Sy për të Parë
Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, Krishti do të na aftësojë që ta shohim veten dhe t’i shohim të tjerët ashtu siç i sheh Ai.
Të Shohësh Dorën e Perëndisë
Më pëlqen shumë historia te Dhiata e Vjetër e një të riu që i shërbeu profetit Elise. Një mëngjes herët i riu u zgjua nga gjumi, doli jashtë dhe e gjeti qytetin të rrethuar nga një ushtri e madhe që kishte për qëllim t’i shkatërronte. Ai vrapoi për te Eliseu: “Oh, ç’do të bëjmë, imzot?”
Eliseu iu përgjigj: “Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta”.
Eliseu e dinte që i riu kishte nevojë për më shumë sesa një siguri qetësuese; atij i nevojitej largpamësi. Dhe kështu “Eliseu u lut … ‘O Zot, … hap sytë e tij që të mund të shohë.’ Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut”1.
Mund të ketë raste kur ju, ashtu si shërbëtori, e gjeni veten duke u munduar për të parë se si po vepron Perëndia në jetën tuaj – raste kur ju ndiheni të rrethuar – kur sprovat e vdekshmërisë ju ulin në gjunjë. Pritni dhe mirëbesoni te Perëndia dhe koha e Tij e duhur, sepse ju mund t’i mirëbesoni zemrës së Tij me gjithë zemrën tuaj. Por ka edhe një mësim të dytë këtu. Motra dhe vëllezër të mi të dashur, edhe ju mund t’i luteni Zotit që t’jua hapë sytë për të parë gjëra që nuk do t’i shihnit normalisht.
Ta Shohim Veten Ashtu si na Sheh Perëndia
Ndoshta gjërat më të rëndësishme që duhet t’i shohim qartësisht, janë se kush është Perëndia dhe se kush jemi ne në të vërtetë – bij dhe bija të prindërve qiellorë me një “natyrë hyjnore dhe fat të përjetshëm”2. Kërkojini Perëndisë t’jua zbulojë këto të vërteta, bashkë me mënyrën se si ndihet Ai për ju. Sa më shumë ta kuptoni identitetin dhe qëllimin tuaj të vërtetë, thellë në shpirt, aq më shumë do të ndikojë te gjithçka në jetën tuaj.
T’i Shohim të Tjerët
Të kuptuarit se si na sheh Perëndia përgatit udhën për të na ndihmuar që t’i shohim të tjerët siç i sheh Ai. Gazetari Dejvid Bruks tha: “Shumë nga problemet e mëdha të shoqërisë sonë burojnë nga njerëz që nuk ndihen të parë e të njohur. … [Ekziston] një tipar … thelbësor të cilin të gjithë duhet ta … përmirësojmë [dhe ai] është tipari i të parit thellësisht te njëri-tjetri dhe i të qenit i parë thellësisht.”3
Jezu Krishti i sheh njerëzit thellësisht. Ai i sheh individët, nevojat e tyre dhe se cilët mund të bëhen ata. Atje ku të tjerët panë peshkatarë, mëkatarë ose tagrambledhës, Jezusi pa dishepuj; atje ku të tjerët panë një burrë të pushtuar nga djaj, Jezusi pa përtej vuajtjes së jashtme, e pranoi atë njeri dhe e shëroi atë4.
Edhe në jetët tona të ngarkuara, ne mund ta ndjekim shembullin e Jezusit dhe t’i shohim individët – nevojat e tyre, besimin e tyre, shqetësimin e tyre dhe se cilët mund të bëhen ata5.
Teksa lutem që Zoti të më hapë sytë për të parë gjërat që nuk mund t’i shoh normalisht, shpesh i bëj vetes dy pyetje dhe i kushtoj vëmendje mbresave që vijnë. “Çfarë po bëj që duhet të ndaloj së bëri?” dhe “Çfarë nuk po bëj që duhet të filloj ta bëj?”6
Muaj më parë, gjatë sakramentit, ia bëra vetes këto pyetje dhe u befasova nga mbresa që më erdhi. “Mjaft e pe telefonin kur je duke pritur në radhë!” Ta shikoja telefonin kur isha në radhë ishte bërë thuajse automatike; më dukej një rast i mirë për të kryer disa detyra njëherësh, të përditësohesha me postën elektronike, të shikoja tituj artikujsh, ose t’u hidhja një sy të rejave në mediat shoqërore.
Mëngjesin tjetër, e gjeta veten duke pritur në një radhë të gjatë në dyqan. Nxora telefonin dhe më pas m’u kujtua mbresa që kisha marrë. E hoqa telefonin dhe vështrova përreth. Pashë një zotëri të moshuar në radhë përpara meje. Karrocën e kishte bosh, veç disa konservave me ushqim macesh. U ndjeva pak në siklet, por thashë diçka vërtet të zgjuar, si: “Shoh që paske mace”. Ai tha se po afronte një stuhi dhe se nuk donte të kapej ngushtë, pa ushqim për macet. Folëm shkurtimisht dhe më pas ai u kthye nga unë dhe tha: “A e di, nuk ia kam thënë askujt këtë, por sot kam ditëlindjen”. Më preku në shpirt. I urova ditëlindje të lumtur dhe u luta pa zë, falënderuese që nuk u mora me telefonin dhe që nuk humba një mundësi për të parë vërtet dhe për t’u lidhur me një person që i nevojitej kjo.
