Konferenca e Përgjithshme
Unë Besoj tek Engjëjt
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2020


10:45

Unë Besoj tek Engjëjt

Zoti është në dijeni për sfidat me të cilat përballeni. Ai ju njeh, Ai ju do dhe unë ju premtoj se Ai do të dërgojë engjëj që t’ju ndihmojnë.

Vëllezër dhe motra, unë besoj tek engjëjt dhe do të doja t’ju tregoja përvojat e mia lidhur me ta. Duke e bërë këtë, shpresoj dhe lutem se ne do ta kuptojmë rëndësinë e engjëjve në jetën tonë.

Ja ku janë fjalët e Plakut Xhefri R. Holland nga një konferencë e përgjithshme e kaluar: “Kur flasim për ata që janë mjete në duart e Perëndisë, na sillet në kujtesë se jo të gjithë engjëjt janë nga ana tjetër e velit. Me disa prej tyre ne ecim dhe flasim – këtu, tani, çdo ditë. Disa prej tyre banojnë në lagjet tona. … Në të vërtetë, qielli kurrë nuk duket më pranë, sesa kur shohim dashurinë e Perëndisë që shfaqet tek dashamirësia dhe përkushtimi i njerëzve aq të mirë e aq të pastër, sa fjala engjëllorë është e vetmja që të vjen në mendje” (“Shërbesa e Engjëjve”, Liahona, nëntor 2008, f. 30).

Ajo për të cilën dua të flas janë engjëjt në këtë anë të velit. Engjëjt që ecin mes nesh në jetën tonë të përditshme janë kujtues të fuqishëm të dashurisë së Perëndisë për ne.

Engjëjt e parë që do të përmend janë dy motrat misionare që më dhanë mësim ungjillin kur isha djalë i ri: motra Vilma Molina dhe motra Ivonet Riviti. Motra ime më e vogël dhe unë u ftuam në një aktivitet në Kishë ku takuam këto dy engjëj. Nuk e përfytyroja kurrë se sa shumë do ta ndryshonte jetën time ai aktivitet i thjeshtë.

Prindërit dhe vëllezërit e motrat e mia nuk ishin të interesuar të mësonin më shumë rreth Kishës në atë kohë. Ata madje nuk ishin as të gatshëm t’i lejonin misionarët në shtëpinë tonë, kështu që i mora mësimet e misionarëve në një ndërtesë të Kishës. Ajo dhomë e vogël në godinën kishtare u bë “korija ime e shenjtë”.

Plaku Godoi kur ishte i ri bashkë me motrën e tij.

Një muaj pasi këto engjëj më njohën me ungjillin, unë u pagëzova. Isha 16 vjeç. Fatkeqësisht, nuk kam një fotografi të asaj ngjarjeje të shenjtë, por kam një fotografi të vetes dhe të motrës sime në kohën që morëm pjesë në atë aktivitet. Mund të më duhet të sqaroj se kush janë personat në këtë fotografi. Unë jam më i gjati në të djathtë.

Siç mund ta përfytyroni, të qëndruarit aktiv në Kishë ishte sfiduese për një adoleshent, stili i jetesës së të cilit sapo kishte ndryshuar dhe familja e të cilit nuk po merrte të njëjtin shteg.

Ndërsa po përpiqesha që të përshtatesha me jetën time të re, një kulturë të re dhe miq të rinj, u ndjeva i mënjanuar. Shumë herë u ndjeva i vetmuar dhe i shkurajuar. E dija se Kisha ishte e vërtetë, por e kisha të vështirë të ndihesha pjesë e saj. Ndërkohë që isha në siklet dhe i pasigurt teksa përpiqesha të përshtatesha me fenë time të re, gjeta guximin që të merrja pjesë në një konferencë treditore për rininë, e cila mendova se do të më ndihmonte të zija miq të rinj. Kjo ishte koha kur takova një engjëll tjetër shpëtues, me emrin Monika Brandao.

Motra Godoi

Ajo ishte e re në zonë, që ishte shpërngulur nga një pjesë tjetër e Brazilit. Ajo shpejt tërhoqi vëmendjen time dhe, për fatin tim, më pranoi si shok. Ma merr mendja se më pa më shumë nga personaliteti sesa nga pamja.

