Konferenca e Përgjithshme
Qëndrueshmëria të Kryejë në Ju një Vepër të Përsosur dhe ta Konsideroni Një Gëzim të Madh!
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2020


10:15

Qëndrueshmëria të Kryejë në Ju një Vepër të Përsosur dhe ta Konsideroni Një Gëzim të Madh!

Kur ushtrojmë qëndrueshmëri, besimi ynë rritet. Kur besimi ynë rritet, rritet edhe gëzimi ynë.

Dy vite më parë, vëllai im më i vogël, Çadi, kaloi përmes velit. Kalimi i tij në anën tjetër la një boshllëk në zemrën e kunatës sime, Stefanisë; dy fëmijëve të tyre të vegjël, Brejdënit dhe Belës; si edhe pjesës tjetër të familjes. Ne gjetëm ngushëllim te fjalët e Plakut Nil L. Andersen, në konferencën e përgjithshme, një javë para se të vdiste Çadi: “Në grumbullin e sprovave tokësore me durim shkoni përpara dhe fuqia shëruese e Shpëtimtarit do t’ju sjellë dritë, kuptueshmëri, paqe dhe shpresë” (“Të Plagosur”, Liahona, nëntor 2018, f. 85).

Çad Jagi dhe familja

Ne kemi besim te Jezu Krishti; ne e dimë se do të bashkohemi sërish me Çadin, por humbja e pranisë së tij fizike, dhemb! Shumë vetë kanë humbur njerëz të dashur. Është e vështirë të jesh i qëndrueshëm dhe të presësh për kohën kur do të bashkohemi sërish me ta.

Një vit pasi ai vdiq, ne ndiem sikur na mbuloi një re e zezë. Kërkuam strehë te studimi i shkrimeve të shenjta, lutja me dëshirë më të zjarrtë dhe frekuentimi më i shpeshtë i tempullit. Vargjet nga ky himn i rrokën ndjenjat tona në atë kohë: “Dita po agon, bota po zgjohet, retë e errësirës së natës po largohen” (“The Day Dawn Is Breaking”, Hymns, nr. 52).

Familja jonë vendosi që 2020-ta do të ishte një vit përtëritjeje! Ne po studionim mësimin tonë të manualit Eja, Më Ndiq, letrën e Jakobit te Dhiata e Re nga fundi i muajit nëntor 2019 kur tema na u shpalos vetvetiu. Te Jakobi, kapitulli 1, vargu 2, thuhet: “Vëllezërit e mi, konsiderojeni një gëzim të madh kur ju bini në shumë pikëllime” (Përkthimi prej Jozef Smith-it, Jakob 1:2 [te Jakob [Bibël] 1:2, poshtëshënimi a]). Me dëshirën për të nisur një vit të ri, një dekadë të re, me gëzim, ne vendosëm që vitin 2020 do ta “konsidero[nim] një gëzim të madh”. Këtë gjë e ndiem kaq fort saqë Krishtlindjen e kaluar ne iu bëmë vëllezërve e motrave tona si dhuratë bluza ku shkruhej me germa të theksuara: “Konsiderojeni një Gëzim të Madh”. Viti 2020 me siguri që do të ishte një vit gëzimi dhe ngazëllimi.

Epo, ja tek jemi – viti 2020, përkundrazi, na solli pandeminë botërore të COVID-19‑ës, trazira civile, më shumë fatkeqësi natyrore dhe sfida ekonomike. Ati ynë Qiellor mund të jetë duke na dhënë kohë për të reflektuar dhe shqyrtuar kuptueshmërinë tonë mbi qëndrueshmërinë dhe vendimin tonë të ndërgjegjshëm për të zgjedhur gëzimin.

Libri i Jakobit që atëherë ka marrë një kuptim të ri për ne. Te Jakobi, kapitulli 1, vargjet 3 dhe 4 vijojnë:

“Duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.

Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.”

Gjatë përpjekjeve tona për të gjetur gëzim në mes të sprovave tona, ne e kishim harruar se pasja e qëndrueshmërisë është çelësi që t’i lëmë ato sprova të veprojnë për të mirën tonë.

Mbreti Beniamin dha mësim që ta zhveshim njeriun e natyrshëm dhe të bëhemi “një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot, dhe [të] bëhe[mi] si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave” (Mosia 3:19).