Me gjithë zemrën time, nuk dua të jem si prifti ose leviti rrugës për në Jeriko – një njeri që vështron dhe vazhdon rrugën7. Por shpeshherë mendoj se jam kështu.
Ta Shoh Punën e Perëndisë për Mua
Kohët e fundit mora një mësim të vlefshëm rreth të parit thellësisht nga një e re që quhet Rozlin.
Historinë ma tregoi një mikesha ime, e cila ishte e dërrmuar shpirtërisht kur bashkëshorti i saj prej 20 vjetësh, ishte larguar nga shtëpia. Me fëmijët e saj që e ndanin kohën midis prindërve, ideja e vajtjes vetëm në kishë dukej e frikshme. Ajo tregon:
“Në një kishë ku familja është me rëndësi parësore, të ulesh vetëm mund të jetë e dhimbshme. Atë të diel të parë hyra duke u lutur që askush të mos më fliste. Mezi po e mbaja veten dhe isha gati të shpërtheja në lot. U ula në vendin tim të zakonshëm, me shpresë që askush nuk do ta vinte re sa bosh dukej rreshti.
Një e re në lagjen tonë në Kishë u kthye nga unë dhe më vështroi. Bëra sikur buzëqesha. Ajo më buzëqeshi. Mund ta shihja shqetësimin në fytyrën e saj. Në heshtje u luta që ajo të mos vinte për të folur me mua – nuk kisha asgjë pozitive për të thënë dhe e dija se do të qaja. E ula shikimin te prehri im dhe e shmanga kontaktin me sy.
Gjatë orës pasuese, e vura re që më vështronte herë pas here. Sapo mbaroi mbledhja, ajo erdhi drejt e tek unë. ‘Ç’kemi Rozlin’, pëshpërita. Më mbështolli në krahët e saj dhe më tha: ‘Motra Smith, mund ta dalloj se sot është një ditë e keqe për ty. Më vjen shumë keq. Të dua.’ Siç e prisja, lot më rrodhën teksa ajo më përqafoi sërish. Por kur u largova, mendova me vete: ‘Ndoshta, pas së gjithash, unë mund t’ia dal mbanë!’
Ajo vajzë e dashur 16-vjeçare, më pak se gjysma ime në moshë, më gjente çdo të diel për gjithë pjesën tjetër të atij viti, për të më dhënë një përqafim e për të më pyetur: ‘Si je?’ Kjo solli shumë ndryshim në mënyrën se si u ndjeva rreth ardhjes në kishë. E vërteta është se unë fillova të mbështetesha tek ato përqafime. Dikush më vuri re. Dikush e dinte se isha aty. Dikush u kujdes.”
Ashtu si me të gjitha dhuratat që Ati na i jep me aq dëshirë, të parit thellësisht kërkon nga ne që t’i kërkojmë Atij – dhe më pas të veprojmë. Kërkoni t’i shihni të tjerët ashtu siç i sheh Ai – si bijtë dhe bijat e Tij të vërtetë me potencial të pafundmë dhe hyjnor. Pastaj veproni duke i dashur, duke u shërbyer dhe duke e pohuar vlerën dhe potencialin e tyre sipas nxitjeve. Kur ky bëhet modeli i jetës sonë, ne do ta gjejmë veten duke u bërë “pasues të vërtetë të … Jezu Krisht[it]”8. Të tjerë do të jenë në gjendje t’i mirëbesojnë zemrës sonë me zemrën e tyre. Dhe në këtë model ne do të zbulojmë gjithashtu vetë identitetin dhe qëllimin tonë të vërtetë.
Mikesha ime më tregoi një përvojë tjetër teksa ulej në po atë stol bosh, e vetme, duke vrarë mendjen nëse 20 vjet përpjekje për ta jetuar ungjillin në shtëpinë e saj kishin shkuar kot. Ajo kishte nevojë për më shumë sesa një siguri qetësuese; asaj i nevojitej largpamësi. Ajo ndjeu që një pyetje i përshkoi zemrën: “Përse i bëre ato gjëra? A i bëre për shpërblimin, lavdërimin nga të tjerët, apo për rezultatin e dëshiruar?” Ajo ngurroi për një çast, rrëmoi në zemrën e saj dhe më pas qe në gjendje të përgjigjej e sigurt: “I bëra ato sepse e dua Shpëtimtarin. Dhe e dua ungjillin e Tij.” Zoti ia hapi sytë që ta ndihmonte të shikonte. Ky ndryshim i thjeshtë por i fuqishëm i largpamësisë, e ndihmoi që të vazhdonte të ecte përpara me besim në Krisht, pavarësisht rrethanave të saj.
Unë dëshmoj se Jezu Krishti na do dhe mund të na japë sy për të parë – madje edhe kur është e vështirë, madje edhe kur jemi të lodhur, madje edhe kur jemi të vetmuar, e madje edhe kur rezultatet nuk janë siç shpresonim. Nëpërmjet hirit të Tij, Ai do të na bekojë dhe do ta rritë aftësinë tonë. Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, Krishti do të na aftësojë që ta shohim veten dhe t’i shohim të tjerët ashtu siç i sheh Ai. Me ndihmën e Tij, ne mund ta dallojmë atë që është më e nevojshme. Ne mund të fillojmë ta shohim dorën e Zotit që vepron në hollësitë e zakonshme të jetës sonë dhe nëpërmjet tyre – ne do të shohim thellësisht.
Dhe atëherë, në atë ditë të madhe “kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është; që të mund të kemi këtë shpresë”9 është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.