe unë nuk do të ishim në gjendje të merrnim pjesë në konferencën në Tokio.
Ndërsa anëtarët e degës sonë të vogël u nisën për në Tokio, ne qëndruam pas. Ditët në vijim u dukën të heshtura dhe të zbrazëta. Ne bëmë të vetëm mbledhje sakramenti në godinën e vogël kishtare, ndërkohë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe misionarët në Japoni morën pjesë në konferencë.
Ndjesia ime e zhgënjimit vetjak u shtua madje kur dëgjova plot gëzim anëtarët e degës, që u kthyen nga konferenca ditë më vonë, të tregonin se Presidenti Kimball kishte njoftuar një tempull në Tokio. Ata flisnin gjithë entuziazëm teksa tregonin për plotësimin e ëndrrës së tyre. Ata përshkruan se si, pasi dëgjuan njoftimin për tempullin, anëtarët dhe misionarët nuk e përmbanin dot gëzimin e tyre dhe vetvetiu shpërthyen në duartrokitje.
Vite kanë kaluar, por ende më kujtohet zhgënjimi që ndjeva ngaqë nuk mora pjesë në atë mbledhje historike.
Në muajt e fundit kam reflektuar për këtë përvojë, teksa kam vëzhguar njerëz të tjerë të përballen me një zhgënjim dhe hidhërim të thellë – tepër më të madh dhe më të thellë sesa të miat kur isha një misionar i ri – të shkaktuara nga pandemia mbarëbotërore e COVID-19.
Më parë këtë vit, teksa pandemia po rritej me të shpejtë, Presidenca e Parë u lut që “Kisha dhe anëtarët e saj do ta tregojnë besnikërisht zotimin e tyre për të qenë qytetarë të mirë dhe fqinj të mirë”1 dhe do të “përdor[in shumë] maturi”2. Prandaj përjetuam pezullimin e mbledhjeve të Kishës anembanë botës, kthimin e më shumë se gjysmës së forcës misionare të Kishës në vendin amtar dhe mbylljen e të gjithë tempujve në tërë Kishën. Mijëra prej jush po përgatiteshit të hynit në tempull për ordinancat për të gjallët – përfshirë vulosjet në tempull. Të tjerë prej jush e kanë përfunduar shërbimin e tyre si misionarë më herët ose janë liruar dhe ricaktuar përkohësisht.
Gjatë kësaj kohe, udhëheqësit qeveritarë dhe të arsimit i mbyllën shkollat – gjë që solli ndryshime te diplomimet dhe detyroi anulimin e sporteve, ngjarjeve dhe veprimtarive shoqërore, kulturore dhe arsimore. Shumë prej jush u përgatitën për ngjarje që nuk u kryen, shfaqje që nuk u dëgjuan dhe sezone sportive që nuk u zhvilluan.
Edhe më prekëse janë mendimet për familjet që kanë humbur njerëz të dashur gjatë kësaj kohe; shumica nuk mund të mbanin shërbesa mortore ose mbledhje të tjera të dhembshura, siç kishin shpresuar.
Shkurtimisht, shumë, shumë prej jush janë përballur me zhgënjim, hidhërim e shkurajim zemërthyes. Pra, si shërohemi, durojmë dhe ecim përpara kur gjërat duken aq keq?
Profeti Nefi e filloi gdhendjen e fletëve të vogla kur ai ishte një burrë në moshë madhore. Teksa ktheu vështrimin te jeta dhe shërbesa e tij, ai ofroi një reflektim të rëndësishëm pikërisht në vargun e parë të Librit të Mormonit. Ky varg i jep formë një parimi të rëndësishëm për ne që ta marrim parasysh në kohën tonë. Pas fjalëve të tij të mirënjohura: “Unë, Nefi, duke qenë i lindur nga prindër të mirë … ”, shkruan ai, “dhe pasi kisha parë shumë vuajtje gjatë ditëve të mia, megjithatë, duke qenë jashtëzakonisht i favorizuar nga Zoti në të gjitha ditët e mia”3.
Si njerëz që e studiojmë Librin e Mormonit, ne kemi njohuri për vuajtjet e shumta të cilave u referohet Nefi. Prapëseprapë, pasi i vë në dukje vuajtjet e tij gjatë ditëve të tij, Nefi jep këndvështrimin e vet sipas ungjillit se ai ishte jashtëzakonisht i favorizuar nga Zoti në të gjitha ditët e tij. Kohët e vuajtjes dhe zhgënjimit nuk e ndryshojnë syrin vëzhgues të Zotit ndërkohë që Ai vështron plot favor mbi ne, duke na bekuar.
Kohët e fundit Lesa dhe unë u takuam virtualisht me rreth 600 misionarë në Australi, shumica e të cilëve ishin nën njëfarë mase izolimi ose kufizimi të lidhur me COVID-19, shumë duke punuar nga apartamentet e tyre. Së bashku shqyrtuam individë në Dhiatën e Re, Librin e Mormonit dhe Doktrinën e Besëlidhjet, të cilët Zoti i bekoi për të arritur madhështi në mes të fatkeqësisë. Të gjithë u karakterizuan më shumë nga ajo që ishin në gjendje të bënin me ndihmën e Zotit, sesa nga ajo që nuk mund të bënin si rezultat i izolimit dhe kufizimit të lëvizjes nga ana e tyre.