Në kapitullin 6 tek udhëzuesi Predikoni Ungjillin Tim, jepen mësim cilësitë kyç të Krishtit që ne mund t’i ndjekim si shembull: “Durimi është aftësia për të duruar vonesën, shqetësimin, kundërshtimin, apo vuajtjen pa u inatosur, pa u acaruar, ose pa ankth. Është aftësia për të bërë vullnetin e Perëndisë dhe për të pritur kohën e Tij. Kur jeni të duruar, ju qëndroni të fortë nën trysni dhe mund ta përballoni fatkeqësinë me qetësi dhe me shpresë” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar, 2005, f. 126).

Vepra e përsosur e qëndrueshmërisë mund të jetë e ilustruar edhe në jetën e njërit prej dishepujve të hershëm të Krishtit, Simon Kananeasit. Zelotët [Të Zellshmit] ishin një grup nacionalistësh judenj që e kundërshtonin fuqishëm sundimin romak. Lëvizja e zelotëve përkrahte dhunën kundër romakëve, bashkëpunëtorëve të tyre judenj dhe saducenjtë duke bastisur furnizimet dhe duke ndjekur veprimtari të tjera për të mbështetur kauzën e tyre (shih Encyclopedia Britannica, “Zealot”, britannica.com). Simon Kananeasi ishte një zelot (shih Lluka 6:15). Përfytyrojeni Simonin duke u përpjekur t’i mbushte mendjen Shpëtimtarit të rrokte armët, të udhëhiqte një grup militantësh ose të krijonte kaos në Jerusalem. Jezusi dha mësim:

“Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën. …

Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë. …

Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë” (Mateu 5:5, 7, 9).

Simoni mund ta ketë përqafuar dhe përkrahur filozofinë e tij me zell dhe pasion, por shkrimet e shenjta sugjerojnë se nëpërmjet ndikimit dhe shembullit të Shpëtimtarit, objektivi i tij ndryshoi. Dishepullimi i tij ndaj Krishtit u bë objektivi qendror i përpjekjeve në jetën e tij.

Teksa bëjmë dhe mbajmë besëlidhje me Perëndinë, Shpëtimtari mund të na ndihmojë që të “lindi[m] rishtas; po, të lindi[m] nga Perëndia, të ndryshuar nga [një] gjendj[e] … e mishit dhe [të] rënë në një gjendje drejtësie, duke qenë të shëlbuar nga Perëndia, duke u bërë bijtë dhe bijat e tij” (Mosia 27:25).

Nga të gjitha përpjekjet e zellshme shoqërore, fetare dhe politike të kohës sonë, të qenit dishepull i Jezu Krishtit qoftë përkatësia jonë më e dukshme dhe pohuese. “Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj” (Mateu 6:21). Le të mos harrojmë gjithashtu që edhe pasi dishepujt besnikë kishin “bë[rë] vullnetin e Perëndisë” ata “k[ishin] nevojë për [qëndrueshmëri]” (Hebrenjve 10:36).

Ashtu si vënia në provë e besimit tonë sjell qëndrueshmëri brenda nesh, kur ushtrojmë qëndrueshmëri, besimi ynë rritet. Kur besimi ynë rritet, rritet edhe gëzimi ynë.

Në muajin mars që kaloi, bija jonë e dytë, Ema, ashtu si shumë misionarë në Kishë, u mbyll në izolim të detyruar. Shumë misionarë u kthyen në shtëpi. Shumë misionarë pritën për ricaktime. Shumë nuk i morën bekimet e tyre të tempullit përpara se të niseshin për të punuar në një zonë. Faleminderit, pleq [eldera] dhe motra. Ne ju duam.

Ema dhe shoqja e saj e misionit në Holandë ishin të ngarkuara emocionalisht javët e para – aq sa shpërthenin në lot në shumë raste. Duke pasur mundësi të pakta për ndërveprime ballë për ballë dhe dalje të kufizuara nga shtëpia, mbështetja e Emës te Perëndia u rrit. Ne luteshim me të në internet dhe e pyetnim se si mund të ndihmonim. Ajo na kërkoi të lidheshim me miqtë që po i mësonte në internet!

Familja jonë nisi të lidhej në internet, një e nga një, me miqtë e Emës në Holandë. Ne i ftuam ata që t’i bashkoheshin studimit tonë të përjavshëm, në internet, si një familje e zgjeruar, të manualit Eja, Më Ndiq. Flora, Laura, Renske, Freku, Benxhamini, Stali dhe Muhamedi u bënë të gjithë miqtë tanë. Disa prej miqve tanë nga Holanda kanë hyrë “nëpërmjet portës së ngushtë” (3 Nefi 14:13). Të tjerëve po iu tregohet “ngushtimi [i] shtegut dhe ngushtësi[a] e portës, nëpër të cilën ata duhet të hyjnë” (2 Nefi 31:9). Ata janë vëllezërit dhe motrat tona në Krisht. Çdo javë ne e “konsideroj[më] një gëzim të madh” teksa punojmë së bashku për përparimin tonë në shtegun e besëlidhjeve.