Për shkak se ajo u shoqërua me mua, unë u njoha me miqtë e saj, të cilët më pas u bënë miqtë e mi teksa u kënaqëm në shumë aktivitete të rinjsh në të cilat mora pjesë më vonë. Ato aktivitete ishin kaq vendimtare për integrimin tim në këtë jetë të re.

Miqtë e Plakut Godoi

Këta miq të mirë sollën një ndryshim të madh, por mosdhënia mësim e ungjillit në shtëpinë time me një familje që më mbështeste, sërish e vuri në rrezik procesin tim të vazhdueshëm të kthimit në besim. Ndërveprimet e mia të ungjillit në Kishë u bënë edhe më vendimtare për kthimin tim në besim që po rritej. Më pas dy engjëj të tjerë u dërguan nga Zoti për të ndihmuar.

Njëra prej tyre ishte Leda Vetori, mësuesja ime e seminarit herët në mëngjes. Nëpërmjet dashurisë së saj pranuese dhe orëve mësimore të frymëzuara, ajo më dha një dozë të përditshme nga “fjala e mirë e Perëndisë” (Moroni 6:4), e cila ishte aq e nevojshme gjatë gjithë ditës sime. Kjo më ndihmoi që të fitoja forcën shpirtërore për të vazhduar.

Një engjëll tjetër që u dërgua për të më ndihmuar, ishte presidenti i Të Rinjve, Marko Antonio Fusko. Ai gjithashtu ishte caktuar që të ishte shoku im me përvojë për mësimet e shtëpisë. Pavarësisht nga mungesa e përvojës dhe pamjes sime të ndryshme, ai më dha detyra që të jepja mësim në mbledhjet tona të kuorumit të priftërinjve dhe vizitat e mësimeve të shtëpisë. Ai më dha mundësinë për të vepruar e mësuar dhe jo thjesht për të qenë një vëzhgues i ungjillit. Ai mirëbesonte tek unë më shumë sesa i mirëbesoja vetes.

Falë gjithë këtyre engjëjve dhe shumë të tjerëve me të cilët u ndesha gjatë atyre viteve të hershme dhe të rëndësishme, unë mora fuqi të mjaftueshme për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve teksa mora një dëshmi shpirtërore për të vërtetën.

Dhe meqë ra fjala, ajo vajza e re engjëllore, Monika? Pasi të dy shërbyem në misione, ajo u bë bashkëshortja ime.

Nuk besoj se ishte një rastësi që miqtë e mirë, përgjegjësitë në Kishë dhe të ushqyerit me fjalën e mirë të Perëndisë ishin pjesë e atij procesi. Presidenti Gordon B. Hinkli me urtësi dha mësim: “Nuk është gjë e lehtë të bësh kalimin që vjen si pasojë e bashkimit me këtë Kishë. Nënkupton t’i shkëputësh lidhjet e vjetra. Nënkupton të largohesh nga miqtë. Mund të nënkuptojë lënien mënjanë të bindjeve që i ke çmuar më parë. Mund të kërkojë një ndryshim të zakoneve dhe mbajtje nën kontroll të orekseve. Në kaq shumë raste do të thotë vetmi dhe madje frikë nga e panjohura. Duhet të ketë ushqim shpirtëror dhe forcim gjatë kësaj periudhe të vështirë të jetës së një të kthyeri në besim” (“There Must Be Messengers”, Ensign, tetor 1987, f. 5).

Më vonë ai gjithashtu dha mësim: “Secili prej tyre ka nevojë për tri gjëra: një mik, një përgjegjësi dhe të ushqehet me ‘fjal[ën] e mirë [të] Perëndisë’” (“Converts and Young Men”, Ensign, maj 1997, f. 47).

Përse po jua tregoj këto përvoja?

Së pari, po e bëj që t’u dërgoj një mesazh atyre që po kalojnë një proces të ngjashëm pikërisht tani. Mbase jeni një i/e kthyer në besim i/e ri/e, ose po ktheheni në Kishë pasi jeni endur për pak kohë, ose thjesht dikush që e ka të vështirë të përshtatet. Ju lutem, ju lutem, mos hiqni dorë nga përpjekjet tuaja për të qenë pjesë e kësaj familjeje të madhe. Është Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit!