Ne lexojmë për Palin dhe Silën, të cilët, ndërsa ishin të lidhur te mengeneja në burg, luteshin, këndonin, jepnin mësim, dëshmonin – madje pagëzuan rojën e burgut.4
Dhe përsëri për Palin, në Romë, i cili ishte në arrest shtëpie për dy vjet, kohë gjatë së cilës ai vazhdimisht u “shtjellonte dhe u dëshmonte atyre për mbretërinë e Perëndisë”5, “duke [u] mësuar gjërat e Zotit Jezu Krisht”6.
Për Nefin dhe Lehin, bijtë e Helamanit, të cilët pas keqtrajtimit dhe burgimit u rrethuan nga një zjarr mbrojtjeje ndërkohë që “zë[ri] i qetë [i Zotit] i një butësie të përsosur … depërtoi [robëruesit e tyre] deri në thellësinë e shpirtit”7.
Për Almën dhe Amulekun në Amonihë, të cilët gjetën shumë njerëz që “besuan … dhe filluan të pendohen dhe të kërkojnë shkrimet e shenjta”8, edhe pse ata më pas u tallën dhe u lanë pa ushqim, ujë ose veshje, të lidhur dhe të izoluar në burg9.
Dhe së fundi për Jozef Smithin, i cili, ndërkohë që ishte i brengosur në burgun e Libertisë, u ndie i braktisur dhe i harruar, më pas dëgjoi fjalët e Zotit: “Këto gjëra … do të jenë për të mirën tënde”10 dhe “Perëndia do të jetë me ty përherë”11.
Secili prej tyre e kuptoi atë që Nefi e dinte: Se edhe pse kishin parë shumë vuajtje gjatë ditëve të tyre, ata ishin jashtëzakonisht të favorizuar nga Zoti.
Ne gjithashtu mund të bëjmë krahasime si anëtarë individualë dhe si kishë me mënyrën se si kemi qenë jashtëzakonisht të favorizuar nga Zoti gjatë kohëve sfiduese që i kemi hasur muajt e fundit. Teksa përmend këta shembuj, le ta forcojnë ata gjithashtu dëshminë tuaj për profetin tonë të gjallë si një shikues, i cili na përgatiti me anë të përshtatjeve përpara se të kishte ndonjë shenjë pandemie, duke na bërë të aftë të durojmë sfidat që kanë ardhur.
Së pari, bërja më të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha.
Dy vjet më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, jemi mësuar ta mendojmë ‘kishën’ si diçka që ndodh në shtëpitë tona të mbledhjeve, e përkrahur nga ajo që ndodh në shtëpi. Kemi nevojë për një përshtatje të këtij modeli. … Një Kishë të përqendruar te shtëpia, të përkrahur nga ajo që ndodh brenda ndërtesave tona të degës, lagjes dhe kunjit.”12 Çfarë përshtatje profetike! Të mësuarit e ungjillit të përqendruar te shtëpia është vënë në praktikë me mbylljen e përkohshme të shtëpive të mbledhjeve. Dhe ndërkohë që bota fillon të normalizohet edhe ne kthehemi në godinat kishtare, ne do të duam t’i mbajmë modelet tona të përqendrimit në shtëpi të studimit të ungjillit e të të mësuarit gjatë pandemisë.
Një shembull i dytë i të qenit jashtëzakonisht të favorizuar nga Zoti është zbulesa lidhur me dhënien e shërbesës në një mënyrë më të lartë dhe më të shenjtë.
Në vitin 2018, Presidenti Nelson e paraqiti dhënien e shërbesës si një përshtatje “në mënyrën se si përkujdesemi për njëri-tjetrin”13. Pandemia ka paraqitur mundësi të panumërta për t’i përmirësuar aftësitë tona për të dhënë shërbesë. Vëllezërit dhe motrat shërbestare, të rejat e të rinjtë, si dhe të tjerë kanë ndihmuar për të siguruar kontakte, bashkëbisedime, kujdesje për kopshtet, vakte ushqimi, mesazhe me anë të teknologjisë dhe ordinancën e sakramentit për të bekuar nevojtarët. Kisha vetë u ka dhënë shërbesë të tjerëve gjatë pandemisë me një shpërndarje të paparë mallrash për bankat e ushqimeve, strehët e banimit të të pastrehëve dhe qendrat e përkrahjes së emigrantëve, si dhe me projekte të krijuara për situatat më të rënda të urisë në botë. Motrat e Shoqatës së Ndihmës dhe familjet e tyre iu përgjigjën sfidës për bërjen e miliona maskave për punonjësit e shëndetit mjekësor.