Ne e lëmë “qëndrueshmëri[në] të kryejë në [ne] një vepër të përsosur” (Jakob [Bibël] 1:4), në pamundësinë tonë për t’u takuar ballë për ballë si familje nëpër lagje për një periudhë kohe. Por ne e konsiderojmë gëzim që besimi i familjeve tona po rritet nëpërmjet lidhjeve të reja të teknologjisë dhe studimit të manualit Eja, Më Ndiq për Librin e Mormonit.

Presidenti Rasëll M. Nelson premtoi: “Përpjekjet tuaja të qëndrueshme për këtë sipërmarrje – edhe gjatë atyre çasteve kur ndieni se nuk jeni veçanërisht të suksesshëm – do të ndryshojnë jetën tuaj, atë të familjes suaj dhe të botës” (“Shkoni Përpara me Besim”, Liahona, maj 2020, f. 114).

Vendi ku bëjmë besëlidhje të shenjta me Perëndinë – tempulli – është përkohësisht i mbyllur. Vendi ku i mbajmë besëlidhjet me Perëndinë – shtëpia – është e hapur! Ne kemi një mundësi që në shtëpi të studiojmë dhe të përsiatim për bukurinë e jashtëzakonshme të besëlidhjeve të tempullit. Edhe në mungesë të hyrjes në atë hapësirë të shenjtë fizike, “zemrat [tona] … do të gëzohen së tepërmi si pasojë e bekimeve që do të derdhen” (Doktrina e Besëlidhje 110:9).

Shumë njerëz kanë humbur punët; të tjerë kanë humbur mundësi. Ne, sidoqoftë, gëzojmë, bashkë me Presidentin Nelson, i cili kohët e fundit tha: “Ofertat vullnetare të agjërimit nga anëtarët tanë faktikisht janë rritur, ashtu si edhe ndihmesat vullnetare për fondet tona humanitare. … Së bashku ne do ta kapërcejmë këtë kohë të vështirë. Zoti do t’ju bekojë teksa vazhdoni t’i bekoni të tjerët” (faqja e Facebook-ut e Rasëll M. Nelsonit, postim më 16 gusht 2020, facebook.com/russell.m.nelson).

“Qetësohuni” është urdhërimi nga Zoti, jo frikësohuni (Mateu 14:27).

Nganjëherë ne bëhemi të paqëndrueshëm kur mendojmë se jemi “duke bërë gjithçka siç duhet” dhe prapë nuk i marrim bekimet që dëshirojmë. Enoku eci me Perëndinë për 365 vite përpara se ai dhe populli i tij të ngriheshin në qiell. Treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet përpjekje të mëdha për të bërë gjithçka siç duhet, dhe pastaj ajo ndodhi! (Shih Doktrina e Besëlidhje 107:49.)

Vdekja e vëllait tim, Çadit, erdhi vetëm pak muaj pas lirimit tonë nga udhëheqja e Misionit të Ogdenit në Jutë. Ishte mahnitëse që ndërkohë që jetonim në Kaliforninë Jugore, nga të gjitha 417 misionet ku mund të ishim caktuar në vitin 2015, ne u caktuam në veri të Jutës. Shtëpia e misionit ishte 30 minuta me makinë nga shtëpia e Çadit. Çadi u diagnostikua me kancer pasi ne morëm detyrën tonë të misionit. Edhe në rrethanat më sprovuese, ne e dinim se Ati ynë Qiellor ishte i ndërgjegjshëm për ne dhe po na ndihmonte të gjenim gëzim.

Unë dëshmoj për fuqinë shëlbuese, shenjtëruese, të përulur dhe të gëzueshme të Shpëtimtarit Jezu Krisht. Dëshmoj se kur i lutemi Atit tonë Qiellor në emrin e Jezusit, Ai do të na përgjigjet. Dëshmoj se teksa e dëgjojmë, mbajmë vesh dhe i kushtojmë vëmendje zërit të Zotit dhe profetit të Tij të gjallë, Presidentit Rasëll M. Nelson, ne mund ta lëmë “qëndrueshmëri[në] të kryejë në [ne] një vepër të përsosur” dhe “ta konsideroj[më] një gëzim të madh”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.