Kur bëhet fjalë për lumturinë dhe shpëtimin tuaj, gjithmonë ia vlen të vazhdosh të përpiqesh. Ia vlen përpjekja për ta përshtatur stilin tuaj të jetesës dhe traditat tuaja. Zoti është në dijeni për sfidat me të cilat përballeni. Ai ju njeh, Ai ju do dhe unë ju premtoj se Ai do të dërgojë engjëj që t’ju ndihmojnë.

Në vetë fjalët e Tij, Shpëtimtari tha: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemr[ën] tuaj e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (Doktrina e Besëlidhje 84:88).

Qëllimi im i dytë për tregimin e këtyre përvojave është që t’i dërgoj një mesazh të gjithë anëtarëve të Kishës – të gjithëve ne. Ne duhet të mbajmë mend se nuk është e lehtë për të kthyerit e rinj në besim, miqtë që rikthehen dhe ata që kanë një stil jetese të ndryshëm që të përshtaten menjëherë. Zoti është në dijeni për sfidat me të cilat ata përballen dhe Ai po kërkon engjëj që janë të gatshëm të ndihmojnë. Zoti është gjithmonë në kërkim të vullnetarëve të gatshëm që të jenë engjëj në jetën e të tjerëve.

Vëllezër dhe motra, a do të jeni të gatshëm të jeni një mjet në duart e Zotit? A do të jeni të gatshëm të jeni një nga këta engjëj? Të jeni një emisar, i dërguar nga Perëndia, nga kjo anë e velit, për dikë për të cilin Ai është i shqetësuar? Ai ka nevojë për ju. Ata kanë nevojë për ju.

Sigurisht, ne mund të mbështetemi gjithmonë te misionarët tanë. Ata janë gjithmonë aty, të parët që rekrutohen për këtë punë engjëllore. Por ata nuk janë të mjaftueshëm.

Nëse shihni përreth me vëmendje, ju do të gjeni shumë njerëz në nevojë për ndihmën e një engjëlli. Këta njerëz mund të mos kenë veshur këmisha të bardha, fustane apo ndonjë veshje standarde të së dielës. Ata mund të jenë ulur vetëm, nga fundi i godinës kishtare apo klasës, ndonjëherë duke u ndier sikur janë të padukshëm. Ndoshta stili i tyre i flokëve është pak ekstrem ose fjalori i tyre është i ndryshëm, por ata janë aty dhe ata po përpiqen.

Disa mund të jenë duke pyetur veten, “A duhet të vazhdoj të kthehem? A duhet të vazhdoj të përpiqem?” Të tjerë mund të jenë duke pyetur veten nëse një ditë ata do të ndihen të pranuar dhe që i duan. Engjëj që janë të gatshëm të lenë zonën e tyre të rehatisë për T’i përqafuar ata, “njerëz [që janë] aq të mirë e aq të pastër, sa engjëllorë është e vetmja [fjalë] që të vjen në mendje [për t’i përshkruar ata]” (Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Engjëjve”, f. 30).

Vëllezër dhe motra, unë besoj tek engjëjt! Ne jemi të gjithë këtu sot, një ushtri gjigante engjëjsh të veçuar për këto ditë të mëvonshme, për t’iu dhënë shërbesë të tjerëve si zgjatje të duarve të një Krijuesi të dashur. Unë ju premtoj se nëse jemi të gatshëm të shërbejmë, Zoti do të na japë mundësi të jemi engjëj shërbestarë. Ai e di se kush ka nevojë për ndihmë engjëllore dhe Ai do t’i vendosë ata në shtegun tonë. Zoti i vendos ata që kanë nevojë për ndihmë engjëllore në shtegun tonë çdo ditë.

Jam shumë mirënjohës për engjëjt e shumtë që Zoti ka vendosur në shtegun tim gjatë gjithë jetës sime. Ata nevojiteshin. Jam gjithashtu mirënjohës për ungjillin e Tij që na ndihmon të ndryshojmë dhe na jep mundësinë të jemi më të mirë.

Ky është një ungjill dashurie, një ungjill shërbese. Për këtë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.