Një shembull i fundit i të qenit të bekuar gjatë fatkeqësisë është gjetja e gëzimit të shtuar me kthimin e ordinancave të tempullit.
Kjo përshkruhet më së miri me një histori. Kur mori thirrjen e saj të misionit prillin që shkoi, Motra Kejtlin Palmer ishte e emocionuar që u thirr si misionare, por e ndjeu po aq me rëndësi e të veçantë të shkonte në tempull për dhurimin e saj e për të bërë besëlidhje të shenjta. Pak pasi caktoi takimin për dhurimin, erdhi lajmi se të gjithë tempujt do të mbylleshin përkohësisht për shkak të pandemisë mbarëbotërore. Pasi e mori këtë njoftim zemërthyes, ajo më pas mësoi se do ta ndiqte qendrën e trajnimit të misionarëve (QTM‑në) nëpërmjet teknologjisë nga shtëpia e vet. Pavarësisht nga këto zhgënjime, Kejtlini u përqendrua në mbajtjen e një fryme pozitive.
Në muajt që pasuan, Motra Palmer nuk e humbi kurrë shpresën për të shkuar në tempull. Familja e saj agjëroi dhe u lut që tempujt të hapeshin përpara nisjes së saj. Kejtlina shpesh do t’i fillonte mëngjeset e QTM‑së në shtëpinë e saj duke thënë: “A do të jetë sot dita kur do të marrim një mrekulli dhe tempujt do të hapen sërish?”
Më 10 gusht, Presidenca e Parë shpalli se tempulli ku do të shkonte Kejtlina do të rihapej për ordinancat për të gjallët pikërisht ditën që kishte fluturimin e saj herët në mëngjes për të shkuar në mision. Ajo nuk do të mund të shkonte në tempull dhe të nisej me avion. Me pak shpresë për sukses, familja e saj kontaktoi presidentin e tempullit, Majkëll Vellingën, për të parë nëse kishte ndonjë mënyrë që mrekullia, për të cilën ishin lutur, të mund të realizohej. Agjërimi dhe lutjet e tyre morën përgjigje!
Në orën 02:00 të mëngjesit, përpara se të nisej me avion, Motra Palmer dhe familja e saj, me lot në sy, u përshëndetën te dyert e tempullit nga presidenti i tempullit duke buzëqeshur, me fjalët: “Mirëmëngjesi, familja Palmer. Mirëserdhët në tempull!” Kur ajo përfundoi ordinancën e dhurimit, ata u nxitën të lëviznin shpejt pasi familja tjetër po priste te dyert e tempullit. Shkuan direkt në aeroport në kohën e duhur që ajo të kapte fluturimin për në misionin e vet.
Ordinancat e tempullit që na kanë munguar në disa muaj, duken më të ëmbla sesa përfytyroheshin më parë tani që tempujt nëpër botë po rihapen me faza.
Në mbyllje, ju lutemi, dëgjojini fjalët inkurajuese, entuziaste dhe lartësuese të Profetit Jozef Smith. Askush nuk do ta merrte kurrë me mend se ai i shkroi në vuajte dhe izolim, i detyruar dhe i kufizuar të rrinte në një shtëpi në Navu, i fshehur prej atyre që po kërkonin ta arrestonin në mënyrë të paligjshme:
“Tani, çfarë dëgjojmë në ungjillin që kemi marrë? Një zë kënaqësie! Një zë mëshire nga qielli; dhe një zë të vërtete nga toka; lajme të gëzuara për të vdekurit; një zë gëzimi për të gjallët dhe të vdekurit; lajme të gëzuara të gëzimit të madh. …
… A nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajo, … dhe përpara, përpara drejt fitores! Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara. Toka duhet të shpërthejë në këngë.”14
Vëllezër e motra, unë besoj se një ditë, secili prej jush do ta kthejë kujtesën pas te ngjarjet e anuluara, trishtimi, zhgënjimet dhe vetmia që i shoqëruan kohët sfiduese që po kalojmë, për ta kuptuar se ato u mbështollën nga bekime të zgjedhura dhe me besim e dëshmi të shtuara. Unë besoj se në këtë jetë dhe në jetën që vjen, vuajtjet tuaja, Amoniha juaj, burgu juaj i Libertisë, do të shenjtërohen për të mirën tuaj.15 Lutem që, së bashku me Nefin, ne mund t’i dallojmë vuajtjet gjatë ditëve tona ndërkohë që në të njëjtën kohë të kuptojmë se jemi jashtëzakonisht të favorizuar nga Zoti.
E mbyll me dëshminë time për Jezu Krishtin, i cili Vetë nuk ishte i panjohur me vuajtjen dhe si pjesë e Shlyerjes së Tij të pafundme zbriti nën të gjitha gjërat.16 Ai e kupton pikëllimin, dhembjen dhe dëshpërimin tonë. Ai është Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë, shpresa jonë, ngushëllimi ynë dhe Çliruesi ynë. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e Tij të shenjtë, Jezu Krishtit, amen.